Pikëpamje | Politika

Ku qëndrojmë?

Nga - 04.10.2018

Kosova ka nevojë për një platformë të qartë për ta dëshmuar veten në arenën ndërkombëtare.

Në 10 vitet që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, duket e qartë se kanalet e kontaktit ndërmjet akterëve politik të vendit, veç sa s’kanë vdekur. Jashtë komunikimit zyrtar që kërkohet në institucione, diskutimeve dobiprurëse me sa duket u ka ardhur fundi.

Kjo është e dukshme sa herë që ngriten çështje në lidhje me shtetin. Aktualisht, faza finale e dialogut me Serbinë është një prej çështjeve më të rëndësishme në Kosovën bashkëkohore, dhe spektri politik nuk e ka një qëndrim të unifikuar. Përderisa presidenti deklarohet për idenë e korrigjimit të kufirit si pjesë e marrëveshjes ‘finale’, partitë opozitare dhe një pjesë e qeverisë janë shumë kundër kësaj ideje.

Kjo çështje e ka lëkundur mandatin e institucioneve qendrore. Presidenti pretendon ta përfaqësojë Kosovën gjatë fazës finale të dialogut me Serbinë dhe planifikon ta nënshkruajë marrëveshjen ndërmjet dy shteteve, edhe pse nuk ka mandat kushtetues për ta bërë këtë.

Në anën tjetër, puna e Kuvendit të Kosovës veç sa s’është paralizuar. Partitë opozitare refuzojnë të marrin pjesë në fazën finale të negociatave të ndërmjetësuara nga BE me Serbinë, përderisa ato drejtohen nga Presidenti Hashim Thaçi.

Dallimet në diskursin e akterëve politikë vendorë, janë aq të theksuara sa që ndonjëherë janë kontradiktore. Pasi Qeveria e Kosovës e nënshkroi Marrëveshjen për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi, partitë opozitare e kundërshtuan ratifikimin e saj në çdo mënyrë (madje edhe duke hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit), duke e refuzuar marrëveshjen në parim dhe duke e trajtuar atë si vepër të tradhtisë kombëtare.

Kjo e bllokoi punën parlamentare dhe e ngriti tensionin shoqëror në nivele polarizuese. Situata ndryshoi kur partia që e kundërshtoi më së shumti kur ishte në opozitë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), më vonë u bë pjesë e qeverisë dhe e mbështeti ratifikimin në parlament.

Kur ballafaqohemi me një fushatë agresive kundër pavarësisë dhe me legjitimitetin e dobësuar të shtetit, gjuha e përçarjeve të brendshme është një prej gjërave më të dëmshme që mund t’ia bëjmë vetes.

Kjo qasje e paunifikuar e partive aktuale politike ka shkuar aq larg sa që edhe gjatë ditëve të përkujtimit, politikanët i ndajnë ata që i nderojnë dhe ata që nuk i nderojnë. Një rast së fundmi, i padenjë, ishte mospjesëmarrja e anëtarëve të partisë më të madhe opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në varrimin e Adem Demaçit, ish-aktivist i të drejtave të njeriut dhe fitues i çmimit Sakharov, që e jep Parlamenti Evropian për Liri të Mendimit.

Dhe nuk është vetëm ky rast. Për shkak të mospajtimeve politike dhe ideologjike, edhe politikanët e tjerë kanë zgjedhur të mos i respektojnë apo nderojnë vdekjet e aktivistëve, dëshmorëve, intelektualëve dhe artistëve që kanë kontribuar dhe e kanë dhënë jetën për këtë vend.

Problemi me këtë mungesë të kohezionit politik bëhet kritik kur çështjet në lidhje me integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit përdoren si mjete për gara të brendshme politike dhe opozitë vendore. Kemi qenë dëshmitarë të kësaj për një kohë të gjatë, por kur ballafaqohemi gjithashtu me një fushatë agresive kundër pavarësisë dhe me legjitimitetin e dobësuar të shtetit, gjuha e përçarjeve të brendshme është një prej gjërave më të dëmshme që mund t’ia bëjmë vetes.

Mungesa e unitetit politik në lidhje me atributet shtetërore si sovraniteti, integriteti territorial, mbrojtja dhe ushtria, dhe orientimi i politikave të jashtme, e ka pozicionuar Kosovën jashtë si një shtet i parëndësishëm dhe pa vlera serioze. Jo sepse Kosova është faktor i rëndësishëm në vendimmarrjen politike rajonale apo ndërkombëtare, por sepse pozicionimi dhe qasja e gabuar ia rrezikojnë interesat kombëtare në arenën ndërkombëtare.

Qytetarët e Kosovës po i vuajnë pasojat e kësaj qasje të gabuar. E kujtojmë vonesën e panevojshme 3 vjeçare të liberalizimit të vizave si rrjedhojë e çështjes së pazgjidhur të demarkacionit me Malin e Zi, mosformimin e ushtrisë apo mungesës së platformës për dialog me Serbinë, që mund ta adresojë gjithashtu edhe çështjen e personave të pagjetur, fondet e vjedhura të pensioneve dhe artefaktet e vjedhura, moskompensimin e dëmeve të luftës dhe dështimin sa i përket gjykimit të krimeve kundër popullatës civile.

Qasja “ne kundër atyre”

Diskursi se një person i vetëm është përgjegjës për probleme të ndryshme politike është tepër shqetësues. Kjo qasje krijon fajtorë dhe synon të krijojë ndarje ndërmjet ‘neve’ dhe ‘atyre’. Është thellësisht populiste dhe nuk kontribuon në zgjidhjen e problemeve. Përderisa është e vërtetë se ky lloj i qasjes mund të ndikojë tek mobilizimi i njerëzve për përfitime personale apo zgjedhore dhe partiake, mund të shkaktojë edhe ndarje në shoqëri me pasoja të pakthyeshme.

Gjatë viteve të fundit në Kosovë kemi parë elemente populiste tek disa parti dhe liderë politikë, të cilët në disa raste kanë arritur të krijojnë një lloj polarizimi socio-politik për çështje të caktuara. Mbase për shkak të trendeve rajonale dhe evropiane, simptomat e populizmit janë shfaqur edhe në Kosovë.

Pasi që situata aktuale politike në Kosovë është jostabile, gjëja e fundit që na duhet tani është që politikanët ta thonë atë që disa njerëz apo mbështetësit e tyre mund të duan ta dëgjojnë, dhe si rrjedhojë t’i ndajnë akterët politikë dhe qytetarët në grupet ‘ne’ dhe ‘ata’.

Kosova nuk e ka luksin e polarizimit shoqëror, veçanërisht sa i përket çështjeve që i përbëjnë atributet kryesore të shtetit. Politikat që e fajësojnë një person të vetëm për gjithçka që po shkon keq, janë politika të frikës – një frikë që krijon dykuptimësi dhe nuk zgjidh asgjë. Përkundrazi, vetëm i thellon problemet ekzistuese dhe krijon probleme të reja. Shoqëria e Kosovës është tepër e vogël për politika të ndarjes dhe është tepër e ndjeshme ndaj ndarjes.

Nevoja për konsensus kombëtar

Në vitin 2007, kur statusi politik i Kosovës ishte i padefinuar dhe stabiliteti e siguria politike ishin më të brishta dhe më jostabile se sot, forcat lokale politike në Kosovë e gjetën një mënyrë për të bashkëpunuar, duke marrë parasysh një synim të vetëm: interesin e përbashkët të vendit.

Pavarësisht dallimeve ekstreme politike dhe ideologjike, Ekipi i Unitetit të Kosovës që e negocioi statusin final të Kosovës, ishte një precedent shumë i rëndësishëm për historinë bashkëkohore politike të Kosovës në kuptimin e vendimmarrjes në bazë të konsensusit.

Sot Kosova e gjen veten në një situatë krejt tjetër në krahasim me atë në të cilën ishte para një dekade. Sidoqoftë, nevoja për konsensus politik është ende shumë e rëndësishme – jetike. Rëndësia e Ekipit të Unitetit lidhet me guximin e akterëve politikë që fillimisht e njohin pozitën e kundërshtarit dhe pastaj e pranojnë njëri tjetrin si pjesë përfaqësuese e vullnetit të popullit.

Një nga problemet e mëdha që lidhen me akterët e sotëm politikë në Kosovë, është refuzimi i tyre ndaj legjitimitetit të kundërshtarëve politikë dhe këtë mendësi e zbatojnë për të marrë avantazhin në situata politike dhe për ta shtuar numrin e votave. Partitë opozitare i përjashtojnë mundësitë e bashkëpunimit me partitë që janë në pushtet (dhe anasjelltas) pa marrë parasysh pushtetin/ndikimin politik të tjetrit si faktorë kyç në zhvillimin e ngjarjeve të ndryshme.

Në këto kohë të ndryshimit në politikën ndërkombëtare, Kosova duhet të tregojë se ku qëndron ndaj të gjithëve.

Kundërshtimi i njëri tjetrit për hir të shtimit të numrit të votave mund të shihet si i pranueshëm në kornizat e garës demokratike politike, por e papranueshme është kur përdoren çështjet jetike shtetërore për politika ditore. Për më tepër, për shkak të mungesës së konsensusit mbi dialogun me Serbinë, Kosova ende nuk ka një platformë të qartë që specifikon çfarë mund të diskutohet dhe çfarë jo.

Të gjitha dallimet në qasjet e ndryshme dhe artikulimet e paqarta të akterëve të brendshëm politikë, e kanë bërë Kosovën edhe më pak imune ndaj fushatës së kundërshtimit të legjitimitetit të shtetësisë së saj në marrëdhëniet ndërkombëtare. Veç kësaj, kjo po e bën edhe më të dobët pozitën e saj ndaj Serbisë dhe shteteve të tjera që e kundërshtojnë pavarësinë e saj.

Situata aktuale politike në Kosovë kërkon një konsensus, jo në formë të një Ekipit të Unitetit, por në një qasje të unifikuar drejt atributeve kryesore të shtetit që duam ta zhvillojmë. Për ta arritur këtë konsensus, fillimisht duhet ta pranojmë mungesën e tij. Partitë politike dhe akterët e tjerë të brendshëm politikë duhet ta kuptojnë se vlerat për të cilat ne qëndrojmë duhet të jenë sa më të qarta dhe sa më të artikuluara.

Në këto kohë të ndryshimit në politikën ndërkombëtare, Kosova duhet të tregojë se ku qëndron ndaj të gjithëve. Pozita e saj mund të tregohet vetëm duke pasë një qëndrim unik dhe të qartë të lidershipit politik, në mënyrë që t’i arrijmë synimet dhe ta ruajmë miqësinë me aleatët Perëndimorë. Një Kosovë me dy apo më shumë qëndrime është lojtare e parëndësishme në politika rajonale dhe ndërkombëtare. Një Kosovë me plot “zëra” rrezikon të na çojë para vendimeve që shkojnë kundër interesave kombëtare.

Foto kryesore: Besnik Bajrami / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.