Në thelb | Media

Sinjalizimi në media

Nga - 03.05.2017

Zbulimi i keqpërdorimeve dhe publikimi i informacioneve.

Arben Hajrullahu kurrë nuk i ka bërë gjërat në mënyrën më të lehtë. Si profesor i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, ai njihet për përpjekjet e tij për zbulimin e keqpërdorimeve institucionale dhe, si rrjedhojë, ai është ballafaquar me vështirësitë e ndryshme me punëdhënësit e tij përgjatë viteve.

Në vitin 2014, ai mbështeti protestën studentore kundër rektorit të atëhershëm, i cili u zbulua se kishte botuar punime ‘shkencore’ në një revistë kinse akademike në Indi, që doli të ishte e rrejshme.

Së fundi, Hajrullahu edhe njëherë u ballafaqua me punëdhënësit e tij, dhe u vu në qendër të vëmendjes publike. Në tetor të vitit 2016, ai i zbuloi veprimet e Dekanit të Fakultetit Filozofik, së bashku me dy profesorët tjerë të cilët besohet se i kishin ndihmuar një punëtori të rektoratit të diplomonte në mënyrë ilegale.

Në fillim të këtij viti, Hajrullahu aplikoi për avancim, dhe nuk u përzgjodh nga Departamenti i Resurseve Humane i Universitetit të Prishtinës, megjithëse u raportua se si i kishte përmbushur të gjitha kredencialet e nevojshme.

Hajrullahu beson se ka prova të besueshme të diskriminimit kundër tij nga ana e menaxhmentit të Fakultetit Filozofik, dhe se ky diskriminim është i lidhur drejtpërdrejt me përvojën e tij të sfidimit të keqpërdorimeve dhe manipulimeve brenda këtij universiteti.

Zbulimi i tij i korrupsionit të pretenduar dhe dështimet institucionale të ofruesit më të madh të edukimit në Kosovë ka ndihmuar të jepen shembuj specifik të problemeve të rrënjosura thellë. Një animacion online që aktualisht po qarkullon nëpër rrjete sociale e vë në pah kompleksitetin e dështimeve universitare, kontrollin e studentëve nga ana e stafit akademik, si dhe pengesat administrative të cilat e parandalojnë këtë organ të edukimit publik që të funksionojë normalisht.

Duke komentuar përvojën e tij të daljes publikisht, Hajrullahu thotë se si qytetar ai konsideron se është detyrë e tij profesionale t'i zbulojë keqpërdorimet.

Kjo video është pjesë e një nisme avokuese të Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) të quajtur Open 333 e cila lë të kuptohet se Senati i UP-së po e luan një lojë mashtruese. Senati është përgjegjës për sigurimin e cilësisë së arsimit por ai e përdor frontin e rregullave ‘demokratike’ për të votuar për vendime ilegale të cilat i mbrojnë interesat e rrjeteve të cilat e kontrollojnë universitetin.

Duke komentuar përvojën e tij të daljes publikisht, Hajrullahu thotë se si qytetar ai konsideron se është detyrë e tij profesionale t’i zbulojë keqpërdorimet. Kur u pyet nëse e konsideron veten sinjalizues — dikush që e zbulon një person a organizatë që beohet se është e përfshirë në aktivitetet ilegale apo të pamoralshme — ai i tha K2.0: “Unë e konsideroj veten profesor i cili përpiqet t’i përmbushë obligimet e tij me përgjegjësi dhe me integritet akademik”.

Edhe pse vendimi i tij për t’i zbuluar keqpërdorimet sistematike të rrjeteve të caktuara brenda universitetit e kanë vënë atë në qendër të debatit publik në lidhje me këtë çështje, ai beson se po të mos raportonte ai do ta “barte pjesën e përgjegjësisë për këtë sjellje të tij”.

Hajrullahu së pari i bëri ankesat brenda institucioneve dhe kur procedurat e brendshme dolën të jenë pa efekt, ai iu qas mediave dhe gjeti mbështetje nga ish studentët e tij dhe nga gazetarët. Ai thotë se “në rastet kur menaxhmenti dhe institucionet e drejtësisë ose nuk janë të gatshme ose nuk janë në gjendje të ndërmarrin masa ndaj këtyre keqpërdorimeve dhe abuzimeve të pozitave, mediat marrin rol kyç në ballafaqimin me këta manipulues e këto keqpërdorime”.

Bashkëpunimi efektiv ndërmjet sinjalizuesve dhe gazetarëve është thelbësor për zbulimin e institucioneve të plogështa apo atyre që e kanë në zemër nepotizmin dhe interesat specialë. Në rastet e tilla, mekanizmat e brendshëm për zbulimin e çështjeve të interesit publik janë përgjithësisht jofunksionale, derisa mekanizmat e jashtëm siç është dërgimi i rasteve tek institucionet e drejtësisë mund t’u kushtojnë sinjalizuesve me humbjen e vendit të punës.

Kjo i ndodhi Abdullah Thaçit i cili zbuloi keqpërdorimin e parave publike nga një punëtor komunal në Prizren. Pasi u publikua informacioni, prokurorët në Prizren e akuzuan Thaçin për keqpërdorimin e pozitës dhe të autoritetit të tij, edhe pse informacioni i publikuar e zbulonte keqpërdorimin e parave publike dhe konsiderohej të ishte në interes publik të shumë qyteravë dhe të shoqërisë civile në Kosovë.  Thaçi u shpall  fajtor dhe u dënua me gjobë pre 5,000 eurove.

Sinjalizuesit e Kosovës #1

Në vitin 2007, James Wasserstrom punonte në UNMIK kur zbuloi prova se dy zyrtarë të lartë të OKB-së po merrnin rryshfet për të dhënë kontratë për ndërtimin e një termocentrali dhe miniere të thëngjillit. Ai u përjashtua nga puna dhe u hetua për sjellje të papërgjegjshme.

Pas një beteje të gjatë ligjire, OKB-ja nuk arriti të siguronte dokumentacionin e nevojshëm për procesin dhe Wasserstrom u kompenzua me një "shumë simbolike parash". Ai tani punon si zyrtar i kundërkorrupsionit në Ambasadën e SHBA-ve në Kabul, Afganistan.

Nevoja për sinjalizim

Që kur skandali i Watergate-it e rrëzoi presidentin e atëhershëm amerikan, Richard Nixon, në nivel global zhvillohet debat i vazhdueshëm në lidhje me rrjedhje të informacioneve dhe sinjalizim. Diskutimet në lidhje me këtë temë morën hov edhe më të madh në shekullin XXI të zhvillimit të madh teknologjik, ndërsa WikiLeaks, Panama Papers dhe Edward Snowden kanë hedhur dritë të re mbi dallaveret e qeverive. Pavarësisht përmbajtjes së tyre, të gjitha këto informacione kanë diçka të përbashkët: bashkëpunimin me gazetarët për zbulimin e keqpërdorimeve.

Njëra prej sfidave më të mëdha për gazetarët në Kosovë mbetet mungesa e qasjes në informacione. Institucionet e Kosovës shpeshherë nuk janë transparente dhe gazetarëve ua bënë të ndërlikuar qasjen në informacione, që do të thotë se bashkëpunimi ndërmjet gazetarëve dhe sinjalizuesve është thelbësor. Publiku u detyrohet pikërisht këtyre sinjalizuesve për disa prej storieve më të mëdha në kohët e fundit, të cilët shpesh ballafaqohen me  me kërcënime se do të përjashtohen nga puna.

Rregulloret që janë aktualisht në fuqi në Kosovë ofrojnë disa masa mbrojtëse për sinjalizuesit. Ekzistojnë gjashtë dokumente të ndryshme të cilat potencialisht mund t’u ofrojnë mbrojtje sinjalizuesve: Ligji për Mbrojtjen e Informatorëve, Ligji për Mbrojtjen kundër Diskriminimit, Ligji i Antikorrupsionit, Ligji për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Ligji për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë, dhe Kodi Penal i Kosovës.

Sinjalizuesit e Kosovës #2

Në gusht të vitit 2014, Maria Bamieh, prokurore e EULEX-it, mësoi se kontrata e saj nuk do të vazhdohej përkundër punës së shkelqyeshme sa i përket dënimeve, pasi që zbuloi prova të marrjes së mundshme të rryshfetit nga ana e zyrtarëve të lartë të këtij misioni.

Që atëherë, EULEX-i po akuzohet për përpjekjet për ta shukatur atë derisa ajo po e zhvillon rastin në gjykatë duke paditur bashkërisht EULEX-in dhe Zyrën e Jashtme të Britanisë së Madhe dhe Vendeve të Commonwealth-it. Në deklaratën e saj të fundit, ajo paralajmëroi se rastin do ta çonte në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Aktualisht, Ligji për Mbrojtjen e Informatorëve nuk i përmbush standardet e Këshillit të Evropës dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDN). Në radhë të parë, ndryshe nga GJEDN-ja, e cila e dallon sinjalizimin nga mbrojtja e dëshmitarëve, ligji i Kosovës nuk e bën një ndarje të tillë. Ky ligj gjithashtu e kufizon sinjalizimin brenda hetimit të brendshëm, meqë ai rregullon vetëm sinjalizimin brenda institucioneve, dhe jo tek shtypi apo ndonjë organ i jashtëm.

Kushtrim Istrefi, Jurist Ndërkombëtar i të Drejtave të Njeriut, beson se sinjalizimi duhet të jetë i mundur edhe për publikun e gjerë. “Liria e shprehjes u mundëson sinjalizuesve të zbulojnë informacione sekrete në rastet kur rrezikohet apo dëmtohet interesi publik”, thotë ai. “Por vetëm me kushtin që informacioni të shkojë te autoritetet përgjegjëse. Informacioni duhet të jetë me interes për publikun, informacioni duhet të jetë autentik”. Për më tepër, GJEDN-ja konsideron edhe motivin e sinjalizuesit si faktor kyç kur vendos për zbulimin e sekreteve zyrtare.

Përveç sigurisë dhe sfidave ligjore, ka edhe mungesë të gatishmërisë së institucioneve për ta mundësuar sinjalizimin, madje edhe përbrenda. Fakti se Abdullah Thaçi u largua nga puna dhe u dënua me 5,000 euro për zbulimin e keqpërdorimit të fondeve shërben si dekurajim për ata të cilët duan t’i zbulojnë krimet dhe korrupsionin.

Ekspertët ligjorë dhe gazetarët besojnë se sinjalizuesit duhet të mbrohen në mënyrë adekuate, dhe se institucionet e Kosovës duhet t’i nisin procedurat ligjore për t’i ndryshuar ligjet ekzistuese për të siguruar që korniza ligjore të jetë në përputhje me standardet e Këshillit të Europës si dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.K

Sinjalizuesit e Kosovës #3

Në vitin 2016, Murat Mehmeti, punëtor i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) zbuloi informacione të cilat flisnin për evazion fiskal dhe keqpërdorim të parave publike në programin televiziv "Jeta në Kosovë". Ai e bëri këtë me plot guxim, duke refuzuar ta fshihte fytyrën apo emrin e tij. Menaxhmenti i lartëi ATK-së pas kësaj i bëri presion që ta ndërronte postin e tij.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.