Pikëpamje | Ekonomia

Gjendja e sektorit privat në Kosovë ilustron një vizion të dobët ekonomik

Nga - 07.02.2019

‘Zonat ekonomike’ nuk po tregojnë rezultate konkrete.

Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, filluan edhe sfidat e para të funksionalizimit të shtetit. Për të ndërtuar një model ekonomik, Kosova kishte asistencë të vazhdueshme të SHBA-së dhe nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) që mbante kompetenca të rezervuara në aspektin legjislativ, ekonomik dhe politik dhe njëkohësisht filloi hartimin e legjislacionit bashkëkohor për ekonomi të tregut. Mirëpo, ndër vite qeveritë e vendit, përkundër  asistencës, treguan që nuk po arrijnë të ndërtojnë një model ekonomik të vetin.

Një nga idetë më të proklamuara nga qeveritë e vendit që nga viti 2014, ishin themelimi i zonave ekonomike, që përfshijnë katër lloje të tyre: zona ekonomike, parqe industriale, parqe teknologjike si dhe qendra inovative. Krijimi i tyre bëhet me qëllim të tërheqjes së investimeve të huaja apo vendore dhe bizneseve iu ofrohet infrastruktura e hapësira e nevojshme për të zhvilluar biznesin. Më tej, bizneset që zhvillojnë veprimtarinë aty lirohen nga tatimet doganore apo kontrolle tjera të importit, ku me anë të kësaj tentohet të arrihet rritje e eksportit, e numrit të të punësuarve dhe e investimeve të huaja.     

Me qëllim për t’iu përshtatur specifikave gjeografike dhe resurseve në dispozicion të këtyre zonave, një park i biznesit është ndërtuar në Drenas më 2010 dhe një në Mitrovicë më 2012; në Shtimje një park teknologjik më 2013; një zonë agro-industriale në Suharekë më 2015; në Lipjan më 2016 është krijuar parku industrial; në Prizren më 2018 është përfunduar parku industrial Holandez; dhe Gjilani dhe Vushtrria janë ende në fazën fillestare. Ndërsa qeveria e tanishme ka premtuar hapjen e zonave ekonomike edhe në komuna të tjera, si “katalizator për zhvillim ekonomik”. Mirëpo, rezultatet nga zonat e mëhershme nuk po shihen.

Sa i përket këtyre iniciativave qeveritare, përpos Ligjit për Zonat Ekonomike dhe vendimit të qeverisë për themelimin e tyre, asgjë konkrete nuk ka deri më tani. Komunat përfituese të këtyre zonave, në faqet e tyre zyrtare nuk kanë ndonjë shifër se ku dhe çfarë kanë përfituar dhe as nuk ka ndonjë studim fizibiliteti për krijimin e tyre.

Koncept Plani Kombëtar për Zhvillimin e Zonave Ekonomike, i publikuar më 2013, thoshte se zonat ekonomike ‘‘do të bëhen bartës kryesor të zhvillimit ekonomik dhe industrializimit të vendit’’.

Për katër vite rresht, paga mesatare u rrit me vetëm nga një euro për vit.

Por sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës në tremujorin e tretë të vitit 2018 (TM3-2018), shkalla e papunësisë është 30.7 përqind, ku krahasuar me tremujorin paraprak (TM2-2018), ka rritje të shkallës së papunësisë me 1.3 përqind. Përderisa Investimet e Huaja Direkte (IHD) në vitin 2007 ishin 440.7 milion euro që erdhën nga jashtë në Kosovë, në 2017 vetëm 287.8 milion euro kanë ardhur nga jashtë, sipas Bankës Qendrore të Kosovës.

Ekonomia e Kosovës ka shënuar rënie në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në TM2 2018 eksporti i mallrave ka shënuar vlerën prej 95.5 milionë euro që është për 7.2 përqind më pak krahasuar me TM2 të 2017-ës. Në tremujorin e tretë të vitit 2018, eksporti i mallrave arriti në vlerën 95.9 milionë euro, që është 8.7 përqind më i ulët krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2017.

Për më tepër, importi i mallrave është rritur ndjeshëm në krahasim me eksportet, duke çuar në një deficit më të madh tregtimin e mallrave. Në afat të gjatë, një deficit i tillë tregtar është i dëmshëm për ekonominë dhe për normën e papunësisë.

Mund të cilësohet se zonat ekonomike kanë dështuar në këtë mision të zhvillimit ekonomik dhe dëshmi për këtë e jep gjendja e sektorit privat. Raportet e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se pagat në pesë vitet e fundit në këtë sektor janë rritur me vetëm 17 euro. Gjatë grevave që u zhvilluan dhe disa që ende po vazhdojnë për shkak të pakënaqësisë mbi pagat në sektorin publik, ndoshta nuk është befasuese që punëtorët e sektorit privat kanë filluar të shprehin frustrimet mbi gjendjen që janë dhe mundësisë që grevat të përhapen në sektorin e tyre.  

Paga mesatare (bruto) në vitin 2012 ishte 367 euro për muaj. Për katër vite rresht, kjo pagë u rrit me vetëm nga një euro për vit, 371 euro që shënon rritje për vetëm mbi 1 përqind. Rritja më e madhe e pagës mesatare u arrit në vitin 2017, ku punëtorëve të këtij sektori iu rrit paga për 13 euro në vit. Edhe sipas Vjetarit Statistikor të Kosovës të publikuar së fundmi që paraqet të dhëna statistikore dhe analiza mbi gjendjen aktuale për fusha të veçanta të veprimtarive ekonomike, sociale dhe bujqësore shihet se ku ishin me paga mesatare bruto pjesa më e madhe e popullatës kosovare në sektorin privat.

E këto shifra janë tregues se në çfarë gjendje të mjerueshme gjendet sektori privat, apo biznesi në vend.  

Kësaj i ka kontribuar mungesa e strategjive të qarta dhe afatgjate për ekonominë nga ana e institucioneve. Në përgjithësi, funksionimi makroekonomik ka qenë i bazuar në Korniza Afatmesme të Shpenzimeve dyvjeçare dhe me buxhet njëvjeçar.

Mos orientimi në strategji afatgjate i gjuan poshtë idetë e qeverive të deritashme për zonat ekonomike.

Strategjia Kombëtare për Zhvillim (SKZH) 2016-2021, duke bërë analizën e problemeve makroekonomike, në mes tjerash vë në pah faktin se të ardhurat për kokë banori në Kosovë janë 11 përqind më të ulëta në krahasim me vendet e BE-së. Sipas SKZH-së në fillimin e vitit 2016, GDP ishte 2.935 euro.

Pra për arritjen e standardit aktual të vendeve të BE-së, Kosovës i duhet një normë e rritjes prej 8 përqind për 30 vitet e ardhshme, që të zë standardin aktual të vendeve perëndimore. E duke marrë parasysh rritjen mesatare ekonomike te Kosovës me rreth 4 përqind, kjo mundësi as për së afërmi nuk duket në horizont.    

Mos orientimi në strategji afatgjate i gjuan poshtë idetë e qeverive të deritashme për zonat ekonomike. Zonat ekonomike apo pretendimet për investime milionëshe nga jashtë janë improvizime ose mungesë profesionalizmi nga ana e instiucioneve sepse si të tilla nuk kanë dhënë rezultate deri më tash.          

Përveç tyre nuk është menduar për hapa të tjerë. Tek SKZH-ja burokracitë shihen si një pengesë tjetër, ku thuhet se “Institucionet shtetërore u kërkojnë bizneseve informata që Shteti tashmë i ka në dispozicion’’. Më tej, SKZH-ja si mungesë vizioni e sheh edhe atë se qeveritë deri më tani kanë marrë kredi nga institucionet ndërkombëtare dhe asnjëherë nuk kanë menduar të përdorin fondin e privatizimit, të akumuluar nga shitja e aseteve të mëparshme shtetërore.

Këto fonde arrijnë në 383 milionë euro dhe aktualisht janë të ngrira, por të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP). Zhbllokimi i fondit të privatizimit dhe përdorimi i mjeteve për zhvillim, është nevojë imediate, të paktën që vendi të mos hyjë në borxhe ndërkombëtare tani, e t’i ngarkojë gjeneratat e ardhshme me borxhe, por këto mjete të investohen mençur në sektoret profitabile si bujqësia e turizmi malor; pra një lojë e tipit “biliardo”, ku lojtari e dirigjon lojën drejtpërdrejtë dhe me kujdes pa u ngutur dhe jo e tipit “Apex”, ku e dirigjon dikush tjetër lojën me mundësi më të lartë për të humbur. Pra më mirë me ngadalë të dirigjohen gjërat, në mënyrë që të arrihet suksesi dhe jo me rrezikshmëri të lartë më mundësi që të humbaset edhe ajo që ekziston.

Me gjithë rritjet ekonomike vjetore rreth 4 përqind të Kosovës, jo vetëm që Kosova është shumë prapa vendeve të rajonit, kjo rritje [e vogël] e pagave në sektorin privat e ky inflacion vazhdimisht i shkund edhe ashtu xhepat e vegjël të qytetarëve të Kosovës. Por deri në ngritjen e rradhës të pagës mesatare, qytetarëve të Kosovës u mbetet të shtrydhen sa më tepër që rroga e tyre të paktën të mos i ndalet nga një përmbarues privat, për mos shlyerje të obligimeve.

Siç thuhet me shprehjen popullore, “peni ku është më i hollë këputet” sektori privat është ai që e këput çdo deklarim të rrejshëm politik dhe çdo shpresë të kosovarëve të rraskapitur nga varfëria ndër vite.

Foto kryesore: Besnik Bajrami / K2.0.

  • 12 Feb 2019 - 13:53 | Argjent Januzi:

    Nje elaborim i drejtë dhe i sakt i ekonomis e ne veqanti sektorit privat mbas pamvarsisë se Kosovës, m'base sektori privat ka mbetur vetem ne premtime dhe shkresa te pa zbatueshme nga organet shtetrore detyrimisht na duhen njerëz te tillë te cilet na e kthjellojnë realitetin në Kosovë nga hiri i injoranteve-udheheqës. Respekt z.Mr.Donjet Doblibara.

KOMENTO