Blogbox | Feminizmi

A bën të qeshim me shakatë seksiste?

Nga - 08.06.2020

Të hidhet poshtë miti se humori ‘është pa dëm’.

Ndërsa shumë kosovarë kanë shprehur solidaritet për familjen e Xhorxh Fllojdit dhe protestat e tanishme Black Lives Matter në ShBA që bëjnë thirrje për fundin e pabarazisë racore, shumica prej tyre njëherësh po i mbyllin sytë — ose më keq, po qeshin — ndaj pabarazisë gjinore dhe seksizmit.

Para disa ditësh filluan të shpërndahen disa meme të pashije në mediat sociale, me një aktiviste të barazisë gjinore si protagoniste, të cilat përpiqeshin ta përqeshnin aktivisten duke përdorur “shaka” stereotipike dhe paragjykuese për atë se si paraqitet një feministe/feminist. Njëra prej tyre thoshte: Why is it called a parliaMENt and not a parliaWOMENt? (Përse quhet parlaMENt e jo parlaWOMENt? MEN – burra; WOMEN – gra).

Shumë njerëz që i shpërndanë këto meme jepnin argumentin se “janë vetëm shaka” dhe se “s’bëjnë ndonjë dëm”. Por krijimi, shpërndarja dhe quajtja e këtyre “shakave” si qesharake është problem serioz. Ja përse:

Polarizimi dhe përforcimi i stereotipeve

Një numër i madh njerëzish besojnë se shakatë janë të padëmshme dhe kanë për qëllim të na zbavitin. Megjithëkëtë, ka shumë gjetje shkencore që thonë se mund ta kenë efektin e kundërt.

Humori është instrumental, që do të thotë se mund të kryejë funksione të ndryshme varësisht nga mënyra si e përdorim. Në këtë rast, humori nuk përdoret për të na bërë të qeshim, por më përpara si mjet për të na margjinalizuar.

Në një studim teorik të vitit 2010 të botuar në Revistën Evropiane të Psikologjisë (Europe’s Journal of Psychology), autorët pohonin se humori ndonjëherë mund të përdoret për t’i përqeshur personat që nuk i takojnë një grupi të caktuar dhe të shërbejë si vegël kufizuese, kështu duke i ndarë njerëzit në kornizën “ne” kundër “atyre”.

Në gjuhën shqipe kemi një fjalë të urtë që thotë “gur gur bëhet mur”. Po kështu, shaka mbas shakaje mund të krijosh stereotipe.

Nëse i portretizon feministët/ feministet, ose njerëzit që luftojnë për barazinë gjinore në përgjithësi si njerëz që nervozohen me gjëra palidhje, dhe nëse vazhdon t’i shpërndash dhe t’i shohësh si “qesharake” këto pretendime, atëherë ndihmon në krijimin e një stereotipi të gabuar për atë se çfarë është një feminist/feministe.

Për më shumë, ata që tashmë kanë pikëpamje të tilla për feminizmin ndihen më rehat kur shohin këto pretendime dhe kanë më shumë gjasa të përfundojnë me pikëpamje edhe më të ngushta dhe ekstreme për feminizmin, siç argumentohet në studimet për polarizimin e opinionit.

Normalizimi i dhunës dhe i përdhunimit

Një sondazh i kryer me popullatën kosovare në vitin 2015 gjeti se 1 në 5 kosovarë justifikonin përdorimin e dhunës nga bashkëshorti ndaj bashkëshortes. Studimet e mëhershme kanë treguar se kur burrat dëgjojnë shaka seksiste, ata besojnë që dhuna është gjë normale, edhe nëse treguesi i “shakasë” nuk e ka me të vërtetë atë që thotë.

“Shakaja”, në këtë rast, e përforcon perceptimin se burrat kanë kontroll mbi gratë dhe mund ta përdorin dhunën kundër tyre. Nëse feministët/feministet të cilët ngrenë zërin kundër këtyre sjelljeve përqeshen për aktivizmin e tyre, atëherë ne i stigmatizojmë për veprimet e tyre, kështu duke e normalizuar dhe duke e mbështetur dhunën gjinore.

E dimë se #jokrejtburrat janë të njëjtë. Por në të njëjtën mënyrë, bazuar në gjetjet shkencore, tashmë e dimë se “shakatë” e tilla mund t’i bëjnë njerëzit të mendojnë se të gjithë burrat janë të dhunshëm.

Një studim tjetër ka treguar se ekziston një korelacion pozitiv mes zbavitjes së burrave me shakatë seksiste dhe tendencës për përdhunime të vetëraportuara, e cila është matja që demonstron gatishmërinë e një burri për ta përdhunuar një grua në rrethanat që ata nuk do të zbuloheshin.

Duke marrë parasysh se sondazhi i lartpërmendur kosovar po ashtu ka gjetur se 50% e respondentëve besojnë që grave u pëlqen të përdhunohen, shohim se problemi nuk qëndron te feministja/feministi e/i zemëruar, por te fakti se njerëzit i konsiderojnë këto “shaka” dhe feministët/feministet si qesharakë. 

Shtypja e atyre që tashmë vuajnë

A ju ka shkuar ndonjëherë mendja se kush janë protagonistët e shumicës së shakave?

Të shumtën e kohës janë ata që tashmë shtypen ose margjinalizohen. Kur njerëzit qeshin me njerëz të tjerë që janë të diskriminuar, ata e normalizojnë diskriminimin dhe shtypjen e tyre.

Problemi nuk është te shakaja seksiste më vete, por te shoqëria seksiste që qesh dhe shpërndan këto meme. Problemet janë seksizmi, dhuna, përdhunimi dhe ngacmimet, ndaj të cilave ngrenë zërin feministët/feministet — dhe për të cilat ata/ato përqeshen.

Njerëzit nuk duan t’i shohin gratë duke e ngritur zërin. Njerëzit kanë qejf t’i shohin ato duke u bindur dhe duke ndenjur qetë. Prandaj, kur aktivistët feministë bërtasin, piskasin dhe veprojnë kundër pabarazive gjinore, njerëzit nuk ndihen rehat dhe i përqeshin.

Humori, në këtë rast, është formë e shtypjes së këtyre grave duke i sulmuar emocionalisht, si dhe është formë e parandalimit të grave të tjera për ta ngritur zërin duke i kërcënuar se nëse bëjnë ashtu, ato gjithashtu do të jenë objekt talljeje. 

Kush tregon shaka seksiste dhe përse?

Një studim, i cili kishte për respondentë 387 burra heteroseksualë, gjeti se njerëzit përdorin komentet seksiste si mekanizëm mbrojtës kur ndihen se mashkullia e tyre disi po kërcënohet.

Këta burra besonin se duke shprehur zbavitje ndaj humorit seksist do të dukeshin më mashkullorë dhe do ta distanconin veten prej tipareve me të cilat nuk donin të identifikoheshin. Duke qeshur me këtë humor, ata donin të tregonin se janë “ndryshe” nga grupi i cili po përqeshet — në këtë rast, gratë.

E njëjta vlen për gratë. Ato gra që duan të pajtohen me normat shoqërore në kuptim të asaj se si duhet të jetë një grua (gjë që prapë se prapë përcaktohet nga burrat) i shohin këto shaka seksiste dhe antifeministe si më qesharake dhe kanë më shumë gjasë t’i shpërndajnë.

Në përgjithësi, këto gra kanë tendencë ta mbajnë anën e burrave sepse shqetësohen se mos përndryshe edhe ato do të bëhen objekt i goditjeve dhe i talljeve.

Pra, a bën të qeshësh me këto shaka?

Çdo herë që krijon “shaka” të tilla, qesh me to ose i shpërndan, duhet ta dish se i fyen miliona gra që janë shtypur, janë përdhunuar, janë rrahur ose janë vrarë; gra të cilave nuk u janë dhënë mundësi të barabarta, nuk kanë pasur të drejtën të votojnë, nuk kanë pasur mundësi të studiojnë a të punojnë, nuk janë paguar aq sa burrat, nuk janë lejuar të jenë të pavarura; gra që janë çmuar në bazë të historisë së tyre (seksuale), u është mbyllur goja kurdo që kanë dashur ta thonë mendimin e tyre, janë gjykuar nga veshja, janë nënvlerësuar sepse “është e pamundshme të jesh e bukur, e mençur dhe e suksesshme në të njëjtën kohë”, ose janë seksualizuar kudo që kanë qenë.

Ndonëse humori është mënyrë e lehtë për t’ia hedhur paq me gjëra të ndryshme, kurrë nuk duhet të tallesh me dikë që shtypet nga shoqëria, ose me dikë që lufton kundër shtypjes. Madje as nëse kërcënohet mashkullia jote ose ndjenja e përkatësisë përbrenda një grupi.

Ka shumë shaka të pastra që mund të bësh. Më mirë, mundohu të gjesh mënyra për ta përdorur humorin që të avancohet barazia gjinore, racore dhe shoqërore, në vend se t’i shpërfillësh ose t’i normalizosh problemet ekzistuese.

Deniza Miftari, Qendresa Gerlica and Diellza Iberhysaj kanë kontribuar gjithashtu për këtë bllog.

Imazhi i ballinës: Ferdiana Hoti.