Në thelb | Politika

Kush ishte Oliver Ivanoviq?

Nga , - 16.01.2018

Lideri serb vritet me armë zjarri në Mitrovicën e Veriut.

Sot (e martë, 16 janar), Oliver Ivanoviq, lideri i partisë politike serbe të Kosovës, Iniciativa e Qytetarëve “Serbia, Demokracia, Drejtësia”, u sulmua me armë zjarri para selisë së partisë së tij. 65-vjeçari vdiq më vonë në spital si pasojë e plagëve. Në zgjedhjet lokale të tetorit, partia e tij zhvilloi fushatë me slloganin: “Bëhu i guximshëm për një moment apo jeto me frikë për katër vitet e ardhshme”.

Ivanoviq gjithashtu po gjykohej për krime të luftës pasi thuhet se ka urdhëruar vrasjen e shqiptarëve në Mitrovicë gjatë luftës në Kosovë në vitin 1998-99. Më 21 janar, 2016, ai u dënua me nëntë vjet burg nga Gjykata Themelore e Mitrovicës në një gjykim të udhëhequr nga EULEX-i. Megjithatë, Gjykata e Apelit e Kosovës e anuloi vendimin dhe urdhëroi rigjykim në shkurt të vitit 2017. Ky rigjykim ishte në zhvillim e sipër në kohën e vdekjes së tij.

Vdekja e Ivanoviqit u konfirmua nga Kryeprokurori i Mitrovicës Shqyri Syla, i cili tha për koha.net se Ivanoviq u vra nga një veturë në lëvizje. Vrasja erdhi pas sulmit që u krye ndaj Ivanoviqit verën e kaluar, kur ia dogjën veturën.

Lideri politik serb Oliver Ivanoviq është vrarë me armë zjarri në Mitrovicën e Veriut. Foto: Eraldin Fazliu / K2.0.

Qeveria e Republikës së Kosovës menjëherë dënoi vrasjen e Ivanoviqit, duke e përshkruar si sfidë për sundimin e ligjit në shtetin tonë. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjithashtu e dënoi sulmin dhe u bëri thirrje autoriteteve t’i sjellin para drejtësisë autorët e këtij krimi.

Lajmi për vdekjen e Ivanoviqit bëri që të ndërpritej takimi i dialogut ndërmjet përfaqësuesve kosovarë dhe atyre serbë në Bruksel, që ishte i pari ndërmjet dy palëve pas një pushimi njëvjeçar. Përfaqësuesit serbë e braktisën takimin pasi morën lajmin nga veriu i Kosovës.

Pas këtij incidenti, bashkëshortja e Ivanoviqit, Milena, raportohet sipas mediave serbe të ketë thënë se e di kush e ka kryer veprën. “Kam një porosi për ata të cilët e kanë bërë këtë, dhe dihet mirë se kush janë: kjo nuk do të kalojë lehtë”, raportohet të ketë thënë ajo për TV Pink.

Politikani Ivanoviq

Ivanoviq ishte figurë kontroverze në skenën politike të serbëve të Kosovës. Ai ishte drejtues formal i opozitës kryesore ndaj Listës Serbe, entitetit politik që dominon spektrin politik të serbëve të Kosovës.

Meqë ishte i përfshirë në politikat lokale menjëherë pas luftës, ekonomisti dhe inxhinieri i lindur në Pejë shërbeu si anëtar i Kuvendit të Kosovës në dy legjislatura para se të shpallej pavarësia në vitin 2008; nga viti 2001 deri në vitin 2004, si pjesë e Koalicionit të Kthimit (KP), dhe më pas nga viti 2004 deri në vitin 2007, si anëtar i Listës Serbe për Kosovë dhe Metohi (SLKM). Në vitin 2009, ai themeloi partinë e tij, Iniciativa e Qytetarëve SDD.

Ndonëse më parë kishte punuar brenda politikës serbe, marrëdhëniet e tij me Beogradin u dobësuan viteve të fundit. Nga viti 2008 deri në 2012, ai shërbeu si sekretar shtetëror në Ministrinë e ashtuquajtur të ‘Kosovës dhe Metohisë’ në Qeverinë e Serbisë, por ai e kundërshtoi mbështetjen e fuqishme që Qeveria serbe i dha Listës Serbe pas themelimit të saj në vitin 2014 dhe u bë kritik i zëshëm në këtë aspekt.

“Ndonjëherë njerëzit kanë frikë dhe pikërisht atë frikë po e shfrytëzojnë këta djem të këqinj”.

Oliver Ivanovic, tetor 2017.

“Fillimisht, duhet ta qartësoj një gjë”, tha ai për K2.0 në tetor. “Nëse dikush i cili është përgjegjës për Kosovë në Qeverinë serbe thotë: ‘Vetëm Lista Serbe i përfaqëson pikëpamjet e serbëve dhe vetëm Lista Serbe mund të bashkëpunojë me Serbinë dhe nëse rastësisht kushdo tjetër fiton, ne nuk do të bashkëpunojmë me ta’ – kjo është budallaki!”

Megjithatë, pavarësisht rivalitetit politik me Listën Serbe, sa i përket pavarësisë së Kosovës, Ivanoviq kishte pikëpamje të ngjashme me rivalët e tij politikë si dhe me Qeverinë e Serbisë. “Mos keni iluzione për atë punë. Ne nuk e njohim pavarësinë e Kosovës, por jemi duke jetuar këtu në baza ditore dhe po komunikojmë edhe me ata që e promovojnë pavarësinë e Kosovës. Mos pritni nga unë të them ‘rrnoftë Kosova Republikë’ apo gjëra të tilla”, tha ai për K2.0 në tetor. Sa i përket rolit të Beogradit në politikën kosovare, ai kishte thënë: “Për çështje të mëdha, serbët e Kosovës nuk mund të bëjnë gjë pa bashkëpunuar për së afërmi me Beogradin”.

Në tetor të vitit të kaluar ai garoi në zgjedhjet komunale të Mitrovicës së Veriut, duke fituar vetëm 18 për qind të votave. Goran Rakiq i Listës Serbe mori kryesinë në raundin e parë të votimit, duke fituar 67 për qind. Katër vite më parë, në dhjetor 2013, Ivanoviqi e humbi betejën e parë për kreun e Mitrovicës së Veriut kundër Krstmir Pantiqit. Në atë kohë ai arriti të shkonte në balotazh, duke fituar 45 për qind të votave në raundin e dytë.

Në bisedë me K2.0 para zgjedhjeve, Ivanoviq e akuzoi Listën Serbe për përdorim të politikave të frikësimit. “Ndonjëherë njerëzit kanë frikë dhe pikërisht atë frikë po e shfrytëzojnë këta djem të këqinj”, thoshte ai. “Duke u bërë presion e duke i detyruar të mendojnë se nëse votojnë ‘gabimisht’ mund t’i humbin pensionet. A mund ta paramendoni këtë?”

Duke u përgjigjur për krime lufte

Përballja e parë e Ivanoviqit me drejtësinë ndërkombëtare ndodhi në vitin 2014, kur ai u akuzua nga departamenti i EULEX-it për krime lufte. Akuzat ishin në lidhje me vrasje të shqiptarëve në Mitrovicë më 14 prill, 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s.

Ivanoviq u akuzua gjithashtu – së bashku me ish-kreutn e Policisë Serbe në Mitrovicë, Dragoljub Delibasiqit – për nxitje të vrasjes së shqiptarëve gjatë trazirave që shpërthyen pas luftës më 3 shkurt, 2000, kur shumë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Në të njëjtën aktakuzë, Aleksandar Lazoviq si dhe dyshja babë e bir, Ilija dhe Nebojsa Vujaçiq, u akuzuan gjithashtu për vrasje dhe tentim vrasje.

Hetimet fillimisht ishin nisur kundër Ivanoviqit në vitin 1999 nga Njësiti Qendror i UNMIK-ut për Hetime Penale, por ato nuk ishin mbyllur kurrë, dhe më vonë u ishin dorëzuar EULEX-it.

Ivanoviq u arrestua për këto akuza në Mitrovicë më 24 janar, 2014. Dy vite më vonë, ai u shpall fajtor për një prej akuzave – krime lufte kundër popullsisë civile – nga Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës Themelore të Mitrovicës, dhe u dënua me nëntë vite burg.

vendimin e saj, gjykatësja e EULEX-it Roxana Comsa tha: “Gjykata e gjeti si të dëshmuar se më 14 prill, 1999, shumë familje shqiptare u dëbuan me forcë nga shtëpitë e tyre nga forcat serbe dhe u mblodhën në rrugë. Në mesin e këtyre njerëzve, një grup i burrave u mor prej ushtrisë nga një grup i paramilitarëve/policëve, deri sa e arritën pikën kufitare policore/paramilitare. Oliver Ivanoviq ishte pjesë e grupit të paramilitarëve/policëve të pranishëm në pikën kufitare. Ai ishte i veshur me uniformë të kaltër dhe i armatosur”.

Oliver Ivanoviq u paraqit si figurë e kontroverze: i zëshëm kundër mbështetjes së Beogradit për rivalët e tij politikë në Kosovë, e njëkohësisht i akuzuar për krime lufte. Foto: Eraldin Fazliu / K2.0.

Sipas vendimit, ata burra më pas u shoqëruan gjatë kalimit të kufirit, dhe katër prej tyre u vranë me armë zjarri derisa u ndal operacioni pasi erdhi një person me uniformë i cili dha urdhër për ndalim.

“Oliver Ivanoviq u shpall fajtor për krime lufte në jug të Mitrovicës, ndërsa në lidhje me dy akuzat e tjera, nuk është dëshmuar përtej dyshimit se ky person ka nxitur apo ka ndikuar për vrasje dhe dëbim të shqiptarëve”, tha Gjykatësja Comsa. Ivanoviq dhe të pandehurit e tjerë u liruan nga të gjitha akuzat në lidhje me ngjarjet e shkurtit të vitit 2000.

Pasi e shpalli fajtor për krime lufte, gjykatësja gjithashtu urdhëroi që Ivanoviq të mbahej në arrest shtëpiak derisa vendimi të bëhej përfundimtar. Këtë vendim e pranoi avokati mbrojtës i Ivanoviqit, Nebojsha Vlajiq. “Klienti im, duke ditur se mund të përballet me dënim me vdekje, nuk i iku drejtësisë dhe u paraqit në gjykatë. Ju garantoj se nuk do të arratiset, kështu që arresti shtëpiak është me vend”, tha Vlajiq në një konferencë për shtyp. Dënimi me vdekje nuk ekziston në Kodin Penal të Kosovës, megjithatë, rreziku për jetën e Ivanoviqit u mor parasysh edhe gjatë gjykimit të tij.

Ivanoviq bëri apel kundër vendimit të Gjykatës Themelore. Gjykata e Apelit e Kosovës e pranoi ankesën dhe urdhëroi rigjykim në shkurt të vitit 2017. Më pas, arresti shtëpiak i Ivanoviqit u zëvendësua me mbrojtje në liri.

Pas arrestimit të tij në vitin 2014, të mbijetuarit e masakrës së kryer më 14 prill, 1999, dhe vrasjeve të kryera më 4 shkurt, 2000, u thanë mediave se janë të bindur se në këto dy operacione Ivanoviq jo vetëm që ishte pjesëmarrës, por ishte edhe organizator.

Gjatë rigjykimit të Ivanoviqit, forcat e sigurisë – gjegjësisht Njësiti Special i Policisë së Kosovës, Policia e EULEX-it dhe ushtarët e KFOR-it – ishin vazhdimisht të pranishëm para Gjykatës.

Madje Policia e Kosovës pati përgatitur një plan special operativ për sigurinë e Ivanoviqit gjatë gjykimit të tij. Ky fakt u konfirmua nga zëvendësdrejtori aktual i Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, Besim Hoti. Kallxo.com raportoi se në një prej seancave të gjykimit në vitin 2016 ishte i pranishëm zyrtari ndërlidhës i Serbisë për Kosovë, Dejan Paviçeviq.

Arrestimi i Oliver Ivanoviqit ishte një prej rasteve të para të pasluftës që i nxiti serbët e Kosovës të protestojnë në kryeqytetin e Kosovës. Mbështetësit e tij bënin thirrje për lirimin e tij dhe pretendonin se ky rast ishte me motive politike.

Protestat u mbajtën më 8 gusht, 2014, në dy lokacione – një në Mitrovicën e Veriut para Gjykatës Themelore, ku ai po mbahej në arrest, dhe një tjetër para selisë së misionit të EULEX-it në Prishtinë, meqë ky mision e kishte akuzuar Ivanoviqin.K

Foto kryesore: Eraldin Fazliu / K2.0.