S`fundmi | Viza

A do të kenë së shpejti mundësi kosovarët të udhëtojnë jashtë vendit?

Nga - 21.07.2018

Qytetarët reagojnë pas hapit të radhës drejt liberalizimit të vizave.

Për kosovarët të cilët fluturojnë shpesh me aeroplan, Sejdi Sllamniku është fytyrë e njohur. Taksisti 57 vjeçar nga Dragoli, fshati më i afërt me Aeroportin e Prishtinës, pret çdo ditë para portës ku arrijnë udhëtarët, duke kërkuar klientë vendas apo turistë. Ndonëse çdo ditë të javës i dëgjon tregimet e klientëve që flasin për udhëtimet e tyre, ai kurrë nuk e pati mundësinë për të udhëtuar përtej rajonit të afërt.

Pasi që këtë javë u bë një hap i rëndësishëm për t’i liruar shqiptarët nga kërkesa për viza si parakusht për udhëtime në Zonën Shengen të Evropës – kur Komisioni Evropian konfirmoi se Kosova i kishte përmbushur kriteret e fundit për liberalizim të vizave – Sllamniku mendon për kuriozitetin e tij për të udhëtuar dhe për të parë se si jetojnë njerëzit në shtete të ndryshme. Ai ka dëshirë të veçantë t’i vizitojë komunitetet shqiptare nëpër shtetet e Evropës Perëndimore, për të qenë vet dëshmitar i përvojave të kosovarëve që jetojnë në diasporë.

Taksisti Sejdi Sllamniku i çon e i kthen çdo ditë pasagjerët në aeroport, por kurrë nuk e pati mundësinë të udhëtojë përtej rajonit. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Por për Sllamnikun, edhe pse liberalizimi i vizave është afruar, mundësitë për t’i përballuar financiarisht dëshirat e tij për të udhëtuar janë ende të vogla.

“Ndoshta do të kem mundësi ta shoh të themi një vend, por pjesa më e madhe e popullit në Kosovë nuk i kanë kushtet për të udhëtuar”, thotë ai. “Për të udhëtuar të duhen paratë. Njerëzit që kanë udhëtuar deri më tani do të vazhdojnë të udhëtojnë, por pa nevojë për viza – ata të cilët janë në gjendje më të mirë financiare”.  

Këtë pikëpamje e shprehën shumë tjerë në Kosovë në ditët e fundit. Një prej tyre është Faton Neziri, sportist i cili punon si shitës në një dyqan bone vet.

“Nuk na duhen vizat për ta vizituar Turqinë për shembull. Por pak njerëz kanë mundësi për të udhëtuar atje”, thotë ai. “Në fund të fundit, është vetëm një udhëtim. Nuk ke të drejtë për të punuar atje. Thjeshtë harxhon para dhe nuk fiton asgjë. Vizat i shërbejnë vetëm njerëzve të cilët merren me biznes”.

Faton Neziri nuk beson se liberalizimi i vizave do të ketë ndikim të madh tek një pjesë e madhe e qytetarëve, për shkak se nuk do të kenë mundësi t’i përballojnë financiarisht udhëtimet. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Një grua 25 vjeçare e cila punon në një prej pikave të marketeve Viva Fresh në Prishtinë gjithashtu nuk mendon se këto zhvillime do të ja ndryshojnë jetën. “Ku të shkojë me rrogën time 200 euro?”, pyet ajo me sarkazëm dhe duke buzëqeshur.

Largim masiv?

Dialogu me Bashkimin Evropian për t’i dhënë fund formal regjimit të vizave për kosovarët që duan të vizitojnë Zonën Shengen, nisi formalisht para gjashtë vite e gjysmë, në janar 2012. Në maj 2016, Komisioni Evropian konfirmoi se Kosova i kishte përmbushur të gjitha 95 kriteret për të cilat kishte punuar, por njëkohësisht lajmëroi se propozimi për heqje të regjimit të vizave ishte i parakushtëzuar nga dy kritere të reja – ratifikimi i kufirit me Malin e Zi, dhe prodhimi i rezultateve konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Dy vite më vonë, në raportin e Komisionit Evropian – që u publikua të mërkurën – u konfirmua se Kosova tani i kishte përmbushur këto dy kritere shtesë dhe se procesi do të kalonte tek Parlamenti dhe Këshilli Evropian, për shkak se të dy këto organe duhet ta miratojnë rekomandimin. Ndonëse politikanët kosovarë po pretendojnë se qytetarët do të udhëtojnë pa viza në fund të vitit, fjalë të tilla janë thënë shpesh në vitet e fundit, dhe nuk ka afat të caktuar kohor për atë se sa do të zgjasin hapat e mbetur procedural.

Skeptik që zhvillimet e fundit mund të jenë vetëm një alarm tjetër i rrejshëm pasi është zhgënjyer me vite nga politikanët e Kosovës dhe Bashkimi Evropian, Sllamniku mendon se kjo është bërë një temë e lodhur që në mënyrë të pajustifikuar e ka tërhequr vëmendjen larg problemeve reale të Kosovës.

“Ndoshta do të kryhet për gjashtë muaj, por unë nuk e besoj”, thotë ai. “Në fakt, për rreth tetë vite kjo ka qenë temë aq e rëndësishme në media, institucione dhe çdokund. Shpresoj që do të ndodhë me të vërtetë, dhe ndoshta pastaj ne do të merremi me nivelin e lartë të papunësisë, që është shumë më e rëndësishme se liberalizimi i vizave”.

“Do të jetë pasqyra kryesore e cila do ja tregojë botës pakënaqësinë që mbretëron në mesin e popullit të Kosovës”.

Flamur Bublica, gazetar

Flamur Bublica, një gazetar 23 vjeçar nga Lipjani, mendon se pavarësisht faktit se liberalizimi i vizave lejon vetëm vizita të shkurtëra deri në tre muaj, nëse ndodh, mund të shkaktojë përpjekje  të migrimit masiv të ngjashme me ato të dimrit 2014-15, kur dhjetëra mijëra kosovarë bënë përpjekje për t’u larguar nga vendi dhe për të shkuar drejt Hungarisë.

“Duke marrë parasysh atë se sa të nervozuar janë populli me qeverisjen e deritanishme, shumë prej tyre do të mundohen të largohen nga vendi në mundësi të parë”, thotë ai. “Do të jetë pasqyra kryesore e cila do ja tregojë botës pakënaqësinë që mbretëron në mesin e popullit të Kosovës”.

Këto shqetësime të Bublicës nuk vijnë pa precedent. Të dhënat e BE-së tregojnë se pas heqjes së regjimeve të vizave të shteteve fqinje të Kosovës në vitet 2009 dhe 2010, u paraqitën “sfida serioze” sa i përket rritjes së numrit të aplikimeve për azil në BE dhe refuzimeve që pasuan për qytetarët e këtyre vendeve. Në vitet pas liberalizimit të vizave për Serbinë, aplikimet e qytetarëve serbë për azil në BE u ngritën për rreth 300 përqind, ndërsa aplikimet e qytetarëve të Shqipërisë u ngritën për 40 përqind pasi ata fituan mundësinë për të udhëtuar pa viza që nga viti 2010.

Para se të liberalizoheshin vizat për Gjeorgjinë dhe Ukrainën – në mars dhe qershor 2017 përkatësisht – BE prezantoi Mekanizmin për Pezullim të Vizave, që do t’i lejonte shtetet anëtare të BE-së për t’i pezulluar përkohësisht aranzhimet pa viza në rrethana të caktuara, si në rast të rritjes së papritur të numrit të aplikacioneve të pabazë për azil. Sipas një raporti të publikuar së fundmi nga Balkan Policy Research Group, në përpjekje për t’iu shmangur rrethanave të tilla, qeveria e Kosovës së shpejti duhet të jetë e gatshme për ta zbatuar një fushatë të informimit për obligimet që lidhen me udhëtimin pa viza.

Ndërkohë, disa janë të përgatitur për ta rrezikuar veten duke i injoruar obligimet e tilla dhe për ta përdorur lirinë e udhëtimit për qëllime të tjera. Një burrë i ri nga Malisheva e sheh liberalizimin e vizave si mundësi për të prodhuar të hyra, pavarësisht që nuk lejohet të punojë nën kushtet e heqjes së vizave.

“Ne kemi shumë të afërm në BE të cilët mund të na strehojnë dhe kështu nuk do të kemi nevojë të kemi shumë para me vete apo të flejmë në hotele”, thotë ai. “Pra e shoh liberalizimin e vizave si mundësi për punësim të jashtëligjshëm, pasi që e dimë se atje puna paguhet shumë më mirë se këtu në Kosovë”.

Muharrem Latifi, pronar i një taksi kompanie, ka frikë se do t’i humbë punëtorët nëse Kosovës i liberalizohen vizat. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Punëdhënësi i Sejdi Sllamnikut në Aeroportin e Prishtinës ka frikë se me t’u hapur kufijtë e Shengenit, të gjithë punëtorët e tij do të largohen jashtë vendit. Për Muharrem Latifin, pronarin e një taksi kompanie që i menaxhon taksistët e aeroporti, tregimet e dëshpërimit dhe mungesës së shpresës janë të përditshme.

“Njerëzit menduan se do të bëhet më mirë në këtë vend”, thotë ai. “Por nuk u bë; veç u bë më keq”.

Deri sa ai flet, një taksist tjetër i kërset gishtërinjtë. “A e sheh atë? Ai na pyet nëse kemi fitu para gjatë ditës”, thotë Latifi. “Nëse ndodhë liberalizimi i vizave, gjysma e Kosovës do të zbrazet. I dëgjoj njerëzit me punë që janë të zhgënjyer, le më ata të papunë. Të gjithë punëtorët e mi do të largohen”.

Kthimi i dinjitetit

Derisa taksistët presin, duke u mbështetur në fat dhe në mungesën e mundësive alternative të transportit për udhëtarët që aterojnë në aeroport, Fatime Morina pret me ngazëllim për ta parë të bijën e saj e cila është duke ardhur me aeroplan nga Londra.

Bashkë me dy fëmijët e tjerë, ajo ka udhëtuar nga Drenasi për të pritur të dashurit e saj.  Për shkak se liberalizimi i vizave nuk do ta përfshijë Mbretërinë e Bashkuar – sepse ajo nuk është brenda Zonës Shengen – ajo shpreson që në të ardhmen të ketë mundësi të paktën t’i vizitojë vëllezërit e motrat e saj në Francë dhe Zvicërr.

“Nuk i kam vizituar ndonjëherë sepse nuk kisha mundësi’, thotë ajo. “Plus shumë vështirë është me marrë vizë. Gjitha ato dokumente – as që kam provuar ndonjëherë të aplikoj”.

Fatime (qendër) dhe Muhamet (djathtë) Morina besojnë se liberalizimi i vizave do t’i ndihmonte atyre të bashkohen me familjarët e tyre të cilët jetojnë në diasporë. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

“Do ta lehtësojë gjithë procesin”, shton i biri i saj Muhameti. “Do t’i bashkojë familjet. Ka procedura tejet të gjata në ambasadë dhe kjo pengesë do të hiqet”.

Xhezide Gashi është një prej atyre personave që janë mësuar mjaft mirë me hapat rraskapitës të aplikacioneve për viza. Ajo shpeshherë i ka përjetuar, si shumë kosovarë të tjerë, përfshirë këtu pritjet e gjata para ambasadave, mbledhjen e dokumenteve të ndryshme dhe blerjen e biletave të pakthyeshme që bëhen të pavlefshme nëse refuzohet aplikacioni për vizë.

Xhezide Gashi më parë kishte aplikuar me sukses për viza Shengen, por asaj nuk i pritet t’i vijë fundi i regjmit të shtrenjtë të vizave që merr shumë kohë. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

E shoqëruar nga i biri i saj, ajo qëndron duke pritur ta dëgjojë emrin e saj të thirrur para Ambasadës së Zvicrës. Pasi që i ka marrë pesë viza Shengen në të kaluarën, ajo shpreson që së shpejti ta merrë një vizë të re në pasaportën e saj – dhe kjo herë të jetë e fundit.

“Sa herë që kam aplikuar për vizë për ta vizituar të bijën, ishin shumë sende deri sa e merrnin pasaportën”, thotë ajo. “Shpresoj se do t’i vijë me të vërtetë fundi kësaj. Këtë herë jam detyruar të vijë tri herë dhe kam shpenzuar 200 euro për viza dhe sende të tjera që kërkohen”.

Qytetarët kosovarë janë të detyruar t’i nënshtrohen procesit të rëndë dhe degradues të aplikimit për viza Shengen, disa vite pasi qytetarët e shteteve fqinje janë lejuar të udhëtojnë lirshëm. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Përkrah heqjes së pengesave për t’i vizituar familjarët jashtë vendit – vlerësohet se më shumë se gjysmë milionë njerëz me origjinë kosovare jetojnë në BE – për shumë të rinj në veçanti, liberalizimi i vizave paraqet një hap simbolik që i jep fund shkeljeve të vazhdueshme të lirisë së lëvizjes dhe asaj që perceptohet gjerësisht si diskriminim nga Evropa kundër kosovarëve.

“Liberalizimi i vizave për mua është hapje e kufijve për njerëzit nga Kosova. Ofron mundësi për t’u liruar nga ky izolim të cilin e përjetojmë të gjithë ne qytetarët kosovarë”, thotë Bublica, gazetari i ri nga Lipjani.

“Rëndësia e saj është te fakti se do ta tërheqë shoqërinë nga izolimi dhe do ta vendosë Kosovën në pozitë të barabartë me shtetet e tjera ballkanike”, thotë Shkodran Hoti, student nga Istogu. “Për më tepër, do të na mundësojë të përjetojmë realitete të reja”.K

Raportim shtesë nga Ngadhnjim Avdyli dhe Jack Butcher.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.