Në thelb | Barazia gjinore

Çështjet e mëdha zgjedhore: Barazia gjinore

Nga - 30.05.2017

Si të krijohet një shoqëri më e barabartë.

Vetëm edhe 12 ditë kanë mbetur deri në ditën e zgjedhjeve, dhe emocionet janë në rritje e sipër. Megalomania dhe premtimet ambicioze mbizotërojnë në diskursin politik, ndërsa lajmet 24-orëshe kërcejnë nga intervista në intervistë, nga tema në temë.

Në këtë seri, K2.0 po e bën një hap prapa nga krejt ky muhabet. Duke shkruar për tema të ndryshme deri në zgjedhjet e 11 qershorit, po i mbulojmë disa çështje kryesore me të cilat ballafaqohet Kosova sot, dhe po i paraqesim disa prej zgjidhjeve të cilat i ofron secila prej pesë partive politike shqiptare të përfaqësuara në Kuvend gjatë mandatit të kaluar parlamentar; programet e tyre, manifestot e tyre, politikat e tyre.

Dhuna në familje dhe ngacmimi seksual, martesat e hershme, niveli i lartë i diskriminimit në punësim dhe të drejtat pronësore, seksizmi në sektorin publik dhe privat — barazia gjinore mbetet temë problematike në Kosovë. Lista nuk mbaron këtu. Diskriminimi kundër grave nuk është dukuri e pranishme vetëm brenda familjes dhe tregut të punës, por ai shtrihet edhe në gjyqësor, polici e shërbime sociale. Vitet e fundit ishin dëshmitarë të rasteve të dhunës në familje që përfunduan me vdekje, ndërsa gratë aktiviste vazhdimisht theksojnë se si mosefikasiteti i sistemit të drejtësisë mund të jetë fatal për gratë.

Pozitat vendimmarrëse, si në qeverinë qendrore ashtu edhe lokale, vazhdojnë të jenë të dominuara nga burrat. Raportet tregojnë se vetëm 5.2 për qind e grave kanë mbajtur pozita udhëheqëse në qeveri gjatë vitit 2015, ndërsa në kuvend gratë mbajtën vetëm 19 nga 52 pozita të larta udhëheqëse. Legjislacioni që rregullon barazinë gjinore u miratua në të njëjtin vit, kur edhe synohej të arrihej edhe përfaqësimi minimal prej 50 përqind të secilës gjini, si në organet qeverisëse ashtu edhe vendimmarrëse. Megjithatë, listat e votimeve të tre grupimeve kryesore politike kanë vetëm 33 gra nga 110 kandidatë për deputetë që garojnë në zgjedhjet e sivjetme nacionale.

Në anën tjetër, pabarazia ekonomike shkakton margjinalizim të mëtejmë të grave. Në Kosovë, më shumë se 75 përqind e grave klasifikohen si ekonomikisht ‘pasive’, që do të thotë se ato as që po kërkojnë punë. Pjesëmarrja e grave në tregun e punës vlerësohet të jetë më e ulëta në Europë; në total, vetëm rreth 15 e grave në Kosovë janë të punësuara.

K2.0 ka kontaktuar me secilën prej pesë partive më të mëdha të Kosovës dhe i ka shikuar programet e tyre për të zbuluar se si ato do të përpiqen të krijojnë një shoqëri më të barabartë në të ardhmen.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK)

Para fillimit të kësaj fushate, kryetari i PDK-së Kadri Veseli ka publikuar një seri videosh promovuese në profilin e tij në Facebook duke inkurajuar gratë të marrin pjesë në ndërmarrësi dhe jetën institucionale, sidomos në sektorin e TIK-ut, gjithçka si pjesë e “Fillimit të Ri” të PDK-së.

Nuk është kjo hera e parë që PDK-ja përmend barazinë gjinore në fushatë. Në programin e vitit 2014, “Misioni i Ri: 2014-18” partia i kushtoi dy faqe shtjellimit të planeve të tyre për “Fuqizimin e roli të grave në shoqëri”, duke përfshirë edhe zotimin se PDK-ja do të përkushtohet për mbështetje me të madhe financiare për gratë. Rreth 10 milionë euro të “Fondit”, burim i parave të ndara për zhvillimin e ekonomisë, u ndanë për gratë në biznes. Megjithatë, fondi nuk u krijua kurrë.

“Misioni i Ri”, gjithashtu parashihte mbështetje financiare për pjesëmarrjen e grave në shoqëri dhe arsim, duke përfshirë ofrimin e arsimit të lartë pa pagesë për të gjitha gratë. PDK-ja e ka udhëhequr Ministrinë e Arsimit gjatë krejt dekadës së fundit, por asnjë veprim për të shtyrë përpara plane të tillë nuk u ndërmor. K2.0 ka kontaktuar me koordinatorin për shtyp të PDK-së, Blerand Stavileci, për ta pyetur se çfarë masash ka ndërmarrë Dhurata Hoxha në punën e saj si Ministre e Drejtësisë për t’i mbrojtur gratë në pozita të cënueshme, por nuk mori kurrfarë përgjigje.

Nga 36 deputetët e PDK-së në Kuvend gjatë mandatit të kaluar parlamentar, 10 ishin gra. PDK-ja udhëhoqi gjashtë ministri si pjesë e koalicionit të kaluar bashkë me LDK-në. Dy ministri, ajo e drejtësisë dhe Ministria e Integrimit Europian u udhëhoqën nga gratë. Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, është gjithashtu aleate e PDK-së për një kohë të gjatë, megjithëse ajo drejton Partinë e Alternativës Demokratike.

Kësaj radhe, PDK-ja ka 38 kandidatë në listë zgjedhore së bashku me partnerët e koalicionit parazgjedhor, AAK-në dhe Nismën, prej të cilave janë 7 gra. K2.0 ka kontaktuar me Blerand Stavilecin, për ta pyetur se si do të sigurojë partia përfaqësimin e grave në pozita kyçe qeveritare dhe në institucione tjera, por nuk mori kurrfarë përgjigje.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)

Barazia e familjes, të rinjve dhe ‘femrave’ është  synim që Lidhja Demokratike e Kosovës e parasheh në vizionin e programit të saj politik të titulluar “Për Kosovën Evropiane”, e i aprovuar në vitin 2012. Megjithatë, hapa konkret se si do të arrijë këtë synim LDK nuk ofron në programin e saj. Aty thotë vetëm se LDK beson veçanërisht në veprimin ‘afirmativ, i cili siguron barazi efektive ndërmjet burrave dhe grave, për të siguruar qasje të gruas në arsim, në punë dhe në pozitat dhe përgjegjësitë më të larta në jetën publike dhe në sektorin privat’.  Sipas LDK-së, barazia më e madhe efektive ndërmjet burrave dhe grave, e bënë Kosovën vend më të denjë dhe me më shumë perspektivë.

K2.0 ka kontaktuar me Sokol Havollin, këshilltar i lartë i kryeministrit Isa Mustafa dhe njëherit kryetar i LDK-së, si dhe Ministrin në largim të Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi, për të pyetur rreth projekteve konkrete të LDK-së sa i përket avancimit të barazisë gjinore në vend, megjithatë ka ngelur pa përgjigje.

Megjithatë, kandidati i koalicionit LDK, AKR, Alternativa për kryeministër, Avdullah Hoti – njëherit Ministër i Financave në Qeverinë e kaluar – ka shkruar gjatë vikendit në profilin e tij zyrtar në Instagram se LDK do të garantojë 12 muaj pushim me pagesë për gratë lehona të punësuara. Hoti po ashtu ka thënë se do të përkrahin edhe gratë e papunësuara duke iu siguruar 50 për qind të pagës minimale për 12 muaj të gjitha grave pas lindjes. “Do të kujdesemi po ashtu për kujdesin adekuat të viktimave të dhunës, përmes qeverive lokale dhe organizatave jo-qeveritare…Për dy vite e gjysmë i kemi stabilizuar financat që na mundësojnë zbatimin e kësaj”, ka thënë Hoti.

Edhe pse K2.0 nuk morri përgjigje për atë se si LDK do të avancojë pozitën e grave në vendimmarrje, disa konkluza për atë se si LDK përshfin gratë në vendimarrje, që mbetet problem në shoqërinë kosovare, mund të nxirren qysh tash nëse për shembull shihen pozitat vendimarrëse në qeveri dhe parlament, e të cilat LDK ua ka ndarë grave të partisë së vet. LDK nga 33 deputetë sa ka pasur në mandatin e kaluar në Kuvend, i ka pasur vetëm 10 gra.

Nga 9 ministri që ka pasur në qeverinë të cilën po e lë, vetëm 1 ministre – ajo e Tregtisë dhe Industrisë – është udhëhequr nga ministrja Hykmete Bajrami e LDK-së. Nga 17 zëvëndësministra sa figurojnë të jenë të LDK-së nëpër uebfaqe të ministrive vetëm 2 janë zëvëndësministre gra, njëra në Ministrinën e Financave të udhëhequr nga kandiati i  LDK-së për kryeministër Avdullah Hoti, dhe tjetra në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale të udhëhequr nga Arban Abrashi.

Në Kuvend ndërkaq, LDK ka udhëhequr me tre grupe parlamentare: komisionin për buxhet, për të drejtat dhe liritë e njeriut si dhe atë për integrime evropiane. Këta dy të fundit janë udhëhequr nga deputete gra nga LDK. Ndërsa kabineti i kryeministrit Isa Mustafa, ishte në përbërje prej 12 zyrtarëve, prej tyre vetëm 4 gra, 2 prej të cilave në pozitën e asistenteve.

Vetëvendosje (VV)

Në programin e Alternativës Qeverisëse të Vetëvendosjes të vitit 2013, kjo parti theksoi se ata synojnë të krijojnë një shoqëri me barazi për gratë. Për ta kuptuar se si Vetëvendosja synon ta arrijë këtë, K2.0 ka kontaktuar me Nazlie Balën, drejtuesen e Sekretariatit të Gruas Aktiviste të kësaj partie, e cila fokusohet si në politikat e brendshme ashtu edhe në ato të jashtme të barazisë gjinore.

Bala theksoi politikën e ofrimit të ndihmës për nënat e reja, të cilat, sipas saj, kanë nevojë për mbështetje nga shteti përmes kujdesit për fëmijët. Qeveria e Vetëvendosjes do ta ofronte këtë mbështetje duke siguruar një rrjet të qendrave të kujdesit ditor në mbarë Kosovën të cilat, sipas partisë, gjithashtu do t’u heqin disa prej pengesave grave që ato të marrin pjesë në tregun e punës. Kjo politikë gjithashtu u theksua nga kandidati i Vetëvendosjes për Kryeministër, Albin Kurti, i cili shpalosi 40 prioritetet e qeverisë së tij më 25 maj, duke përfshirë edhe themelimin e 160 qendrave  të kujdesit ditor në bashkëpunim me komunat e Kosovës. Ndihma e kësaj partia gjithashtu do t’iu ofrohet sidomos nënave vetushqyese të cilave, sipas Balës, do t’u jepet “strehë dhe mbështetje”.

Bala gjithashtu foli për nevojën e implementimit adekuat të së drejtës për pagesën e pushimit të lehonisë. Ajo tha se qeveria e Vetëvendosjes do ta subvenciononte gjysmën e pushimit të lehonisë që paguhet nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Programi i Alternativës Qeverisëse i Vetëvendosjes i vitit 2013 thekson se pushimi 12-muajsh duhet të merret nga të dy prindërit, për ta zbutur diskriminimin ndaj grave në vendin e punës të shkaktuar nga legjislacioni i tanishëm, i cili baballarëve u jep vetëm dy ditë pushim me pagesë.

“Lëvizja Vetëvendosje duke e parë këtë vështirësi në zbatimin e ligjit do të bëj që pushimi i lehonisë të jetë 6+6”, i tha Bala K2.0. “Cilido nga prindërit ka të drejtën e pushimit të lehonisë. Me këtë propozim ne krijojmë mekanizëm për mbrojte dhe rikthim në vendin e punës më të shpejtë qoftë për nënën qoftë për babanë”.

Duke folur më tutje në lidhje me çështjen e diskriminimit ndaj grave në vendin e punës, Bala theksoi nevojën e themelimit të Gjykatës së Punës, trefishimin e inspektorëve të punës, angazhimin për barazinë e pagave, dhe sigurimin e mbrojtjes në vendin e punës.

Përveç punësimit, Bala përmendi edhe arsimin, integrimin dhe zhvillimin ekonomik si fusha me të cilat Vetëvendosja do të “jetësojë politikat e saj për shtet zhvillimor dhe barazi shoqërore”. Sa i përket integrimit, Bala beson se ishte shpërfillja e shtetit ndaj komuniteteve pakicë ajo që kontribuoi në braktisjen e shkollave të shkaktuara nga martesat e hershme.

K2.0 pyeti për mekanizmat të cilat Vetëvendosja do t’i krijonte për t’i mbrojtur gratë në pozitat e cënueshme. Bala numëroi disa faktorë, duke përfshirë edhe punën direkte të profesionistëve të specializuar me familjen e viktimave të dhunës në familje, prioritetizimin e trajtimit të rasteve të dhunës në familje nga ana e Policisë së Kosovës dhe Shërbimit Prokurorial, rritjen e kapaciteve të shërbimeve sociale dhe përmirësimi i efikasitetit sa i përket lëshimit dhe implementimit të urdhërave të mbrojtjes.

Sa i përket përfaqësimit, pesë nga 16 deputetët e Vetëvendosjes në fillim të mandatit të kaluar qeveritar ishin gra, duke përfshirë edhe Donika Kadajn-Bujupin e cila u largua nga AAK-ja në mars të vitit 2016 për t’iu bashkuar radhëve të Vetëvendosjes. Nga 110 kandidatët për Kuvendin e Kosovës, për zgjedhjet e ardhshme Vetëvendosja ka përfshirë vetëm 33 gra, numër i ngjashëm me partitë e tjera të mëdha. Komuna e Prishtinës, e cila udhëhiqet Vetëvendosja është përballur me kritika sa i përket përfaqësimit të grave në pozita vendimmarrëse, ku vetëm dy gra aktualisht udhëheqin departamente komunale.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e sheh gruan si ‘themelin e një shoqërie të fuqishme’ dhe prioritet, sipas saj, është avancimi i pozitës së gruas në shoqëri. Në kuadër të programit të vitit 2014, AAK zotohet se ata do të zbatojnë “ligjet e rëndësishme” në fushën e barazisë gjinore dhe krijim të mekanizmave ligjor, konform Rezolutave Evropiane, por pa cekur se si do të krijohen dhe funksionojnë këto mekanizma.

Tjetër aspekt që programi politik i AAK-së trajton është edhe mbështetja ekonomike për gratë. Sipas AAK-së, mbështetja ekonomike duhet të mundësohet për gratë afariste, me theks të veçantë sipërmarrjet e vogla dhe të mesme që udhëheqen nga gratë. Në terma të përgjithshëm, programi i AAK-së thotë se duhet të realizohen edhe “Projekte stimulative për gratë në fshatra” dhe “Fonde të veçanta për zhvillim”, por që nuk jep sqarime apo hapa konkret se si do të krijohen dhe si do të funksionojnë këto.

Disa pika që AAK beson se do të kenë ndikim në krijimin e kushteve më të mira ekonomike për gratë janë: financimi përmes granteve për prodhimin bujqësorë, përpunimi i prodhimit dhe agrobizneset, ngritja e financimit për produkte artizanale, krijimi i mundësisë për kredi pa interes për bizneset e grave, krijimi i mundësisë se tregtimit të produkteve bujqësore/artizanale në tregjet rajonale, por pa cekur se si do të sigurohet financimi i këtyre projekteve.  

AAK ka edhe forumin e gruas, të quajtur ‘Aleanca e Gruas’, të cilën e udhëheqë Magbule Shkodra e cila në prononcimin ne uebfaqen zyrtare të AAK-së, si kryetare e këtij forumi premton, se partia e saj, brenda 10 viteve do të arrijë që 40 përqind të grave t’i bëjë pjesëmarrëse aktive në parti politike, pastaj po aq përqind e grave të jenë pjesë në institucionet publike si Kuvendi i Kosovës, Kuvendet Komunale, Qeveria, dhe që në institucionet tjera të jenë të punësuar 40 përqind gra.

AAK në legjislaturën e fundit të Kuvendit ka dalë të ketë gjithsej 9 deputetë, por që në mars të 2016-së, Donika Kada Bujupaj u largua nga partia për të ju bashkuar Vetëvendosjes. Me 8 deputetët e mbetur, AAK, brenda Kuvendit kishte vetëm dy gra, Time Kadriajn dhe Teuta Haxhiun, që në përqindje i bie 25 përqind e përfaqësuesve të AAK-së të jenë gra.  

Në listën e AAK-së për deputetë për zgjedhjet e këtij viti, me 40 kandidatë sa ka lista, vetëm 12 prej tyre janë gra. Ajo që bie në sy është, se të gjitha gratë janë të vendosura në fund të listës së AAK-së, përderisa burrat janë të listuar nga numri 1 deri më 28, gratë janë nga numri 29 deri më 40.

Ndërkohë, AAK në komunën e Obiliqit ka vetëm dy drejtori komunale që udhëhiqen nga gratë, Drejtorinë për Ekonomi dhe Financa dhe Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport.  

Një ndër pikat tjera që ka qenë e diskutuar kur bëhet fjalë për gratë, ka qenë edhe pushimi i lehonisë dhe diskriminimet që ato hasin kur vendosin të rrisin familjen e tyre. Programi i AAK-së nuk parasheh asnjë veprim që do ndërmerrte sa i përket pushimit të lehonisë, pastaj largimit të grave nga puna për shkak të shtatzënisë dhe papunësisë së grave që në raporte të ndryshme thuhet që vjen edhe për shkak të hezitimit të bizneseve për të punësuar gra për shkak të pushimit të lehonisë.

Nisma për Kosovën (NISMA)

Nisma për Kosovën, trajtimin e barazisë gjinore në vend, e nis me një thirrje për të gjitha ‘’gratë dhe vajzat’’, që t’i bashkohen Nismës dhe kështu të ndryshohet pozita e tyre në shoqëri, dhe se me këtë bashkim, ato (gratë) nuk do të pendohen. Por, programi i tyre politik i mes vitit 2016 nuk ofron projekte konkrete dhe mekanizma se si do të sigurojnë përfaqësim apo pjesëmarrje të barabartë të grave në shoqëri.

Në programin e saj, Nisma përfshin një pjesë të titulluar ‘‘Për Barazi Gjinore pa Paragjykime’’, ku theksohet se “Ne do të jemi subjekti i promovimit të barazisë gjinore në rajon’’, dhe theksojnë se ekziston një ‘mal’ me paragjykime, përjashtime e refuzime për dëshirën e grave për punë e politik jashtë mureve të shtëpisë. Nisma i shpallë luftë këtij mentaliteti patriarkal dhe thotë se ‘donë dhe dinë’ ta luftoj këtë mentalitet, por që mbetet e paqartë sepse nuk e shpjegon më tej si konkretisht. Gjithashtu, Nisma thotë se duhet të ngrihen mekanizma shtetërore që të luftohet dhuna ndaj grave në vend.   

Nisma në Kuvendin e Kosovës ka gjashtë deputetë, ku dy prej tyre janë gra dhe që kryetare të grupit parlamentar ka Valdete Bajramin. Në përqindje i bie se Nisma në grupin e saj parlamentar ka 33 përqind gra. Gjithashtu Nisma për Kosovën udhëheqë me komunën e Malishevës, kryetar i të cilës është Ragip Begaj, ku në drejtoritë e tij, vetëm një prej tyre e udhëheqë një grua: Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport.K

Fotografitë: Majlinda Hoxha / K2.0.

Për më shumë rreth asaj se ku qëndrojnë partitë politike në hartën ideologjike, shikojeni videon e K2.0 për ideologjitë këtu si dhe programet politike rreth problematikës së papunësisë, arsimit, dhe ushtrisë.