Blogbox | Aktivizmi

Festojeni marshin në rrugë

Nga - 19.03.2018

Rezistenca ndaj kulturës shtypëse nuk është vetëm për Ditën e Grave.

Më 8 mars, njerëzit marshuan në hapësira publike nëpër qytete të ndryshme të rajonit, Europës dhe në mbarë botën, duke shprehur mbështetjen e tyre për të drejtat e njeriut. Në Kosovë mesazhet ishin të shumta dhe të ndryshme, nga “Godite patriarkatin”, deri te “Nuk dua lule, dua kontratë pune”. Disa slloganë madje bënë thirrje për t’i dhënë fund korrupsionit, nepotizmit dhe ekonomisë së zezë.

Dhe pavarësisht protestave të disa personave të cilët thonë se këto çështje nuk lidhen me njëra-tjetrën – jo, nuk është gabim fakti se më 8 mars njerëzit avokojnë për më shumë se vetëm të drejtat e grave. Në Ditën Ndërkombëtare të Grave u mblodhën njerëz të cilët nuk duan të përkufizohen sipas kësaj kulture dënuese – kulture të mohimit dhe të krenarisë së pakuptimtë që nxit pasiguri, frikë, egoizëm, nervozë, urrejtje, dhunë, përdhunime, vrasje e më shumë.

Si shqiptarë të Kosovës, ne ende kemi tendencë ta veçojmë njëri-tjetrin në bazë të gjinisë, pikëpamjeve fetare, përkatësisë etnike… dhe kjo është pak a shumë. Këta janë të vetmit faktorë shoqërorë që njihen nga kultura dhe traditat tona, të cilat i kemi shumë për zemër. “Por këto janë vlerat tona ilire” – e dëgjoj një zë duke e pëshpëritur këtë sllogan që e dëgjojmë shpeshherë.

Si e tillë, kultura jonë nuk është e formësuar nga dallimet tona. Është vetëm një sistem i ‘vlerave’ të përforcuara dhe të imponuara nga injorantët e fuqishëm. Por prit, si mund të bindet një injorant nga një injorant? Eh, po normal… indiferenca dhe apatia i bënë bashkë.

Po na duheshin ditë feste! Në fund të fundit, ne gjithmonë kemi dëshiruar ta përcaktojmë Kosovën si një oazë të vogël të kënaqësisë, e cila është plot njerëz miqësorë të cilët kanë dëshirë të ndërtojnë marrëdhënie. Ishim aq të lodhur duke jetuar me ‘armiq’, me njerëz të cilët na shihnin si TROGLODYTES, bastardë të padeukatë me sjellje të padobishme.

Ishim aq naivë saqë e bindëm veten se sa më shumë që marrim diploma dhe njohje profesionale, aq më të pavarur dhe të mirëpritur do të ndihemi. A po kërkonim të gjithë të ishim të privilegjuar? A ishim të vetëdijshëm për privilegjet? A jemi tani?

Tani jemi në një vend ku e festojmë shprehjen e privilegjit. “Zemër, unë po e veshi fustanin e kredisë, e ti kostumin e overdraftit”, thotë një çift në ditën e Shën Valentinit. Kamarierja e veshur me një fustan me lule. Ajo nuk e ka idenë se po shfrytëzohet. E edhe nëse ia rrokë, vlerat ilire nuk e mbrojnë atë. A duhet të protestojmë për Shën Valentin? PO!

Shprehe zemërimin në një copë letre dhe ngrite lart mesazhin

Në Ditën Ndërkombëtare të Grave, një aktiviste u sulmua verbalisht nga një menaxher i një kompanie që po promovonte produkte të kozmetikës në sheshin publik Zahir Pajaziti në Prishtinë, pasi ajo i tha se ne duhet të marshojmë për të drejtat e grave. “Mbylle gojën se ta çkyj”, i tha menaxheri, duke shtuar se ai e udhëheq forcën policore. Kjo ishte vetëm një nga komentet seksiste dhe urrejtëse të cilat u shprehën kundër aktivistëve përderisa ata po kërkonin të drejtat e njeriut nëpërmjet një megafoni, apo thjesht po ecnin me mbështetës të tjerë gjatë marshit.

Ndonjëherë e kam përshtypjen se për shkak që burrat kanë shumë të drejta në shoqëri, atyre u duket sikur po u humb fuqia e mashkullorësisë e cila u sjell gjithçka që duan në jetë. Apo tani që gratë po bëhen gjithnjë e më të zëshme sa i përket feminizmit, burrat kanë frikë se gratë nuk do të jenë më të nënshtruara.

Çfarë na pret tani? 1 maji, dita kur disa prej nesh shkojnë të hanë e të pinë në piknik, e më vonë djegin goma, duke mos e menduar fare dëmin që u shkaktojnë burimeve natyrore, por edhe duke e përforcuar paragjykimin që në mënyrë patetike ne ende po jetojmë në një botë apatike.

A e kemi arritur nivelin e festës për Ditën e Punëtorëve? Po? E pabarazitë ndërmjet burrave dhe grave në vendin e punës? E diskriminimi në tregun e punës? Të hyrat e ulëta? Mungesa e sigurimit shëndetësor? Ngacmimet seksuale në vendin e punës? Shkeljet masive të ligjeve për pushimin e lehonisë dhe të kontratave kolektive? Të gjitha këto ndikojnë te ne çdo ditë.

Dëshiroj ta shoh çdo kosovar që ndihet i frikësuar, i kërcënuar, i diskriminuar, i ngacmuar, i shkelur, ose ka ndonjë ndjenjë tjetër të padëshiruar në çfarëdo aspekti të jetës, të dalë e të protestojë. Shprehe zemërimin në një copë letër dhe ngrite lart atë mesazh. Këtë platformë mund ta përdorësh për avokim në hapësirën tënde publike. T’ia rikthejmë politikën vetes!

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.