Pikëpamje | Arsimi

Edukimi mbi historinë e Kosovës ka nevojë për ndryshime

Nga - 09.04.2019

Pse kemi nevojë për një metodologji me shumë perspektiva për ta zëvendësuar parësinë e librit shkollor.

Arsimi është në prag të revolucionit digjital. Kjo na nxitë të besojmë se arsimi në Kosovë mund të jetë në rrugëtimin drejt reformave të domosdoshme, me shpresë duke filluar të heqim dorë nga varësia jonë ndaj librave shkollorë problematikë dhe të përvetësojmë një qasje të re të mësimdhënies në lëndën e historisë, si dhe lëndë të tjera.

“Falë programeve kompjuterike, libri shkollor po bëhet diçka e së kaluarës”, shkruan Bill Gates në edicionin e vitit 2019 të letrës së tij të përvjetshme. “Në vend se ta lexoni një kapitull për zgjidhje të ekuacioneve, mund ta shfletoni një tekst online, të shikoni video që të angazhojnë shumë dhe të tregojnë se si bëhet dhe ta luani një lojë që t’i përforcon konceptet. Pastaj i zgjidh disa probleme online dhe programi krijon pyetje të reja në formë kuizi për t’u përqendruar në idetë që nuk je duke i kapur si duhet”.

Kur i lexova fjalët e tij, menjëherë mendova se kjo është pikërisht ajo që e besojmë në New Perspektiva. Ia kishim kaluar Gates-it, e më e rëndësishme është që me uebfaqen tonë të re të historisë së Kosovës me shumë perspektiva, ne ishim duke bërë diçka për këtë punë.

Mësimdhënia e historisë është një problem i kahmotshëm në sistemin e arsimit të Kosovës, por shpeshherë ka qenë një debat që është strukturuar vetëm rreth kualitetit të librave shkollorë. Për këtë çështje është shkruar më parë në faqet e Kosovo 2.0.

Është problem që kumbon veçanërisht në një kontekst post konflikti, posaçërisht një kontekst në të cilin dy palët që luftuan kundër njëra tjetrës i kanë sistemet e ndara të shkollimit brenda kufijve të një shteti; sisteme që aktualisht janë aq të ndara sa që nuk mund të bashkërendohen.

Janë dy arsye pse New Perspektiva e ka fokusuar energjinë e saj në mësimdhënien e historisë. Së pari, për shkak se është pranuar që përdorimi i metodologjisë me disa perspektiva për mësimdhënien e historisë nuk është vetëm për një qasje që ka për synim ta kuptojë historinë më gjerësisht, por është metodologji që i arsimon nxënësit me aftësi jetike dhe kritike të analizës, duke ndihmuar kështu me zhvillimin e qytetarëve të përgjegjshëm të cilët jetojnë dhe funksionojnë në një kulturë dhe ambient demokratik. Kjo është metodologjia e mësimdhënies së historisë që është pranuar përgjithësisht në shkollat evropiane.

Në gjysmën e fundit të shekullit të 20-të, historianët dhe mësuesit evropianë e kuptuan se kishte nevojë për ndryshime në mësimdhënien e historisë. Historia nuk duhet të shihet vetëm si varg i fakteve që duhet të mbahen në mend, por si subjekt që duhet të hulumtohet dhe interpretohet dhe më shumë si shkencë shoqërore.

Rënia e Murit të Berlinit në 1989 i hoqi pengesat që e kufizuan mësimdhënien e hapur të historisë në shtetet që dikur ishin nën sistemin komunist. Pas vitit 1989 filloi të përdorej më gjerësisht qasja me disa perspektiva për shkak se historia po rishkruhej dhe mësimdhënia në këtë lëndë po ndryshohej, e gjithashtu shumë shtete evropiane kishin më shumë diversitet sa i përket etnive të gjitha këto u shoqëruan me zhvillime tjera shoqërore. Diskursi i ri politik pranonte se studentët duhej t’i mësonin aftësitë e analizimit, interpretimit dhe sintetizimit të dëshmive të marra nga një shumëllojshmëri e burimeve.

Të rinjtë po e mësojnë historinë në një mënyrë që i largon ata nga njëri tjetri, dhe nuk po bëhet përpjekje për të ndërtuar kuptim të përbashkët për të kaluarën e tyre të përbashkët apo për integrim të komuniteteve.

Gjithnjë e më shumë është pranuar idea se mësimdhënia e historisë ishte bërë nga një perspektive mono-kulturore, se metodat e mësimdhënies ishin etnocentrike dhe përjashtuese në vend se përfshirëse. Kjo ishte bazuar në supozimin se rrëfenja kombëtare historike përkonte me historinë e grupit më të madh kombëtar, gjuhësor apo kulturor. Megjithatë, shkollat më mirë do të bënin t’i përgatisnin të rinjtë për jetën në një botë me diversitetit etnik, kulturor, gjuhësor dhe religjioz.

Shpërbërja e Jugosllavisë dhe krijimi i shteteve të reja të pavarura në vend të saj, shtete që e etiketuan veten si demokratike, çuan deri te krijimi i mureve të reja, në vend të rrëzimit të mureve të vjetra, duke i shpërfillur përvojat e ngjashme historike dhe fatin e përbashkët historik të ish-bashkështetasve. U shkruan libra të ri shkollorë, duke zhvilluar kështu rrëfenja kombëtare historike që shërbenin për qëllime politike e nuk ishin të bazuara në hulumtime, burime dhe fakte –historia u bë shumë e politizuar.

Mësimdhënia e historisë nuk ka të bëjë vetëm me libra shkollorë. Diskursi rreth saj duhet ta pranojë këtë. Debati nuk duhet të jetë vetëm për libra shkollorë. Kjo vlen posaçërisht për kohën në të cilën jetojmë, ku burimet digjitale po e transformojnë mënyrën se si njerëzit mësojnë dhe marrin informata. Digjitalizimi ndihmon shumë tranzicionin në mësimdhënie më të mirë dhe më korrekte të historisë dhe në përgjithësi të lëndëve tjera, e gjithashtu dhe më me rëndësi, ndihmon me zhvillimin e aftësive të studentëve për analizë kritike.

Kjo është thelbësore. Këto instrumente të teknologjisë informative duhet ta mundësojnë kuptimin e ngjarjeve dhe rrëfenjave historike nëpërmjet disa perspektivave.

Arsyeja e dytë pse jemi përqendruar në metodologjinë e mësimdhënies së historisë me shumë perspektiva është se në Kosovë ekziston një sistem i ndarë i arsimit. Të rinjtë të etnive të ndryshme shkojnë në shkolla të ndryshme dhe mësojnë me kurrikula të ndryshme, e në rastin e historisë, mësojnë rrëfenja historike shumë të ndryshme nga njëra tjetra, të cilat janë të bazuara në perspektiva njëjëse.

Jo vetëm që po mësojnë të rinjtë kosovarë të etnive të ndryshme nga një rrëfenjë me perspektivë njëjëse, por ata zakonisht po e mësojnë si diçka që duhet të memorizohet dhe recitohet. Në ambientin post konfliktit në Kosovë, të rinjtë po e mësojnë historinë në një mënyrë që i largon ata nga njëri tjetri dhe nuk po bëhet përpjekje për të ndërtuar kuptim të përbashkët për të kaluarën e tyre të përbashkët apo për integrim të komuniteteve. Kjo po e sjell rrezikun e nxitjes së konflikteve të reja.

Kur flasim me mësuesit nga komunitetet në Kosovë, posaçërisht mësuesit shqiptarë të Kosovës dhe serbë të Kosovës, dallohet shpejt pakënaqësia e tyre me mënyrën se si duhet t’ua mësojnë nxënësve historinë dhe me rrëfenjën që u ipet atyre nëpërmjet librave shkollorë. Ata përdorin libra shkollorë pa ngjyra dhe me tekste të dendura e fotografi të burrave të moshuar, libra që përfaqësojnë një perspektivë njëjëse të historive të tyre përkatëse.

Ende rrënqethem kur i kujtoj fjalët e njërit prej mësuesve që i takuam, i cili tha: “Njerëzit të cilët nuk mësojnë nga gabimet e historisë e kanë të shkruar t’i përsërisin ato. Fatkeqësisht, ne po i helmojmë fëmijët. Ne duhet ta ndalim këtë helmim të fëmijëve me urrejtje. Nuk është e çuditshme që politikanët nxisin luftëra, por është e çuditshme që akademikët [d.m.th autorët e librave] e bëjnë këtë”.

Edhe mësuesit e tjerë folën për gjuhën e urrejtjes që e gjejnë në libra shkollorë me të cilët duhet të punojnë.

Nuk janë vetëm mësuesit që i përçojnë këto mesazhe. Edhe institucionet e kanë shprehur këtë argument në formë të përmbledhur.

Mësimdhënia nëpërmjet një perspektivës njëjëse është mosrespektuese ndaj nxënësve, fëmijëve tonë, qytetarëve të ardhshëm të Kosovës, për shkak se bie në kundërshtim me njohuritë dhe sjelljet njerëzore.

Në vitet e 90-a, kur Jugosllavia po shpërbëhej nga konfliktet dhe lufta, gjatë së cilës u kryen krime të tmerrshme të luftës dhe kundër njerëzimit, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës veçse ishte duke miratuar rezoluta relevante. Rekomandimet e saja të vitit 1996 për Histori dhe Mësimnxënie të Historisë deklaruan qartë: “historia luan rol kyç në Evropë… mund të jetë forcë për ndarje, dhunë dhe intolerancë nëse mësimdhënia e saj nuk bëhet me kujdes”.

Në 2018, Nils Muižnieks komisioneri i Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut – e vizitoi Kosovën dhe në raportin e tij për atë vizitë, ai i tha qeverisë kosovare që duhet t’i rishikojnë metodat e mësimdhënies që po praktikoheshin në shkollat kosovare. Në veçanti ai përmendi paragjykimin dhe nacionalizmin në libra shkollorë që përdoren në Kosovë.

Një tjetër problem me perspektivën njëjëse është se ajo i mosrespekton mësuesit dhe nxënësit e tyre. Mësuesit janë të prangosur për metodologjinë që duhet ta përdorin. Kjo është kryesisht për shkak të librave shkollorë që i mbajnë në duar, edhe pse disa mësues marrin iniciativë dhe përdorin burime e ilustrime më të gjëra. Një mësues na tha se ai nuk i përdorë fare librat shkollorë zyrtarë, për shkak se janë kaq të këqij.

Mësimdhënia nëpërmjet një perspektivës njëjëse është mosrespektuese ndaj nxënësve, fëmijëve tonë, qytetarëve të ardhshëm të Kosovës, për shkak se bie në kundërshtim me njohuritë dhe sjelljet njerëzore. Shumica e fëmijëve sot e njohin jetën urbane dhe gjithnjë përdorin rrjete sociale të ndryshme për të mësuar dhe për t’i zgjeruar njohuritë e tyre.

Kjo është diçka e mirë, por atyre nuk u janë mësuar aftësitë për të bërë dallim ndërmjet interpretimeve dhe fakteve, për të kuptuar perspektiva tjera, për të dëshifruar dhe analizuar dhe prandaj ata nuk janë të përgatitur të ballafaqohen me ato që i lexojnë. Atyre nuk u janë mësuar aftësitë e mendimit kritik nëpërmjet një metodologjisë së hapur me shumë perspektiva.

Shumica e fëmijëve e dinë se konfliktet i kanë dy anë dhe se fatalitetet rrallëherë pësohen nga vetëm njëra anë. Mësimdhënia e historisë së luftës ashtu siç ipet në Kosovë nuk do t’ua mësojë nxënësve aftësitë dhe ndërgjegjësimin civil për të kuptuar situata të tilla në të ardhmen.

Kur mësojmë për Lidhjen e Prizrenit, nxënësve nuk u thuhet se rezoluta e parë e saj ishte origjinalisht e shkruar në gjuhën arabe dhe se ky dokument theksonte rolin themelor të besimit islamik. Ata nuk mësojnë për ngjarje historike në kohën dhe ambientin e tyre, për kontekste që gjithmonë ndryshojnë, dhe ky është mësim në vete.

T’i kthehemi fjalëve të Bill Gates. Librat shkollorë janë vetëm një burim dhe duhet të zgjerohen nëpëmjet shumë burimeve tjera. Gjetja e këtyre burimeve lehtësohet shumë nga përdorimi i internetit dhe burimeve digjitale por nxënësit duhet të mësohen se si të përdorin informata digjitale e si t’i vëjnë në dyshim ato, e të shtrojnë pyetje në lidhje me to.

Gates duhet ta theksojë këtë dhe t’ua kujtojë dëgjuesve të tij se mësuesit dhe nxënësit duhet të respektohen dhe atyre duhet t’u ipet hapësirë për të dhënë e nxënë mësim në mënyrë më të gjërë dhe më të hapur, për ta parë historinë si një rrëfenjë të sjelljeve të gjëra njerëzore; për ta parë kuptimin e hapur historik si kontribut në zhvillimin demokratik dhe parandalimin e konfliktit. Këto rekomandime kërkojnë angazhim të fortë dhe punë, e kjo punë ka filluar.

Uebfaqen e re të New Perspektiva për historinë e Kosovës mund ta gjeni në www.multi-perspektiva.com

Foto kryesore: Besnik Bajrami.

KOMENTO