Më 14 dhjetor të vitit 2012, K2.0 ishte gati ta bënte publike revistën e shtypur SEX, përmes së cilës dëshironim ta hapnim një diskutim të hapur, kuptimplotë dhe politik për njërën nga temat më tabu: seksin. Gjithashtu, dëshironim të flisnim për identitetin gjinor, kënaqësinë, queerness dhe prangat e shumta kulturore dhe ligjore që ua shtrëngojnë kosovareve e kosovarëve lirinë për të dashur e për të ekzistuar lirshëm.
Në ngjarjen e publikimit, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, pjesëmarrëset/it dhe ekipi i K2.0 u sulmuan verbalisht dhe fizikisht nga një grup burrash. Kur po zhvillonim diskutimin tonë, një turmë që brohorisnin ofendime homofobike u shfaq, duke na detyruar ta anulonim festën që ishte caktuar ta mbyllte ngjarjen me publikimit të revistës sonë.
Dhjetë vjet pas, ne duam ta mbajmë ngjarjen që na u mohua nga turma homofobike. Në vitin 2012, numri “SEKS” vendosi seksin, feminizmin dhe të qenit queer në hartën e Kosovës. Kjo ishte mënyra jonë për të thënë se shprehja e lirë, shprehja seksuale dhe shprehja gjinore ekzistonin dhe ishin aty për të qëndruar.
Gjersa e përkujtojmë atë që ndodhi 10 vjet më parë dhe festojmë aktivizmin kulturor queer dhe feminist që është gjithnjë e më krenar e më i fuqishëm, mesazhi ynë ka evoluar. Duam ta theksojmë se si njerëz të lirë, jemi këtu. Dhe, pavarësisht dekadave të fshirjes dhe shtypjes, ekzistenca dhe rezistenca feministe dhe queer janë pjesë përbërëse e historisë së Kosovës. Bashkohuni me ne kur themi: “Gjithmonë kemi qenë këtu”!