Dielli veç kishte nisur të binte mbi bjeshkën e Pashtrikut afër Prizrenit, teksa plot fëmijë po mbushnin një fushë futbolli, që ndodhej në një kodër, ku era fryen nga të gjitha anët.
Vetura me tabela regjistrimi nga vende si Rumania, Kroacia, Serbia, Austria e të tjera endeshin fshatit Gjonaj të Hasit dhe ngjiteshin rrugës për në kodër. Krejt kjo laramani tabelash tregonte se hasjanët kishin ardhur në vendlindje nga vendet ku jetojnë në diasporë dhe, ku, me shumë gjasë, punojnë si furrtarë apo kanë furra të tyre. Kjo është një traditë e hershme për hasjanët dhe rrallë gjen familje nga kjo zonë që nuk ka qenë apo është brenda biznesit të furrave.
Të gjithë po ngjiteshin për ngjarjen kryesore të zonës, festivalin folklorik “Hasi Jehon”.
Ky festival mbahet në Gjonaj që nga viti 1976 dhe fillimisht mblidhte grupet e fshatrave të qytetit të Prizrenit e përreth. Së pari, festivali u organizua nga Shoqëria Kulturore-Artistike “Malësori”. “Malësorin” e kishin nisur nxënës hasjanë të Normales së Prizrenit, me qëllimin që të promovojnë folklorin e tyre.
Pak para orës gjashtë në mbrëmje, shpeshtohen ecejaket e grave dhe burrave me veshje kombëtare nga shkolla përballë Shtëpisë së Kulturës “Reshat Çoçaj”. Haziz Hodaj, drejtor i ansamblit, e Dilaver Kryeziu, drejtor artistik, nuk zinin vend. Sa i shihje në një sallë brenda shtëpisë së kulturës, sa jashtë duke folur me ata që kujdeseshin për zërim, sa te ndonjë ansambël a grup — sivjet ishin 18 sosh.
“Hasi jehon” që nga paslufta ka arritur të konsolidohet në një ngjarje kulturore që, për tri ditë rend, mbledh rreth vetes ansamble dhe grupe artistësh nga vende të ndryshme të banuara me shqiptarë. Ky festival tërheq rreth 10,000 vizitorë dhe përfshin rreth 20 ansamble nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora, të cilët performojnë këngë, valle dhe rite tradicionale. Festivali po ashtu përfshin ekspozita të veshjeve, zanateve dhe produkteve tradicionale, si buka hasjane.
Datat e përvjetshme kur mbahet ky festival, 2-4 maj, kanë rrënjë te procesi i pajtimit të gjaqeve udhëhequr nga folkloristi dhe profesori, Anton Çetta. Çetta udhëhoqi një nismë në vitin 1990 për pajtimin e gjaqeve midis shquptarëve në Kosovë. I quajtur shpesh “plaku i urtë”, ai mobilizoi studentë/e, intelektualë/e dhe udhëheqës/e komuniteti për të promovuar paqen dhe faljen, duke sfiduar traditën e rrënjosur të gjaqeve, të rregulluar nga Kanuni i Lekë Dukagjinit, që ishte ende i pranishëm në atë kohë.
Përpjekjet e tij kulmuan me tubime masive, duke rezultuar në pajtimin e mbi 1,000 gjaqeve e mosmarrëveshjeve tjera deri në vitin 1991. Nisma synonte unifikimin e shqiptarëve për ta rritur qëndresën ndaj regjimit serb në një periudhë kur ky regjim po ashpërsonte masat shtypëse ndaj shqiptarëve.
Më 2 maj 1990, ky proces ndodhi në fshatin Gjonaj, në atë që njihet sot si “Fusha e Pajtimit”, ku familjet e zonës së Hasit ia shtrinë dorën e pajtimit njëra-tjetrës me ndërmjetësimin e Çettës.
Sot, festivali mbahet në po atë vend, për të përkujtuar përmes këtij festivali edhe aktin e faljes së gjaqeve.
Në fillimet e tij, festivali nuk mbahej rregullisht dhe u ndërpre gjatë viteve të luftës në Kosovë. Sipas kujtimeve të Hodajt, edhe periudha e pasluftës shënoi momentet më të vështira për organizimin e festivalit. Qindra familje në Gjonaj mbetën në tenda gjatë fillimit të viteve 2000 pasi rreth 800 shtëpi u dogjën.
Megjithatë, në vitin 2000, komuniteti bëri përpjekje për të ringjallur festivalin me mbështetjen e KFOR-it gjerman, i cili ndihmoi në ndërtimin e një skene druri. Më pas, në vitin 2001, festivali u zgjerua në nivel rajonal dhe u kthye në një ngjarje të përvitshme. Që nga viti 2022, “Hasi jehon” është shpallur Aset i Mbrojtur Shtetëror, një status që njeh rëndësinë e tij për ruajtjen e identitetit kulturor të vendit. Organizimi i festivalit financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nga Komuna e Prizrenit, teksa ka edhe mbështetje financiare nga donatorë privatë.
Kryeziu, drejtor artistik dhe një emër i njohur në fushën e koreografisë, bashkëpunon çdo vit me një ekip për të përzgjedhur ansamblet që përmbushin kriteret e festivalit, duke siguruar kështu cilësinë e lartë të performancave. Ky proces kërkon që përgatitjet për edicionin e radhës të nisin menjëherë pas përfundimit të edicionit aktual, duke kërkuar një vit të tërë pune dhe përkushtimi.
Sipas Kryeziut, kriteri kryesor për përzgjedhjen e ansambleve është origjinaliteti i performancave, ku këngët, vallet dhe doket duhet të jenë autoktone dhe të papërpunuara, duke pasqyruar trashëgiminë e vërtetë të rajonit përkatës. Gjatë tri ditëve të festivalit, ansamblet e përzgjedhura prezantojnë këngë, valle dhe kërcime tradicionale, të veshur me kostume origjinale nga rajone të ndryshme, duke tërhequr mijëra qytetarë që mblidhen për të shijuar këtë ngjarje kulturore.
Dekadat e numëruara në skenë
Këtë vit, përzgjedhja artistike solli 18 ansamble që kishin ardhur prej jugut të Shqipërisë e deri në fshatrat e Tuzit të Malit të Zi, duke sjellë një mozaik të pasur të trashëgimisë kulturore. Grupi pas grupi, skena u mbush me kostume tradicionale e valle të vjetra. Në këtë edicion u prezantuan plot 44 karaktere vallëzimi nga ansamble të ndryshme.
Grupet prisnin radhën të dilnin në skenë. Të mbledhur nëpër qoshe pranë skenës spikati edhe prezenca e Lajde Kolgjerajt, drejtores së Ansamblit Etno-muzikor “Katarina Josipi” nga Zymi i Hasit, e cila është aktive në skenën folklorike prej më shumë se katër dekadash.
Veshja e saj, punuar nga gratë e zonës, përbëhej nga një këmishë e bardhë prej pëlhure të trashë, e qëndisur me kujdes me motive florale shumëngjyrëshe rreth krahërorit. Mbi këmishë mbante një jelek të zi, të zbukuruar me gajtan të arit dhe detaje të kuqe, kurse në kokë mbante shaminë tradicionale të kuqe me lule shumëngjyrëshe.
Kolgjeraj, 57-vjeçare, është marrë me ansamblin pjesën më të madhe të jetës së saj. “Pasluftës e kam ringjallë ansamblin, duke i mbledh anëtarët e vjetër që i kam njohur më herët, më pas kam inkuadru gjithmonë gjenerata të reja duke i mësu me të gjitha zakonet e doket”, thotë ajo. Por, atë e shqetëson pamundësia për ta mbajtur ansamblin me njerëzit e njëjtë për shkak të migrimit të të rinjve e rejave nga Zymi, qoftë në zona urbane apo jashtë vendit, apo edhe mungesës së interesimit për t’iu bashkuar ansamblit.
Shumë prej ansambleve në Kosovë nuk kanë financim të qëndrueshëm dhe operojnë me statusin e organizatave jo-qeveritare. Ndonëse dikur ato, bashkë me klubet e sportit dhe trupat e teatrove amatorë, kanë qenë strehë tërheqëse për të rinj e të reja, kjo ka ndryshuar rrënjësisht me ofrimin e aktiviteteve tjera, por edhe me digjitalizimin e stilit të jetesës.
Dikur, gjetja e valltarëve/eve të rinj/reja kryesisht niste në shkolla fillore, ku shkonin koreografët për të gjetur e rekrutuar të rinj e të reja me potencial. Por, pasioni për angazhim në ansambël zbehet me moshën krahas mungesës së një përkrahjeje të qëndruesheme financiare. Ndonjëherë numrin e nevojshëm në ansambël e plotësojnë fshatarë tjerë që nuk janë pjesë aktive e ansamblit.
Në Kosovë, vetëm ansambli shtetëror, “Shota”, mbështetet financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve duke i futur si kategori të veçantë në Ligjin e Pagave.
Midis gjithë këtyre sfidave, festivali dhe kënga e Kolgjerajt vazhdon. Ndërkohë që defat kumbojnë, vajzat mblidhen dhe nis kënga. Zani i Ladjës buçet, tutje burrat hedhin vallen tradicionale të dasmave hasjane që quhet “burrnishte”. Mbrapa skenës, Behar Hoxha lëvizte gishtat mbi vrimat e shumta të klarinetit, që luante një melodi të njohur. Hoxha vinte nga Berati me shoqërinë kulturore-artistike “Qupërlinjtë e Roshnikut”.
Prej vitit 2002, kishte ardhur disa herë në festivale në Kosovë. I njohur ndryshe ndër të tjerë me emrin artistik “Bilbili i Vrionit”, Hoxha ka një jetë me klarinet në dorë dhe 56 vjet që ngjitet në skena festivalesh.
“Kam pasë 14 vjeç kur jam ngjitur për herë të parë në skenë në Festivalin e parë të Gjirokastrës”, thotë Hoxha, teksa veç kishte veshur kostumin me fustanellë për të ngjitur skenën. “Prej atëherë unë më nuk kam zbritur prej skenës dhe bashkë me katër vëllezërit e mi kemi përfaqësuar Beratin gjithandej”.
Hoxha mbush skenën. Një defator bënte lojëra me def, kurse katër burra më të moshuar nisin valle tradicionale, që sa biejnë në gjunj, aq shpejt çohen në këmbë dhe sillen rreth. Për pak minuta skena ishte e tëra për Hoxhën. Shoka e lidhur në barkun e tij zgjerohet, ai mbushet me frymë dhe klarineti lëshon tingullin e një kabaje të njohur, ashtu siç quhen instrumentalet e klarinetit në jugun e Shqipërisë.
Ishte instrumentali “Kaba e Halit Beratit”, që është pjesë e filmit “Gjeneral Gramafoni”, një prej filmave ikonë të kinematografisë shqiptare. Filmi zhvillohet në Shqipërinë e viteve 1930, në prag të pushtimit italian të vitit 1939. Halit Berati, luajturr nga aktori Bujar Lako, është një klarinetist dhe punëtor nafte, i cili përballet me presionin për të braktisur muzikën tradicionale shqiptare në favor të melodive italiane të epokës fashiste. Kjo përpjekje për të kontrolluar kulturën shqiptare has në refuzimin e vendosur të Halitit, i cili, përmes performancës reziston, duke ruajtur identitetin kulturor. Edhe në festivalin “Hasi jehon”, performimi i kabës së Halil Beratit duket si një lloj këmbëngulje për ta ruajtur trashëgiminë kulturore.
Nga lahuta në prekje të qiellit me dorë
Skena e “Hasi jehon” ndërronte ansamblet ditë pas dite. Aty jo gjithmonë kishte valle.
Në ditën tjetër, një dyshe që performon në tingull e fjalë po bëhej gati për skenë. Nazmi Hajdari e Muzafer Osmani, të dy nga Ferizaji, ishin ulur krah për krah. Nazmiu kishte kapur në dorë lahutën dhe po e lëvizte një distancues të telit të lahutës për të gjetur “dyzenin”, tingullin ideal.
Ai po kthehej në Has me lahutë, ndonëse karrierën e kishte nisur me çifteli.
“Unë jam rapsod prej fëmijë. Kur jam rrit pak e ja kam nisë me knu nëpër dasma me çifteli, këndej pari shumë kam knu”, thotë Hajdari. “S’ka pasë katun e mahallë që s’kam qenë”.
Me gjysëm-inati kishte nisur t’ia merrte dorën lahutës, nga frika se arti i lahutës po zhdukej.
“E pash që dita-ditës lahutarët u pakësojshin. Më kapi inati edhe e mësova, e tash që 20-vjet nuk i ndahem, tash po ja mësoj edhe një stërnipi”, rrëfen Hajdari.
Veshja e Hajdarit ishte veshje e Rugovës, me tirqi, jelek, shokë të lidhur në bel, teksa në kokë mbante qallmen rugovase. Të dy u ngjitën në skenë, ndërsa Hajdari u afrua tek mikrofoni, vendosi dorën pas njërit vesh dhe nisi thirrjen me zë të lartë sikur e bëjnë rugovanët. “Mirë se ju gjeta vllazën hasjanë, festë e madhe ‘Hasi jehon’”. Aq shumë i dha zërit sa secili ktheu kokën drejt skenës, e kush ishte pak si i hutuar në ekran të telefonit u tremb.
Kur ai u ndal, nisi Osmani të tregonte një anekdotë, që e lidhte me fjalët e pleqve dhe ngjarje aktuale. Kështu herë lahutë e herë anekdotë, kjo pikë i dha një larmishmëri skenës.
Teksa dilnin nga skena me duartrokitje, valltarët tjerë nga Qendra Kulturore “Anamorava” nga Vitia bëheshin gati.
Getuar Sadiku e Meriton Xheladini, njëri 16 e tjetri 17 vjeç, gatiteshin për vallen dyshe të Karadakut dhe Anamoravës. Sadiku prej moshës 10-vjeçare është pranë qendrës kulturore. Ndërsa, Xheladini ka vetëm një vit prej kur është bashkangjitur.
“Unë i kam pa në televizor njëherë me valle edhe tani kam thanë pse nuk bashkohem, e qe sot ku jam edhe ndihem shumë mirë që po na pret publiku kështu”, thotë Xheladini. Të dy njëzëri tregojnë se tash nëpër familje dhe dasmat e tyre gjithmonë ata janë të parët që duhet ta nisin vallen.
Të dytë ndjekin solistin kryesor të valles burimore të burrave nga Karadaku, Bardhyl Osmani. Ndryshe nga valltarët tjerë me këmisha të bardha, Osmani e kishte këmishën e zezë, që bënte t’i dukej edhe më shumë jeleku i kuq i punuar me gajtan të zi. Ai vallëzon prej moshës 10-vjeçare.
Vallja nis me burrat krah për krah. Ritmi i pandryshueshëm i tupanit i mban në vijë. Kur nis e ndryshon paksa ritmi dhe kalimet bëhen me pauza disa sekondëshe, Osmani nis lojën. Sillet në dorën e shokut që ka në krah, del në mes veç me tupan dhe teksa është në ajër duke u hedhur, kapet në krah nga bashkëvalltari e bie direkt në skenë duke e rrahur me dorë dyshemenë me ritmin e tupanit që e përcillte.
Skena po merrte zjarr, teksa tupani anamoravas buçiste thellë në Has. Me tri-katër lëvizje, Osmani gjendet në krahët e shokut të tij, njëri mbi tjetrin, heq plisin nga koka dhe përshëndet publikun duke e përfunduar performancën e vitiasve.
“Këto valle i kemi trashëgimi familjare, kam parë krejt familjarët që i kanë vallëzuar dhe do t’i vallëzojmë”, thotë ai i mbushur frymë pas përformancës që dha. “Kjo është hera e tretë në Has dhe jemi përgatitur me muaj për këtë përformancë”.
Ajo paraqitje atij i dha edhe epitetin e valltarit më të mirë të festivalit në këtë edicion.
Hasi priti e përcolli qindra valltarë e instrumentistë, ashtu sikur do t’i presë edhe vitin tjetër.
“E kemi mbajtë kur kemi qenë të djegur e të vrarë pasluftës, e tash s’ka kush që e ndalë”, thotë ndër të tjera drejtori Hodaj.
Fotografitë: Ferdi Limani / K2.0.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.