Në thelb | Arsimi

A do të bien përsëri nga provimet nxënësit e sistemit arsimor të Kosovës?

Nga - 07.05.2018

Reformat vonohen si pasojë e ‘stagnimit’ të zbatimit të tyre.

Kur dolën rezultatet e testit ndërkombëtar PISA 2015 në dhjetor të vitit 2016, ato sollën lajme dëshpruese për sistemin arsimor të Kosovës. 72 për qind e 15-vjeçarëve kosovarë kishin dështuar ta arrinin nivelin e dytë (nga gjashtë nivele) në pjesën e leximit, që do të thotë se nuk ishin të aftë t’i kuptonin idetë kryesore të një teksti dhe ta interpretonin atë.

Situata nuk ishte më e mirë as në matematikë e në shkencë: 78% nuk ia dolën ta arrinin nivelin e dytë në matematikë, dhe 68 për qind në shkencë. Këto rezultate e rreshtuan Kosovën në mesin e 5 shteteve të fundit; ndërsa ajo doli e fundit në mesin e shteteve të rajonit.

Rezultatet dëshpruese nxitën reagime të shumta. Arsim Bajrami, ministër i arsimit në atë kohë, i përshkroi ato si “rezultate të pritura” dhe si “tregues të situatës në sektorin e arsimit, e cila nuk është e mirë”. Isa Mustafa, Kryeministër i asaj kohe, bëri thirrje për “mobilizim të të gjitha fondeve të nevojshme” për arsim. Këshilli i Prindërve kërkoi hapa konkretë nga institucionet.

Ekspertët e arsimit deklaronin se situata është emergjente, dhe kërkonin të ndërmerreshin veprime radikale. Ndërkaq, Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBAShK) gjithashtu bëri thirrje për mobilizim të të gjithë faktorëve për ndryshim, por kërkoi që të mos fajësohen mësuesit për këtë situatë.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) menjëherë deklaroi se kishte bërë hapa konkretë, sepse kishte qenë “e vetëdijshme për vështirësitë me të cilat do të përballeshim në këtë test”. Para publikimit të rezultateve, kishte filluar puna për projektimin e një strategjie të re kombëtare për arsim; në fillim të vitit 2016, ministria formoi një grup punues me më shumë se 70 ekspertë të arsimit, duke përfshirë këtu staf ministror, ekspertë të pavarur dhe pjesëtarë të OJQ-ve lokale e ndërkombëtare.

Ata e hartuan Planin Strategjik të Arsimit në Kosovë 2017-2021, i cili u miratua nga Qeveria më 7 dhjetor, 2016, një ditë pas publikimit të rezultateve të testit PISA. Ky plan parashihte  buxhet në vlerë 177 milionë euro, i planifikuar të shfrytëzohet brenda pesë viteve. Qeveria dhe pushtetet lokale, si dhe shkollat e vendit, tani janë të obliguara ta zbatojnë këtë plan.

Por 18 muaj më vonë, kur nxënësit sapo e kanë kryer raundin e dytë të testeve PISA në Kosovë, a kemi parë ndonjë shenjë të reformave të mirëfillta?

Mungesa e organizimit dhe mbështetjes financiare

Një raport i publikuar në mars nga Rrjeti i Kosovës për Arsim dhe Punësim (KEEN) – koalicion strategjik i përbërë prej katër organizatave të shoqërisë civile të cilat veprojnë në Kosovë dhe fokusohen në politika shoqërore, arsimore dhe të punësimit – gjeti se ka “stagnim” në zbatimin e planit strategjik.

Një prej çështjeve kyçe të theksuara në raport është se reformat janë penguar nga mungesa e mbështetjes financiare, për shkak se MAShT nuk ka bërë veprime konkrete për të siguruar mjete financiare; pavarësisht faktit se vetëm 9 milion euro nevojiteshin për t’i zbatuar reformat e planifikuara për vitin 2017.

Në raport thuhet se kjo pjesërisht ka lidhje me “çështje të natyrës organizative”, për shkak se për zbatimin e strategjisë kërkohet përkushtim i veçantë nga MAShT-i, si dhe “nivel i lartë i bashkëpunimit me institucionet e tjera të nivelit qendror dhe lokal”. KEEN-i gjithashtu theksoi vështirësitë me të cilat u përball për qasje në të dhëna, për shkak se ‘‘institucionet përgjegjëse ose nuk kanë mbledhur të dhëna, ose nuk u kanë lejuar qasje’’.  

Një prej çështjeve kyçe të theksuara në raport është se reformat janë penguar nga mungesa e mbështetjes financiare, për shkak se MAShT-i nuk ka bërë veprime konkrete për të siguruar mjete financiare, pavarësisht faktit se vetëm 9 milionë euro nevojiteshin për t’i zbatuar reformat e planifikuara për vitin 2017.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, pranoi se kishte mungesë të ndarjes adekuate të buxhetit për ta përmbushur planin e veprimit të strategjisë. Në mars, ai tha se në një raport të brendshëm nëpërmjet së cilit u vlerësua zbatimi i strategjisë aspekti financiar u pa si sfidë kyçe. Megjithatë, sipas ministrit, “kishte përmirësime në disa sektorë, sa i përket zbatimit të planit”.

K2.0 e kontaktoi këshilltarin e ministrit të arsimit, Valmir Gashin, për të kërkuar më shumë informata për këto përmirësime dhe për hapat konkretë që janë bërë për zbatimin e strategjisë së arsimit, por nuk erdhi asnjë përgjigje prej tyre.

Zgjidhje strategjike

Strategjia e arsimit 2017-2012 – plani i dytë i nivelit të lartë i Kosovës i cili mbulon tërë sektorin – e ka në fokus ‘garantimin e kualitetit në arsim’; për dallim nga e kaluara ku institucionet në fokus e kishin infrastrukturën. Në planin e ri parashihet punësimi i ‘koordinatorëve të cilësisë’ në secilën shkollë në Kosovë. Roli i tyre parashihet të jetë mbikëqyrja e organizimit të klasave dhe i përgatitjes së kurrikulës në përputhje me procedurat e specifikuara, si dhe vlerësimi i ndryshimeve në nivelin e kualitetit.   

Dukagjin Pupovci, drejtori i OJQ-së Qendra për Arsim e Kosovës – e cila merret me kualitetin në arsim dhe trajnim të mësuesve duke qenë edhe njëra prej organizatave anëtare brenda KEEN-it – beson se këta koordinatorë të cilësisë do të ndihmonin në krijimin e një mekanizmi për vlerësime të brendshme në shkolla. Ai thotë se, sipas të dhënave të organizatës së tij, janë emëruar afro 140 koordinatorë të cilësisë, ndërsa në buxhetin për vitin 2018 parashihet punësimi i 560 koordinatorëve. Pupovci thotë se kjo shifër dëshmon mungesën e zbatimit të strategjisë deri më tani.

Për ta eliminuar çdo mundësi të anshmërisë në vlerësimet e brendshme të kryera nga koordinatorët e cilësisë, në strategji parashihet edhe vlerësimi i jashtëm që do të kryhej nga Inspektorati i Arsimit. Mirëpo, vonesa po shihen edhe në reformat e Inspektoratit të Arsimit, që parashihen si të domosdoshme.

‘‘Kjo do të krijonte një listë me informata se pse ajo shkollë ka rënë shumë poshtë dhe do të ndërmerreshin masa’’ thotë ai. Pupovci insiston se në rast se nuk ka informata të tilla ‘‘askush nuk do të shqetësohet [për performancën e shkollës]’’.

Agnesa Qerimi, drejtoresha e Këshillit Rinor Kosovar (KYC), beson se reformimi i Inspektoratit të Arsimit është nevojë urgjente. Ajo thotë se duhet të shtohet numri i inspektorëve dhe të përmirësohet procesi i trajnimit të tyre. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Agnesa Qerimi, drejtoresha e Këshillit Rinor Kosovar (KYC), thekson se reformat e Inspektoratit janë shumë të nevojshme. Ajo thotë se në të kaluarën organizata e saj është përballur me raste në të cilat inspektorët kanë refuzuar të merren me ankesa të cilat ishin brenda kompetencave të Inspektoratit, dhe me raste të tjera kur inspektorët e kishin zbuluar identitetin e njerëzve të cilët kishin parashtruar ankesa anonime.

Qerimi thekson nevojën për ta shtuar numrin e inspektorëve dhe për të punuar për përgatitjen e tyre profesionale.

Në përpjekje për të ndihmuar me trajtimin e disa prej këtyre problemeve që lidhen me Inspektoratin, është propozuar një Projektligj i cili do ta shtonte numrin e inspektorëve, do ta rriste buxhetin e kësaj organizate dhe do t’u mundësonte inspektorëve të kryenin vlerësime më të gjera.

Në fund të marsit, Komisioni Parlamentar për Arsim mbajti një takim me pjesëtarë të shoqërisë civile në të cilin diskutuan rëndësinë e Projektligjit për Inspektoratin e Arsimit.

Ministri Bytyqi deklaroi se Inspektorati i Arsimit do ta kishte një rol të veçantë, për shkak se do t’i ndihmonte MAShT-it në përpjekjet e kësaj Ministrie “për ta rritur nivelin e cilësisë në sektorin e arsimit të Kosovës”.

Ai, mes tjerash, tha se ky Projektligj synon t’i japë Inspektoratit kompetenca për “mbikëqyrje të zbatimit të kurrikulës”. Ministri tha se deri më tani, “në 70 për qind të rasteve Inspektorati i Arsimit është marrë me analiza të konkurseve dhe jo me zbatueshmërinë e legjislacionit”,

Megjithatë, Projektligji për Inspektoratin e Arsimit ka qenë në fazën e planifikimit prej marsit të vitit 2016, dhe ende nuk është miratuar. Pupovci konsideron se institucionet janë duke i bllokuar këto reforma.

Ai gjithashtu beson se Inspektorati duhet të jetë agjenci e pavarur, jashtë jurisdiksionit të Ministrisë. Ndërsa Ministri Bytyqi dhe kreu aktual i Inspektoratit të Arsimit, Dëfrim Gashi, janë kundër kësaj ideje, duke konsideruar se “Ministria nuk ka organ tjetër i cili mund t’i vizitojë klasat, përveç Inspektorëve të Arsimit”.

Licencimi dhe specializimi

Trajnimi dhe angazhimi i mësuesve është një fushë tjetër kyçe e cila pritet të trajtohet në strategjinë e arsimit.

Qerimi beson se angazhimi i mësuesve është veçanërisht jetik, për shkak se metodat aktuale nuk po prodhojnë rezultate konkrete. “Rezultatet PISA tregojnë se studentët nuk janë të aftë t’i kuptojnë ato që i lexojnë dhe gjithashtu tregojnë se sa të aftë janë mësuesit për ta zbatuar kurrikulën”, thotë ajo.

Pupovci mendon se një mënyrë për të sjellë përmirësime në këtë aspekt është lidhja e drejtpërdrejtë ndërmjet performancës së mësimdhënësve dhe pagës së tyre. ‘‘Tek ne mësimdhënësve u premtohet rritje e pagave në kohë fushatash [elektorale], të cilat natyrisht nuk përmbushen…’’, thotë Pupovci. Sipas tij, edhe atëherë kur rriten pagat, vetëm shpenzohen paratë dhe nuk mundësohet rritja e [pagës] në bazë të performancës.

Sipas Pupovcit, kjo krijon një situatë në të cilën mësuesit nuk e marrin seriozisht trajnimin, duke shfaqur mungesë përkushtimi dhe pjesëmarrje të ulët, për shkak se ata nuk vlerësohen. Ai beson se përmirësimi i performancës së mësuesve do të bëhej i mundshëm nëpërmjet shpërblimit të mësuesve me licenca të ndryshme për nivele të ndryshme të kualifikimeve. E kjo do të përkthehej edhe në vlerësim financiar.

Kjo është një pikë tjetër e ngritur në strategjinë e arsimit 2017-2021. Ky dokument parasheh që mësuesit të jenë të aftë ta arrijnë një nivel të dytë të kualifikimit, i cili do t’i shpërblente financiarisht që t’i stimulojë për trajnime dhe t’i inkurajojë të jenë më të përkushtuar ndaj performancës së tyre.

Dukagjin Pupovci, drejtori i Qendrës për Arsim të Kosovës, mendon se planet për shpërblim financiar të arsimtarëve në bazë të kualifikimeve të tyre nuk po zbatohen për shkak se politikanët nuk duan të ndeshen me mësuesit, apo nuk duan të heqin dorë nga praktikat klienteliste të punësimit. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

“Megjithatë, ndërhyrjet politike janë ende të pranishme”, thotë Pupovci, i cili pretendon se politikanët nuk po e zbatojnë sistemin e licencimit për shkak se nuk duan të jenë në konflikt me mësuesit. “Punësimi në sektorin e arsimit është shumë politik; politikanët gjithmonë mundohen t’i punësojnë militantët e tyre në sektorët e arsimit dhe të shëndetësisë”.

Njëra prej pasojave të punësimeve të tilla politike në sektorin e arsimit është mungesa e llogaridhënies për performancë. “Drejtorët e shkollave duhet të jenë të lirë t’i monitorojnë dhe t’i këshillojnë të gjithë mësuesit e tyre, si dhe të kërkojnë llogari prej tyre”, deklaron Pupovci, duke shtuar se punësimet politike të drejtorëve dhe të mësimdhënësve aktualisht e bëjnë të pamundur këtë projekt. “Shpeshherë kemi raste në të cilat dikush [një mësimdhënës] punësohet nëpërmjet politikës, dhe drejtorët nuk mund ta kritikojnë performancën e tij apo të saj”.

Njëra prej pikave të veprimit në strategjinë e arsimit e cila do të ndihmonte me tejkalimin e problemeve të tilla është ‘‘profesionalizimi i rolit të drejtorave të shkollës’’, gjegjësisht të kërkohet që të gjithë drejtorët ta posedojnë një kualifikim të ri specialist. Synimi i këti objektivi është eliminimi i ndikimeve politike mbi drejtorët, për shkak se pozitat e tyre shpeshherë përdoren për pazare politike. Megjithatë, ky është një element tjetër i strategjisë i cili ende mbetet i pazbatuar.

Strategji në përputhje me ekonominë dhe kushtet në Kosovë?

Përveç problemeve në lidhje me zbatimin, disa besojnë se politikëbërja në Kosovë është kryer në mënyrë të dobët.

Rron Gjinovci, drejtor i OJQ-së Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), e cila merret me monitorimin e sektorit të arsimit, nuk beson se Kosova e ka të qartë rrugën të cilët duhet ta ndjekë për ta përmirësuar sistemin e arsimit, për shkak se ai mendon se nuk ka prioritete të qarta të zhvillimit. “Ne nuk e dimë nëse në periudhën 2025-30, Kosova synon të jetë shtet bujqësor, shtet industrial, shtet i shërbimeve, etj.”, deklaron ai.

Sipas Gjinovcit, kjo është e rëndësishme për shkak se mungesa e një plani të qartë zhvillimor ekonomik krijon një situatë në të cilën nuk mund të dallohen nevojat e sektorit të arsimit. Ai menjëherë vazhdon duke thënë se kjo nuk do të thotë se sektori i arsimit duhet të jetë krejtësisht në shërbim të ekonomisë, por duhet të jetë në përputhje me të.

Ai shton se kjo mungesë e politikëbërjes së bashkërenduar gjithashtu e bën të vështirë matjen e efikasitetit të strategjive të arsimit. “Nuk ka harmoni ndërmjet arsimit dhe ekonomisë, kështu që nuk mund të vlerësohet cilat strategji janë [qenësisht[ të mira dhe cilat janë të këqija”, thotë Gjinovci.

Edhe Qerimi është kritike ndaj politikëbërjes në Kosovë, duke theksuar se politikat arsimore karakterizohen me një mungesë koherence dhe bashkëpunimi ndërmjet sektorëve të arsimit.

“Praktika ka dalur të jetë e pazbatueshme për shkak se shkollave u mungojnë hapësira, laboratorët, si dhe mentorët [mësuesit] për monitorim të seancave”

Agnesa Qerimi, Këshilli Rinor Kosovar.

Për më tepër, ajo shton se politikat aktuale, duke përfshirë këtu ato të strategjisë së fundit, nuk i marrin parasysh kushtet specifike në të cilat funksionon sistemi i arsimit në Kosovë. Për ta ilustruar këtë, ajo e merr shembullin e strukturës së kurrikulës për shkolla të mesme, duke e theksuar si problematik mësimin praktik.

“Praktika ka dalur të jetë e pazbatueshme për shkak se shkollave u mungon hapësira, laboratorët, si dhe mentorët [mësimdhënësit] për monitorim të seancave”, thotë ajo.

Qerimi beson se mungesa e zbatimit të kurrikulës është veçanërisht e theksuar në shkollat profesionale. Një raport i publikuar nga KYC-i në vitin 2017, i titulluar “Formësimi i së Ardhmes së Shkollave dhe Trajnimit Profesional”, thekson se mësuesit profesionalë nuk i mbulojnë përgjegjësitë e tyre si mentorë dhe se shkollat profesionale nuk e kanë zhvilluar një sistem për mentorim të punës praktike. Raporti e fajëson Ligjin për Arsim dhe Trajnim Profesional, për shkak se nuk e shpjegon rolin e mentorëve në mënyrë të duhur.

Pa marrë parasysh se a janë të drejta politikat e arsimit, Pupovci thotë se shpeshherë ato nuk janë zbatuar dhe është vepruar në drejtim të kundërt me atë se çka sugjeronin ato. Ai përmend strategjitë për arsim e lartë të cilat, sipas tij, për një kohë të gjatë kanë bërë thirrje për përmirësim të cilësisë në arsim.

“Reagimi i Qeverisë nga viti 2008 deri më tani ka qenë themelimi i gjashtë universiteteve publike”, thotë ai, duke vazhduar, se hapja e universiteteve të reja publike nuk është përmendur në strategjitë e ndryshme të projektuara për arsimin e lartë deri sot. “Ne po i shohim problemet me të cilat përballemi tani sa i përket cilësisë së arsimit të lartë në Kosovë”.

Testet e ardhshme

Qasja e Qeverisë ndaj raundit të fundit të testeve PISA në muajin e kaluar është shqyrtuar për së afërmi.

Fillimisht, në janar të këtij viti, MAShT-i lajmëroi se i kishte dërguar një kërkesë Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), e cila e organizon testin PISA. Ministria kërkoi të shtyhen vlerësimet për vitin e ardhshëm, por kërkesa e saj u refuzua. Si rrjedhojë e kësaj, ministri i arsimit, Shyqyri Bytyqi, lajmëroi një qasje tjetër nëpërmjet të cilës do të mundohen t’i përmirësojnë rezultatet: “E dimë cilat shkolla do të testohen nga PISA, dhe ato shkolla kanë filluar të përgatiten për mësim shtesë”.

Rron Gjinovci nga Organizata për Rritje të Cilësisë në Arsim beson se qasja e re e Ministrit ndaj testeve PISA është e devijuar. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Gjinovci e kundërshton një qasje të tillë, duke argumentuar se në fund ajo do t’i pengojë reformat në arsim. “Kur kemi mysafirë, ne mobilizohemi dhe e pastrojmë shtëpinë, në mënyrë që ata të mos e shohin siç është kur rrimë brenda 24 orë në ditë. E njejta vlen për arsimin”, thotë ai.

Drejtori i ORCA-s mendon se nuk duhet të marrim masa ad hoc, por duhet t’i analizojmë rezultatet e testit, për shkak se ato shpërfaqin performancën e mësuesve në këto shkolla. Gjinovci beson se rezultatet e mira në testin PISA do ta parandalojnë ministrin në drejtim të zbatimit të reformave. “Mobilizimet e këtij lloji nuk funksionojnë në favor të punës së tij në afat të gjatë”, thotë ai.

Pupovci thotë se ky fokus i veçantë në shkollat që do të testohen mund të krijojë një situatë në të cilën Kosova mund të eliminohet nga testi. Ai deklaron më tej se nuk duhet t’i shohim rezultatet e testit PISA si diçka që ka rëndësi parësore, dhe se fokusi duhet të jetë tek prioritetizimi i situatës së përgjithshme në sektorin e arsimit.

“Kjo nuk është garë olimpike”, thotë ai. “Ne nuk mund t’i trajnojmë nxënësit në dy javët e fundit që ata të performojnë më mirë se nxënësit e këtij apo të atij shteti. Ky është një instrument ndërkombëtar i cili shërben për të na orientuar”.

Qerimi thotë se mbajtja e dy testeve të ngjashme nga Ministria muajin e kaluar ishte përpjekje për ta përmirësuar situatën, dhe vetëm për ta ngritur për një apo dy pozita më lartë se vitin e kaluar në listën e PISA. “Nëse këtë e kemi objektiv, atëherë jemi larg përmirësimit të sistemit të arsimit”, thotë ajo. “Nëse duam t’i zhvillojmë nxënësit tanë për shumë vjet me radhë, testi PISA nuk do të jetë problematik për ta”.

Pupovci pajtohet me këtë. Ai beson se me strategjinë aktuale për arsim e kanë bërë të qartë rrugën të cilën institucionet duhet ta ndjekin për ta përmirësuar sistemin e arsimit. Sipas tij, dhjetëra plane dhe strategji të miratuara i kanë theksuar dobësitë dhe kanë ofruar zgjidhje, dhe tani duhet të bëjnë përpjekje serioze për t’i zbatuar ato.

“E kuptoj se është detyrë shumë e vështirë”, thotë ai. “Por nëse nuk punojmë, këto probleme nuk do të zgjidhen kurrë”.K

Redaktuar nga Jack Butcher dhe Jack Robinson.

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO