Pikëpamje | Politika

A do t’i mbijetojë demokracia e Kosovës krizës aktuale?

Nga - 26.03.2020

Shembja e nxitur e qeverisë disa-javëshe të Kosovës mund ta rrezikojë trajektoren e ardhshme të demokracisë së saj.

Një prej memes që lidhen me COVID-19 dhe që u përhapën shumë në internet e thekson faktin se Shakespeare e shkroi King Lear kur ishte në karantinë për shkak të Murtajës së Zezë. Seanca e jashtëzakonshme e ditës së djeshme në Kuvendin e Kosovës mbase mund të shihet si vlerësim bashkëkohor i dramaturgut të madh. 

Në stil të përkryer shekspirian, tragjedia u shpalos nëpërmjet disa akteve, me plot kthesa. Megjithatë, rënia klimaktike e qeverisë së Albin Kurtit në mes të një pandemie globale dhe përçarja që vijoi anembanë Evropës dhe më gjerë i hedh hije cilësdo drame shekspiriane, pasi që audienca kosovare mbeti për të jetuar me pasoja potencialisht kataklizmike. 

Qytetarët e Kosovës kanë përjetuar mjaft shumë kriza politike në vitet e fundit. Megjithatë, shpërbërja e ulët e një qeverie që u formua së fundmi, më pak se dy muaj më parë, është një novum. Që nga fitorja bindëse e Vetëvendosjes (VV) në zgjedhjet e tetorit, premtimi i tyre për ta thyer status kuonë e korrupsionit dhe klientelizmit është pritur me rezistencë të egër nga elitat udhëheqëse.

Në rrethana të tilla, marrëveshja e koalicionit ndërmjet VV-së dhe LDK-së rivale erdhi si befasi për shumë arsye, pavarësisht që ishte diskutuar me muaj të tërë. Disa mendonin që partia e themeluar nga pacifisti i ndjerë, Ibrahim Rugova, po largohej nga klientelizmi dhe vakuumi ideologjik i viteve të fundit dhe me gjasë ishte e gatshme për t’u bërë fuqi e vërtetë e ndryshimit në një vend të tronditur nga nepotizmi, emigrimi dhe niveli i lartë i papunësisë.

Fjalimet e shumta hutuese dhe zhgënjyese që i mbajtën deputetët e LDK-së gjatë seancës maratonike të ditës së djeshme e përfaqësojnë në mënyrë të përkryer gjendjen aktuale të kësaj partie.

Por vullneti i vrullshëm i LDK-së për ta sulmuar të njëjtën marrëveshje të cilën premtuan ta përmbushin në shkurt nuk erdhi si befasi. Nëse nuk është dëshmi e mjaftueshme dëshira e tyre për t’u instrumentalizuar në një lojë të fëlliqtë të interesave personale, fjalimet e shumta hutuese dhe zhgënjyese që i mbajtën deputetët e tyre (përveç Vjosa Osmanit) gjatë seancës maratonike të ditës së djeshme e përfaqësojnë në mënyrë të përkryer gjendjen aktuale të kësaj partie.

Sidoqoftë, pavarësisht rolit të dëmshëm të tyre në këtë veprim të pashembullt të sabotimit politik, nuk mund të fajësohet vetëm LDK-ja. 

Në një veprim të ndërhyrjes hyjnore, Presidenti Hashim Thaçi, kundërshtar i fortë i Kurtit, e përdori xhokerin. Që prej fitores bindëse të VV-së në zgjedhje, u prit që Thaçi do ta (keq)përdorte pozitën e tij për t’i mbrojtur interesat e tij.

Njëkohësisht, administrata aktuale e SHBA-së ka punuar për një fitore të fundit në politikën e jashtme para zgjedhjeve të nëntorit. Siç u prit, “plani i paqes” i presidenti të SHBA-së për Palestinën dhe Izraelin u refuzua, e kështu ai iu kthye një rajonit tjetër: Ballkanit. 

Pas tre vjetësh të pasivitetit, “deklaratat e qëllimit” — shumë simbolike, por në praktikë të pavlera – të ndërmjetësuara nga SHBA për t’i rivendosur fluturimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës shënuan rikthimin e tyre në një rajon që ka mbetur praktikisht i dezertuar nga homologët e tyre evropianë.

Kur e bëjmë këtë bashkë me mbështetjen e shprehur të birit të presidentit të SHBA-së (i cili nuk ka pozitë zyrtare në qeveri) për tërheqjen e trupave amerikanë nga Kampi Bondsteel dhe presioni gjithnjë e më i madh nga Riçard Grenell dhe shërbëtorët tjerë të Trampit për t’i hequr taksat mbi importet serbe, na del një enfant terrible shekspirian.

Ngjashëm me Netanjahun në Izrael, Thaçi mësoi si ta shfrytëzojë stuhinë gjeopolitike, të përbërë nga administrata agresive e Trampit dhe Bashkimin Evropian përherë pasiv, për të mirën e tij, me potencial për ta tronditur sferën gjeopolitike të një rajoni me politikë të brishtë, përtej kufijve të Kosovës.

Pasojat më të gjera të këtij tërmeti ende nuk janë shpalosur. Pasi që Kurti e përmendi qëllimin e Thaçit për ta kthyer një marrëveshje të diskutueshme dhe të mbështetur nga ShBA-ja për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, muajt e ardhshëm do të jenë plot pasiguri dhe tension. Po të bëhet realitet marrëveshja e lartpërmendur, do të ketë potencial për ta tronditur gjithë rajonin përtej pandemisë aktuale. 

Edhe nëse i lëmë mënjanë implikimet gjeopolitike, brenda vendit veçse është shkaktuar dëmi. 

Rrëzimi i një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike shënon një përçarje të madhe të marrëdhënieve veçse të brishta ndërmjet vendimmarrësve, institucioneve dhe qytetarëve — me gjasë një përçarje që nuk mund të rregullohet.

Pas 12 vjetësh të pavarësisë, skena politike e Kosovës ende përcjellet nga fantazmat e një elite gjithnjë të ngulitur politike dhe ekonomike që përpiqet ta ruajë pushtetin dhe pasurinë në dëm të qytetarëve të saj. Përveç kësaj, struktura e dobët institucionale dhe BE-ja përgjithësisht pasive kanë kontribuar shumë në rrjedhën e ngjarjeve të ditës së djeshme, dhe rrezikohet dëmtimi i progresit socio-politik të Kosovës.

Ngjarjet e ditës së djeshme theksojnë gjithashtu një mundësi për demokracinë e re të Kosovës.

OJQ-të dhe grupet e shoqërisë civile kanë promovuar në mënyrë aktive konsolidimin e një shoqërie civile gjithnjë aktive dhe vigjilente, siç u dëshmua nëpërmjet marsheve të grave, grupeve të avokimit dhe grupeve që punojnë për të drejtat LGBTI. Fitorja zgjedhore e një partie politike që më parë llogaritej se nuk ka gjasa për fitore, që premtoi ta sfidonte politikën e mëparshme të “korrupsionit të zakonshëm” ishte një shenjë tjetër e demokratizimit.

Ngulfatja helmuese e qasjes së freskët të Kurtit në politikë, e cila përfaqëson etjen shoqërore për ndryshim, paraqet një sfidë të madhe për këto arritje.

Por, ngjarjet e ditës së djeshme theksojnë gjithashtu një mundësi për demokracinë e re të Kosovës. Çdo natë në orën 20, duke i respektuar masat e distancimit shoqëror gjatë pandemisë COVID-19,  njerëzit kanë dalur në ballkone për ta manifestuar pakënaqësinë e tyre lidhur me mënyrën si janë zhvilluar ngjarjet aktuale. Për më tepër, vala e pashembullt e solidaritetit për kryeministrin Kurti u dallua edhe në rrjete sociale e më gjerë, meqenëse edhe shumë njerëz që janë politikisht pasivë e shprehën pakënaqësinë e tyre.

Në rrethana normale do të duhej të thirreshin zgjedhje të reja, gjë që do ta përforconte vrullin politik të VV-së. Por me sa duket nga pandemia aktuale po përfiton agjenda politike destabilizuese, vetëshërbyese dhe sulmuese e Thaçit, i cili ka aftësi për të shkaktuar dëme të mëtejme.

Sidoqoftë, mesa duket diçka është çliruar brenda shoqërisë.

Një elektorat aktiv dhe i angazhuar do ta bëjë të pamundurën që elitat të mbesin në pushtet kur të kthehet jeta në normalitet, dhe ka potencial për ta shkundur sferën politike dhe ekonomike për vite të tëra. Tani BE-ja duhet të angazhohet dhe të sigurohet që ky vrull i mbijeton përçarjes së shkaktuar nga COVID-19 duke punuar me njerëzit e Kosovës përballë ShBA-së që ndërhyn në mënyrë selektive.

Muajt e ardhshëm do të jenë të gjatë dhe plot ngjarje. Por në stil të vërtetë shekspirian, mund të jemi dëshmitarë të një tjetër kthese në këtë dramë që gjithnjë po evoluon.

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.