Në thelb | Mali i Zi

Përkeqësohen marrëdhëniet e Malit të Zi me Rusinë

Nga - 15.06.2017

Plot vite me sanksione, kundërmasa, ndalesa e notë proteste.

Uebfaqja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Malit të Zi, i përshkruan marrëdhëniet në mes të Federatës Ruse dhe Malit të Zi si të përbëra prej: “Marrëdhënieve miqësore dhe kontakteve intensive politike që vazhdimisht po përmirësohen dhe intensifikohen në shumë fusha. Kjo deklaratë shtetërore u shkrua në vitin 2013, dhe nuk është ndryshuar për t’iu përshtatur rrethanave aktuale që prej atëherë.

Konfliktet e qeta diplomatike – por ndonjëherë më të zhurmshme dhe verbale – në mes të këtyre dy shteteve nisën qysh në vitin 2014 kur pa asnjë presion të dukshëm nga jashtë, Mali i Zi i miratoi masat e imponuara nga Bashkimi Europian ndaj Moskës për shkak të ngjarjeve në Ukrainë.

Një ndalesë u implementua për hyrjen e 149 qytetarëve të Federatës Ruse në Mal të Zi. E lista përfshinë emrat e kryetarit të Kuvendit rus, Duma, si dhe të zëvendëspresidentit, zëvendëskryeministrit të Qeverisë ruse, si dhe disa ministrave.

Pasi u vun në fuqi këto masa, kryeministri i atëhershëm i Malit të Zi, Milo Djukanovic, e shpjegoi thjeshtë këtë lëvizje si  “masa që nuk përfaqësojnë sanksione, por masa kufizuese që janë vënë në fuqi nga Bashkimi Europian kundrejt disa individëve, dhe si obligim që ta ndjekin Bashkimin Europian”.

Në këtë situatë, zyrtarët e Podgoricës po e përshpejtonin udhëtimin e Malit të Zi drejt NATO-s, e kjo i dha Moskës një arsye shtesë për të reaguar ndaj këtyre masave, meqë ata ishte përballur me mundësinë e mbetjes pa kurrëfarë ndikimi në këtë pjesë të bregdetit Adriatik.

“Sanksionet përfshijnë ndalesa për hyrjen e disa qytetarëve rus në territorin e BE-së, dhe territoret e shteteve që i kanë miratuar këto sanksione”, deklaroi Lukovac. “Tani ata thonë - ‘ju e bëtë të parët, kështu që ne do ta bëjmë tani’”.

Moska anën tjetër përpiloi një listë të zyrtarëve malazias të cilëve iu mohua hyrja në Rusi. Prej atëherë, emrat në këtë listë kanë mbetur të fshehur, por spekulohet se në të janë të gjithë deputetët që janë në Kuvendin Malazes dhe që përfaqësues të Qeverisë, si dhe të gjithë ata që votuan për t’i vënë në fuqi sanksionet kundër Moskës.

Njëri prej personave që me siguri nuk do të lejohet që ta vizitojë Rusinë në të ardhmën e afërt është edhe Miodrag Vukovic, deputet nga Partia Demokratike e Socialistëve që udhëheq në Mal të Zi. Ai së fundmi u ndal në aeroportin Domodedovo të Moskës gjatë një udhëtimi për në Minsk dhe përfundoi duke e kaluar natën aty, para se të kthehej në Mal të Zi të nesërmën në mëngjes. Ministria malazese e punëve të jashtme reagoi me një notë proteste. Në anën tjetër, Moska e përçoi mesazhin se kjo procedurë ishte masë reciproke që kishte rezultuar si reagim ndaj lëvizjeve të mëparshme të Podgoricës.

Ish-Ministri i jashtëm i Malit të Zi, Branko Lukovac, tha për portalin Cafe del Montenegro që ky reagim nga Moska ishte i pritur. “Sanksionet përfshijnë ndalesa për hyrjen e disa qytetarëve rus në territorin e BE-së, dhe territoret e shteteve që i kanë miratuar këto sanksione”, deklaroi Lukovac. “Tani ata thonë – ‘ju e bëtë të parët, kështu që ne do ta bëjmë tani’”.

E gjithë kjo u parapri nga zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi në tetor 2016, kur një pjesë e opozitës pro-ruse dhe anti-NATO u akuzua për organizim të një puçi. Autoritetet malazese thanë se Moska kishte rol në këtë ngjarje, por sigurisht rusët mohuan gjithçka.

Kush humb në fund?

Përveç politikanëve, edhe produktet ushqimore të Malit të Zi e morrën një nyet (jo) të madhe ruse. Përfshirë në këtë listë ishte një prej kompanive më të mëdha të prodhimit të verës në Mal të Zi, Plantaza. Kësaj kompanie iu ndalua hyrja në Rusi me justifikimin se produktet e saja përmbanin plastika dhe pesticide.

Më pas erdhi një thirrje për qytetarët rus në lidhje me sezonën e ardhshme turistike verore. “Qytetarët e afaristët rus po e rrezikojnë seriozisht vetën gjatë udhëtimeve në Mal të Zi”, paralajmëroi një zëdhënëse për Ministrinë ruse për Punë të Jashtme, Marija Zaharova. “Mund të përballen me kërcënime dhe provokime. I paralajmëroj qytetarët rus që të mendojnë dy herë para se ta vizitojnë këtë vend”.

Të dhënat prej disa institucioneve tregojnë se Podgorica është duke humbur financiarisht.

Si rezultat i gjithë kësaj, shumë po kanë frikë nga efektet e lëvizjeve të politikës së jashtme në ekonominë malazese. Kreu i stafit redaksional për ekonomi në transmetuesin publik të Malit të Zi, Radio i Televizija Crne Gore, Zoran Lekovic, tha për K2.0 se Mali i Zi nuk është në pozitë për të lejuar humbjen e tregjeve. “Mali i Zi është shtet me deficit të madh në tregti të jashtme, pra nuk mund t’ia lejojë vetës luksin e braktisjes së tregjeve të jashtme, pa marrë parasysh madhësinë e tyre”, deklaroi ai. “Kam frikë që në afat të gjatë Mali i Zi do të jetë humbës në këtë aspekt”.

Por a ka humbur Mali i Zi deri në këtë pikë? Të dhënat prej disa institucioneve tregojnë se Podgorica është duke humbur financiarisht. Eksportet e Malit të Zi në Rusi janë reduktuar në mënyrë drastike në tre vitet e fundit. Kur Mali i Zi kishte marrëdhënie të mira me Moskën, gjegjësisht në vitin 2013, eksportet në Rusi arritën një total prej 6 milion euro. Në vitin e ardhshëm, pas konfliktit në mes të dy vendeve, eksportet u reduktuan në vlerë gati 2 milion euro (totali 4,020,868 euro). Ky reduktim vazhdoi në dy vitet e ardhshme. Në 2015, eksportet arritën një total prej mbi 2.6 milion euro, dhe u ulën përsëri në mbi 2.2 milion euro në vitin 2016.

Sipas të dhënave që K2.0 i morri nga zyra statistikore Monstat, në 4 muajt e parë të këti viti, eksportet nga Mali i Zi në Rusi janë më pak se gjysma e vlerës së vitit të kaluar në këtë periudhë (488,405 euro në krahasim me 1,034,800 euro). Tronditja më e madhe u përjetua nga kompania Plantaze, e cila eksportoi vetëm 80 mijë euro në vlerë malli, edhe pse eksportet për në Rusi përbënë 20 përqind të eksporteve totale të kësaj kompanie.

“Nëse në afat të shkurtër nuk gjejnë treg alternativ, humbjet e kompanisë do të jenë tronditëse, dhe ky është fakt”, Lekovic tha për K2.0. “Thashethemet se vera Plantaza është e helmueshme ka pasoja afatgjate, dhe përfaqëson një lajmërim për ndalimin e importit të verës malaziase në afat të gjatë”.

Kjo kompani thekson se vera e tyre është e mirë, gjë që demonstrohet prej analizave të kryera në Spanjë, Serbi dhe Mal të Zi. Ata thonë se kjo do ta dëshmojë ‘pafajësinë’ e tyre para një gjykate në Moskë. Megjithatë, ata do të duhet të presin deri në fund të korrikut për këtë seancë të gjykatës, e kjo është vonesë e gjatë për ri-eksportimin e produkteve në Rusi.

Përveç eksporteve, Mali i Zi gjithashtu po merr më pak para prej investitorëve rus. Të dhënat e marra nga Banka Qendrore tregojnë se prej kur Mali i Zi u bë i pavarur në vitin 2006 e deri në mars 2017, rusët i investuan 1.25 miliard euro në Mal të Zi, duke përbërë 15.4 përqind të investimeve totale (8.1 milard euro).

Por ky numër është reduktuar në mënyrë drastike prej vitit 2015. Në vitin 2016 ishte ‘vetëm’ 52.8 milion euro – shifra më e ulët në 10 vitet e fundit. Rusët nuk kanë investuar shumë as në vitin 2017. Të dhënat nga Banka Qendrore malazese tregojnë se në 3 muajt e parë të vitit 2017, investimet ruse në Mal të Zi arritën një total prej 16.4 milion euro.

Turizmi është pika e vetme ku marrëdhëniet ruso-malazese po shkojnë më mirë. Të dhënat nga Monstat tregojnë se më shumë se 316,000 turistë rus e vizituan Malin e Zi në 2016, duke përbërë kështu 1/3 e vizitorëve të huaj në Mal të Zi. Të dhënat nga Organizata Kombëtare e Turizmit (OKT) në Mal të Zi tregojnë se kishte rritje 13 përqindëshe në fluksin e mysafirëve rus në 5 muajt e parë të vitit 2017, në krahasim me periudhen e njëjtë në vitin e kaluar. “Aeroportet malazese i presin 650,000 pasagjerë në fluturimet prej Rusisë në Mal të Zi”, deklaroi OKT.

Megjithatë, pavarësisht këtyre numrave inkurajues, Zoran Lekovic paralajmëron se ekziston një nevojë për maturi e kujdes. “Fushata në mediat ruse, që i fton qytetarët rus që të mendojnë dy herë para se të udhëtojnë për në Mal të Zi, asnjëherë nuk ka qenë më e fuqishme”, pretendon Lekovic. “Si duket nuk kemi vërejtur një trend të madh të anulimit të aranzhimeve, por ndërkohë oferta jonë turistike duhet të gjejë tregje alternative. E këtë e kemi bërë tash e disa vite”.

K2.0 e kontaktoi Ministrinë për Punë të Jashtme në Mal të Zi për të pyetur se si do të tejkalohet kjo çështje, por nuk morri përgjigje.

Moska: “Do të kthehem”.

Ajo që Mali i Zi e kishte në mendje kur i rrezikoi “lidhjet historike” me Rusinë u arrit me 5 qershor, kur u bë anëtari i 29-të i Aleancës Veri-Atlantike të Paqes – NATO. Kjo u formalizua në Uashington, kur ministri i punëve të jashtme, Srdjan Darmanovic, dërgoi instrumentet e  ratifikimit tek nën-sekretari amerikan për marrëdhënie politike, Thomas Shannon.

“Rusia duhet të mos përzihet dhe të mos ushtrojë ndikim në sisteme politike të shteteve tjera”, deklaroi Markovic. “Duhet të mos përzihet në çështjet e brendshme malazese. Nuk është e ftuar që t’i interpretojë dëshirat e parapëlqimet e qytetarëve malazes”.

Kryeministri malazes, Dusko Markovic, e përdori këtë rast si duket për ta dërguar një mesazh fjalëpak për Moskën: “Sot ne e festojmë faktin që vendimet në lidhje me shtetin tonë nuk do të merren më prapa shpinës sonë, siç ka ndodhur shumë herë në histori”, tha Markovic.

Ai foli në mënyrë më konkrete vetëm një ditë pas anëtarësimit zyrtar në NATO. Në një intervistë për gazetën gjermane ‘Bild’, Markovic tha se Rusia ishte fajtore për puçin (ky rast nuk është përfunduar ende në gjykatë) dhe se ajo ishte përpjekur që ta parandalojë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

“Rusia duhet të mos përzihet dhe të mos ushtrojë ndikim në sisteme politike të shteteve tjera”, deklaroi Markovic. “Duhet të mos përzihet në çështjet e brendshme malazese. Nuk është e ftuar që t’i interpretojë dëshirat e parapëlqimet e qytetarëve malazes”.

Ndoshta për t’i mbështetur kolegët e tyre të NATO, Departamenti i Shtetit Amerikan dërgoi mesazhe të ngjashme atë ditë. Megjithatë, pasi “e humbi Malin e Zi”, Moska e ktheu një reagim në stilin e Terminatorit: “Do të kthehem”.

Rusia i dërgoi mesazh Podgoricës duke i treguar që është duke e shikuar nga afër, dhe se asgjë nuk ka ndryshuar vetëm pse është anëtarësuar në NATO. “Vazhdimësia e histerisë anti-ruse në Mal të Zi po e krijon një atmosferë të keqardhjes tek ne. Në kontekstin e politikave armiqësore të Qeverisë malazese, Rusia ka të drejtë që të merr masa reciproke”, deklaroi Ministria për Punë të Jashtme e Rusisë.

E vështirë është që të parashikohen lëvizjet e Moskës në të ardhmën, por si duket ekonomia malazese mund të jetë ajo që do të ndikohet më së shumti nga kjo përleshje në mes të Lindjes dhe Perëndimit.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.