Në mungesë të fakteve të dëshmueshme, shumë gjëra bëhen objekt diskutimi në të cilin mbizotërojnë opinionet dhe besimet. Shpeshherë edhe kur faktet dalin në shesh dhe janë të vërtetuara nga shkencëtarët, shohim se si njerëzit megjithatë e rezervojnë të drejtën e mosbesimit dhe vazhdojnë t’i paraqesin opinionet e tyre si fakte. Në formën më të sjellshme, këta njerëz quhen skeptikë, kurse në atë më pak të sjellshme, injorantë.
I tillë është edhe diskutimi rreth krizës klimatike. Në shumë vende të botës njerëzit ende e trajtojnë si çështje besimi apo mosbesimi e jo si fakt me të cilin duhet të merremi seriozisht. Injorimi i fakteve rreth kësaj teme kohëve të fundit ka shkaktuar zemërim, sidomos te gjeneratat e reja, të cilat do të preken direkt nga niveli i lartë i ndotjes që po vazhdojmë ta shkaktojmë.
Aktivistja e mjedisit, 16 vjeçarja Greta Thunberg është bërë ikonë e këtij zemërimi. Me sloganet “Protesta e shkollave për klimën” dhe “Të premtet për të ardhmen” Greta udhëheqë miliona të rinjë nga mbarë bota, të cilët po kërkojnë nga qeveritë botërore ta zvogëlojnë ndotjen. Protestave u janë bashkuar edhe të rinjtë nga Kosova, duke u bërë thirrje njerëzve në pushtet që t’i luftojnë ndryshimet klimatike, ndotjen dhe shkatërrimin e mjedisit.
Çfarë është kriza klimatike? A mund ta shpjegojmë në një formë që të gjithë mund ta kuptojmë?
Të provojmë.
Temperatura mesatare e Tokës ka filluar të rritet bashkë me industrializimin, kur njerëzimi nisi të prodhojë energji duke djegur karburantet si qymyri dhe nafta. Këto lëndë djegëse përbëhen kryesisht nga karboni, dhe kur digjen e lirojnë gazin dioksid karbon (CO2) i cili pastaj qëndron në atmosferë për një kohë të gjatë duke e shkaktuar efektin e serës.
Ngrohja globale nënkupton se ka më shumë energji në atmosferë, që i bën ngjarjet ekstreme të motit më të shpeshta e më shkatërruese. Raporti i shkencëtarëve nga mbarë bota në Panelin Ndërqeveritar të Ndryshimeve Klimatike të OKB-së, tanimë me siguri të lartë argumentojnë se bota është ngrohur për 1.5 gradë celsius prej niveleve para-industriale (1850-1900).
Kanë mbetur më pak se 10 vite që ta reduktojmë drastikisht lirimin e gazrave serë, për t’i rritur mundësitë që ngritja e temperaturave të mos shkojë më tej se 1.5ºC.
Në shtator të këtij viti, llogaritet se kanë mbetur edhe 360 gigaton të dioksidit të karbonit (CO2) për t’u lëshuar në atmosferë para se ta arrijmë pikën e pakthyeshme. Atë pikë do ta arrijmë kur atmosfera të ndotet aq shumë sa çfarëdo mase që ndërmerret nga njerëzimi nuk është e sigurtë se do të mund ta ndalë rritjen e temperaturave dhe ta riparojë planetin.
Në vitin 2018 janë liruar 37 gigaton CO2, kurse në 2019 sasia llogaritet të jetë më e madhe. Sa për ilustrim, një gigaton i ka një trilion kilogram. Nëse bëjmë llogaritë me nivelin e mbetur të ndotjes deri te pika e pakthyeshme — 360 gigaton CO2 — i bie se me ritmin e 37 gigatonëve ndotje në vit do ta arrijmë pikën e pakthyeshme në vitin 2029.
IPCC argumenton se me këtë ritëm të ndotjes, kemi vetëm 67% shans për ta kufizuar në 1.5ºC ngritjen e temperaturës globale. Thënë më thjeshtë, kanë mbetur më pak se 10 vite që ta reduktojmë drastikisht lirimin e gazrave serë, për t’i rritur mundësitë që ngritja e temperaturave të mos shkojë më tej se 1.5ºC.
Duke u përpjekur ta reflektojë më saktësisht krizën mjedisore nëpër të cilën po kalon planeti, gazeta britanike The Guardian ka filluar ta përdorë termin “emergjenca klimatike” në vend të “ndryshimet klimatike”.
Çfarë ndodhë nëse planeti ngrohet më shumë se 1.5ºC?
Raporti i IPCC tregon se ngjarjet ekstreme të motit do të rriten. Edhe në nivelin e tanishëm të ngrohjes po ndjehen efektet e ndryshimeve klimatike në disa zona. Erëra më të forta, vërshime më të mëdha, temperatura më të larta dhe ngjarje tjera ekstreme. Por nëse planeti vazhdon të ngrohet, klima do të eskalojë shpejt me shkrirje të akullit dhe rritje të nivelit të ujit në oqeane.
Shumica e specieve do të zhduken pasi nuk do të mund t’u mbijetojnë ndryshimeve kaq të shpejta klimatike.
Do të ketë më shumë shira të rrëmbyeshme, uragane e vërshime, temperatura shumë të larta e shumë të ulëta, do të ketë më shumë sëmundje dhe epidemi. Ekosistemet do të ndryshojnë, çka do të ndikojë në sigurinë e ushqimit në mbarë botën duke shkaktuar më shumë varfëri e për pasojë edhe më shumë pabarazi.
Shumica e specieve do të zhduken pasi nuk do të mund t’u mbijetojnë ndryshimeve kaq të shpejta klimatike. Tashmë janë 200 lloje të specieve që zhduken çdo ditë.
Si ndikojnë njerëzit në ngrohjen globale dhe krizën klimatike?
Gazrat serë lirohen në mënyrë natyrore nga vullkanet, zjarret, kafshët, dekompozimi i trupave në natyrë, duke përfshirë trupat në ujëra. Kur këtyre u shtohen edhe shkaqet njerëzore, atëherë gazrat serë në ajër arrijnë nivele tejet të larta.
Ndër burimet kryesore të shkaktuara nga njeriu janë prodhimi i energjisë nga qymyri, djegia e naftës dhe gazit të lëngshëm që ndryshe njihen si karburante fosile dhe nuk janë të rigjenerueshme.
Burim tjetër i gazrave serë janë gjedhet — ato prodhojnë gazra metan, që janë 28 herë më potente se CO2 por që qëndrojnë më pak në atmosferë. Problemi me gazrat metan është se për shkak të konsumit të lartë të mishit në mbarë botën, industria e kafshëve është rritur skajshmërisht, duke rritur prodhimin e gazrave serë.
Një gjedh liron nga 70 deri në 120 kg metan në vit dhe sipas Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë të Kombeve të Bashkuara (FAO) llogaritet se në botë janë diku rreth 1.4 miliard gjedhe. Në një video ilustruese nga The Guardian, tregohet se 14.5% e gazrave serë lirohen nga industria e gjedheve.
Mjetet motorike — makinat e mëdha dhe të vogla, aeroplanët, anijet, e tjerë, janë përgjegjëse për një pjesë të madhe të ndotjes për shkak të emetimit të CO2. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), 91% e popullsisë në botë jetojnë në vende ku cilësia e ajrit i tejkalon kufijtë udhëzues të OBSH-së, rreth shtatë milion vdekje në vit shkaktohen nga ekspozimi në ajër të ndotur dhe ndotja është një ndër shkaktarët kryesorë të vdekjeve të parakohshme.
Kosova është ndotëse e madhe kur merret parasysh numri i popullsisë dhe territori.
Djegia e pyjeve është shkaktare e pothuajse 20% të gazrave serë; meqenëse temperatura e Tokës është rritur, pashmangshëm po rritet edhe shpeshtësia dhe intensiteti i zjarreve masive në pyje që lirojnë masivisht CO2.
Në Kosovë kriza klimatike as që është temë publike diskutimi
Rreth 18% e njerëzve në Kosovë jetojnë në varfëri të skajshme, 60% nuk janë aktivë në tregun e punës, rreth 30% janë të papunë dhe PBB-ja jonë është më e ulëta në rajon. Këto statistika nga Agjencia e Statistikave të Kosovës janë indikatorë se cili është problemi kryesor i qytetarëve, prandaj deri diku mund të jetë e kuptueshme që kriza klimatike nuk është ndër shqetësimet kryesore të tyre. Megjithatë, kjo nuk mund të jetë arsye që të mos bëhet temë kryesore në politikat tona publike, sidomos ndaj përdorimit të qymyrit.
Në Janarin e vitit 2018 për herë të parë në Prishtinë u morën masa drastike duke ndaluar qarkullimin e mjeteve motorike brenda qytetit për tri ditë radhazi në përpjekje për ta reduktuar nivelin tejet të lartë të ndotjes së ajrit. Tani që jemi në prag të dimrit, Prishtina pritet të mbulohet sërish nga smogu i cili i bllokon në atmosferë grimcat e ndotjes të liruara nga mjetet motorike me djegie, por edhe nga qymyri.
Një raport i Zyrës Kombëtare të Auditimit ka treguar se gjatë viteve 2016 dhe 2017, parametrat e rrezikshëm për shëndetin e njeriut siç janë grimcat e pluhurit PM10 dhe PM2.5, nuk janë raportuar për muaj të tërë, e sidomos gjatë muajve të dimrit kur këta parametra arrijnë vlera maksimale. Në ato raste kur është raportuar, janë regjistruar tejkalime alarmante — 400% — për parametrin PM10.
Kosova është ndotëse e madhe kur merret parasysh numri i popullsisë dhe territori. Llogaritet se prodhojmë diku mes 10-12 ton metrikë CO2, që i bie se në krahasim me vendet e BE-së prodhojmë dyfish më shumë ndotje për kokë banori. Burimi kryesor i ndotjes në Kosovë mbeten termocentralet që përbëjnë 88% të ndotjes së përgjithshme.
Çfarë mund dhe duhet të bëjmë?
Energjia është e nevojshme për mënyrën tonë të jetesës dhe ekonominë, mirëpo edhe e kushtueshme, prandaj shtetet që kanë burime natyrore të energjisë i përdorin si burime të pavarura, më të sigurta dhe më të lira, përkundër kostos ndaj ambientit.
Ka disa alternativa ndaj energjisë me karburante fosile, ndër to energjia diellore, gjeotermike, e erës, e ujit, dhe atomike. 65% e energjisë prodhohet nga karburantet fosile, 10% nga burimet nukleare dhe pjesa tjetër nga hidrocentralet dhe energjia e ripërtëritshme.
Hidrocentralet, të cilat shpesh kanë pasoja të mëdha në sistemet dhe jetën ujore, nuk funksionojnë në shumë vende pasi për të funksionuar u duhet rrjedhë e pandalshme e ujit. Energjia e ripërtëritshme diellore dhe ajo e erës varen nga kushtet klimatike, rrjedhimisht nuk janë ende burime të qëndrueshme të prodhimit të energjisë.
Derisa bota të gjejë zgjidhje për energji alternative, janë disa gjëra që ne si qytetarë mund t’i bëjmë për ta shpëtuar planetin.
Për ta bërë situatën edhe më të komplikuar, kërkesa për energji në botë është në rritje. Duke qenë se energjia e ripërtritshme po zhvillohet ngadalë e planeti po nxehet me shpejtësi, një zgjidhje e qëndrueshme dhe alternative e energjisë është menduar nga shpikësi i Microsoft dhe miliarderi Bill Gates i cili ka investuar miliarda dollarë për t’i ridizajnuar reaktorët bërthamorë të energjisë.
Energjia bërthamore është e vetmja energji që rigjenerohet dhe që prodhon mjaftueshëm energji të qëndrueshme pothuajse pa ndotje, argumenton Gates në një dokumentar në Netflix të quajtur “Inside Bill’s Brain”.
Deri më tani, problemi i kësaj energjie është se e kontaminon ambientin kur prodhohet pasi krijon mbetje radioaktive dhe në rast të ndonjë aksidenti, pasojat e kontaminimit mund të jenë fatale, psh. Chernobyl në Ukrainë dhe Fukushima në Japoni. Problem tjetër i reaktorëve bërthamorë është se e pasurojnë uranium, i cili pastaj mund të përdoret për armë bërthamore. Mirëpo Gates pretendon se reaktorët e ridizajnuar përbëjnë 0% rrezik të kontaminimit në raste aksidentesh dhe 0% rrezik nga pasurimi i uraniumit, pasi përdorin uranium të varfëruar.
Ideja e Gates për t’i kthyer reaktorët bërthamorë mund të mos jetë popullore, por mund të jetë zgjidhje e shpejtë dhe me potencial për t’i reduktuar nivelet e CO2. Nëse reaktorët e ridizajnuar kanë sukses, shtetet mund të investojnë në to si energji alternative.
Derisa bota të gjejë zgjidhje për energji alternative, janë disa gjëra që ne si qytetarë mund t’i bëjmë për ta shpëtuar planetin.
Në një video ad të publikuar nga Greta Thunberg, aktivistja për mbrojtjen e planetit, tregohet se çfarë mund të bëjmë secili nga ne për ta shpëtuar planetin. “Është një makinë magjike e cila thithë dioksidin e karbonit nga ajri, kushton lirë, rritet vetë dhe thirret pemë”, thuhet aty. Pemët llogariten si mjete efektive për riparimin e planetit me kushtin që të mos përdorim karburante fosile.
Njeriu mesatarisht konsumon rreth 300 -700 kg oksigjen në vit, kurse një pemë, varësisht nga madhësia, liron deri në 100 kg oksigjen në vit. Sipas një studimi të publikuar në Institutin Ndërkombëtar të Pemëtarisë në SHBA, kompensimi i oksigjenit atje në zona urbane me pemë shkon nga 17 deri në 30 pemë për njeri varësisht nga niveli i ndotjes në qytet.
Sa prodhoni dioksid karbon?
Nëse doni ta dini sasinë e ndotjes që e prodhoni, mund ta matni në www.carbonfootprint.com
Në bazë të llogaritjeve të cilat mund t’i bëni edhe vetë duke shfrytëzuar një nga shumë përllogaritësit online, një person prodhon mes 25-40 ton CO2 ndotje në vit. Shfrytëzoni webfaqen mësipër për të parë sa ndotje prodhoni dhe sa pemë duhet të mbjellen për ta barazpeshuar ndotjen tuaj.
Përveç mbjelljes së pemëve, çfarë mund të bëjmë ne si qytetarë ështa ta reduktojmë sasinë e mishit që e konsumojmë apo ta heqim tërësisht nga menyja. Nëse e reduktojmë në mënyrë drastike sasinë e mishit nga menyja ditore, mund të ndikojmë në zvogëlimin e industrisë në rritje të kafshëve e rrjedhimisht mund ta ulim sasinë e liruar të gazrave serë nga metani.
Diçka tjetër që mund të bëjmë është t’i ridizajnojmë rrugët nëpër qytete me një infrastrukturë që e bën më të vështirë qarkullimin e veturave por më të lehtë qarkullimin e autobusëve elektrikë, biçikletave dhe këmbësorëve. Ndotja nga mjetet motorike është shumë e lartë, sidomos në Kosovë, ku cilësia e kontrolleve teknike është e dobët dhe automjetet e vjetruara.
Prodhimi i energjisë, rritja e industrisë së kafshëve dhe prodhimi e përdorimi i mjeteve motorike me djegie janë ndotje të shkaktuara nga njerëzit. Si rrjedhojë, duhet të vetëdijesohemi dhe të ndërmarrim masa për ta luftuar krizën klimatike të cilën vetë e kemi shkaktuar.
Të kërkojmë nga politika që ta bëjë zgjedhjen më të gjelbër të mundshme të energjisë; të kërkojmë nga kryetarët e komunave që të investojnë në infrastrukturë që favorizon transportin publik, çiklistët dhe këmbësorët; të mbrojmë e të pyllëzojmë; të reduktojmë mishin; të riciklojmë mbeturinat dhe të kujdesemi për ambientin sepse planet tjetër nuk kemi.
Foto kryesore: Arrita Katona / K2.0