Këto protesta, që shfaqnin turma njerëzish duke bllokuar rrugët më të frekuentuara të Beogradit — duke përfshirë autostradën dhe urën “Gazela”, e cila është ura me trafikun më të dendur në qytet mbi lumin Sava — janë mbuluar vetëm herë pas here nga transmetuesi publik Radio Televizioni i Serbisë (RTS) dhe stacione të tjera televizive me mbulim mbarëkombëtar. Shumë mediet të tabloideve, online dhe të shtypura, kanë raportuar për këto zhvillime nga pikëpamja e zyrtarëve qeveritarë, duke i dhënë përparësi qëndrimit të qeverisë rreth protestave.
Menjëherë pas protestës së 12 majit, presidenti Aleksandar Vučić u shfaq në rrjetet sociale dhe postoi një fotografi bashkë me kryeministren Ana Brnabić dhe ministrin e Financave, Siniša Mali. Bashkë me një mbishkrim përqeshës, që pretendonte se pamjet e protestës ishin të punuara me photoshop, për t’u dukur më të mëdha se sa ishin në të vërtetë, Vučić njoftoi se më 26 maj, partitë në pushtet do ta organizonin në Beograd një tubim “të pafalsifikuar dhe pa photoshop“.
Kjo shkaktoi reagim të ashpër dhe kritikët theksuan se presidenti po organizonte protestë kundër njerëzve që protestojnë kundër dhunës. Një reagim negativ edhe më i fortë erdhi pas një postimi në rrjetet sociale nga kryeministrja Brnabić, ku ajo shfaqej duke u tallur me mijëra njerëz që bllokuan urën “Gazela” më herët atë ditë.
Në përgjigje të këtij reagimi qeveritar, protesta e radhës “Serbia kundër dhunës” u shndërrua në protestë edhe më të madhe. Të premten, më 19 maj, në protestë, më e madhja në këtë seri protestash, njerëzit marshuan për orë të tëra.
Sipas disa vlerësimeve jozyrtare, mes 50,000 dhe 60,000 njerëz dolën më 19 maj. Madhësia e protestës tërhoqi vëmendjen e medieve ndërkombëtare. Deutsche Welle i është referuar kësaj serie protestash si kundërshtia qytetare më e madhe që Serbia ka parë që nga 5 tetori 2000.
Ndërkohë, AP News vuri në pah kundër-protestën e Partisë Progresive Serbe (SNS) që u organizua në Pančevo, më 19 maj. “Përpara një rezistence të hapur, partia nacionaliste e krahut të djathtë të presidentit autokrat serb Aleksandar Vučić organizoi një kundërprotestë në një qytet në veri të Beogradit, ku morën pjesë mijëra mbështetës të tij”, raportoi AP News.
Një Serbi e shpresës
Në vend që të angazhoheshin me protestuesit ose t’i merrnin parasysh kërkesat e tyre për dorëheqje, SNS dhe Vučić vendosën të vazhdojnë duke organizuar atë që ata e quanin tubimi më i madh që Serbia do të shihte ndonjëherë.
Ky tubim, “Një Serbi e shpresës”, ishte planifikuar të mbahej të premten, më 26 maj — në të njëjtën ditë që ishte planifikuar një tjetër protestë “Serbia kundër dhunës”.
Në ditët vijuese, mediet u mbushën me raportime se punonjësit e institucioneve publike anembanë Serbisë po përballeshin me presion nga eprorët e tyre, për të marrë pjesë në tubimin pro-qeveritar. Për shembull, më shumë se 20 anëtarë të personelit të departamentit komunal të IT në komunën e Niš, u tha se u ricaktuan në pozita të ndryshme pune, pasi refuzuan të merrnin pjesë në tubimin e SNS më 26 maj në Beograd. Sipas N1, kjo praktikisht mbylli departamentin. Pati gjithashtu raportime për transport masiv me autobus dhe tren, që po organizohej për njerëzit jashtë Beogradit për t’i dërguar në tubimin e qeverisë.
Vetëm disa ditë më parë, kryetarja e Niš, Dragana Sotirovski tha se nëse zyrat e qeverisjes komunale së qytetit do të zbrazeshin më 26 maj, kjo s’do të ishte “tregues” se personeli iu bashkëngjit udhëtimit të organizuar për në tubim, pasi ka edhe ditë tjera kur zyrat e komunale të qytetit janë bosh.
Një numër në rritje i figurave publike shprehën mbështetje ose për njërën protestë ose tjetrën, ndërkohë që shumë organizata të shoqërisë civile kërkuan që presidenti ta anulojë tubimin e tij.
Në një deklaratë të një grupi të këtyre organizatave thuhet: “Se njerëzit dalin rrugëve të Beogradit të zemëruar, është shumë e kuptueshme. Ata po bëjnë thirrje që qeveria t’u sigurojë atyre dhe fëmijëve të tyre minimumin e sigurisë dhe ta ndalojë dhunën”.
“Qeveria duhet të përgjigjet”, vijon deklarata. “Një tubim masiv i qytetarëve kundër dhunës, nuk duhet të pritet me një tubim edhe më masiv të disa qytetarëve të tjerë. Çfarë mesazhi po përpiqen të përçojnë këta të fundit — se nuk janë kundër dhunës?”
Dy ditë, dy Serbi
Në mëngjesin e hershëm të së premtes, më 26 maj, autobusët nga i gjithë vendi filluan të arrijnë në Beograd për tubimin “Serbia e shpresës”, nga e gjithë Serbia, nga Bosnja, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova.
“Kosovo Online” raportoi se rreth 10,000 serbë të Kosovës u bashkuan në tubim — qoftë individualisht ose me një nga 200 autobusët e marrë me qira për këtë rast.
Në të njëjtën kohë, tensionet u përshkallëzuan në veri të Kosovës, me përleshjet mes policisë së Kosovës dhe serbëve — dhe disa ditë më vonë ndodhën përleshje mes ushtarëve të NATO nga KFOR me serbët — pas bojkotimit të zgjedhjeve lokale që ngritën pikëpyetje se kush duhet t’i kontrollojë ndërtesat e komunale.