afghanistan1
Në thelb | Migrimi

Kur Kosovarët zgjedhin Afganistanin

Nga - 04.11.2015

Rrogat tërheqëse i joshin mijëra njerëz për të punuar në zona të luftës.

“Predha e Talibanëve goditi kuzhinën në të cilën nisa të punoj si kryekuzhinier një javë më vonë. Njerëz kishin vdekur aty”, tha Fazli Fazliu për Kosovo 2.0, rrugës për në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. “Kur dëgjon kësi gjanash mendon se mundesh me ia nis një jetë të re me 300 euro rrogë në Kosovë. Masanej kthehesh këtu, dhe iu bashkohesh turmës së njerëzve të papunë”.

Fazliu 32 vjeçar, është një prej mijëra punëtorëve të Kosovës që ka patur mundësinë të punësohet për kompaninë amerikane që kur SHBA-të, bashkarisht me aleatët e NATO-s, nisën luftërat në Afganistan në vitin 2001 dhe Irak në 2003.

Rrogat astronomike – që janë mesatarisht 4,000 dollarë në muaj, dhjetë herë më të larta se mesatarja në Kosovë – ishin nxitje e madhe për shumë punëtorë që të rrezikojnë jetërat e tyre duke u sfiduar të punojnë në zona lufte.

“Nuk kishim rroga të mira këtu dhe vendosëm të shkojmë atje për shkak të parave, tha Fazliu.” Por këto vende nuk janë të sigurta; ka gjuajtje armësh dhe ka raste kur të vriten kolegët”. Në 2011, një grua 35 vjeçare nga Ferizaji u vra në një sulm vetëvrasës të Talibanëve në Kabul, derisa ajo punonte si pjesë e stafit civil.

Rreziku potencial i sulmeve të Talibanëve nuk është e vetmja gjë që e bën Afganistanin mjedis të pakëndshëm për punë. Orët e gjata të punës, prej agimit deri në mbrëmje, shtatë ditë në javë, përjashtojnë çdo mundësi për të patur jetë sociale, që ashtu kështu do të kishte qenë e kufizuar në kampet e errëta ushtarake që shërbejnë si ‘shtëpi për punëtorët’.

Kushtet në kampet e Afganistanit janë të vështira, me shumë pak mundësi të jetës sociale për punëtorët

Kushtet në kampet e Afganistanit janë të vështira, me shumë pak mundësi të jetës sociale për punëtorët

Në fillim, Fazliu iu bashkua ekuipazhit amerikan me qëllim të qëndrojë aty deri në dy vjet. Pagesa e mirë i ofroi atij një siguri më të madhe financiare për të ardhmen. Pesë vite më vonë, Fazliu shumicën e kohës së vitit e kalon në Afganistan; ai ndjehet çdo vit e më i huaj në atdheun e tij.

“Dikur mësohesh me situatën atje, duke e parë se këtu është vështirë ta gjesh vetën”, tha Fazliu. “Shumica e njerëzve që u kthyen në Kosovë duan të kthehen në Afganistan. Shumica e kolegëve të mi që janë kthyer pyesin nëse po hapen vende të reja të punës në Afganistan. Arsyeja është e thjeshtë, e kanë të vështirë të përshtaten me realitetin në Kosovë, pra të riambientohen në shoqëri”.

Shumica e punëtorëve nga Kosova punojnë si staf civil, duke nisur nga specialistë të shërbimit të ushqimit, specialistë të teknologjisë informative, specialistë të gjendjes morale, mirëqenies dhe rekreacionit (Fitnes), mekanikë, vozitës të kamionëve, punëtorë në depo, zdrukthtarë, si dhe punë tjera logjistike. Shumica e punëtorëve nga Kosova janë nga Ferizaj, një qytet në jug të Kosovës që ka afër bazën ushtarake Amerikane Bondsteel, dhe vend prej të cilit kompania amerikane e inxhinierisë, prokurimit dhe ndërtimit, KBR (Kellogg Brown & Root) nisi të rekrutojë punëtorë në Afganistan e Irak prej vitit 2002. Kompani tjera të njohura që kanë punësuar nga Kosova në Afganistan janë Fluor Group, Dyncorp dhe Ecolog, si dhe nënkontraktues të tjerë më pak të njohur.

Shumë Kosovarë që kanë punuar në Afganistan në të kaluarën shprehin dëshirën të rikthehen prapë në Afganistan

Shumë Kosovarë që kanë punuar në Afganistan në të kaluarën shprehin dëshirën të rikthehen prapë në Afganistan

Analiza e kryer nga Instituti GAP në 2011 tregoi se deri në 2009, të hyrat mesatare për person për ata që punojnë në Afganistan ishin më të larta se kudo tjetër që Kosovarët punojnë në botë. Të hyrat e plota mesatare vjetore në Afganistan, që u paguan në banka komerciale në Kosovë, ishin50 deri në 55 milion euro; më shumë se dyfishi i buxhetit të Komunës së Ferizaj-t, që në 2014 ishte përafërsisht 23.25 milion euro. Sipas të dhënave që Kosovo 2.0 siguroi nga Banka Qendrore e Kosovës, në 2014 të hyrat e përgjithshme nga Afganistani ishin reduktuar shumë, deri në 25.8 milion euro.

Rënia e të hyrave në vitet e fundit nuk është befasuese duke marrë parasysh ndryshimin e situatës në Afganistan. Politika e jashtme e Amerikane po fokusohet në tërheqjen e forcave të armatosura nga Afganistani, rrjedhimisht numri i punëtorëve të mbështetjes civile kuptohet ka rënë poashtu. Ndonëse Instituti GAP vlerësoi se rreth 2,100 kosovarë po punonin në Afganistan në 2011, ky numër mundë të supozojmë se ka rënë dukshëm tani. Megjithatë, nuk ekzistojnë statistika të besueshme, pasi që asnjë institucion në Kosovë nuk ka mbajtur të dhëna për punëtorët në Afganistan.

Kthim pa mikëpritje

Pavarësisht se nuk ka të dhëna për numrin e atyre që punojnë në Afganistan, ka pasur deklarata të vazhdueshme nga Komuna e Ferizaj-it gjatë gjithë këtyre viteve, në të cilat u tha se të hyrat nga Afganistani janë potencial i madh ekonomik për këtë rajon. Në debatin e zgjedhjeve të fundit lokale në 2013, dy kandidatët, Agim Aliu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Muharrem Sfarqa i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) – kryetari aktual i komunës së Ferizaj-t – u shprehën të përkushtuar të krijojnë klimë më të mirë biznesore për qytetarët që fitojnë rroga të mëdha jashtë vendit, që ata të investojnë në atdhe.

Enver Haliti, drejtori i departamentit për Zhvillim Ekonomik në komunën e Ferizaj-it, pajtohet se më shumë vëmendje është dashur të iu kushtohet gjatë gjithë viteve të pasluftës ndaj kategorisë punëtorëve jashtë vendit. Megjithatë, Haliti argumenton se politikat fiskale dhe makroekonomike diktohen nga qeveria qendrore, dhe se komuna vetëm i zbaton ato politika.

Haliti tha se prej kohës kur administrata e re e komunës arriti në pushtet në vitin 2013, ka lehtësuar krijimin e kushteve në të cilat të gjithë qytetarët mundë të bëjnë biznes më lehtë, veçanërisht duke siguruar plane biznesore të gatshme. “Departamenti i Zhvillimit Ekonomik ka financuar përgatitjen e 40 planeve biznesore për ide të ndryshme biznesore, që fokusohen kryesisht në prodhim dhe bujqësi”, tha ai për Kosovo 2.0.

Megjithatë, Haliti shton se edhepse kjo iniciativë ka nisur së fundmi nga komuna, nuk ka gjetur interesim të madh nga qytetarët deri sot. Ai thotë se shumë prej atyre që kanë kursyer para në Afganistan po vendosin të investojnë në patundshmëri në vend se të investojnë në planet biznesore që komuna ka përgatitur.

Ibrahim Rexhepi, drejtor i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale (STRAS), thotë se investimi në pasuri të patundshme ka qenë më profitabil për punëtorët në Afganistan sesa hapja e bizneseve të reja për shkak të klimës së pasigurt biznesore në Kosovë. Pretendimet e zyrtarëve të komunës se punëtorët në Afganistan nuk kanë treguar gatishmëri të investojnë në projektet e komunës janë vetëm arsyetime për faktin se ata nuk e kanë kryer punën e tyre si duhet, tha ai për Kosovo 2.0.

Në një terasë të një kafeneje në qendër të Ferizaj-it, studenti 24-vjeçar i mjekësisë, Vigan Asllani, që kaloi 14 muaj duke punuar në Afganistan, shpjegoi se si kushtet ekonomike në Kosovë bëjnë që shumë të kthyer ta shohin pasurinë e patundshme si të vetmin investim të duhur për kursimet e tyre. “Sigurisht punëtorët [kosovarë] në Afganistan ndërtojnë shtëpi [në Kosovë] sepse sektori privat nuk u jep sigurim”, tha ai. “Nuk mund të marrësh me qira në Kosovë. Po mos ta paguajë shefi rrogën dy muaj rresht, çfarë bën pastaj? Nuk mund të marrësh kredi për të ndërtuar shtëpi. Nuk përballohet financiarisht”.

Rexhepi thotë se komuna nuk ka bërë prej pasluftës ndonjë plan për të tërhequr investime nga njerëzit si Asllani. “Nuk kam vërejtur gjatë tërë këtyre viteve që ndonjë zonë është caktuar nga komuna e Ferizajit me infrastrukturë të plotë që mund të përshkruhet si zonë industriale ose park industrial”, tha ai. “Është një zonë por komuna vetëm e ka dhënë tokën dhe nuk përfundoi pjesët tjera të infrastrukturës”.

Shumica e Kosovarëve që punojnë në Afganistan vijnë nga Ferizaj,ndonëse numër të saktë të punëtorëve nuk ka pasi asnjë institucion nuk ka mbajtur të dhëna

Shumica e Kosovarëve që punojnë në Afganistan vijnë nga Ferizaj,ndonëse numër të saktë të punëtorëve nuk ka pasi asnjë institucion nuk ka mbajtur të dhëna

Rexhepi konkludon se problemet e investimeve të huaja nuk janë problem vetëm për Ferizaj-in, por janë problem me të cilin po përballet i gjithë vendi. Sipas tij, mungesa e sigurisë dhe institucioneve të qëndrueshme po e dëmton seriozisht ambientin ekonomik në Kosovë, dhe Ferizaj-i padyshim nuk bën përjashtim.

Asllani, që tashmë i kthyer në Ferizaj, gjatë 14 muajve të kaluara në Afganistan takoi shumë njerëz që kishin zgjedhur të shkojnë në këtë vend të Azisë jug-qendrore për t’i ikur varfërisë në vendlindje. “Kosova nuk siguron kushte elementare”, tha ai. “Kur fillon të marrësh përgjegjësi në jetë e ndjen nevojën për para dhe pastaj thua ‘po shkoj me të vërtetë'”.

Duke bashkëbiseduar me ata që kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë në Afganistan, vërehet vlerësimi i përzemërt i tyre për mundësinë që e patën për të punuar në projekte të tilla, mundësi që ua ndryshoi jetën. Sidoqoftë, për shumë që janë kthyer në atdhe, mungesa e klimës së përshtatshme biznesore gjithashtu ngrit dyshime, nëse ia vlenë të investohen në Kosovë kursimet e tyre të fituara me shumë sakrificë. Për shumë të tjerë, të tilla dyshime as që vijnë në shprehje, pasi që kampet ushtarake në shkretëtirat e Afganistanit vazhdojnë të shihen si perspektivë e ndritur për të ardhmen e tyre.

“Ka shumë njerëz që nuk duan të kthehen kurrë dhe nuk i fajësoj” tha Asllani. “Para Afganistanit jeta ishte tejet e vështirë për ta”.K

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO