S`fundmi | LGBTQ+

Ushtria e Malit të Zi ndalon diskriminimin e bazuar në orientim seksual

Nga - 24.11.2017

Ligji i parë i këtij lloji në Ballkanin Perendimor.

Në shoqërinë e Malit të Zi, në të cilën dominon patriarkalizmi, shërbimi në ushtri është parë tradicionalisht si diçka shumë e rëndësishme. Prej gushtit të këtij viti, ky shtet e ka miratuar një ligj që u mundëson të gjithëve shërbimin ushtarak, por edhe ndalon çdo lloj diskriminimi në ushtri, përfshirë këtu, për herë të parë, edhe diskriminimin e bazuar në orientim seksual.

Megjithatë, pavarësisht këti vendimi, pjesa më e madhe e bashkëbiseduesve tanë besojnë se do të kalojë kohë e gjatë deri sa të bëhet ‘normale’ që një person i cili është deklaruar publikisht si pjesëtar i komunitetit LGBT të shërbejë në ushtrinë malazeze.

Sidoqoftë, Danijel Kaleziq, president i bordit të drejtorëve të OJQ-së Queer Montenegro e mirëpriti këtë vendim. “Shpresoj që kjo të rrjedhë nga ideja se personat LGBT mund të diskriminohen në veçanti në një profesion si shërbimi ushtarak, që tradicionalisht ka karakter më mashkullor, patriarkal dhe heteronormativ”, thotë ai për K2.0. “Për shkak të kësaj, nevojitet mbrojtje speciale ligjore që të përmbushen kushtet themelore për dukshmërinë e tyre në ushtri”.

Gazetarja Dushica Tomoviq, e cila ka raportuar për çështje ushtarake tash e disa vjet, beson se do të kalojë shumë kohë deri sa dikush nga sektori i mbrojtjes të flasë haptaspër seksualitetin e tyre.

“Fakt është se kjo perceptohet si ‘punë e meshkujve’ – jo vetëm në Mal të Zi – dhe se gratë nuk ndihen rehat në ushtri, e lëre më një person LGBT”, thotë ajo. “Prandaj unë e shoh vetëm si një Nen të Ligjit që duket mirë në letër, por nuk shoh vullnet apo vendosmëri reale për të zbatuar diçka në praktikë”.

Ligji ndryshe nga realiteti

Duke e miratuar këtë ligj, Mali i Zi është bërë shteti i parë në rajon që ka miratuar një dispozitë që ndalon diskriminimin kundër personave LGBT në ushtri. Pavarësisht cinizmit për sa i përket zbatimit të saj, Ministria e Mbrojtjes tha se ata do të bëjnë çmos që ky Ligj të mos mbetet ‘shkronjë e vdekur në një copë letër’.

“Ne besojmë se duke i trajnuar vazhdimisht ushtarët, ne do t’i tejkalojmë paragjykimet e mundshme për popullsinë LGBT”, shkroi Ushtria e Malit të Zi në një shkëmbim shkrimesh me K2.0 me postë elektronike. Në këtë letër i shpjeguan edhe pozitat e reja që janë krijuar brenda ushtrisë për ta luftuar diskriminimin, duke përfshirë edhe një person kontaktues të caktuar për individë LGBT.

Bashkëbiseduesi ynë, identiteti i së cilit është i njohur për stafin redaktorial, po e pret me indiferencë miratimin e kësaj dispozite. Ai e deklaron veten si person trans i cili ka ambicie të hyjë në ushtri, por beson se orientimi seksual dhe identitetet gjinore nuk janë të rëndësishme në ushtri, dhe se nuk duhet të jenë.

“Ushtria i pranon të gjithë ata të cilët aplikojnë për të shërbyer dhe i përmbushin kriteret. Njerëzit nuk aplikojnë si homoseksualë apo heteroseksualë. Kërkush nuk të pyet kush je, çka je apo çfarë orientimi ke. Është krejtësisht e pavend. Të gjithë që po thonë ndryshe, po gënjejnë”, tha bashkëbiseduesi ynë.

“Nëse një ushtar i përmbush kushtet fizike dhe psikologjike, nuk e shoh se si do të ndikonte të qenit anëtar i komunitetit LGBT te efektshmëria e luftimit”

Filip Rakonjac

Ai nuk është i vetmi person që beson se orientimi seksual kryesisht nuk lidhet me shërbimin ushtarak. Gazetari i ri Filim Rakonjac, i cili gjithashtu ka ambicietë shërbejë në ushtri “për t’i ndihmuar vendit kur të ketë nevojë”, thotë se nuk do t’i kishte penguar ta kishte ndonjë person LGBT si koleg në ushtri.

“Nëse një ushtar i përmbush kushtet fizike dhe psikologjike, nuk e shoh se si do të ndikonte të qenët anëtar i komunitetit LGBT në efikasitetin e luftimit”, tha Rakonjac për K2.0, duke shtuar se ai mendon që për shkak të rolit specifik të ushtrisë “orientimi seksual i ushtarëve nuk është i rëndësishëm, meqë s’ka nevojë të theksohet”.

Rakonjac konsideron se ushtria ka individë të cilët kanë dalur haptas si persona LGBT dhe se ata nuk vuajnë nga ndonjë pasojë si rezultat i kësaj. Kur e pyetëm nëse pret që numri i tyre të shtohet meqë tani i mbron edhe ligji, ai thotë: “Ndoshta po, ndoshta jo. Unë besoj se kjo çështje nuk varet nga ligji, por nga atë që e thotë shoqëria për këtë komunitet. Të flasim sinqerisht: ne jetojmë në Mal të Zi, në Ballkan – gjithmonë do të ketë paragjykime. Por pavarësisht kësaj, ata duhet të shërbejnë nëse kanë dëshirë dhe nëse mund ta përballojnë”.

Danijel Kaleziq nga Queer Montenegro nuk është i vetëdijshëm se ka pjesëtarë të forcave ushtarake të cilët kanë dalur haptas si persona LGBT. Ai është i befasuar që ky ligj u miratua pa presion nga aktet ndërkombëtare apo obligimet që lidhen me anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

Qëndrimet e qytetarëve

Një shkrim hulumtues i titulluar “Qëndrimet e qytetarëve për shërbimin ushtarak në Mal të Zi” i cili u zhvillua me studentë nga OJQ-ja Atlantic Alliance, tregon se deri në 55 për qind të të rinjve do të rekrutoheshin për shërbim ushtarak për periudhën deri në 3 muaj po të kishin mundësi. Duke marrë parasysh këtë përqindje kaq të lartë, ka shumë mundësi se në mesin e atyre të cilët kanë deklaruar se kanë dëshirë të rekrutohen ka edhe anëtarë të komunitetit LGBT.

E drejta për t’u rekrutuar është e hapur për të gjithë personat e moshave 18-23 vjeç, të cilët i përmbushin kriteret psikologjike dhe fizike, të cilët nuk janë dënuar për ndonjë krim dhe nuk kanë shtetësi tjetër. Ata mund të rekrutohen për të shërbyer deri në 6 muaj. Këtë periudhë e kalojnë në kazerma, ku mësojnë të përdorin pushkë si dhe kryejnë disiplinë ushtarake, dhe për këtë kompenzohen financiarisht. Aktualisht 50,000 njerëz e përmbushin kriterin e moshës për rekrutim në ushtri. Ushtria e Malit të Zi planifikon të pranojë çdo vit nga 100 njerëz për shërbim ushtarak vullnetar.K