Në thelb | Ballkan

A është gjuha e urrejtjes e pranuar gjerësisht në Slloveni?

Nga - 10.06.2020

Keqtrajtimi onllajn dhe fyerjet me nuanca etnike rrjedhin nga lart poshtë.

“E quan veten avantgardë, hyjni të paprekshme, jeton me dromcat e njerëzve të tjerë dhe i shpërfill faktet. Madje çdo lloj dyshimi ndaj hyjnimit tënd është sulm. Në ish-Jugosllavi, Armata Popullore Jugosllave (APJ) kishte kësi statusi të lartë. Jugosllavia s’është më, shoqe. Dhe s’do të kthehet. Së paku jo në Slloveni!”

Ky është një cicërim që kryeministri slloven Janez Jansha e ka shkruar së voni në llogarinë e tij zyrtare në Twitter për folësen televizive, gazetaren dhe redaktoren e transmetuesit publik RTV Slovenija Jellena Ashçiq.

Në llogarinë zyrtare të Janez Janshës në Twitter shpesh botohen mesazhe për njerëzit me të cilët ai nuk pajtohet, sikur Jellena Ashçiq. Foto: Katja Lihtenvalner.

Qysh kur e formoi qeverinë e re në mars, komentet e Janshës në rrjetet sociale, si dhe ato të partisë së tij — Partia Demokratike Sllovene (PDS) — kanë sjellë parehati për shumë njerëz. Postimet e tij në Twitter — vegla e parapëlqyer e Janshës — janë përplot me fushata urrejtëse, ndërkaq armiqtë e rinj gjenden thuajse çdo javë.

Postimet dhe qasja e tij po ashtu po shërbejnë si frymëzim për të tjerët që duan të shprehin ide të ngjashme, të cilët shpeshherë drejtojnë zemërimin dhe frustrimin ndaj njerëzve që kanë prejardhje nga shtetet e tjera të rajonit.
“Gjuha e urrejtjes është bërë radikale në vendin tonë”, thotë Boris Vezjalk, analist i mediave dhe profesor i Unversitetit të Mariborit. “Caqet e reja shënjestrohen çdo ditë — ndër njerëz të komunitetit LGBT+, kroatë, qytetarë të Ballkanit, njerëz nga ish-republikat Jugosllave, refugjatë, ‘majtistët radikalë’ dhe ‘fashistët e së majtës’”.

Por gazetaret sikur Ashçiq janë mësuar me fyerjet, frikësimet dhe komentet urrejtëse të Janshës gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Gjatë kësaj periudhe ai ka qenë dhe është figura më e pushtetshme politike në vend.

Dyshimet për korrupsion dhe protestat

Janez Jansha është politikan të cilit i njihet mirë emri në rajon. Karriera e tij politike nisi në Jugosllavi me Rininë Komuniste. Atëbotë, ai u bashkua me të rinj të tjerë dhe u bë i njohur për kritikën ndaj APJ-së. Në vitet e 80-ta, ai po ashtu u njoh si aktivist për paqen dhe shkroi artikuj që u publikuan në revistën Mladina, një nga mediumet më të rëndësishme në Slloveni.

Janez Jansha është marrë me politikë thuajse tërë jetën, prej viteve të 80-ta në Jugosllavi deri më sot. Megjithatë, karriera e tij ka shkaktuar polemika të shumta. Foto: Faqja zyrtare e Qeverisë së Sllovenisë.

Në fund të viteve të 80-ta, Jansha është arrestuar me tre gazetarë të tjerë të Mladina dhe janë gjykuar në gjyqin ushtarak të Lubjanës për — siç është shpjeguar për publikun — zbulimin e sekreteve ushtarake. Ai u dënua me 18 muaj burgim, gjë që shkaktoi protesta masive gjithandej Sllovenisë, me mbështetje nga republikat e tjera jugosllave.

Pasi kreu burgun, Jansha u përfshi në formimin e partisë së parë opozitare në Slloveni. Në zgjedhjet e para demokratike në vitin 1990, ai u emërua Ministër i Mbrojtjes dhe vitin tjetër mori rol udhëheqës në të ashtuquajturën Luftë Dhjetëditëshe që çoi në pavarësimin e Sllovenisë nga Jugosllavia.

Mu prej fillimit, karriera e tij është përcjellë me skandale, madje për një kohë gjatë karrierës së tij ka qenë në burg.

Në maj të vitit 1993, ai u zgjodh president i të sapoformuarës PDS dhe ende mbetet në pozitën e njëjtë.

“Jansha është udhëheqës i PDS-së tash e 27 vjet. Si mund të jetë kjo demokratike?” pyet Ivo Hvalica, i cili dikur ishte anëtar i shquar i PDS-së.

Mu prej fillimit, karriera e tij është përcjellë me skandale, madje për një kohë gjatë karrierës së tij ka qenë në burg. Ai është akuzuar dhe dënuar për korrupsion, përfshirë në rastin e njohur Patria të vitit 2008, ku u shpall fajtor për pranim ryshfeti gjatë bisedimeve për një marrëveshje për tregtimin e armëve.

Prapëseprapë, ai kurrë nuk ka hequr dorë nga karriera e tij politike dhe ka qenë udhëheqës i qeverisë dy herë, mes viteve 2004 dhe 2008, si dhe mes 2012 dhe 2013. Atij i erdhi një mundësi tjetër për të udhëhequr në mars të këtij viti kur partia e tij formoi një koalicion mazhoritar.

Sot ai shihet si një ndër aleatët kryesorë të Kryeministrit hungarez Viktor Orban dhe kolegut të tyre polak Mareush Moravicki. Të tre njihen mirë për politikat e tyre radikale kundër imigrantëve.

Vetëm dy muaj pasi kishte nisur detyrën, qeveria e Janshës u përfshi në një skandal korrupsioni lidhur me blerjen e maskave dhe ventilatorëve për frenimin e pandemisë së COVID-19.

Në fund të prillit, zënvendësdrejtori i Agjencisë për Rezervat e Mallrave Ivan Gale foli haptas në transmetuesin publik RTV Slovenija, për favorizimin e furnizuesve të caktuar nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Teknologjisë Zdravko Poçivalsek dhe Ministri i Mbrojtjes Matej Tonin.

Pas fjalës së tij, Gales iu ofrua mbrojtje policore, meqë kishte dyshime se jeta e tij mund të jetë në rrezik pas daljes në televizionin publik.

Gales iu bashkëngjit specialisti mjekësor Rihard Knafel për ngritjen e shqetësimeve rreth procesit të prokurimit të pajisjeve mbrojtëse, i cili ndër të tjera zbuloi se Komisioni i Ekspertëve Mjekësorë kishte vlerësuar më se 90 oferta për ventilatorë dhe ato që ofroheshin nga furnizuesi i përzgjedhur Geneplanet ishin vlerësuar si “më të papërshtatshmet” prej 13 mundësive të pranueshme për pacientët me COVID-19.

Dyshimet për korrupsion dhe protestat që erdhën më pas kanë inatosur Janshën, i cili ka thënë në Twitter se protestuesit janë “socialistë ikrash”.

Knafel mori kërcënime me jetë pasi mbështeti rrëfimin e Gales.

Të tjerët që kanë qenë të përfshirë në zbulimin e dyshimeve për shpërdorim po ashtu janë kritikuar publikisht nga politikanët e PDS-së dhe mediat që janë të afërta me partinë.

Ndërkaq një pjesë e madhe e publikut ka shprehur përkrahjen për sinjalizuesin Gale dhe transmetuesin publik RTV Slovenija për zbulimin e shpërdorimit të dyshuar të qeverisë. Gjatë gjashtë javëve të fundit janë mbajtur protesta të rregullta me biçikleta çdo të premte, fillimisht kundër korrupsionit, por tash është zgjeruar për t’i përfshirrë thirrjet për mbrojtjen e ambientit dhe kundër sulmeve ndaj medias.

Megjithëkëtë, dyshimet për korrupsion dhe protestat që erdhën më pas e kanë inatosur Janshën, i cili ka thënë në Twitter se protestuesit janë “socialistë ikrash”.

Por kjo s’është ndonjë risi.

Ndjekësit e profilit së Janshës në Twitter rregullisht mund të gjejnë postime që shprehin zemërim, hakmarrje dhe urrejtje që zakonisht u drejtohen atyre që e kritikojnë atë.

Megjithëse nuk i kursen gazetarët, të cilët i quan gënjeshtarë, Jansha shpesh përqendrohet te gratë që janë kritike ndaj punës së tij, sidomos ato që janë të fuqishme dhe që njihen mirë në shoqëri. Në përpjekjet e tij për t’i zhvlerësuar, ai mbështetet nga aleatët e tij më të afërt, mes tyre figura publike, politikanë besnikë dhe ndonjëherë mediat.

Por këtë herë ai tashmë ka polarizuar publikun slloven aq shumë sa partnerët e koalicionit kanë nisur të shfaqin shenjat e para të parehatisë.

Federata Evropiane e Gazetarëve (FEG) po ashtu i ka rënë ziles së alarmit në lidhje me retorikën e përdorur nga kryeministri slloven dhe ka nxitur BE-në që të marrë masa.

“Është shqetësuese të shihet retorika e një Trampi ose një Orbani që tash infekton Slloveninë”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i FEG-ut Rikardo Gutierrez në maj. “I bëjmë thirrje Bashkimit Evropian ta sanksionojë këtë nxitje të urrejtjes ndaj gazetarëve”.

Mbështetësi misterioz

Nuk është hera e parë që Jansha e ka përdorur këtë qasje për t’u marrë me media kritike dhe me njerëz që nuk i konsideron miq. Ndër ata që janë përleshur më parë me të është edhe kryetari i Lubjanës Zoran Jankoviq, i cili mundi Janshën, kandidatin e PDS-së, më 2011.

Në atë kohë, në faqen zyrtare të PDS-së u shfaq një tekst ksenofobik, me titull: “Jankoviq fitoi duke përdorur frikën e krijuar artificialisht dhe bujarinë sllovene me shtetësinë e tij”. Artikulli sugjeronte që Jankoviq, i lindur në Serbi, i fitoi zgjedhjet vetëm sepse diaspora ballkanike ishte mobilizuar për të votuar për të.

“Opankarski žurnalizem” (Gazetari opingash) është emri me të cilin Jansha dhe ndjekësit e tij i quajnë mediat që i kundërshtojnë ata, përfshirë revistën e njohur Mladina. Foto: Katja Lihtenvalne.

“Kishte pjesëmarrje masive të votuesve dhe qytetarëve të rinj, me thekse të huaja”, thuhet në tekst. “Ata dolën në vendvotime në grupe prej 10 ose më shumë vetash. Ata veshin trenerka dhe kanë numra votimi të shkruar në duar. Jashtë qendrës së votimit në Lubjanë kishte grupe të vogla njerëzish që vazhdimisht bënin telefonata, shumë prej të cilëve flisnin serbisht”.

Emri i shkruar nën tekst ishte Tomas Majer, por gazetarët lokalë kurrë nuk kishin dëgjuar për të, dhe përpjekjet e mediave lokale për ta gjetur ishin të pasuksesshme. Në këtë kontekst, shumë kanë spekuluar se autori i vërtetë i tekstit mund të ketë qenë vetë Jansha. Në shenjë proteste, në qendër të Lubjanës u organizua një tubim, ku shumë nga pjesëmarrësit kishin veshur trenerka.

“Termi “trenirkarji” [veshës të trenerkave] është një fyerje që në Slloveni përdoret kundër njerëzve nga shtetet pasardhëse Jugosllave; një mjet përjashtimi dhe poshtërimi”, shpjegon Simona Zavratnik, sociologe dhe ligjëruese në Fakultetin e Shkencave Shoqërore të Universitetit të Lubjanës. “Në Slloveni, terma të tillë shoqërohen kryesisht me një parti politike specifike, më saktë, me PDS-në dhe politikanët e saj”.

Por, për PDS-në dhe udhëheqësin e saj, ky ishte vetëm fillimi i një fushate fyerjesh dhe shpifjesh drejtuar njerëzve që dikur jetonin në Jugosllavi.

‘Gazetari opingash’

Disa vite më vonë në 2014-tën, Jansha goditi përsëri.

Kësaj radhe, gazetarja Gordana Stojiljkoviq, mbiemri i së cilës sugjeron se mund të jetë nga pjesë të tjera të rajonit, u kritikua ashpër pasi raportoi për disa nga praktikat dhe manovrat që Jansha po përdorte në sallën e gjyqit.

“Kur Jansha vepron si paditës, ai vjen në gjyq me zell, edhe kur procedurat anulohen”, shkroi Stojiljkoviq asokohe. “Kur ai është personi që duhet të ishte ulur në bankën e të akuzuarve, nuk paraqitet”.

Në vend se të përqendrohej në ndonjë pasaktësi specifike të pretenduar në raportimin e saj, Jansha e përshkroi raportimin e saj si “gazetari opingash” (opankarski žurnalizem), që u interpretua gjerësisht si term njollosës që ka të bëjë me prejardhjen e saj etnike.

“Opankarski është term pezhorativ këtu, i cili padiskutueshëm sugjeron një element armiqësor ksenofobik”, shpjegon Vezjak, duke shtuar se i shënjestron ata që vijnë nga pjesët e tjera të asaj që dikur ishte Jugosllavi, pasi u referohet këpucave apo papuçeve tradicionale fshatare që janë mbathur nga njerëzit anembanë Ballkanit; termi përdoret për të lënë të kuptohet se njerëzit janë primitivë ose të pazhvilluar.

Gjashtë vjet më vonë, terma si “mbathëse opingash” përdoren ende në mediat sociale për të fyer njerëz nga shtetet e tjera pas-Jugosllave, veçanërisht kur u referohen grave me ndikim, të cilat janë politikane, akademike dhe gazetare.

Në të njëjtën kohë, termi “gazetari opingash” përdoret në mediat sociale për të tallur gazetarët apo organizatat e mediave.
“Është një psikologji e urrejtjes që është bërë pjesë e një psikopolitike të vetëkuptueshme dhe të ushqyer me kujdes, me qëllim transferimin e ligjërimit ‘opingar’ te njerëzit, si pjesë e një terminologjie politike të vetëkuptueshme”, thotë Vezjak.

“Disa përdorues në media sociale ma kanë analizuar ADN-në, prejardhjen etnike, madje edhe profilin e fytyrës për të përcaktuar rrënjët e mia jo-sllovene." Helena Milinkoviq, gazetare

Duke pasur parasysh profilin e tij të lartë në Slloveni, retorika e Janshës — shpeshherë plot urrejtje — është përsëritur dhe simuluar gjatë dekadës së shkuar.

Një nga njerëzit në anën pranuese të kësaj retorike ka qenë Helena Milinkoviq, gazetare në transmetuesin publik RTV Slovenija. Milinkoviq thotë se përkundër faktit se ajo është lindur dhe rritur në Slloveni, prejardhja e familjes së saj, që është e dukshme në mbiemrin e saj, është gjëja që e bën atë cak. Gjatë gjithë karrierës së saj, ajo thotë se është thirrur “migrante e pa-asimiluar e Ballkanit, e pabesë ndaj Sllovenisë dhe Sllovenëve”.

“Disa përdorues në media sociale ma kanë analizuar ADN-në, prejardhjen etnike, madje edhe profilin e fytyrës për të përcaktuar rrënjët e mia jo-sllovene”, thotë ajo, duke e pranuar se ky lloj diskursi e tmerron.

Milinkoviq thotë se anëtarët e PDS-së dhe simpatizuesit e tyre janë shpesh prapa këtyre komenteve, duke shtuar se nuk përpiqen ta fshehin identitetin ose simpatinë për partinë dhe udhëheqësin e saj në Twitter.

Gazetarja Helena Milinkoviq thotë se ka qenë në shënjestër të ndjekësve të Janshës, të cilët e quajnë “muxhahedine”. Foto: Katja Lihtenvalner.

Në vitin 2018, një media e lidhur ngushtë me PDS-në shkoi edhe më tej dhe botoi një artikull për Milinkoviqin. Në një version të shtypur, më të gjatë, ata i referohen asaj si “muxhahedine” dhe e përshkruajnë punën e saj si “aktivizëm të motivuar politikisht”.

“Diskursi është zakonisht i njëjti — fyerje të ‘parazitëve’, ‘komunistëve’, ‘marksistëve’, ‘përtacëve të pagave publike’”, thotë ajo. “Shpifjet personale, madje edhe kërcënimet që përfshijnë përdhunimin dhe dhunën, nuk janë të rralla”.

Ashçiq, Stojiljkoviq dhe Milinkoviq nuk janë të vetmet që janë abuzuar rregullisht nga mbështetësit dhe ndjekësit e PDS-së për shkak të profesionit ose rrënjëve të tyre ballkanike. Ndër shënjestrat e rregullta të mediave të lidhura me PDS-në është shkrimtarja, përkthyesja, redaktorja dhe profesorja Svetlana Slapshak.

Slapshak ka qenë kritike e hapur e Janshës dhe partisë së tij për vite me radhë. Ajo boton rregullisht rubrika në edicionin e famshëm të së shtunës në të përditshmen sllovene Večer dhe nuk e kursen PDS-në dhe udhëheqësinë e saj. Si rrjedhojë, shpesh është quajtur “opingare” dhe është ngacmuar.

Slapshak është një nga shembujt e rëndësishëm ku karburanti i urrejtjes shpërngulet nga rehatia e kolltukëve të shtëpisë dhe tastierave në botën e vërtetë: dritaret në banesën e saj në Lubjanë janë thyer, ka marrë letra me një pluhur të bardhë të paidentifikuar brenda, si dhe ka pranuar kërcënime të shkruara vulgare.

Pjesëtarja Social Demokrate e Sllovenisë në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, gjithashtu është shënjestruar në media sociale. Ajo është thirrur “kosovare” në Twitter nga përdorues të platformës për shkak se ka mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën.

Ndërkohë, Jansha që shpesh nxit gjuhë të urrejtjes, pesë vjet më parë pranoi një doktoratë nderi nga Kolegji Universum në Prishtinë për “përpjekjet dhe përkrahjen e tij për proceset e demokratizimit dhe të drejtat e njeriut në rajon”.
Në të njëjtën kohë, Fajon vazhdon të marrë komente të tjera fyese dhe seksiste për shkak të mbështetjes së saj për shqiptarët kosovarë.

Sociologia Zavratnik beson se udhëheqësi i partisë PDS përhap armiqësi ndaj pakicave me gjuhë të dallueshme dhe populiste, që është veçanërisht armiqësore ndaj pakicave etnike ose gazetareve gra.

Fyerjet ndaj deputetes së Parlamentit Evropian Tanja Fajon, e cila mbështeti pavarësinë e Kosovës, janë dukuri të përditshme në Slloveni. Foto: Katja Lihtenvalner.

Jansha ka dalë më parë në sallë të gjyqit për shkak të fyerjeve të tij në Twitter, por gjykatësit shpeshherë kanë vendosur në favor të tij.

Kur ishte në opozitë, në vitin 2016, ai akuzoi dy gazetare gra nga RTV Slovenija se ishin “prostituta të dështuara”.
Njëra prej tyre, Mojca Setinc Pasek, e paditi Janshën për shpifje dhe fillimisht iu dhanë 6,000 euro dëmshpërblim. Por në fillim të majit, gjyqtarët kryesisht meshkuj të Gjykatës Supreme e rrëzuan vendimin.

“Një ndjekës mesatar i profilit të Janshës në Twitter mund ta kuptojë cicërimin si referencë për punën e Setinc Pasekut në transmetuesin publik RTV Slovenija para se për jetën e saj private”, sugjeroi Gjykata Supreme.

Ata e urdhëruan Setinc Pasekun që ta kompensojë Janshën për shpenzimet e procesit gjyqësor brenda 15 ditësh.

Setinc Pasek e përshkroi vendimin si “haptazi skandaloz”, duke shtuar se kjo nënkupton që Jansha — si drejtuesi i partisë më të madhe parlamentare dhe personi më i fuqishëm në vend — mund ta fyejë çdo gazetar ose redaktore që boton diçka me të cilën ai nuk pajtohet.

“Gjykatat duhet të mbrojnë gazetarët nga efekti frikësues që deklaratat e tilla kanë për gazetarët”, tha Shoqata e Gazetarëve kur e dënuan vendimin.

Deri më tani, solidariteti ka ardhur nga grupe të ndryshme shoqërore, mjedisore dhe politike.

Ndërkohë, analisti i mediave Vezjak thotë se gjuha e urrejtjes në Slloveni rrallë ndiqet penalisht. “Numri i dënimeve është i papërfillshëm, dhe prokurorët shpesh nuk shohin ndonjë bazë për ndjekje penale në nenin ekzistues të Kodit Penal”, thotë ai.
Më 11 maj, ai e shpalli “një luftë me mediat” duke përdorur uebfaqen zyrtare të qeverisë si bllog personal.

Partnerët e koalicionit u distancuan nga teksti dhe shprehën mbështetjen e tyre për “profesionalizmin dhe pavarësinë e mediave”.

Milinkoviq thotë se abuzimet që i pranojnë gazetarët zakonisht nuk janë personale, por burojnë nga një padurim “për ta vrarë bartësin e lajmeve”. “Gjëja e rëndësishme në këtë kohë është mbështetja dhe solidariteti me të gjithë ata që sulmohen për shkak të punës dhe ideve të tyre”, thotë ajo.

Deri më tani, solidariteti ka ardhur nga grupe të ndryshme shoqërore, mjedisore dhe politike.

Më 14 maj, Departamenti i Gazetarisë në Fakultetin e Shkencave Shoqërore të Universitetit të Lubjanës shprehu shqetësimin për “format e ndryshme të nënshtrimit të gazetarisë dhe poshtërimit të gazetarëve, të cilat janë bërë pjesë e jetës që nga koha kur qeveria e re erdhi në pushtet”.

Por Vezjak paralajmëron se qëkur “trenirkarji” dhe “opankarji” hynë në fjalorin lokal onllajn të gjuhës së urrejtjes, Sllovenia është bërë kampione e fyerjeve dhe shpifjeve.

“Në Evropë, vështirë se mund ta gjesh një vend që prodhon kaq shumë gjuhë të urrejtjes me kaq intensitet sa Sllovenia”, thotë ai.

Imazhi i ballinës: Gashper Andrinek.