Zgjedhjet e përgjithshme të tetorit 2019 shkaktuan një stuhi të madhe në skenën politike të Kosovës, kryesisht për shkak se Lëvizja Vetëvendosje korri fitore pas shumë viteve të aktivizmit politik të papërkulur si opozitë e pakompromis, duke triumfuar me rezultat të afërt para LDK-së e cila doli në vendin e dytë.
Të gjithë, përfshirë këtu kundërshtarët politikë të partisë, u pajtuan që lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, do të ishte kryeministri i ri.
Situata premtonte tranzicion të patrazuar të pushtetit. PDK-ja e pranoi humbjen disa minuta pas publikimit të exit poll-it të parë, LDK-ja u duk e gatshme për të hyrë menjëherë në koalicion me Vetëvendosjen pas disa muajve të spekulimeve dhe disa javëve të zhvillimit të fushatës me atë premtim, ndërsa Presidenti Hashim Thaçi — i cili ende është objekti kryesor i opozitës politike të Kurtit — dha sinjale pozitive për procedurat e ardhshme legjislative dhe bëri thirrje për formimin e shpejtë të qeverisë së re.
Por, nëse Kurti mendonte se do të ishte e lehtë, e kishte shumë gabim. Perdet sapo kishin filluar të hapen për një dramë krejtësisht të re.
Kur u publikuan rezultatet fillestare pas numërimit të shpejtë të votave disa orë pas mbylljes së vendvotimeve, procesi u ngadalësua fillimisht nga apelet, rinumërimet dhe veprimet e ndryshme nëpër gjykata, e rezultatet u çertifikuan tek më 27 nëntor.
Kurti ka mbetur duke luajtur shah në dy tabela njëkohësisht, e figura më problematike po del të jetë ajo e presidentit.
Po të kishte thënë dikush, madje edhe disa muaj më parë, që do të vinte një kohë kur Thaçi do ta jepte bekimin që Kurti ta udhëheqte qeverinë dhe ky i fundit do të refuzonte, shumica e njerëzve nuk do t’i kishin besuar. Përgjatë viteve, ata të dy janë dëshmuar si kundërshtarë të ashpër të njëri-tjetrit, duke u mospajtuar për pothuajse secilën temë dhe duke prirë ide e veprime politike shumë të ndryshme.
Presidenti Thaçi e ftoi formalisht Kurtin për t’u takuar disa herë gjatë ditëve të fundit të dhjetorit, por lideri i Vetëvendosjes nguli këmbë të takohej në orarin e vet; ata u takuan më në fund më 6 janar, e pas këtij takimi Thaçi vazhdoi t’i bënte presion Kurtit për ta pranuar zyrtarisht mandatin për formimin e qeverisë.
Ndërkohë përpjekjet e Vetëvendosjes për të arritur marrëveshje për koalicion me LDK-në kanë ngecur. Ironikisht, derisa Kurti po shmangte presidentin në njërën anë, pengesa kryesore për formimin e qeverisë doli të jetë posti i presidentit, pra pyetja se kush do të jetë pasardhësi i Thaçit kur të kryhet mandati i tij si president në 2021.
Kurti ka mbetur duke luajtur shah në dy tabela njëkohësisht, e figura më problematike po del të jetë ajo e presidentit.
Histori e hileve
Kur e kthejmë kasetën në periudhën prej pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, e shohim që posti i presidentit shpeshherë ka shkaktuar probleme për demokracinë e porsalindur dhe traditën parlamentare relativisht të re të Kosovës.
Emërimet e secilit prej katër presidentëve të zgjedhur prej vitit 2008 janë karakterizuar nga polemikat. Dy presidentë janë detyruar të japin dorëheqje pas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, njëri u zgjedh si rrjedhojë e një marrëveshjeje politike që përfshinte ambasadorin e SHBA-së dhe një zarf, dhe presidenti aktual u zgjedh në rundin e tretë dhe të fundit të votimit në Kuvend, që po zhvillohej njëkohësisht me protesta të ashpra në rrugën para Kuvendit.
Ekspertët e çështjeve kushtetuese dhe ligjore kanë përsëritur shpeshherë gjatë viteve që një zgjidhje është shumë e nevojshme për këto kriza të rregullta, dhe ajo veçse ekziston — reformat zgjedhore që do ta ndryshonin sistemin ashtu që presidenti të zgjedhet drejtpërdrejt nga populli, jo nga deputetët.
Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), shpjegon se në vitin 2011, partitë politike që ishin pjesë e qeverisë së Kosovës — PDK dhe AKR — bashkë me LDK-në si partia kryesore e opozitës në atë kohë, u pajtuan ta projektonin një ligj dhe të zbatonin reforma të mëdha zgjedhore të cilat do ta ndryshonin mënyrën e zgjedhjes së presidentit.
Marrëveshja u arrit gjatë negociatave për ta tejkaluar krizën politike që e përcjelli vendimin e Gjykatës Kushtetuese se kishte pasur parregullsi në procedurën që çoi deri te emërimi i Behgjet Pacollit si president i vendit, duke e detyruar kështu atë të jepte dorëheqje nga kjo pozitë vetëm disa javë pasi ishte emëruar.
Një nga pikat e marrëveshjes ndërmjet liderit të PDK-së, Thaçit, liderit të AKR-së, Pacollit, dhe liderit të LDK-së, Isa Mustafës — e cila u ndërmjetësua nga ambasadori i SHBA-së në atë kohë, Christopher Dell — ishte që partitë u pajtuan të ndërmerrnin reforma zgjedhore për t’iu shmangur bllokadave të tilla politike në të ardhmen duke mos e lënë në duart e partive procedurën e zgjedhjes së presidentit.
Me kalimin e kohës, të gjithë akterët politikë e lanë mënjanë idenë e reformave zgjedhore.
Kjo marrëveshje e solli Atifete Jahjagën në presidencë, për atë që fillimisht u ra dakord të jetë një periudhë e kufizuar. Por pasi që marrëveshja nuk u zbatua dhe reformat e premtuara zgjedhore nuk u realizuan, ajo mbeti në pozitë për një mandat të plotë pesë-vjeçar, deri në vitin 2016.
Me kalimin e kohës, të gjithë akterët politikë e lanë mënjanë idenë e reformave zgjedhore, procesi i projektimit të ligjit të ri u ndërpre në fazat fillestare, dhe bisedën kryesore për reforma ia lanë OJQ-ve që merren me çështje të qeverisjes së mirë.
Në një raport të publikuar nga KDI në vitin 2018, partitë politike patën dallime të mëdha në përgjigjet e tyre për pyetjet e ndryshme për reformat potenciale zgjedhore, përfshirë këtu mënyrën e zgjedhjes së presidentit.
AAK dhe AKR thanë se presidenti duhet të zgjedhet drejtpërdrejt nga votuesit, ndërsa Vetëvendosja dhe Nisma thanë se duhet të vazhdohet sistemi aktual i zgjedhjes së presidentit nga ana e partive që e formojnë qeverinë, të cilat votojnë për kandidatin e tyre të preferuar në Kuvend.
LDK nuk iu përgjigj pyetjeve në raport, prandaj qëndrimi i tyre në lidhje me këtë çështje është i paqartë, siç është edhe qëndrimi i PDK-së, pasi që ata specifikisht nuk iu përgjigjën kësaj pyetjeje në raport.
K2.0 e kontaktoi secilën prej partive kryesore politike të Kosovës për t’i pyetur për politikat zyrtare të tyre për reformimin e mënyrës së zgjedhjes së presidentit të shtetit, çështje kjo që nuk është përmendur në asnjë prej platformave qeverisëse të publikuara nga to në zgjedhjet e fundit. Megjithatë, asnjëra parti nuk kishte dhënë përgjigje para publikimit të këtij artikulli.
Kryeziu thotë se qëndrimet e partive politike për këtë çështje mund të dallojnë varësisht prej rrethanave politike të momentit.
Prandaj zbatimi i çfarëdo reforme në këtë drejtim është i ndërlikuar, pasi që disa parti besojnë se do të kishin më pak mundësi për t’i zgjedhur kandidatët e tyre në pozitën e presidentit po të varej kjo pozitë nga vota e publikut, ndërsa tjerët i përkrahin reformat pasi që besojnë se në këtë mënyrë mund të kenë mundësi më të mira në të ardhmen.
E njëjta vlen për presidentin aktual, Thaçin, i cili ka pretenduar në disa raste se nuk e ka ndërmend t’i kthehet jetës në parti politke, siç kishte qenë para se të bëhej kreu i shtetit, por se do të garonte përsëri për presidencë nëse realizohen reformat ashtu që kjo pozitë të zgjedhet drejtpërdrejt nga publiku.
‘Uniteti i popullit’ ka dalë të jetë përçarës
Pozita e presidentit shpeshherë është dëshmuar si letër e rëndësishme e pazarllëkut në tryezën e negociatave atëherë kur partitë bëjnë përpjekje për formimin e koalicioneve qeverisëse, prandaj gjithmonë ka dalë të jetë një emërim shumë i politizuar. Herë pas herë kjo ka shkaktuar tension me Kushtetutën, e cila thotë se presidenti duhet ta përfaqësojë “unitetin e popullit”.
Pacolli e mbështeti Thaçin në formimin e koalicionit qeverisës në vitin 2011 me kusht që ta merrte për vete presidencën, ndërsa Thaçi tani shërben në pozitën më të lartë shtetërore pas marrëveshjes me Mustafën e LDK-së, e cila shkaktoi frustrim të madh, madje edhe në mesin e mbështetësve të LDK-së.
Ngërçi i fundit në negociatat për formimin e koalicionit të ri ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së me sa duket e ka theksuar argumentin e atyre që besojnë se ka nevojë për reformë.
Tregti me plot rreziqe
Negociatat për koalicion ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së nuk varen vetëm nga pozita e presidentit. Ato janë ndërlikuar më tej në javët e fundit pasi dy partitë nuk arritën të pajtoheshin për një kandidat të përbashkët për kryetar të Kuvendit gjatë seancës për konstituimin e legjislaturës së re më 26 dhjetor.
Një ditë më parë, Isa Mustafa e kishte prezantuar marrëveshjen e propozuar nga LDK-ja për Vetëvendosjen në një konferencë për shtyp, ku tha se po të refuzohej ky propozim nga partneri potencial i tyre, LDK-ja ishte e gatshme të hiqte dorë nga koalicioni potencial dhe të votonte për një qeveri minoritare të Vetëvendosjes. Por duke e llogaritur si blof gatishmërinë e Mustafës për të votuar për kabinetin e Vetëvendosjes, Albin Kurti vendosi të mos bindet.
Gjatë seancës, lideri i Vetëvendosjes eci deri te podiumi i Kuvendit, ndërsa të gjithë supozuan se do të kërkonte shtyerjen e seancës për të siguruar më shumë kohë. Në vend të kësaj, ai e nominoi kolegun e tij Glauk Konjufcën për kryetar të Kuvendit. Në fund, Konjufca u zgjedh kryetar i Kuvendit, dhe deputetët e LDK-së votuan në favor të tij.
Me të përfunduar seanca konstituive e Kuvendit, filloi automatikisht periudha 60-ditëshe për ta formuar një qeveri. Nëse qeveria nuk formohet brenda kësaj periudhe, thirren zgjedhje të reja, gjë që e shton presionin për negociatat e koalicionit. Deputetët e LDK-së u panë duke ngurruar ta duartrokitnin kryetarin e ri të Kuvendit. Gjithashtu, LDK-ja e ka denoncuar publikisht zgjedhjen e Konjufcës si vendim “unilateral” të Vetëvendosjes, derisa të dy partitë janë duke kërkuar një marrëveshje të përbashkët.
Ndonëse janë tri pozita primare shtetërore — presidenti, kryetari i Kuvendit dhe kryeministri — janë vetëm dy parti që po negociojnë për këto pozita, dhe asnjëra nuk duket të jetë e gatshme t’ia lejojë tjetrës përparësinë politike që e sjellë zotërimi i njëkohshëm i dy prej këtyre pozitave.
LDK-ja fillimisht pretendoi se në mënyrë që të ketë ekuilibër të pushtetit, kjo parti duhej ta merrte pozitën e presidentit dhe atë të kryetarit të Kuvendit. Por Vetëvendosja ka ngurruar ta pranojë një marrëveshje të tillë dhe ka bërë presion për ta arritur një marrëveshje si pjesë e së cilës në pozitën e presidentit më 2021 do të zgjedhej një kandidat i pavarur apo jopolitik.
Sidoqoftë, pasi Glauk Konjufca i Vetëvendosjes u zgjedh kryetar i Kuvendit më 26 dhjetor, LDK-ja e ndryshoi qëndrimin e saj.
Ndonëse deputetët e tyre votuan për Konjufcën në seancën e asaj dite, tani ata po kërkojnë që ai të japë dorëheqje në mënyrë që të zgjedhet një kandidat i LDK-së në vend të tij. Në vitin e ardhshëm, si këmbim për zgjedhjen e kandidatit të LDK-së në pozitën e presidentit, roli i kryetarit të Kuvendit do t’i kthehej Vetëvendosjes.
Mbështetja për reforma
Përgjatë viteve, me sa duket është zhvilluar një konsensus i përgjithshëm në Kosovë që është e nevojshme të reformohet mënyra e zgjedhjes së presidentit. Raporti i KDI-së që u publikua në vitin 2018 tregoi se një shumicë dërrmuese e njerëzve të anketuar, 88%, besojnë se presidenti duhet të zgjedhet drejtpërdrejt nga populli.
Një sondazh i thjeshtë i realizuar nga K2.0 në Instagram ngjashëm tregoi se 87% të të anketuarve e mbështesin idenë që presidenti të zgjedhet drejtpërdrejt nga votuesit.
Ekspertët thonë se zgjedhja e drejtpërdrejtë e presidentit — si dhe një reformë më e gjerë zgjedhore — është e nevojshme për shkak se sistemi aktual nuk garanton institucione dhe qeveri stabile. Kur zgjedhja e presidentit është e ndërlidhur si pjesë e marrëveshjes së koalicionit, mund të shkaktojë më shumë jostabilitet, siç ndodhi në vitin 2010 kur Fatmir Sejdiu dha dorëheqje dhe kështu nxiti zgjedhje të reja parlamentare; asnjë qeveri kosovare nuk e ka kryer një mandat katër-vjeçar prej pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Zgjedhja e presidentit në mënyrë të drejtëpërdrejtë mund ta ketë edhe përparësinë e ekuilibrit të pushtetit ndërmjet partive, siç do të ndodhë tani në Kroaci pas zgjedhjeve presidenciale që u mbajtën së fundmi.
Fitorja e ish-kryeministrit social demokrat Zoran Milanović ndaj Kolinda Grabar-Kitarović e ka tronditur qeverinë para zgjedhjeve të përgjithshme që planifikohet të mbahen më vonë gjatë vitit. Para se të bëhej presidente, Grabar-Kitarović ishte pjesë e partisë Unioni Demokratik Kroat, lideri aktual i së cilës, Andrej Plenkovic, është kryeministër i Kroacisë.
Situatat e tilla i kanë edhe disa mangësi potenciale. Në vend se ta kontrollojnë pushtetin e shfrenuar të qeverisë, presidentët e zgjedhur mund të shkaktojnë jostabilitet në qeveri nëse zgjedhin ta përdorin pushtetin e tyre në mënyra që krijojnë bllokada institucionale.
Ndonëse presidenca konsiderohet se ka një rol kryesisht ceremonial, presidenti i Kosovës ka fuqi të rëndësishme që garantohen nga Kushtetuta. Këtu përfshihet udhëheqja e politikës së jashtme, të qenët komandant suprem i forcave ushtarake të vendit, roli i rëndësishëm në emërimin e disa pozitave të larta në sektorin e drejtësisë dhe të sigurisë, si dhe në struktura diplomatike, dhe e drejta për të propozuar ndryshime kushtetuese.
Por, të paktën tani për tani, zgjedhja e presidentit të Kosovës nuk është në duart e qytetarëve, është pjesë e marrëveshjeve politike që arrihen prapa dyerve të mbyllura.
Pasi që Kurtit i duhet që në ditët e ardhshme të sigurojë mazhorancë në Kuvend për kabinetin e propozuar, dhe me negociatat për koalicion të ri qeverisës që kanë hyrë në një fazë jetike, ai duhet t’i marrë disa vendime të mëdha.
Një prej tyre është vendimi se a është i gatshëm të bëjë kompromis për presidencën.K
Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.