Kriza në shoqërinë e Serbisë është duke sjellë një rritje të vëllimit të dhunës kundër punëtorëve kulturorë dhe artistëve. Dhe kjo nuk shfaqet vetëm në disa incidente të izoluara.
Kjo konfirmohet nga ngjarjet e fundit në Beograd, nga shkatërrimi i veprave të artit në ekspozitën “MOMCI: Ata kishin këtë shkëlqim rreth tyre!” në galerinë Stara Kapetanija, deri te ndërhyrja e udhëheqësit të Srpska Desnica Miša Vacić në ekspozitën e Qendrës për Dekontaminim Kulturor, “Porta — edhe kur dhemb është shërim”, të ndjekura nga sulme në shfaqjen “Srebrenica. Kur ne, të vrarët, ngritemi” të regjisorit Zlatko Pavković, apo protestat e zakonshme të grupeve djathtiste Zavetinci dhe Srpska Desnica kundër festivalit “Mirëdita, Dobar dan”.
Është një sentiment që jeta publike në Serbi ka themeluar një lloj të kulturës së censurës të mbështetur nga institucionet shtetërore dhe fraksionet parazite të cilat nuk largohen nga dhuna në mënyrë që të ndalojnë zërat kritikë nga paraqitja në publik. Në të njëjtën kohë, shteti zyrtarisht nuk e pranon rolin e vet në dhunë, edhe pse shihet nga veprime të shumta që në fakt po stimulon vazhdueshëm kulturën e censurës.
Një model dhune
Në Serbinë e sotme, pamja e një sistemi shumëpartiak ka evaporuar dhe parime të shumta demokratike janë suspenduar pa opozitë funksionale kundër regjimit të Partisë Progresive të Serbisë. Tolerohet ngritja e grupeve ekstremiste djathtiste siç janë Srpska Desnica dhe famëkeqja Levijatan; ata nuk hezitojnë të udhëheqin fushata kundër migrantëve dhe minoriteteve, sektorit civil dhe punëtorëve në sektoret e medias dhe kulturës.
Kemi fituar përshtypjen që këto fraksione janë bërë edhe më të fuqishme që kur pandemia ka përkeqësuar krizën botërore të kapitalizmit. Rritja e tyre është gjithashtu e dukshme ne shtetet e skajshme të Evropës.
Ndërkohë që kriza vetëm sa ka rritur autoritarizmin në shoqëri, si pjesë e kulturës së censurës, punëtorët e artit dhe kulturës tashmë janë duke i njohur modelet e dhunës së kryer kundër lirisë së shprehjes artistike, punëtorëve kulturorë, artistëve dhe punës së tyre.
Si pjesë e kushteve të pasigurta, jostabile dhe të vështira të punës gjatë pandemisë, mund të themi që Serbia është rrugës për të normalizuar rrezikimin e të drejtave themelore të fjalës dhe veprimit të lirë kur vjen puna te disa tema të caktuara.
Censura u aplikohet fushave që ndërlidhen me krimet e viteve të 90-ta dhe me pavarësinë e Kosovës. Për shkak të kësaj, artistët e Kosovës pothuajse plotësisht ndalohen të prezantojnë punën e tyre dhe të performojnë në Serbi nëse tentojnë ta përmendin shtetin e tyre të origjinës zyrtarisht.
Rishtazi, organizatotori i Salloneve të Tetorit la jashtë emrin e vendit të origjinës të artistit kontemporan Petrit Halilaj. Halilajt më pas iu ofrua ta prezantojë punën e tij afër fjalës “Kosova” me fusnotë dhe kjo vetëm pas zemërimit të arsyetuar të artistit. Kur procesi i negociatave përfundoi, Halilaj më nuk ndihej i mirëseardhur dhe hoqi dorë nga prezantimi i tij në këtë ekspozitë të rëndësishme ndërkombëtare.
Vetë Halilaj ka qenë refugjat nga Kosova në të 90-tat. Ai reflekton mbi përvojën e tij si refugjat në punën e tij artistike.
Prandaj, institucionet shtetërore nuk e mbështesin punën e artistëve që nuk përputhet me strategjinë dominante shtetërore për kulturë, e njohur për ndërthurjen e brendimit etnik dhe nacionalist me industrinë kreative.
Shteti gjithashtu ka mbështetur orvatje si statujën megalomane të sundimtarit mesjetar Stefan Nemanja dhe punë të tjera të cilat promovojnë projekte të brendimit nacional dhe të qytetit.
Hegjemonia e një kulture të censurës
Tematizimi i krimeve nga lufta e Bosnjës dhe Hercegovinës në vitet e 90-ta në mediat e Serbisë dhe fushat kulturore shërben si shkas i nxitjes së djathtistëve. Duke vepruar dhunshëm, ata janë duke tentuar të heshtin zërat e paktë të cilët janë duke u munduar ta mbajnë këtë temë relevante në vetëdijen e publikut serb.
Nëse disa artistë guxojnë të trajtojnë si temë krimet e luftës në një mënyrë kundërshtuese ndaj opinionit dominues, ata rrezikojnë të bëhen caqe të sulmeve publike që kryesisht kryhen në rrjetet sociale, në përputhshmëri me disa gazeta specifike — si pjesë e një aparati shtetëror të mediave.
Gjatë vitit të kaluar janë krijuar uebfaqe si prismotra.net, të cilat ruajnë hegjemoninë e kulturës së censurës dhe emërojnë tradhtarët në mesin e punëtorëve të kulturës, sektorit të shoqërisë civile si dhe artistëve. Prismotra mbështet idenë e cila mohon krimet e luftës së vitetve të 90-ta në Bosnjë e Hercegovinë si dhe në Kosovë, praktikisht duke targetuar artistët të cilët fokusohen në këto tema. Ata gjithashtu inspektojnë nga afër aktivistët e shoqërisë civile duke i etiketuar ata si “serbofobë”, “agjentë perëndimorë”, “lobues të gjenocidit të rrejshëm”, “separatistë”, e kështu me radhë.
Gazetat online, apo të ashtuquajturat uebfaqe patriotike sic është Srbin.info dhe e lartëpërmendura Prismotra, kanë bazat e tyre të aktivistëve të informatave në grupe të rrjeteve sociale ku janë një klikim larg komentimit apo gjykimit të kundërshtarëve të tyre.
Përvec kësaj, gjatë pandemisë rritja e komunikimit online ka ndikuar në përhapjen e podcast-eve dhe rrjeteve sociale djathtiste. Teoritë konspirative, një mënyrë Trump-iste e komunikimit dhe gjuha e urrejtjes janë inkurajuar në mënyrë veçanërisht perverse në rrjete sociale. Në arenën globale të sjelljeve kundërshtuese në hapësirën digjitale ku çdo normë e debatit shpërfillet, zgjidhjet e menjëhershme të problemeve të akumuluara janë duke u shumëfishuar, duke ndjekur kështu shembullin e djathtistëve ekstremë rreth botës.
Sa më shumë që rriten frustrimi kombëtar dhe problemet në Serbi, aq më e lehtë është t’i banalizosh përmes mediave dhe rrjeteve sociale pa provuar të gjesh zgjidhje racionale.
Një sulm publik në rrjete sociae nganjëherë përfundon në rezolutë katartike, ku fajtori sulmohet në hapësirën fizike.
Dënimi i një karikature të quajtur “Kenjkavac”, një vizatim i një foshnjeje me një sopatë të ngecur në kokë ka filluar rishtas në rrjetet sociale. Hyrja me forcë në galerinë Stara Kapetanija në qytetin e Zemunit ka ndodhur përmes një veprimi të shkatërrimit ku pesëmbëdhjetë persona me maska kanë hyrë dhe kanë rrënuar gjithçka nga muret e galerisë. Hyrja e dhunshme është kryer në mënyrë të organizuar duke përdorur gaz lotsjellës.
Problemi i lirisë së shprehjes
Vizatimi i lartëpërmendur i foshnjes është theksuar të jetë shkaku i shkatërrimit të veprave të artit, kryesisht ilustrime dhe vizatime komike origjinale. Autorët e vizatimeve, grupi artistik “Momci” i cili ishte aktiv edhe gjatë viteve të 90-ta, tentoi të përdorë humor të zi, ilustrime dhe vizatime komike për të ofruar një alternativë dhe vështrim kritik mbi ngjarjet e zymta me të cilat shoqëria serbe përballej në atë kohë.
Hyrja me dhunë e mujsharëve është paraprirë nga akuzat e satanizmit në rrjete sociale dhe shumë shpifje të tjera të pabaza. Është e çuditshme se si një karikaturë nga të 1990-tat mund të jetë ende kaq shqetësuese dhe se si dhuna e organizuar ka shpërthyer në një nga galeritë më periferike në Zemun.
Dhuna në galerinë Stara Kapetanija duhet të vendoset në kontekst të presionit të përhershëm që ushtrohet për të kthyer hapësirat kulturore në komerciale, gjë e cila veç ka ndodhur me Kolektivën Grafike në Beograd. Galeria Stara Kapetanija gjendet në një vend atraktiv për turistët dhe me hotelieri në molin e Zemunit.
Pas ndërmarrjes së akteve të dhunshme, Ministria e Kulturës dhe Informacionit e Serbisë ka publikuar deklarata befasuese të shkruara në një stil dukshëm të ndikuar nga diskursi i rrjeteve sociale.
Në deklaratën e parë, ata kanë barazuar kryesit e aktit me autorët e vizatimeve, gjë e cila shkaktoi reagime zemërimi të arsyetuara nga skena e bashkuar e kulturës. Është vecanërisht e rëndësishme që skena e pavarur e kulturës në Serbi dhe shoqatat profesionale shoqëruese, siç është Shoqata e Arteve të Bukura të Serbisë, janë bashkuar duke nxitur kështu edhe më shumë reagime nga publiku i përgjithshëm.
Protesta e cila u mbajt me këtë rast para pavijonit të artit Cvijeta Zuzorić, ngriti pyetje mbi mungesën e lirisë së shprehjes artistike në Serbi. Protesta gjithashtu ka shërbyer si përforcuese e aleancës së akterëve në rezistencë dhe luftë për një status dhe pozitë më të mirë për punëtorët kulturorë në Serbi.
Edhe pse problemet e veçanta të sektorit kulturor janë diskutuar, protesta gjithsesi ka theksuar që çështjet duhet të jenë të hapura për zgjidhje nga të gjithë partnerët, pasi liria e shprehjes është çështje e gjithë shoqërisë, jo vetëm e artistëve dhe shoqatave të tyre profesionale.
Imazhi i ballinës: Vladan Jeremić.