Në thelb | #podumeditë

Çfarë po ndodh me sigurimin shëndetësor?

Nga - 03.05.2017

Mbledhja e premiumeve pritet të fillojë pavarësisht mungesës së informatave bazike.

Në 18 vitet e fundit që prej përfundimit të luftës në Kosovë, shëndetësia ka dalur të jetë problem i përhershëm. Sistemi i shëndetësisë publike nuk arrin që t’i përmbush qëllimet e tij, ndërsa çmimet e ilaçeve e trajtimeve në spitalet private janë të papërballueshme për shumicën e popullsisë. Premtime për një sistem të sigurimeve shëndetësore publike janë dhënë shpeshherë, por edhe më shumë kemi parë dështime për t’i kryer punët brenda afateve të vetëcaktuara.

Në prill 2014, kuvendi i Kosovës më në fund e miratoi Ligjin për Sigurime Shëndetësore, me synim që të garantojë qasje universale në shërbime themelore dhe kualitative të shëndetësisë, duke i ndihmuar kështu të gjitha kategorive të shoqërisë, por veçanërisht personave më të varfër që janë të prekur nga çmimet e larta të shërbimit shëndetësor; ky ligj ofron skemë të sigurimeve të detyrueshme shëndetësore për të gjithë qytetarët, që paguhen nga kontributet e qytetarëve.

Ministria e Shëndetësisë kishte planifikuar që të nis mbledhjen e premiumeve në janar 2017, në mënyrë që të nis ndërtimin e Fondit të Sigurimit Shëndetësor që në fund pritet të përdoret për të përmisuar gjendjen e përgjithshme të shëndetësisë. Megjithatë, në dhjetor, një javë para datës së planifikuar të fillimit të mbledhjes se premiumeve, u lajmërua se ky hap i parë ishte shtyer deri me 1 korrik, pas shqetësimeve të shprehura nga partnerët ndërkombëtar dhe kritikë të brendshëm, që thanë se qeveria nuk është e përgatitur për ta zbatuar këtë ligj.

“Asnjë raportim nuk është bërë publik gjatë këtyre katër muajve, dhe procesi është karakterizuar me mungesë të informatave për publikun”.

Blerim Syla

Meqë data e fillimit po afrohet shpejtë, K2.0 i analizoi përgatitjet që i ka bërë Ministria e Shëndetësisë për të nisur një prej reformave më të rëndësishme të sistemit të shëndetësisë prej fundit të luftës. Si duket pak progres i dukshëm është bërë, dhe ka ende po aq paqartësi sa kishte edhe në fillim të vitit.

Në ditën kur u lajmërua shryrja për në muajin korrik, Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, tha se ai do t’i raportonte çdo muaj kryeministrit gjatë fazës përgatitore të mbledhjes së premiumëve, dhe se do të mbahej një fushatë për informimin e qytetarëve e bizneseve – shumë prej të cilave do të detyrohen që t’i paguajnë kontributet e punëtorëve.

Megjithatë, sipas Blerim Sylës, kreut të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë, “asnjë raportim nuk është bërë publik gjatë këtyre katër muajve, dhe procesi është karakterizuar me mungesë të informatave për publikun”; duke marrë parasysh këtë, ai vë në dyshim atë se a mund të përfundohen përgatitjet brenda kohës së shkurtër që ka mbetur.

Një perspektivë të tillë e ndanë edhe Saranda Ramaj, gazetare e Koha Ditore e cila e ka mbuluar gjerësisht fushën e shëndetësisë në Kosovë. “[Kryeministri Isa] Mustafa ka thënë se pa përfundimin e të gjitha përgatitjeve nuk duhet të fillojmë”, thotë Ramaj. “Tani është fundi i prillit, që do të thotë se pas dy muajve do të nis mbledhja e premiumëve, e gjatë këtyre katër muajve nuk kam parë ndonjë përgatitje të madhe – situata është ashtu siç ishte në dhjetor”.

K2.0 e thirri dhe i shkruajti Ministrisë së Shëndetësisë duke kërkuar më shumë hollësi për përgatitjet që janë ndërmarrë pas kërkesave të lexuesve gjatë fushatës sonë të fundit #PoDuMeDItë, por kërkesat e vazhdueshme për intervistë janë injoruar.

Të panjohurat e mëdha

E qartë është se, sipas Ligjit, punëmarrësit në sektorin publik dhe në kompani më të mëdha të sektorit privat do të obligohen që të paguajnë 3.5 përqind të rrogave të tyre si kontribute të detyrueshme, ndërsa punëdhënësit e tyre gjithashtu do të detyrohen që ta paguajnë një shumë të barabartë me ta. Në kompanitë më të vogla, me të hyra vjetore në vlerë më pak se 50,000 euro, punëmarrësit do të duhet që të paguajnë 2 euro në muaj, ndërsa punëdhënësit nuk do të obligohen që të paguajnë.

Megjithatë, edhe pse linja zyrtare thotë se kosovarët do të detyrohen që t’i paguajnë këto premiume prej 1 korrikut, Ministria e Shëndetësisë ende nuk i ka qartësuar disa hollësi kyçe të skemës së sigurimit shëndetësor, dhe ka publikuar shumë pak informata. Për shembull, ende nuk është zbuluar se çfarë shërbime shëndetësore do të mbulohen nga skema e re; nuk është publikuar ende një listë (që kërkohet ligjërisht) që i përcakton këto shërbime dhe medikamente.

Kritikët e theksojnë faktin se pa patur ide të qartë të shërbimeve që do të sigurohen pa pagesë për kosovarët e siguruar, i gjithë procesi mbetet i diskutabil. “Nëse fillojmë [të mbledhim premiume] pa listë të shërbimeve dhe një pacient diagnostifikohet me kancer, a do të thotë Ministria e Shëndetësisë se nuk mund t’i ndihmojë me shërim për shkak të buxhetit të vogël?”, pyet Ramaj, në mënyrë retorike. “Si qytetarë të Kosovës ne duhet të jemi të vetëdijshëm për ato që po i paguajmë”.

Ende është e paqartë se çfarë shërbime do të mbulohen nga sigurimi i ri dhe i detyrueshëm shëndetësor, meqë qeveria nuk ka publikuar ende informata kyçe. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Në fakt, Neni 37 i Ligjit për Sigurim Shëndetësor specifikon se mbledhja e premiumëve mund të nis vetëm pasi të miratohet nga qeveria Lista e Shërbimeve Themelore të Shëndetësisë, bashkë me një deklaratë financiare të kostos së pakos së propozuar të shërbimeve. Këto së pari duhet të përpilohen nga një komitet teknik, e të nënshkruhen nga një Bord Drejtues i Fondit, të paktën tre muaj para fillimit të vitit fiskal.

Një parakusht tjetër që duhet të përmbushet para se të mund të niset ligjërisht mbledhja e premiumëve thotë se 75 përqind të punëmarrësve në sektorin publik dhe në organizata më të mëdha të sektorit privat duhet të pajisen me kartë sigurimi ose mjete tjera të verifikimit të statusit të regjistrimit të sigurimit shëndetësor.

Nuk ka dëshmi që është përmbushur ndonjëra prej këtyre objektivave që janë listuar në Ligj, e publiku mbetet i painformuar për ecurinë e punës.

Pavarësisht këtyre përjashtimeve, për Ramaj shqetësim edhe më urgjent është idea që mbledhja e premiumëve mund të nis pa funksionalizimin e plotë të sistemit informativ që do t’i regjistrojë në mënyrë digjitale të gjitha shërbimet dhe ilaqet që do t’i kompensohen qytetarëve të siguruar. Sistemi informativ do të përdoret për të regjistruar atë se kur janë kompensuar qytetarët për shërbime dhe ilaqe që i kanë paguar duke u lidhur me kartat e sigurimit shëndetësor, e duke ndihmuar kështu që të reduktohet niveli i keqpërdorimit të sistemit të sigurimit shëndetësor.

Një shqetësim tjetër është menaxhimi i pritjeve të qytetarëve. I shqetësuar, Syla mendon se kur të nisin qytetarët që t’i paguajnë premiumët, natyrisht do të presin kualitet më të lartë të shërbimeve të shëndetësisë publike për shkak të pagesës së premiumeve, ndërsa e pashmangshme është që do të duhet kohë për t’i përmiduar shërbimet shëndetësore. “Punëtorët e shëndetësisë do të atakohen dyfish”, thotë ai. “Ata do të paguajnë sigurim shëndetësor [nëpërmjet premiumëve si punëtorë të sektorit publik] dhe në të njejtën kohë do të atakohen nga qytetarët për shkak se qytetarët do të kërkojnë shërbime më të mira pas mbledhjes së premiumëve, dhe do ta kenë këtë të drejtë”.

Kush do të paguaj?

Linjat buxhetore duken të pakëta kështu që niveli i përmirësimeve në kualitetin e shërbimeve do të pasqyrohet në afat të gjatë. Sipas Ligjit për Sigurim Shëndetësor, Fondi nuk mund të mbushet nëpërmjet huadhënies, e kështu është i varur financiarisht në paratë e mbledhura nëpërmjet premiumëve.

Ramaj thekson se një varësi kaq e rëndë në premiume është problematike nga një pikëpamje praktike, meqë një numër i madh i njerëzve janë në kategoritë që ‘të liruara’, e kështu nuk paguajnë premiume; “në parim” është mirë të kesh lirime të tilla, nga një pikëpamje sociale, thotë ajo, por sidoqoftë e bën zbatimin e skemës së sigurimit shëndetësor shumë problematike.

Në mesin e atyre që lirohen nga pagesat e premiumeve, sipas Kapitullit 2 të Ligjit, përfshihen familjet e varfëra që jetojnë me ndihmë sociale, ish-pjestarët e UÇK-së që kanë mbetur me aftësi të kufizuara nga lufta si dhe anëtarët e afërt të familjeve të tyre përkatëse, individët që jetojnë në institucione shtetërore, dhe të burgosurit.

Megjithatë, ligji gjithashtu specifikon se edhe tjerët do të jenë të lirë e nuk do të paguajnë premiume në qoftë se e vërtetojnë se janë  ‘të varfër’ sipas kritereve zyrtare të testimit.  Këtu janë të përfshirë: pensionerët, studentët, personat me aftësi të kufizuara, veteranët e luftës, të burgosurit e dikurshëm politik dhe anëtarët e afërt të familjeve të tyre përkatëse, anëtarët e afërt familjar të dëshmorëve të luftës, viktimat e abuzimit seksual në kohë të luftës, anëtarët e afërt familjar të viktimave civile të luftës, pensionistët e Trepçës dhe anëtarët e pensionuar të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Meqë shumë qytetarë janë të liruar nga pagesat e premiumëve të sigurimit shëndetësor, ende mbesin pa përgjigje pyetjet për atë se si do të mblidhen fondet adekuate. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Aplikimi i këtyre lirimeve mbështetet parimisht në identifikimin e saktë të numrit të personave që bien në këto kategori, proces ky që nuk është fare i drejtpërdrejtë, veçanërisht për veteranët dhe viktimat e kohës së luftës. Procesi zyrtar i verifikimit të veteranëve të luftës dhe viktimave civilë nuk është kryer për shkak të parregullsive dhe aplikuesve të rremë; më shumë se 46,000 aplikime u pranuan prej vitit 2012 deri në 2016 prej qytetarëve që pretendonin se ishin ish-luftëtar të UÇK. Shumë njerëz besojnë që ky numër është fryrë shumë si rezultat i aplikimeve të rreme prej njerëzve që po shpresonin që t’i gëzonin përfitimet financiare të statusit veteran – si përjashtimi i mundshëm nga pagimi i premiumeve të sigurimeve shëndetësore.

Ende nuk po shihet fundi i procesit të verifikimit, dhe kështu është e paqartë se kush do të ishte i pranueshëm për përjashtim nga procesi i pagimit të kontributeve të sigurimit shëndetësor. Ndërkohë Fondi Monetar Ndërkombëtar, një prej partnerëve ndërkombëtar financiar të Kosovës, ka paralajmëruar se nëse lista e veteranëve nuk klasifikohet përsëri e shkurtohet, do të rrezikohet stabiliteti financiar në vend.

Nëse fondet e mbledhura nëpërmjet premiumeve dalin të jenë të pamjaftueshme, qeveria do të mund të injektojë financa qendrore në Fondin e sigurimit shëndetësor kohë pas kohe me… Vitin e kaluar shpenzimet publike në sektorin e shëndetësisë u vlerësua të kenë qenë rreth 170 milion euro prej buxhetit të përgjithshëm të Kosovës, që është në vlerë 1.6 miliard euro. Por sipas strategjisë 2017-2012 të Ministrisë së Shëndetësisë, nuk parashihen ndryshime të konsiderueshme për buxhetin qeveritar të ndarë për sektorin publik në vitet e ardhshme.

Fuqizimi i sektorit privat?

Pa investime më serioze dhe vizion afatgjatë për sektorin e shëndetësisë, kritikët janë të shqetësuar se i gjithë procesi i sigurimit shëndetësor mund të jetë i kotë.

Syla thekson shpërfilljen e vazhdueshme të të gjitha qeverive ndaj sektorit publik të shëndetësisë gjatë viteve, duke aluduar se kjo e ka sjellur tërë sektorin në afërsi të shembjes totale. Ai është skeptik për trajtimin e sektorit publik të shëndetësisë dhe institucioneve private si të barabarta në Ligjin për Sigurim Shëndetësor, sepse kështu qytetarët e siguruar do të mund të zgjedhin lirshëm se ku duan të trajtohen. Sipas tij, pa financim serioz të sektorit publik të shëndetësisë nga qeveria si metodë shoqëruese e kontributeve të qytetarëve, skema e re e sigurimit shëndetësor do të shërbejë thjeshtë si fuqizuese e sektorit privat të shëndetësisë, e koston për këtë do ta mbulojë publiku.

Ramaj pajtohet, duke thënë se është e pashmangshme që qytetarët do të zgjedhin që të trajtohen në sektor privat, ku standardet kanë tendencë që të jenë më të larta. “Nuk mund t’i trajtosh si të barabarta kur sektori publik është lënë në baltë pas luftës dhe funksionon me pajisje të viteve të 90-a – të themi se është i barabartë me Spitalin Amerikan që operon me pajisje të vitit 2015…”, thotë ajo, duke shtuar se skema e re thjeshtë do ta ndihmojë lulëzimin e sektorit privat.

Kritikët thonë se tepër pak është investuar në sistemin publik të shëndetësisë gjatë viteve. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Spitalet private në Kosovë dhe jashtë saj në fakt veç se janë duke përfituar nga mungesa e kapacitetit në sektorin publik të shëndetësisë. Prej vitit 2002, Ministria e Shëndetësisë e ka zhvilluar një program ‘të përkohshëm’ për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Publike të Shëndetësisë, që i lejon qytetarët që të aplikojnë për financim publik, për të paguar në bazë private për operacione komplekse që nuk mund të kryhen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Fondi është fryrë shumë gjatë viteve – me 5.5 milion euro të ndara për vitin 2014, 7.8 milion për 2015 dhe më shumë se 8 milion për vitin e kaluar – e së fundmi është raportuar se numri i personave që aplikojnë për trajtim mjekësor është rritur.

E paqartë mbetet e ardhmja e këtij programi, dhe mënyra se si do të përshtatet me skemën e re të sigurimit shëndetësor. Jo vetëm që kërkon financim serioz që përndryshe mund të ishte investuar në sektorin publik, por natyra selektive e ofrimit të trajtimeve specifike jashtë sektorit publik duket se është në kundërshtim me natyrën ‘universale’ të skemës së re të sigurimit shëndetësor. Në afat të shkurtër, megjithatë, mbyllja e krejtësishme e programit nuk duket se është opsion, meqë disa procedura komplekse, si transplantet e organeve është e ndaluar me ligj ndërsa nëbtrajtimet përbleukemie sëmundje më komplekse nuk po arrihet të kryhen në Kosovë.

Meqë mbledhja e premiumeve për sistemin e ri të sigurimit shëndetësor pritet të nis pas më pak se dy muajve pavarësisht faktit se nuk po ipen detaje të rëndësishme të kësaj skeme, edhe Syla, edhe Ramaj, besojnë se kjo situatë po përdoret për të fituar pikë politike para zgjedhjeve lokale në nëntor, dhe zgjedhjeve të shumëpritura parlamentare që po përfliten shumë së fundmi. “Tani po vijnë zgjedhjet, ata [qeveria] do të thonë se po na ofrojnë sigurim shëndetësor”, thotë Sylaj.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

Kjo intervistë është përgjigje ndaj pyetjeve që kanë dërguar lexuesit në kuadër të fushatës #PoDuMeDitë për sigurimin shëndetësor. Fushata #PoDuMeDitë është mbështetur nga Ambasada Holandeze në Kosovë.