Pikëpamje | BE

A do ta kalojë Kosova testin e fundit?

Nga - 09.11.2018

Planifikimi i rrugës drejt liberalizimit të vizave nëpërmjet Këshillit Evropian.

Me sa duket së shpejti do tu vijë fundi pritjeve të gjata, orëve dërrmuese dhe poshtëruese para dyerve të ambasadave, stresit dhe dhimbjes që shkaktohet nga mbledhja e dhjetëra dokumenteve dhe parave të tërhequra nga llogaritë e kursimit për ta siguruar të drejtën për të udhëtuar në zonën Schengen. Kosova është i vetmi shtet në Evropë qytetarët e së cilës kanë nevojë për vizë për të udhëtuar në zonën Schengen, por kjo mund të ndryshojë më në fund, nëse Këshilli i BE-së voton në favor të propozimit të Komisionit Evropian, që rekomandon t’i ipet fund kërkesës për viza.

Më 13 shtator, Parlamenti i BE-së (Parlamenti Evropian – PE) e miratoi hapjen e negociatave me Këshillin Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ndonëse në favor të liberalizimit, rezultatet e votimit treguan ndarje të theksuara në mesin e shteteve anëtare të BE-së. Rezultati i votimit në PE ka shkaktuar ankth në mesin e kosovarëve që mendojnë se Këshilli mund ta bllokojë, apo të votojë kundër liberalizimit të vizave.

Ndonëse të pritshme ishin votat kundër nga shtetet që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, të papritshme ishin votat kundër nga ato që u menduan si shtete miqësore për Kosovën, si Franca dhe Holanda. Nga 628 anëtarët e pranishëm 420 votuan në favor të liberalizimit, 186 kundër dhe 22 abstenuan. Siç tregon tabela në vijim, Kosova ka marrë më së shumti vota kundër nga PE në krahasim me shtetet tjera të cilave PE ua lejoi udhëtimin pa viza.

Ndonëse interesant është kërkimi për përgjigje më të thella, ka arsye të qarta pse propozimi morri kaq shumë vota kundër. Së pari, ka vota nga mosnjohësit që e shohin çfarëdo vote ‘pro’ si legjitimim të pavarësisë së Kosovës dhe së dyti janë deputetët nga shtetet që kanë frikë se ngritja e kufizimeve të vizave mund të shkaktojë migrim masiv drejt shteteve të tyre. Së treti është vala nacionaliste dhe ksenofobike që e ka kapluar Evropën, ku gjasat janë të mëdha se kjo e fundit vlen për të gjithë anëtarët e Parlamentit Evropian votat e kundërta të së cilëve nuk janë të lidhura me statusin e Kosovës.

Sidoqoftë, rezultati i votimit në Parlament tregoi se ka rezistencë të madhe nga shtetet anëtare, që mund të duan ta bllokojnë vendimin për udhëtim pa viza për Kosovën. Për qëllim të këtij artikulli do ta shpjegoj se si do të shkojë procesi pas votës pozitive nga PE dhe do t’i ofroj disa skenarë të mundshëm që mund të ndodhin në Këshillin Evropian.

Faza e ardhshme

Për çfarëdo propozimi që vjen nga Komisioni Evropian, PE dhe Këshilli Evropian kanë vota vendimtare në procesin legjislativ dhe të dy institucionet mund ta ndryshojnë propozimin që vjen nga Komisioni. Propozimi nga Komisioni për Kosovën është propozim legjislativ për ta ndryshuar Rregullën 539/2001 të Këshillit, gjë që do ta vendoste Kosovën në ‘listën e bardhë’ të Schengenit.

Këshilli Evropian gjithmonë voton me shumicë të kualifikuar për propozime që vijnë nga Komisioni dhe Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, siç është ky rast, pasi që propozimi ka origjinën në Komisionin Evropian. Votimi me shumicë të kualifikuar i ndihmon propozimit, për shkak se asnjëri nga shtetet anëtare nuk kanë veto. Kjo është e rëndësishme sepse asnjë vend anëtar i vetëm nuk do të ketë mundësi ta bllokojë propozimin, përfshirë këtu shtetet që nuk e njohin Kosovën.

Një shumicë e kualifikuar arrihet kur plotësohen dy kushte: së pari, që 55 përqind e shteteve anëtare votojnë në favor, që në praktikë nënkupton 15 nga 26 shtetet anëtare (Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda nuk votojnë në Këshillin Evropian për çështjet që kanë të bëjnë me Rregulloren 539/2001, pasi që kanë kontrolle të veçanta kufitare dhe nuk janë palë në marrëveshjen e Schengenit) dhe së dyti, se propozimi mbështetet nga shtetet anëtare që përfaqësojnë të paktën 65 përqind të popullatës së përgjithshme të BE-së. Kjo shumicë e dyfishtë është e rëndësishme nëse shtetet anëtare me popullsi më të madhe nuk janë pjesë e votave në favor. Këto shtete të mëdha anëtare mund të luajnë një rol vendimtar, veçanërisht nëse formojnë një ‘pakicë bllokimi’.

Një minoritet bllokues mund të formohet kur katër shtete anëtare që përfaqësojnë 35 përqind të popullsisë së BE-së e bllokojnë propozimin nga Komisioni, pavarësisht votës pozitive në Parlament. Teorikisht, Kosova me gjasë e ka mbështetjen e shteteve anëtare me popullsi më të mëdha, me përjashtim të Spanjës.

Megjithatë, duke reflektuar mbi votimin në Parlament më 13 shtator, do ta shqyrtoj se a mund të formohet një minoritet bllokues në Këshill.

Në PE është dëshmuar se ka vota të mjaftueshme për ta miratuar propozimin pasi të arrinë nga trialogu, por për dallim nga PE ku anëtarët mund të votojnë në bazë të opinionit personal dhe i qëndrojnë deri diku besnik shteteve dhe partive politike që i përfaqësojnë, në Këshill, anëtarët i përfaqësojnë qeveritë e tyre.

Varësisht nga çështja legjislative në fjalë, Këshilli mbledh formate të ndryshme. Në rastin e liberalizimit të vizave, pritet që Këshilli të mbledhet në formatin e Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme. Në Këshill nuk ka opinione personale; përfaqësuesit gjithmonë votojnë në bazë të drejtimeve të qeverive të tyre.

Në një skenar ku të gjitha shtetet anëtare janë të pranishme (minus Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda), të gjitha votojnë ose për ose kundër, dhe pesë mosnjohësit votojnë kundër, propozimi miratohet, për shkak se ka vota të mjaftueshme në favor të liberalizimit.

Nëse supozojmë që përfaqësuesit nga shtetet që e kanë njohur Kosovën nuk do të jenë pjesë e një minoriteti bllokues, kjo na len me pesë mosnjohës, gjegjësisht Spanjën, Rumaninë, Sllovakinë, Qipron dhe Greqinë. Ato e përmbushin kushtin e parë të një minoriteti bllokues me të paktën katër shtete anëtare, por nuk e përmbushin kushtin me 35 përqind të popullsisë, për shkak se të pesë vendet së bashku përbëjnë 18.85 përqind të popullsisë totale të BE-së, minus Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda.

Pra, nuk mund të formohet një minoritet bllokues për ta bllokuar propozimin nga komisioni për shfuqizimin e kufizimeve në formë të vizave për Kosovën. Në një skenar ku të gjitha shtetet anëtare janë të pranishme (minus Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda), të gjitha votojnë ose për ose kundër, dhe pesë mosjohësit votojnë kundër, propozimi miratohet, për shkak se ka vota të mjaftueshme në favor të liberalizimit. Në fakt, ky është një skenar mjaft i mundshëm.

Por është edhe një skenar i dytë, kur marrim parasysh rezultatet e votimit në parlament. Pra përveç pesë mosnjohësve kam shtuar dy shtete, anëtarët e së cilëve në PE votuan kundër propozimit nga Komisioni Evropian për liberalizim të vizave për Kosovën: Holanda dhe Danimarka.

Sidoqoftë, edhe pa votat e tyre propozimi do të miratohet. Prapëseprapë do të arrihet pragu për 15 anëtarë që votojnë në favor të liberalizimit dhe do të arrihet edhe pragu i popullsisë. Nëse e heqim Danimarkën, Holandën, Spanjën, Rumaninë, Sllovakinë, Qipron dhe Greqinë, prapëseprapë mbesin 75.95 përqind të popullsisë që votojnë në favor.

Megjithatë, nëse Franca do të bashkohej me atë bllok atëherë propozimi nuk do të kishte mbështetjen e 65 përqind të popullsisë, me totalin që janë në favor, të rënë në 60.78 përqind. Në fakt, në qoftë se Francës do t’i bashkoheshin vetëm Danimarka apo Holanda në kundërshtimin e propozimit krahas pesë mosnjohësve, propozimi do të dështonte në arritjen e totalit të kërkuar prej 65 përqind.

Vendimi për t’i lejuar udhëtim pa viza qytetarëve të Kosovës është vonuar shumë dhe mungesa e tij duhet ta turpërojë ndërgjegjen e të gjithë anëtarëve të BE-së. Kosova është në mesin e shteteve me diasporën më të madhe që banon në shtetet e BE-së. Refuzimi i Kosovarëve për të vizituar më të dashurit e tyre në gëzime dhe në pikëllime është jo vetëm i gabuar, por edhe përbënë shkelje të të drejtave të njeriut.

*Kalkulimet e kryera në http://www.consilium.europa.eu/en/council-eu/voting-system/voting-calculator/. Çdokush mund ta vizitojë linkun për t’i kalkuluar rezultatet e votimeve në Këshill.

Foto kryesore: Besnik Bajrami / K2.0.

KOMENTO