Si grua muslimane-amerikane, më interesuan veçanërisht zgjedhjet e vitit 2016. Çdo gjë për të cilën qëndroj është kundërshtuar gjatë vitit të fundit. Por, ndonëse shumë miq, familjarë e moshatarë të mi kanë bërë gjithçka brenda mundësive për t’i dalë ballë kësaj që po ndodh; unë jam ndjerë si e mpirë për pjesën më të madhe të saj.
Unë vijova studimet në një universitet disi konservator në Teksas – Southern Methodist University – ku gjindet Biblioteka Presidenciale George ë. Bush. Pavarësisht faktit që ky universitet kishte lidhje konservatore, asnjëherë nuk jam ndjerë si e padëshiruar në kampusin tim. E vërtetë është që situata nuk ka qenë asnjëherë e përkryer për minoritete, por asnjëherë nuk jam ndjerë si e kërcënuar ose e paaftë për t’i shprehur besimet e mija.
Isha aktivisht e përfshirë në Asociacionin Islamik të Studentëve në kampusin tim dhe u mbështetëm prej grupeve të ndryshme gjatë viteve që i kalova atje. Askush nuk dëshironte që ne të ndihemi si të përjashtuar – aq shumë sa që kur deshën të sjellin derra në bibliotekë si metodë e lirimit nga stresi gjatë provimeve përfundimtare, na pyetën 15 herë paraprakisht, për t’u siguruar që nuk do të ofendohemi. Personalisht vazhdimisht më kanë mbështetur administrata për t’u marrë me ato që dua. Arrita që ta përfaqësojë universitetin në shumë raste dhe asnjëherë nuk jam ndejrë si e diskriminuar.
Po, e di që të tillë ndoshta nuk e kanë pasë përvojën të gjithë muslimanët në kampusin tim, veçanërisht kur e faktorizon diskriminimin jashtë kampusit, por çfarë të them…? Jam person optimist.
Për këtë arsye, asnjëherë nuk jam frikësuar nga komentet e Donald Trump. Supozova që shumica e popullsisë amerikane do ta shihnin që fanatizmi e madje edhe shprehja e interesimit për ta larguar një grup njerëzish në bazë të religjionit të tyre janë ide krejtësisht absurde.
Për shembull, morra pjesë në një program politik dy-partiak në Uashington D.C. për dy javë në vitin 2015. Shumica e konservatorëve të ri në program shprehën një mospëlqim të qartë për Hillary Clinton, por kur u bë Trump i nominuari i Republikanëve, të gjithë e denoncuan atë dhe u shprehën kundër fanatizmit të tij. Ata e mbështetën publikisht Clintonin dhe më dhanë shpresë. Këta ishin individë të zgjuar dhe të suksesshëm me të cilët dikur nuk mund të pajtohesha për asgjë që kishte të bënte me politikë, e tash papritmaës po e shprehnin qartë atë se vlerat e partisë nuk ekzistojnë kur përballemi me padrejtësi të hapur e të paturp.
U nisa për Kosovë në shtator, e gëzuar që do ta kalojë ditën e votimit në një shtet ku familja Clinton ishte më e respektuar se të gjithë. E përfytyrova ditën kur Amerika do ta zgjedhte gruan e parë presidente si ditë në të cilën rrugët e Prishtinës janë plot festime në stil shumë shqiptar. Fatkeqësisht, ajo ditë nuk erdhi kurrë.