-
Time:
5:30 pm
Place:
Facebook LIVE
Date:
24/05/2021
Hajde Folim: Qysh po i rrisim djemtë?
-
Rreth kësaj bisede
-
Më 15 maj, një video e publikuar nëpër media shfaqi tre djem të klasës së shtatë që po e sulmonin seksualisht një vajzë të klasës së parë. Ngjarja kishte ndodhur ditë më parë në oborrin e shkollës “Faik Konica”, midis qendrës së kryeqytetit.
Gati përditë dëgjojmë për raste të ngjashme në të cilat burra dhe djem ushtrojnë dhunë seksuale ndaj grave e vajzave. Qoftë në qendër të qytetit a në periferi, në shkollë a shtëpi. Vajzat dhe gratë nuk janë të sigurta askund.
Kur flasim për dhunën si mjet nënshtrimi të gjysmës së popullsisë dhe për pasojat që kjo i përfshin, jo rrallë konfrontohemi me shprehje si “mësoje çikën [si të sillet / si të vishet / çfarë të thotë]”.
Ne duam të flasim për atë se çka po u mësojmë djemve. Djemtë aktivisht mësohen të jenë superiorë, të fortë e të dhunshëm. Dhe fajtori nuk mund të përcaktohet me përpikëri, pikërisht sepse është kudo. Djemve u mësohet burrëria toksike gati gjithkund dhe thuajse nga gjithkush — në libra shkollorë ku guximi cilësohet si akt burrëror, në institucione që ende strehojnë seksistë, në reklama ku vajzat lajnë e gatuajnë teksa djemtë shikojnë televizor, në këngë ku burrat i shohin gratë si mall për treg.
Në shtëpi të panumërta, vajzat duhet ta ulin zërin dhe t’ua kenë frikën vëllezërve. Në stacione policore, raportimet e grave për dhunë e kërcënime shpërfillen për shkak të veshjes së tyre. Nëpër debate televizive në prime-time, figura me ndikim lejohen që pa ndonjë pasojë domethënëse ta përmendin trafikimin e vajzave dhe grave si gjënë më të natyrshme në botë.
Pas publikimit të videos ku shihet sulmi seksual ndaj një vajze që s’mund t’i ketë më shumë se shtatë apo tetë vjet, sheshet e Prishtinës u mbushën nga qindra gjimnazistë dhe qytetarë të tjerë që protestuan kundër dhunës seksuale ndaj grave dhe vajzave, e cila është shndërruar në normë. Ata bënë thirrje me sa kishin zë që dhuna seksuale të njihet si traumë e jo si “lojë fëmijësh”.
Pyetjen se si po i rrisim djemtë duhet ta bëjnë prindërit, mësimdhënëset e mësimdhënësit, udhëheqësit e institucioneve arsimore, policia, prokuroria, deputetët e deputetet, qeveria e presidenca. Përgjegjësia është e shumëfishtë, prandaj nuk mund të mjaftohemi me deklarata nga institucionet se e dënojnë rastin.
“Qysh po i rrisim djemtë?” është pyetja që duam ta shtrojmë në këtë diskutim online, i cili do të transmetohet të hënën më 24 maj në faqen e K2.0 në Facebook. Për ta filluar bisedën kemi ftuar:
– Dr. Bergita Curri, specialiste e mjekësisë ligjore
– Krenare Lleshi, profesioniste në fushën e arsimit
– Rron Rama, Udhëheqës i Ekipit Burrat e Rinj në OJQ-në SIT
– Ene Aliu, nxënës i gjimnazit Sami Frashëri dhe organizator i protestës së gjimnazistëve
Diskutimi do të moderohet nga menaxherja e programit e K2.0, Aulonë Kadriu.
*Do të ketë përkthim në gjuhën angleze dhe serbe.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla, Arrita Katona / K2.0
Ky edicion i Hajde Folim financohet nga National Endowment for Democracy.
-
Shikojeni këtë edicion tani
-
-
Rreth folësve/eve
-
Time:
5:30 pm
Place:
Facebook LIVE
Date:
24/05/2021