Pikëpamje | Politika

Kombi i bashkuar i Kosovës me lidership jofunksional ballafaqohet vetëm me pandeminë

Nga - 30.03.2020

Ku do të qëndrojë Kosova në rendin e ri botëror pas COVID-19?

Sot asnjë njeri i gjallë nuk e mban në mend një pandemi si kjo. 

E dimë nga historia që pandemitë e kanë pllakosur botën ndër shekuj që nga koha e Athinës antike. Disa prej këtyre pandemive ishin pothuajse të pakapshme sa i përket shkallës së vdekshmërisë pasi që vranë dhjetëra miliona njerëz, si Murtaja e Zezë në të 1300-tat dhe gripi spanjoll pas Luftës së Parë Botërore.

Në kohët moderne, HIV/AIDS vrau dhjetëra miliona njerëz, gripi i shpezëve H1N1 vrau qindra mijëra në 2009-10, virusi Ebola e shkatërroi Afrikën Perendimore nga viti 2014 deri në 2016, duke i marrë më shumë se 10,000 jetë, dhe virusi Zika shkaktoi mijëra defekte të lindjes prej vitit 2015.

Asnjëra prej këtyre nuk u përhapën nëpër botë me shpejtësi të COVID-19, duke ekspozuar një përqindje kaq të madhe të popullsisë së njerëzve, pa dallim kombësie, race apo rajoni, ndaj mundësisë shumë reale të infektimit me një virus potencialisht vdekjeprurës brenda vetëm disa muajve. Epiqendra e kësaj pandemie tani është në Evropë, ndërsa SHBA-ja veçse e ka tejkaluar Kinën si vendi me më së shumti raste.

Është fakt që pandemitë, posaçërisht ato më vdekjeprurëse, e kanë ndryshuar historinë dhe vetë thelbin e strukturës, kulturës, sjelljeve, politikës dhe vlerave të shoqërisë.

Këto ndryshime zakonisht ndihen dhe dokumentohen tek pasi të kalohet apo kontrollohet pandemia, por politikanët e Kosovës, duke zgjedhur t’i prioritizojnë politikat e parëndësishme para shëndetit publik, janë bërë pasqyrë e anës më të errët të njerëzimit gjatë krizës më të madhe të shëndetit global në më shumë se njëqind vjet.

Kosova tani e ka humbur qeverinë dhe besimin e popullit.

Mënyrat se si qeveritë janë ballafaquar me pandeminë anembanë botës dallojnë, por fokusi kryesor i secilit komb ka qenë përforcimi i sektorit të shëndetësisë dhe promovimi i shëndetit publik nëpërmjet distancimit fizik, duke u bazuar në transparencë dhe besim. Ata qe kanë më së shumti burime janë munduar gjithashtu të japin ndihmë ekonomike për ekonomitë që me shpejtësi po ngadalësohen, si dhe për qytetarët dhe bizneset që po vuajnë më së shumti nga pasojat e ndikimit ekonomik të krizës.

Si kontrast, liderët tonë politikë, të tashëm e të kaluar, veçse i kanë harxhuar rezervat tona dhe tani nuk kanë mjete ekonomike të mjaftueshme për të ofruar diçka më shumë se mbështetje simbolike. Besimi është thelbi i marrëdhënies. Nuk ekziston vetëm në njërën anë. 

Në vitet e fundit kemi parë rënie në besimin ndërmjet njerëzve dhe qeverive anembanë botës, por po i shohim shenjat e para të rindërtimit të besimit në këto kohëra të jashtëzakonshme të krizës COVID-19. Për shembull, në Hong Kong, pas plot muajve të protestave, njerëzit po i lëvdojnë veprimet dhe reagimin e qeverisë.

Me mocionin e mosbesimit në parlament, Kosova tani e ka humbur qeverinë dhe besimin e popullit.

Populli i Kosovës është më i prekshëm se kurrë — mbase mund të jetë kombi më i prekshëm në botë për momentin. Njerëzit apolitikë, dhe ata të të gjitha përkatësive politike, nuk po mund ta besojnë që politikanët dhe ligjvënësit e kanë zgjedhur pushtetin para unitetit kombëtar për t’u marrë me shëndetin dhe mirëqenien e popullit në një kohë të krizës ekzistenciale.

Me plot arsye, politikanët në vende tjera i kanë eliminuar përçarjet politike për ta adresuar krizën e pandemisë. Madje në Holandë qeveria e caktoi një figurë me përvojë nga opozita si ministër të përkohshëm të shëndetësisë. Edhe Kongresi i polarizuar i ShBA-së po pritet ta miratojë një pako emergjente në vlerë prej dy trilion dollarësh. Megjithatë, nuk ka individ të arsyeshëm në Kosovë që aktualisht beson se qytetarët e thjeshtë janë prioritet për liderët tonë.

Rënia e qeverisë nuk është vetëm një lëvizje oportuniste, por është edhe e orkestruar mirë. 

Njerëzit e dinë se qeveria nuk ra për shkak të menaxhimit apo mosmenaxhimit të COVID-19, por për çështje shumë më të thella. Jo vetëm për shkak të dialogut me Beogradin, marrëveshjes së përfolur për shkëmbim të territoreve, frikës nga aktakuzat penale, humbjes së mbështetjes së ShBA-së a keqardhjes së BE-së.

Ra për shkak të vakumit të lidershipit global të cilin e ka përkeqësuar kjo pandemi, luftës ndërmjet ShBA-së dhe BE-së për dominim në Ballkanin Perendimor, dhe mbushjes së zbrazëtisë të lidershipit global nga Kina dhe Rusia. ShBA-ja, aleati më i madh i Kosovës, e ka dorëzuar lidershipin botëror sa i përket luftës kundër kësaj pandemie dhe udhëheqjes së botës ashtu siç  kishte bërë gjatë përhapjes së Ebolës në Afrikën Perëndimore.

Rendi i ri do të ketë qasje ndaj marrëdhënieve ndërkombëtare që është më e fortë, më nacionaliste dhe më e përqendruar në interesa vetanake, tani që Kina po ngritet.

Kina dhe Rusia po nxitojnë ta mbushin zbrazëtinë e lënë nga mungesa e lidershipit të Amerikës. Për shembull, po shihen airoplanët dhe ekspertët mjekësorë nga Rusia dhe Kina duke zbritur në airoportet italiane, jo ata të Amerikës dhe BE-së.

Disa mund të argumentojnë se Kosova është shtet tepër i vogël dhe i varfër për ta tërhequr interesimin e shteteve të fuqishme, posaçërisht në kohë krize. Kosova, në kohët më të mira, është subjekt i eksperimentimit.

Tash bëhet fjalë për rendin e ri botëror post-COVID-19, çfarëdo qoftë ai pas pandemisë, por është pothuajse e sigurt që rendi i ri do të ketë qasje ndaj marrëdhënieve ndërkombëtare që është më e fortë, më nacionaliste dhe më e përqendruar në interesa vetanake, tani që Kina po ngritet.

Kina veçse e ka dëshmuar veten si një shtet që ka arritur ta përmbajë virusin COVID-19 brenda kufijve të saj, the tani është në pozitë për t’u ndihmuar të tjerëve. Kina po prodhon furnizime thelbësore mjekësore për eksport dhe po çon staf mjekësor në vende që kanë nevojë. Mbetet të shihet se çfarë do të kërkojë Kina në shkëmbim për ndihmën, nëse kërkon diçka. 

BE-ja, kryesisht Gjermania dhe Franca, është e zhgënjyer me mocionin e mosbesimit nga parlamenti i Kosovës, ndërsa ShBA-ja e ka inkurajuar dhe mbështetur rënien e qeverisë.

Vë bast se Presidenti Trump as nuk mund ta gjejë Kosovën në hartë, dhe administrata e tij — që tani po hyn në kohën e kulmit të krizës së pandemisë — nuk do të ketë kohë të merret me Kosovën e vogël dhe të gjorë dhe me situatën politike të saj. Amerikanët mund t’i shkrijnë fondet që i kishin ngrirë, por përndryshe, nuk do të harxhojnë shumë kohë dhe burime për t’i ndihmuar Kosovës në këtë kohë.

Si qytetare e Kosovës, ndërsa virusi po e bën të veten, nuk më intereson kush po e mbështet kë dhe kush po e dënon kë në sferën tonë politike. Më intereson për njerëzit që kanë frikë, që s’kanë shpresë, që janë të trembur dhe të izoluar, të lënë për t’u kujdesur për veten, ndërsa sistemi jonë shëndetësor i dobët dhe i shpërfillur pritet ta luftojë virusin me premtime dhe furnizime të pamjaftueshme.

Ndërsa liderët tanë kanë dështuar dhe nuk janë bashkuar për ta adresuar një sfidë të madhe kombëtare, populli ynë ka një mundësi, apo më mirë të them një domosdoshmëri, të bashkohet dhe të veprojë në mënyrë më të përgjegjshme se ata që janë zgjedhur për të qeverisur. I kemi mbijetuar izolimit dhe vuajtjes së madhe në të kaluarën, dhe mund ta bëjmë përsëri.

E di dhe besoj që shoqëritë e botës dhe vlerat e tyre do të ndryshojnë pasi të ketë kaluar e gjithë kjo. Disa liderë do ta fitojnë besimin në bazë të mënyrës se si qeveritë e tyre e menaxhojnë pandeminë, e disa tjerë, si ata të Kosovës, jo vetëm që mund ta humbin krejtësisht besimin e popullit në qeveri në të ardhmen e afërt, por mund ta ndryshojnë edhe marrëdhënien e tyre me njëri-tjetrin dhe me Zotin.

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.