Blogbox | inteligjenca artificiale

A po e rrezikon inteligjenca artificiale artin?

Nga - 05.05.2023

Arti në rrezik.

Ditët e fundit po ndihem sikur jam pjesë e një revolucioni pa ndonjë lloj zgjedhje apo dëshire. Jo një revolucion politik si ai i tetorit të vitit 1917 në Rusi apo revolucioni francez, amerikan etj., por një revolucion teknologjik.

Ky revolucion ka të bëjë me përmirësimin e vazhdueshëm të Inteligjencës Artificiale (AI) dhe qasjen e zgjeruar të përdoruesve, sidomos atyre nga fushat krijuese, në të. Kam qenë i vetëdijshëm për këto programe dhe aplikacione të reja qe një kohë relativisht të gjatë, madje kam përdorur disa prej tyre (si ChatGPT) kryesisht për qëllime rekreative. Por, kur përdora ato lloje të AI, të cilat krijojnë imazhe, si Midjourney dhe co., termi  “revolucion” filloi të zinte një vend më të madh në mendjen time.

M’u desh një ditë e plotë për t’u zhytur plotësisht në këtë lloj “mediumi krijues”, duke mësuar se si duhet t’i formuloj tekstet në softuerin e AI për të ushtruar kontroll më të madh mbi imazhet “e mia”. Përveç kuriozitetit dhe mahnitjes, si filmbërës, përjetova një frikë të përgjithshme, krizë ekzistenciale dhe një lloj dëshpërimi, që nuk mund ta përshkruaj me fjalë.. Jo sepse imazhet e krijuara janë të këqija, por pikërisht se ishte e kundërta. Në shumicën e rasteve ato janë shumë të bukura. 

Fotografia: MidJourney.

E gjithë kjo përvojë më bëri të mendoj për për të kaluarën, për artin dhe krijimin përgjatë historisë, për çdo piktor të rëndomtë të Renesancës. Trajnimi i këtyre piktorëve përbëhej nga vite e vite praktikë, përpara se të ishin plotësisht të aftë në kontrollimin e mediumit të tyre. Tani, në vend të viteve, kemi minuta dhe orë, për t’u mësuar t’i përmirësojmë shkresat me dy-tri fjali, të cilat janë bërë paralele moderne me brushat e bojën e Leonardos dhe mermerin e Mikelanxhelos.

Sigurisht, nevoja për aftësi dhe mjeshtëri është reduktuar jashtëzakonisht, sa herë që teknologjia është përmirësuar. Madje, edhe mediumet artistike si fotografia dhe kinemaja, në fillet e tyre u kritikuan shumë për mungesën e supozuar të mjeshtërisë, që nevojitej për të krijuar një fotografi në krahasim me një pikturë. Por, fotografia, në thelb, prapë përmban elementet e kompozicionit, ndriçimit dhe aspekteve tjera teknike, që i japin një sasi të theksuar kontrolli fotografit (prandaj edhe dallojnë peisazhet e Ansel Adams në parkun nacional “Yosemite” në Kaliforni, me fotot e një turisti në të njëjtin vend). 

Për më tepër, fotografia nuk kontribuoi në zhbërjen e pikturës, por, siç thotë kritiku i filmit André Bazin, e çliroi atë nga nevoja për realizëm. Në të njëjtën mënyrë, është shumë më e lehtë të krijosh art digjital, veçanërisht në formën e vizatimit dhe skicave, sesa art tradicional. Por, arti digjital para-AI i dha artistit mjete dhe, në shumë raste, më shumë mundësi në atë që mund ta krijonte, pa i hequr “brushën”. Me artin AI, brusha është shndërruar në disa vija të shkurtëra me tekst. Dhe artistët tani e gjejnë veten e tyre tërësisht të tjetërsuar nga veprat që krijojnë.

Ideja e tjetërsimit, në mënyrën ekstreme të tij, u rishfaq në mendjen time kur provova krijimin e imazheve përmes AI. Në fillim, imazhet ishin disi të trazuara, por deri sa komunikimi im me softuerin u përmirësua, imazhet u përmirësuan gjithashtu. “Krijova” shumë imazhe të bukura, duke përfshirë, ato që më mahnitën më së shumti, fotografi me atribute të larta të realizmit, që mund të përkonin me çfarëdo stili apo epoke të mundshme të fotografisë, varësisht prej informacionit që jep. 

Fotografia: MidJourney.

Brenda meje kishte një përçarje të madhe. Një lloj mahnitje me këto “vepra arti”, por njëkohësisht ndihesha plotësisht i shkëputur prej tyre. Nuk mund t’i quaja këto vepra “të mia”. Nuk mund të mendoja për asnjë lloj pune që më solli deri tek ato. Në vend të punës apo zanatit, tani ekzistonte inputi. Është thjesht një input i vogël me tekst, pa ndonjë lloj kontrolli legjitim mbi imazhin, përveç termave, ideve dhe stileve të mjegullta që AI i merr nga përshkrimi yt dhe duke përdorur të dhënat masive me të cilat është ushqyer, krijon diçka me të. 

Këtu është problemi i dukshëm i plagjiaturës ose çdo lloj keqpërdorimi tjetër kur bëhet fjalë për fytyrat e njerëzve të tjerë dhe imazhet personale, që janë të disponueshme në ueb.

AI nuk gjeneron art në mënyrën se si një person krijon art. AI fillimisht mësohet duke u ushqyer nga veprat e ndryshme artistike të kohës së sotme apo përgjatë historisë. 

Për shembull, kur ti i thua AI të ta gjenerojë një pikturë të qytetit të Gjilanit me stilin e Vincent Van Gogh, AI e bën këtë duke marrë ndonjë foto të Gjilanit dhe duke formuar pikselet në një mënyrë që të imitojë lëvizjet e brushës së Van Gogh digjitalisht. AI, pra, e vjedh apo u bën plagjiaturë veprave të tij. 

Por, kjo është edhe më e rrezikshme, për faktin që në të njëjtën mënyrë vidhet edhe nga personat aktualë, të cilët bëjnë art digjital dhe që e kanë këtë art burim të të ardhurave.. Dhe shumë të tillë janë të parët që po përjetojnë pasojat e këtij ndryshimi të madh, për shkak se stili i tyre, në të cilin kanë punuar për një kohë të gjatë, mund të kopjohet shumë lehtë prej çfarëdo personi, i cili mund t’i shkruajë AI: “më krijo një imazh në stilin e X artistit.”

Me gjithë kundërshtimin tim ndaj krijimit të artit përmes AI, inteligjenca artificiale mund dhe sigurisht do të ketë ndikim pozitiv në shumë fusha të ndryshme. Pra, nuk po e kundërshtoj atë në përgjithësi. Implementimi i saj në fusha shkencore, mjekësi, inxhinieri etj,. mund të jetë shumë i dobishëm, për shkak se këto fusha bazohen në përfitimin e njohurive të reja, të cilat mund të lehtësojnë dhe kultivojnë jetën apo shëndetin e njeriut.

Arsyeja pse dallon ndikimi i AI në art me ndikimin e saj në fushat tjera, nuk është vetëm për shkak se jam filmbërës dhe nuk dua ta humbas punën (ndoshta ka t’bëjë pak edhe kjo), por parimisht është vetë esenca e artit si veprimtari “jo-produktive” apo “jo-praktike” në sensin siç është shkenca produktive dhe praktike. 

Fotografia: MidJourney.

Neve nuk na duhet arti për të mbijetuar, por na duhet për të jetuar. Dhe, ndryshe nga shkenca, në të cilën, koncepti i progresit është i vërejtshëm dhe esencial, ku p.sh., teleskopi mesjetar i Galileos është shumë më inferior sesa ai James Webb i NASA. E në art, një film pa zë i viteve 1910, mund të jetë po aq, apo edhe më cilësor, sesa një film i vitit 2023. 

Pra, në art, nuk është i pranishëm progresi apo ideja se veprat artistike përmirësohen përgjatë kohës. Arti përmban nevojë për t’u përmirësuar vetëm në aspektin teknik, jo atë estetik. Inteligjenca artificiale nuk po e bën një gjë të tillë — nuk po e përmirëson artin në aspekt teknik, por po e zhduk procesin e krijimit në tërësi. “Arti” AI është i formuar nga pikselat, është prapë digjital, siç ka qenë 30 vitet e fundit dhe përdoruesit e saj po mundohen ta “shesin” atë si “ndihmë për artistin”, derisa e gjithë esenca e “artit” AI është plagjiatura dhe hajnia.

“Arti” i krijuar përmes inteligjencës artificiale veç ka filluar të ndikojë negativisht te artistët digjitalë, dizajnerët grafikë, fotografët etj., dhe unë e shoh që në të ardhmen jo shumë të largët, do të ndikojë edhe në letërsi, muzikë dhe film. 

Fotografia: MidJourney.

Por, në vend se të shkruaj në një formë që ta bëj lexuesin të ndiejë keqardhje apo mëshirë për artistët e ndryshëm, që do të preken nga kjo, dua që të bëj një lloj “apeli” në idenë themelore që arti duhet të jetë krijim i njeriut. Arti në themelin e tij përbën një lloj komunikimi mes krijuesit dhe tjetrit. Nuk ka art pa këta dy. 

Imazhet që kam “krijuar”, të cilat mund të shihen përgjatë këtij artikulli, mund të duken të bukura, njerëzore dhe emotive, por ato janë të tilla në të njejtën mënyrë se si roboti me inteligjencë artificiale te filmi “Ex Machina” është e bukur, njerëzore dhe emotive. Janë të tilla vetëm si mirazh, për shkak se thellë brenda tyre përfaqësojnë potencialin për pasivizim total të njeriut në raport me esencën e tij krijuese. 

Imazhi i ballinës: MidJourney.