Në thelb | Arsimi

Problematikat e mëdha zgjedhore: Arsimi

Nga - 25.05.2017

Si të drejtohet një sistem i thyer.

Më pak se tre javë kanë mbetur deri në ditën e votimit dhe ethet e zgjedhjeve tashmë janë gjithandej. Hiperbolat e premtimet ambicioze po e dominojnë diskursin, e lajmet 24 orëshe po sjellin intervistë pas interviste, temë pas teme.

Në këtë seri, K2.0 po largohet prej gjithë këtyre. Para datës së zgjedhjes, me 11 qershor, po i marrim disa nga problematikat më të mëdha me të cilat përballet sot Kosova, dhe po i analizojmë qëndrimet e secilës prej pesë partive politike shqiptare të cilat ishin përfaqësuar në legjislaturën e kaluar në Kuvendin e Kosovës; po analizojmë programet, manifestet dhe politikat e tyre.

Prej fundit të luftës, qeveritë vazhdimisht e kanë theksuar arsimin si një prej prioriteteve të tyre. Megjithatë, sistemi i arsimit kosovar ende përballet me infrastrukturë të dobët, organe qeverisëse të politizuara, si dhe mungesë të mësimdhënies kualitative dhe llogaridhënies.

Një problem tjetër i madh është numri i nxënësve që po braktisin shkollat para përfundimit të tyre. Vetëm në vitin shkollor 2012/13, diku 1,113 nxënës e lanë shkollën para përfundimit të klasës së nëntë, 686 prej tyre vajza, ndërsa në shkollë të mesme, 2,407 nxënës e lanë shkollën në nivelin e mesëm të lartë arsimor. Të dhënat nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë tregojnë se numri i nxënësve që e braktisën shkollën fillore në vitin shkollor 2015/16 ishte identik me statistikat e vitit paraprak shkollor.

Rezultatet e një vlerësimi ndërkombëtar të arsimit, Programi Ndërkombëtar për Vlerësimin e Studentëve (PISA), i publikuar në dhjetorin e fundit, e konfirmoi besimin dhe pritjet e përgjithshme për mangësitë e sistemit arsimor në vend.

Kosova ishte në vendin e pestë nga fundi në këtë renditje ndërkombëtare, dhe e fundit prej vendeve të rajonit. Nxënësit 15 vjeçar u gjykuan me një ndër performancat më të dobëta të të gjitha disiplinave që u testuan; shumica e adoleshentëve të testuar nuk demonstruan aftësitë themelore që duhet të mësohen deri në moshën 15 vjeçare.

K2.0 analizoi programet e spektrit politik për të parë se si partitë më të mëdha kosovare do të adresojnë këtë problem.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK)

Përfaqësuesit e PDK-së e kanë udhëhequr Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për 10 vitet e fundit, në tri qeverisjet e kaluara. PDK-ja gjithmonë ka theksuar se arsimi është prioritet, dhe ka vënë në pah përmirësimet në infrastrukturë gjatë udhëheqjes së saj në kuadër të programit zgjedhor të vitit 2014:  “Misioni i Ri”. Sipas këtij programi, janë ndërtuar 145 shkolla, dhe shumë të tjera janë renovuar gjatë periudhës 2008-2013.

Në fushatën parazgjedhore të vitit 2014 PDK-ja ka premtuar se rrogat e mësuesve do të rriten nga “25 përqind në vit”. Megjithatë, në qeverinë që PDK-ja e formoi me partnerin e saj të koalicionit, LDK-në, u ndalë rritja e rrogave të punëtorëve publik si përgjigje ndaj paralajmërimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për shpenzime të tepërta.

Krijimi i një “fondi” për të dërguar studentë jashtë vendit në programe të ndryshme, si dhe investimet në kërkime shkencore ishte edhe një tjetër synim, sipas Misionit të Ri të PDK-së. Por, një fond i tillë kurrë nuk u krijua.

Këtë javë, Besim Beqaj, zyrtar nga radhët e PDK-së tha gjatë një debati televiziv se PDK-ja ka investuar në shkolla dhe se tash mund të fillojë “një fazë e re”, sa i përket arsimit. Megjithatë, askush nuk e di saktësisht se çka do të përfshijë kjo “fazë e re”, meqë Beqaj nuk e elabori më tej dhe PDK-ja nuk ka publikuar kurrfarë programi ende. PDK do të garojë me një platformë të përbashkët me AAK-në dhe Nismën. K2.0 ka kontaktuar zyrtarët e PDK-në, më saktësisht nënkryetarin e PDK-së Uran Ismaili për të mësuar më shumë për programin e saj të ardhshëm sa i përket arsimit, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)

programin e tyre politik të vitit 2012, “Për Kosovën Europiane”, LDK u zotua që “do ta rris në mënyrë permanente” buxhetin shtetëror për arsim, si dhe t’i “digjitalizojë dhe informatizojë kabinetet e institucioneve arsimore në të gjitha nivelet”. K2.0 adresoi pyetjet tek Sokol Havolli, këshilltari i kryeministrit në largim, Isa Mustafa njëherit kryetar i LDK-së, lidhur me numrin e kabineteve që janë ‘digjitalizuar’ gjatë periudhës kur LDK ishte në qeveri përkrah partnerit të saj në koalicion, PDK-në, por nuk pranoi ndonjë përgjigje.

Programi i LDK-së i vitit 2012 veçon sektorin privat të arsimit, duke premtuar që të krijojë politika zhvillimore për t’ia mundësuar sektorit privat që të jetë në konkurrencë të fuqishme me sektorin publik të arsimit. Në një paraqitje televizive në Klan Kosova, kandidati i LDK-së për deputet, Besnik Krasniqi, tha se kjo përkrahje do të bëhet nëpërmjet subvencioneve prej Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, por pa dhënë informata shtesë. Të dhënat nga Ministria tregojnë ndërkaq se varfëria dhe kushtet ekonomike janë shkaktarë kryesor që i detyrojnë fëmijët dhe të rinjt që ta lënë shkollën e universitetin. K2.0 i kontaktoi zyrtarët për t’i pyetur se si do të garantonin qasje për të gjithë në arsim, por nuk morri përgjigje.

LDK hyn në zgjedhjet e reja me dy partnerë të ri, Alternativa dhe Aleanca Kosova e Re. Ndonëse kjo parti ende nuk ka publikuar platformë zgjedhore, mund të nxjerrim përfundime për qasjen e saj sa i përket asrsimit nga paraqitja e Krasniqit në Klan Kosova.

Krasniqi theksoi se arsimi duhet të jetë në përputhje me nevojat e ekonomisë dhe e promovoi disa herë konceptin e ‘mësimit dual’. Krasniqi shpjegoi se si studentët dhe nxënësit do të kalonin kohë “duke kryer punë profesionale dhe praktike”. Puna praktike do të bazohej në nevoja të tregut në Kosovë dhe do të kryhej në kompani dhe fabrika.

Krasniqi aludoi se shkollat profesionale do të kenë prioritet për përmirësime infrastrukturale, meqë ato ofrojnë më shumë mundësi për vende të punës. Gjithashtu tha se duhet të shihen mundësit për reformim të sistemit publik universitar. Ai po ashtu tha se LDK do të mundësojë inkuadrimin e mësuesve të pensionuar që të vazhdojnë të jenë të përfshirë në sistemin e arsimit, politikë e orientuar kah mësimi i vazhdueshëm dhe rritja e kualitetit të arsimit.

Vetëvendosje (VV)

Pika kyçe e Alternativës Qevërisëse të Vetëvendosjes të vitit 2013 është arsimi publik pa pagesë për të gjithë qytetarët e Kosovës, në të gjitha nivelet e arsimit. Programi përfshin hapjen e institucioneve parashkollore në çdo shkollë në Kosovë, si dhe përmirësime të infrastrukturës së shkollave fillore dhe të atyre të mesme për të siguruar më së shumti 25 nxënës për klasë, si dhe qasje për personat me aftësi të kufizuara. Kjo parti gjithashtu zotohet të sigurojë shujta pa pagesë për të gjithë fëmijët e shkollave fillore, kontrollë mjekësore mujore pa pagesë për të gjitha shkollat fillore dhe të mesme, si dhe orë shtesë për fëmijët që nuk tregojnë sukses të lartë në mësim.

Sa i përket financimit të këtyre planeve, Ismail Kurteshi, ish-drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Gjilanit dhe deputet nga radhët e kësaj partie gjatë mandatit të kaluar parlamentar i tha K2.0 se partia “e konsideron arsimin si prioritet kombëtar dhe nuk do ta kursejë buxhetin për këtë”.

Kurteshi përmend buxhetin i cili është zvogëluar për Ministrinë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Në vitin 2014, kjo ministri ka shpenzuar më shumë se 50 milionë euro, derisa për sivjet i janë ndarë afro 47 milionë euro. Ai shton se Vetëvendosja do të synojë të rrisë buxhetin deri në 5 përqind të GDP-së së vendit.

Për ta përmirësuar cilësinë e mësimdhënies dhe të arsimit, Kurteshi tha se Vetëvendosja planifikon ta rrisë llogaridhënien e stafit arsimor, ta vlerësojë punën e mësimdhënësve aktualë, të zbatojë masa të rrepta për pranimin e mësimdhënësve të rinj, dhe t’i pajisë të gjitha shkollat fillore me laboratore dhe libra. Programi i Vetëvendosjes gjithashtu propozon bursa për studentë të shkelqyeshëm për të studijuar në nivelin Master dhe në Doktoraturë, me kusht që ata pastaj të kthehen dhe të punojnë si mësimdhënës dhe profesorë.

Programi i Alternativës Qeverisëse gjithashtu vë në pah krijimin e shkollave më profesionale në mbarë vendin, dhe nxitjen e pjesëmarrjes shumë më të madhe në këto shkolla. “Shkollat profesionale ndryshe nga gjimnazi klasik kanë kuptim vetëm kur janë të lidhura më ekonominë dhe me zhvillimin e vendit”, tha Kurteshi, duke shtuar se degët siç është ekonomia, energjetika, xehtaria dhe bujqësia do të jenë disiplinat qendrore të shkollave profesionale.

Kurteshi i tha K2.0 se Vetëvendosja parasheh sistem arsimor unik për të gjithë, duke përfshirë edhe pjesëtarët e minoriteteve në Kosovë. Ndërsa insiston se Vetëvendosja i respekton dallimet gjuhësore dhe kulturore të grupeve etnike në Kosovë, Kurteshi konsideron se përdorimi i tekseve shkollore me planprogramin e Serbisë në sistemin arsimor të komunitetit serb në Kosovë është “në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe kundër shqiptarëve”.

Kur u pyet se a do të intervenonte Qeveria e Vetëvendosjes në tekstet shkollore që prodhojnë paragjykime kundër komuniteteve joshqiptare dhe grupeve të tjera, duke përfshirë grupet LGBT, Kurteshi tha se partia beson se “hartimi i teksteve me përmbajtje të re është i domosdoshëm”. Ai shtoi se ky proces gjithashtu përfshin “edhe korrigjimet e çdo forme diskriminuese apo nxitëse të urrejtjes, e veçanërisht ato me fakte të shtrembëruara shkencore apo të prapambetura, si dhe të dhënat e pasakta shkencore që tani gjendet në librat që përdorin fëmijët tanë”.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) vë theksin tek disa nga problemet që ajo i sheh si thelbësore brenda sistemit arsimor në Kosovë dhe bazuar në ato jep disa alternativa se si duhet të tejkalohen ato.  

Infrastruktura në shkolla është një ndër problemet, që sipas AAK-së, duhet të zgjidhet meqë po krijon problemet e mungesës së hapësirës nëpër shkolla, pajisjeve mësimore, materialeve didaktike etj. Pikë shqetësuese tjetër për AAK-në mbetet edhe braktisja e shkollës nga fëmijët si dhe ulja e buxhetit për arsimin. AAK thirret në të dhënat e vitit 2006 kur buxheti për arsimin ka qenë 4.4% e GDP-së, ndërsa në vitin 2009 ka rënë 3.7% e GDP-së.

AAK parasheh rritje të buxhetit sipas standardeve të BE-së në 4-5% të GDP-së; inkurajim të arsimit privat; sigurimin e punës me dy ndërrime nëpër shkollat publike, numri i nxënësve nëpër klasa të jetë maksimum 25 deri 30 nxënës; të shtrihet arsimimi parashkollor në 80% të fëmijëve; të zbatohet arsimimi i detyruar tek 100% e fëmijëve; të sigurohen kompjuterë për nxënës, me standardet e BE-së, në proporcion nxënës-kompjuter 20:1, për dallim prej proporcionit 270 ; 1 siç është aktualisht; të modernizohet mësimdhënia; të përmbushet kuota që 80% e të rinjve deri në 22 vjet të jenë së paku me arsim të mesëm; të rriten 50% rrogat e mësimdhënësve në dy vitet e para të qeverisjes së AAK-së dhe dyfishimin e tyre në vitin e katër të qeverisjes së tyre; të reformohen tekstet shkollore si dhe të hapen shkolla profesionale.  

Sa i përket arsimit të lartë, AAK mendon se duhen krijuar kushte të barabarta për universitetet publike dhe ato private, dhe krijimin e kushteve që të ketë njohje reciproke të diplomova të këtyre universiteteve, sipas kërkesave të tregut. Pastaj të krijohet autonomi financiare dhe akademike për universitetet publike. Krejt këto janë të parapame në programin politik 15 faqësh të AAK-së, i aprovuar në vitin 2014. Megjithatë, K2.0 ka adresuar edhe disa pyetje tjera sa i përket arsimit kundrejt AAK-së, sa i përket hapave konkret se si kjo parti ka menduar të arrijë zbatimin e arsimit të detyrueshëm 100 për qind, si dhe si do të sigurohen mjetet financiare për rritjen e pagave, megjithatë nuk ka marrë përgjigje me arsyetimin e kësaj partie se do të fuzionojnë programin politik me partnerët e koalicionit parazgjedhor PDK dhe NISMA, para se të japin deklarata për media.

Nisma për Kosovën

Nisma në programin e saj në vetëm dy paragrafë trajton arsimin, duke thënë që “e drejta për të dashur vetën, lirinë e drejtësinë është njerëzore’’dhe këto të drejta sipas tyre duhet të shtrihen tek e drejta për arsimim dhe edukim. ‘‘Ta kultivojmë dashurinë për dije, Arsim dhe Edukim’’, është e titulluar pjesa që trajton arsimin në programin e tyre politik dhe më shumë merret me problematikat që kanë përcjell deri më tash sistemin arsimor në Kosovë dhe nuk është se, aty jepen alternativa se cilat janë hapat që duhet të ndërmerren për zgjidhur problemet e këtij sektori.  

Në prononcimet publike, anëtarë e ish-deputet nga radhët e Nismës për Kosovën kanë theksuar vazhdimisht se ‘arsimin po e ngulfat politika’, si me punësime partiake brenda institucioneve arsimore, ashtu edhe me ndikime tjera. Valdete Bajrami, ish-shefja e grupit parlamentar të Nismës i drejtonte pyetje parlamentare ministrit të arsimit, Arsim Bajramit rreth zgjedhjes së personelit akademik në Universitetin e Prishtinës, specifikisht, zgjedhjen e Abdullah Hotit në Fakultetin Ekonomik, duke hedhur  dyshimeve se kjo ka ndodhur me ndikim të politikës.   

K2.0 ka kontaktuar me zyrën për media dhe deputeten në largim Valdete Bajrami të Nismës, por pavarësisht premtimeve për të dhënë përgjigje në pyetet tona, ato nuk janë kthyer në pyetjet që kryesisht lidhen ne mungesën e politikave konkrete për përmirësimin e sferës së arsimit.K

Fotografitë: Majlinda Hoxha / K2.0

Për më shumë rreth asaj se ku qëndrojnë partitë politike në hartën ideologjike, shikojeni videon e K2.0 për ideologjitë këtu si dhe programet politike rreth problemtaikës së papunësisë këtu.