Në thelb | Diaspora

Teknologjia po e mposhtë burokracinë me ndihmën e emigrantëve

Nga - 05.02.2019

Avokati praktikant shqiptar që po mundohet t’i ndryshojë formë bisedës për emigrantët në Itali.

Në 1991, pas rënies së komunizmit në Shqipëri dhe hapjes së kufijve të një shteti që për një kohë të gjatë kishte qenë praktikisht i mbyllur për botën e jashtme, mijëra shqiptarë arritën në bregun e Italisë lindore në Bari, Pubglia. Shumë prej tyre lundruan me anijen e madhe të quajtur Vlora, fotografia e së cilës është bërë imazh simbolik i asaj kohe, por disa ishin në anije me kapacitet shumë më të kufizuar.

Një krizë e thellë socio-ekonomike ishte përhapur në të gjithë vendin dhe shumë shqiptarë kishin filluar të shihnin tokën përtej detit, me një dëshirë të fuqishme për të eksploruar. Italia, silueta e së cilës mund të shihej nga e djathta në të gjithë Adriatikun, nuk do të ishte aq afër po aq sa dhe larg.

Ndërkohë, kanalet e televizionit dhe radios ishin praktikisht të njëzëshëm në portretizimin e profilit tërheqës të gadishullit: Një vend që arrihet lehtë, e në të cilin mund ta ndjekësh lirinë dhe jetën më të mirë.

Ndonëse episoda Vlora është e ngulitur në kujtesën kolektive, migrimet e para nga Ballkani në këtë gadishulli datojnë në shekullin 15, kur komunitetet nga Shqipëria, Greqia, Kosova dhe Maqedonia u vendosën në jug (veçanërisht në Kalabri, Puglia, Basilicata dhe Sicili), si rrjedhojë e pushtimit të Perandorisë Osmane në këtë rajon.

Pasardhësit e tyre ende quhen arbëreshë. Shumë figura të mirënjohura kujtohen për prejardhjen e tyre të largët arbëreshe: Fracesco Crispi, një nga kryeministrat e parë të Italisë dhe Antonio Gramsci, teoricien social dhe shkrimtar i mirënjohur.

Sidoqoftë, eksodi masiv i 91-ës shënoi një fillim të ri për peizazhin multikulturor të Italisë. Disa dekada më vonë, gati gjysmë milion shqiptarë rregullisht banojnë në Itali, shumë prej të cilëve pretendojnë se ndihen 100 përqind italianë dhe dinë pak për shtetin prej të cilit origjinojnë prindërit e tyre.

Por procesi i aplikimit për shtetësi është i gjatë, i lodhshëm dhe përfshinë plot frustrime.

Një person i cili është ballafaquar me këtë proces është Ermir Lushnjari. Në situatën jostabile që erdhi pas kollapsit të skemave ponzi në Shqipëri në fund të 90-ve, në 1999, në moshën 15 vjeçare, Lushnjari migroi në Itali në mënyrë të jashtëligjshme me anije, si dhjetëra mijëra të tjerë që po e bëjnë të njejtën gjë dhe sot.

“Pritja burokratike për të marrë leje valide [të udhëtimit] ishte tepër e gjatë në ato rrethana”, thotë ai. “Nuk kisha zgjedhje tjetër”.

Ermir Lushnjari, i cili është nga Shqipëria, e ka zhvilluar një aplikacion për t’i ndihmuar emigrantët me informata për procedurën e ndërlikuar të marrjes së shtetësisë në Itali. Foto: Camilla Caraccio.

Synimi i tij ishte të shkonte tek prindërit e tij në veri të Italisë sa më parë. Kur arriti, ai u vendos në Verbania një komunë veriore afër Zvicrës ku e kreu juridikun dhe filloi të bënte përpjekje për ta rregulluar statusin e banimit.

Si avokat praktikant, së shpejti ai i vërejti ndërlikimet e burokracisë në kërkimin e dokumenteve italiane, përfshirë këtu udhëtimet e pafundme poshtë e lartë për t’u takuar me një avokat dhe përvoja torturuese e mbledhjes së të gjitha dokumenteve mbështetëse dhe mbushjes së formave të ndryshme. Ndërkohë, disa nga format e kërkuara ishin të paqarta dhe vështirë të kuptueshme, veçanërisht për aplikantët që nuk e dinë shumë mirë italishten apo nuk kanë shumë njohuri ligjore për sistemin juridik në këtë vend.

“Të presësh katër vjet për t’u pranuar një kërkesë legjitime është diçka që vështirë kapërdihet”, thotë ai.

Pasi që e siguroi shtetësinë italiane në 2011 dhe e ndau pakënaqësinë e të huajve të tjerë, Lushnjari vendosi t’i përdorë për të mirë kualifikimet e tij ligjore, gjegjësisht për t’u munduar t’u ndihmojë atyre që e përjetojnë sfidën personale të ballafaqimit me procesin burokratik.

Pasi vërejti se pjesa më e madhe e aplikantëve nuk ishin të vetëdijshëm për statusin e tyre të dorëzimit, ai e paramendoi një platformë në të cilën secili përdorues do ta kishte një perspektivë të mirëinformuar në lidhje me hallkat ligjore. Zgjidhja e tij ishte ta zhvillonte një vegël të thjeshtë në formë të një aplikacioni për telefona mobil.

“E emërova Çaj Mali për ta ndjellur shëmbëlltyrën e njohur që lidhet me ritualet e pirjes së çajit”, thotë ai. “Mendova se kjo do të lidhej me ndjesinë e ndarë të përkatësisë”.

Nuk është rastësi që llogo e aplikacionit përbëhet nga 12 ikona të vogla në formë të luleve, në vend të 12 yjeve në flamurin e BE-së.

Sot, Çaj Mali ka për synim t’i ndihmojë njerëzve të thjeshtë të cilët e ndajnë dhimbjen që vjen me kërkimin e shtetësisë në Itali. Lushnjari e definon si shërbim ligjor pa pagesë që e zbërthen procedurën e emigrantëve që nuk e njohin italishten dhe kanë vështirësi t’i kuptojnë format e aplikimit në uebfaqe zyrtare, si dhe fushën ligjore në tërësi.

Foto e ekranit që paraqet aplikacionin mobil Çaj Mali. Foto: Camilla Caraccio.

Fusha kaotike ligjore

Lushnjarit iu deshën 10 muaj për të ardhur këtu ku është sot. Projekti nisi në shkurt 2018 dhe prej atëherë e ka tërhequr vëmendjen e mbi 3,000 përdoruesve më shumë se 300 prej të cilëve janë nga Kosova, Shqipëria dhe pjesët tjera të Ballkanit duke u përhapur kryesisht gojarisht.

Deri sot, njerëz nga 57 shtete përfshirë këtu Australinë, Brazilin, Argjentinën, Ukrainën dhe Shri Llankën kanë aplikuar për shtetësi italiane nëpërmjet aplikacionit.

Në aplikacion, përveç dorëzimit të aplikimeve për shtetësi, përdoruesit mund të gjejnë hollësi të sakta për procesin të cilit normalisht do ta kishin të vështirë t’i qaseshin. Platforma është e strukturuar në një mënyrë që ofron më shumë informata për marrjen dhe dhënien e shtetësisë për shtetas të huaj. Një seksion paraqet situatën e fundit të përvojës së përgjithshme nga perspektiva juridike pra cilët janë hapat dhe çfarë veprime duhet të ndërmerrren.

Një tjetër përmbanë dokumentet që janë të gatshëm për t’u plotësuar dhe dërguar tek institucionet. Me një klikim nis procedura dhe përdoruesit pastaj mund ta shohin statusin e aplikacionit në kohë reale sapo të niset procedura.

Kjo do të thotë se përdoruesit s’kanë nevojë të enden lartë e poshtë për t’u takuar me avokatë, por lehtë mund ta përcjellin statusin e aplikacionit të tyre online, pa nevojë për dokumente shtesë.

Për të ndihmuar me sfidën kyçe që e kanë aplikantët që navigojnë fushën kaotike ligjore dhe nuk e njohin mirë italishten, Lushnjari e bashkangjiti një version të thjeshtësuar të zhargonit gjyqësor ai thotë se institucionet administrative kryesisht kanë mungesë të kësaj.

Deri sa ishte duke e zhvilluar aplikacionin, atij iu shtua gjithnjë më shumë besimi se duke përdorur trajnimin dhe ekspertizën e tij për t’i bashkuar në një vend të gjitha informatat dhe format relevante, ai do t’i ndihmonte kandidatët të navigonin procesin e gjatë dhe se duke shfrytëzuar teknologjinë për ta sjellur këtë proces në duart e këtyre njerëzve, ai do ta hapte gjithë procesin.

I kapur në një kurth

Sipas statistikave të fundit, rreth 135,000 njerëz e morrën shtetësinë italiane në 2017, përfshirë këtu mbi 27,000 shqiptarë etnikë. Por rrugëtimi për ta marrë shtetësinë italiane nuk është fare i lehtë dhe në fakt është bërë më i vështirë në vitet e fundit.

Kërkimi i Lushnjarit përputhet shumë me bisedën më të gjërë për politikat e identitetit që aktualisht po zhvillohet në Itali.

Matteo Salvini, zëvendës kryeministri dhe ministri i brendshëm i krahut të djathtë ekstrem, u ngrit në pushtet në 2018 mbi premtimin se do ta kthente sigurinë kombëtare të vendit dhe do t’i prioritizonte “italianët të parët”.

Por, deri sa qeveria në koalicion e përbërë nga Lidhja Veriore e Salvinit dhe Lëvizja populiste Pesë Yje po e rëndon tonin në debatin e migrimit, kështu po rrezikohet shkelja e parimeve të qenësishme demokratike. Politikat e Salvinit kanë kontribuar në një reduktim të madh në numrin e arritjeve të reja në Itali në 2018, gjegjësisht nga 119,000 në 2017, në vetëm rreth 23,000 në 2018.

Lidershipi i ri politik e ka kthyer në tryezë një retorikë përjashtuese që përputhet mirë me ndjesitë nacionaliste që janë përhapur nëpër Evropë; në nëntor 2018, qeveria e lëshoi dekretin Immigrazione e Sicurezza (Siguria e Migrimit), që ka për synim t’i parandalojë marrjen e shtetësisë nga emigrantët sans papier (të padokumentuar).

Rregullat e reja, mes tjerash, e shtrëngojnë sistemin e azilit, duke hequr statusin afat shkurtër të “mbrojtjes humanitare”, duke reduktuar rolin e strukturave të pritjes së azilkërkuesve, duke ua mohuar azilkërkuesve të drejtat e banimit dhe duke lejuar tërheqjen e shtetësisë nëse dikush lidhet me aktivitete terroriste.

Gjithashtu, këto rregulla i kanë zgjatur kohët e pritjes për ata që kërkojnë shtetësi, duke zgjeruar shumë proceset e aplikimit dhe duke ngritur kostot.

“Sapo ta marrin shtetësinë, aplikantët ndihen sikur atyre u kanë dhënë më shumë liri, përfitime dhe të drejta.”

Ermir Lushnjari

Pas këtyre zhvillimeve, është shkaktuar një çarje gjithnjë më e gjërë ndërmjet strukturave institucionale dhe individëve, të cilët po e gjejnë veten të kapur në një lloj kurthi të cilës me sa duket nuk i vjen kurrë fundi.

I formësuar në këtë mënyrë, nocioni i shtetësisë kombëtare me sa duket është shndërruar në një element përjashtimi, që shpeshherë i izolon ata që kërkojnë shtetësi nga shoqëria e rrjedhës qendrore.

“Sapo ta marrin shtetësinë, aplikantët ndihen sikur atyre u kanë dhënë më shumë liri, përfitime dhe të drejta”, thotë Lushnjari. “Këto mundësi janë më të rëndësishme se ndjesia e të qenit i trajtuar si qytetar i klasës së dytë, ndjesi me të cilën ballafaqohen shpesh”.

Avokati praktikant i shndërruar në krijues i aplikacionit, thotë se këto ndryshime në politikat bashkëkohore janë përkthyer në rrethana të pafavorshme për njerëzit që i kërkojnë të drejtat e tyre dhe paralajmëron se të drejtat e shtetësisë nuk mund të merren më si të mirëqena.

Në anën tjetër, pritja e vazhdueshme në procesin e aplikimit për shtetësi ka qenë një katalizator për nxitjen e dialogut më të madh ndërmjet individëve si Lushnjari dhe shtetit, në mënyrë që të gjejnë zgjidhje. Ai është i bindur se kushdo që ka ndjesi të qëllimit mund të jetë në ballë të ndryshimeve brenda sferës publike dhe se gjetja e zgjidhjeve është tepër e nevojshme në këtë kohë kur shtetësia me sa duket së shpejti do të bëhet një lloj luksi.

“Italia është e ndjekur nga një paradoks”, thotë Lushnjari. “Në njërën anë, flukset e vazhdueshme të migrimit me sa duket nuk do të ndalen së shpejti. Në anën tjetër, emigrantët po e kanë gjithnjë më të vështirë të integrohen në shoqëri në këtë kohë të politikave përjashtuese”.

Megjithatë, ai është i bindur se do të triumfojë shpresa. “Asnjë përpjekje për t’i shuar shpresat nuk do t’i ndalojë qytetarët potencialë t’i dorëzojnë aplikacionet e tyre”, thotë ai.K

Foto kryesore: Camilla Caraccio.