Pikëpamje | Media

Mirë se vini në revistën online të K2.0

Nga - 04.10.2016

Ndërsa po hyjmë në një epokë të re, K2.0 do të vazhdojë të sfidojë, të provokojë e të frymëzojë.

Sot po e lansojmë revistën e re online të Kosovo 2.0, e cila shënon një moment të rëndësishëm të pranisë sonë mediale. Gjatë gjashtë viteve e gjysmë që i kemi lënë pas, K2.0 ka prezantuar një seri të gjerë formatesh të ndryshme të gazetarisë. Në vitin 2010 lansuam plaformën e parë të blogëve ne vend. Një vit më vonë, filluam me edicionin e shtypur të revistës tematike, e cila përfundoi sivjet si një përmbledhje prej 10 numrash. Për më tepër, gjatë gjithë kësaj kohe, gjithmonë kemi kërkuar të gjejmë mënyra inovative dhe domethënëse të përfshirjes së publikut në përmbajtjet tona, qoftë online apo offline.

Që nga vetë fillimi, puna jonë u bazua në bindjen se si një organizatë mediale, kemi përgjegjësi sociale të kontribuojmë për një debat publik të informuar, ku mbizotëron llojllojshmëria e zërave, dhe me qytetarët në ballë të veprimtarisë sonë. Fokusi jonë ka qenë pikërisht ta theksojmë këtë çështje, këto narrativa dhe përvoja që janë të margjinalizuara apo madje edhe të përjashtuara nga dhe brenda diskursit të rëndomtë dhe praktikave mediale.

Ndërsa po lëvizim drejt një epoke të re të K2.0 si revistë online, punën tonë e shohim përbrenda një parimi gjithëpërfshirës i cili shpesh dhe lehtë merret si i garantuar, apo edhe i nënvlerësuar në ditët tona — pra, që në shoqëritë tona të informacionit të bollshëm, gazetaria e cila është e pavarur nga çfarëdolloj interesi financiar apo politik, dhe e cila merr kohë për të informuar, shpjeguar dhe analizuar, është thelbësore nëse dëshirojmë të kontributojmë për një shoqëri vetëanalizuese. Dhe në mjedisin medial të ditëve tona i cili është i kapluar nga mediat, gazetaria e tillë po bëhet shumë e më shumë si përjashtim, dhe jo si pritje.

Në njërën anë, informacioni sot është më i qasshëm se kurrë, dhe mundësitë që qytetarët të marrin pjesë dhe të krijojnë janë me bollëk. Epoka digjitale padyshim ka ofruar një varg mjetesh e formatesh të cilat në shumë mënyra i kanë rritur gjasat për politika pjesëmarrëse dhe kanë lehtësuar prodhimin e lajmeve dhe të informacioneve. Bota online është shndërruar në një sferë publike në vetvete, në një vend ku shkëmbehen dhe diskutohen informacionet, mendimet dhe opinionet.

Mediumi i pavarur duhet të bazohet në parimet etike dhe ta njohë fuqinë e fjalëve.

Në anën tjetër, ndërsa mediat e reja shumë e më shumë po zhvillojnë veprimtari si biznese, ato në masë të madhe shtyhen nga të ardhurat financiare. Lajmet e shkurta, skandaloze, personale  – këto janë vetëm disa prej praktikave dhe qasjeve të shpeshta të mediave ndërsa klikët i zëvendësojnë lexuesit e njëmendtë, dhe të ardhurat nga reklamat e zëvendësojnë ndikimin medial. Presioni komercial shumë e më shumë po i jep peshë triviales dhe të popullarizuarës, e cila po e shpërfill thelbësoren, informuesen si dhe rëndësinë e çështjeve për të cilat flitet. Ndërsa forcat e tregut shumë e më shumë po ndikojnë në vendimet redaktoriale, publiku po konsiderohet si mall dhe jo si individë me mendime të pavarura.

Megjithatë, nuk mund të vlerësojmë e të flasim për pavarësinë e mediave vetëm në raport me presionet politike, financiare apo biznesore, meqë kufiri nuk përfundon te vendimmarrja përbrenda mundësive apo kufizimeve të tregut. Mediumi i pavarur është ai i cili vazhdimisht e rivlerëson funksionin e vet brenda shoqërisë, i cili është i vetëdijshëm dhe madje edhe vetëkritik. Për më tepër, ai gjithashtu e ka parasysh se luan shumë role shoqërore — të shpjegojë aq sa edhe të pyes, të informojë si dhe të argëtojë. Gjatë gjithë kohës mediumi i pavarur duhet të bazohet në parimet etike dhe ta njohë fuqinë e fjalëve. Gjuha nuk është vetëm një mjet teknik me të cilin ne komunikojmë; nëpërmjet gjuhës ne ndërtojmë kuptime, dhe këto kuptime bëhen mënyra përmes së cilës ne ndërtojmë dije dhe e kuptojmë shoqërinë përreth nesh.

Natyrisht se kufizimet financiare nuk mund të shpërfillen plotësisht. Ato gjithashtu kanë pasur ndikim të madh këtu në K2.0, kur kemi marrë vendimin e vështirë t’i japim fund revistës në formë të shtypur këtë vit. Ky nuk ka qenë vendim i lehtë. Në njërën anë ai ishte rezultat i shpenzimeve të mëdha të prodhimit të cilat vazhdimisht krijonin pengesa financare dhe presione ndaj qëndrueshmërisë afatgjatë të organizatës sonë. Në anën tjetër, fakti që Kosovës i mungon një industri e fuqishme private e reklamave, e cila është e pavarur nga interesat politike dhe biznesore, e bën të pamundshme për mediat të gjejnë modele të financimit të pavarur.

Derisa besojmë fuqishëm se revista jonë e shtypur do të vazhdojë të jetojë në duart e lexuesve tanë, mbesim të përkushtuar të ofrojmë po këtë përvojë dhe vullnet gazetaresk ndërsa po kalojmë në revistë të sferës online. Dhe kjo bazohet në njërin prej parimeve themelore të gazetarisë: t’i shërbejmë të mirës publike dhe të marrim vendime në bazë të interesit publik. Përbrenda një qëndrimi të tillë, elementi thelbësor është të kuptohet se publiku nuk është homogjen; dështimi në këtë drejtim çon në përjashtimin dhe margjinalizimin e zërave në shoqëri, duke i kufizuar çështjet përbrenda kuptimeve lineare apo të njëllojta.

Gazetaria e formatit të gjatë, përshkrues, është formë e cila vazhdon të jetë relevante, pavarësisht faktit që vazhdimisht na shtyjnë ta besojmë të kundërtën.

Për këtë arsye ‘gazetaria e cila merr kohë’ për të dëgjuar, kuptuar, informuar, shpjeguar e kontekstualizuar  – pavarësisht se çka na imponon cikli 24-orësh i lajmeve si çështje më me peshë — është thelbësore për mirëqenien dhe të ardhmen e shoqërive tona. Dhe gazetaria e formatit të gjatë, përshkrues, është formë e cila vazhdon të jetë relevante, pavarësisht faktit që vazhdimisht na shtyjnë ta besojmë të kundërtën.

Kohë pas kohe, i dëgjoj studentët e mi të gazetarisë duke thënë se si funksioni dhe roli i mediumit online është të ofrojë informacione sa më shkurt e sa më shpejt që është e mundur. Unë besoj se ky është qëndrim dhe besim të cilin ata e kanë fituar duke u bazuar në shembuj të përditshëm dhe përballje me lajmet në kohën tonë. Derisa gjithmonë do të ketë nevojë për media të informuara mirë, është e domosdoshme që kjo nevojë të plotësohest me gazetari të formatit të gjatë, me gazetari përshkruese dhe shpjeguese e cila ofron një bazë të shëndoshë mbi të cilën mund të kontribuohet për një debat më të gjerë. Sepse kur flasim se si janë shkelur të drejtat e një qytetari, se si një skemë korruptive po e cënon themelin e shoqërisë sonë, se si një klase politike po i mungon udhëheqësia elementare — një tweet me 140 karaktere, një citat i vetëm i prezantuar si artikull apo një opinion pa dhënë kontekst të nevojshëm thjesht nuk mjafton.

Këto janë disa prej çështjeve e bindjeve të cilat kanë çuar drejt strukturës së K2.0 të cilën po e lansojmë sot, si dhe arsye përse do të vazhdojmë të prodhojmë përmbajtje të formatit të gjatë.

Duke e lansuar uebfaqen tonë të re, nuk po e prezantojmë thjesht dizajnin e ri. Kategoritë e revistës sonë online janë përzgjedhur bazuar në diskutimet lidhur me çështjet me të cilat ballafaqohen mediat sot — N’thelb përmban editoriale dhe reportazhe të cilat gërmojnë në çështjet me peshë; analizat dhe komentet nga një varg Pikëpamjesh që intrigojnë; Bisedat të cilat provokojnë dhe inspirojnë; Qasja Shkurt ndaj lajmeve dhe ngjarjeve të mëdha pa e shpërfillur asnjëherë rëndësinë e kontekstin; dhe Blogët të cilët i inkurajojnë qytetarët të vazhdojnë të shkëmbejnë përvoja dhe t’i ndihmojnë njëri-tjetrit ta kuptojnë më mirë botën rreth tyre.

Si revistë online, K2.0 gjithmonë do t’i mbetet besnike rrënjëve tona si një vend ku mund të dëgjohen zëra të ndryshme, por duke u zhvilluar vazhdimisht me qëllim të përmbushjes së nevojave të shoqërisë sonë bashkëkohore. Do të vazhdojmë të besojmë se fjalët dhe imazhet mund të fuqizojnë individë dhe shoqëri, dhe shpresojmë se besimet e tilla do t’ju bëjnë edhe ju pjesë të këtij procesi.K

KOMENTET

4
SHIKO KOMENTET
  • 04 Oct 2016 - 18:26 Bardhi: Sajti ka dal 3.0. Urime :)
  • 04 Oct 2016 - 14:15 sprigs: Urime per faqen e bukur.
  • 04 Oct 2016 - 13:41 Arlind: Pergezimet e mia per ridizajnimin e uebfaqes, dhe idete inovative qe nga fillimi i punes suaj. Keep up the good work.
  • 04 Oct 2016 - 13:34 Arta: Ju lumte Kosovo 2.0
KOMENTO

KOMENTO