Pikëpamje | Edukim

A po i dëmtojnë shkollat publike fëmijët?

Nga - 30.09.2025

Shkollimi privat i vajzave të Presidentes shpërfaqi realitetin e mjerueshëm të shkollave publike në Kosovë.

Debati rreth shkollimit të fëmijëve të politikanëve shpërtheu sërish në opinionin publik pas një incidenti të lidhur me Presidenten Vjosa Osmani në fillim të shtatorit. Më 10 shtator, një kameraman i mediumit Paparaci u arrestua pasi po xhironte për një raportim rreth shkollimit privat të fëmijëve të Osmanit, ku sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, u ndalua nga mbrojtja e afërt e saj, iu konfiskua kamera dhe iu kërkua t’i fshinte materialet. 

Duke dënuar “përndjekjen e vazhdueshme” të gazetarëve ndaj fëmijëve të saj, Osmani justifikoi zhvendosjen e vajzave të saj nga një shkollë publike në atë private për shkak të nevojës për siguri dhe ndërrimit të vendbanimit. Por, duke treguar për problemet që edhe fëmijët e saj i kanë përjetuar në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë, ajo shpërfaqi një realitet të dhimbshëm të shkollave publike ku mësojnë shumica e fëmijëve të vendit. Banjo të bllokuara e të papastra, mungesë uji e ngrohjeje, mungesë sigurie, madje edhe raste të konfiskimit të armëve e përdorim të substancave narkotike nga nxënësit. Osmani po ashtu përmendi numrin e madh të nxënësve në klasave, ku nga 4.000 nxënës, 40 prej tyre mësojnë në një klasë. 

Kostoja e një viti shkollor në shkollën ku Presidentja i ka transferuar fëmijët e saj, sipas raportimeve në media, kushton rreth shtatë mijë euro. Por, siç u shpreh Presidentja në arsyetimin e saj para gazetarëve, është shtrenjtë, por i ka kushtet financiare.

Unë jam ndër prindërit që vajzën time shtatëvjeçare e shkolloj në shkollë private. Edhe pse kjo nuk është aspak e lehtë për mua, ndryshe nga Presidentja, pasi jetoj me qira dhe kredi, besoj se mbi të gjitha ka rëndësi që fëmijët ta kalojnë moshën e hershme në një mjedis të sigurt. Ajo që kërkoj nga një shkollë private, më shumë sesa një program edukativ, është një mjedis i shëndetshëm, ku fëmijët nuk traumatizohen nga banjo të ndyra, ku respektohen standardet elementare të higjienës, ku nuk bullizohen e nuk u rrezikohet siguria fizike.

Megjithatë, këto mundësi nuk i kanë 245.000 fëmijë tjerë, të cilët në shtator filluan vitin shkollor në të njëjtat kushte. Prindërit e tyre nuk kanë mundësi financiare që t’i sistemojnë fëmijët e tyre në shkolla private teksa në shumicën e komunave nuk ka as sistem privat shkollor. Me këtë sistem publik të arsimit, a mos po i dënojmë fëmijët që në fëmijëri?  

Si shkollohen shumica e fëmijëve?

Debati rreth shkollimit në shkolla private krahas atyre publike, nisur nga kushtet jo të mira në shkollën “Ismail Qemaili” në kryeqytet, përcjellë me video nga fushatat e kandidatëve për kryetar komunash rreth kushteve në shkollat publike, nxjerrë në pah një të vërtetë të dhimbshme: shkolla që duhet të jetë vend i mësimit, rritjes dhe sigurisë, shpesh është shndërruar në burim traume për fëmijët.

Në shkollën “Ismail Qemaili”, fillimi i këtij viti shkollor u përcoll me bojkot e protesta nga prindërit e nxënësve, ngase që në ditën e parë të vitit shkollor klasët ishin mbushur me ujë të pusetave të kanalizimeve.

Ndërsa në vazhdën e garës zgjedhore në komunën e Deçanit, kandidatja për kryetare nga Partia Socialdemokrate (PSD), Natyra Kuçi dokumentoi kushtet e shkollës “Sylejman Vokshi” në fshatin Prilep, ku nxënësit detyrohen që nevojat fiziologjike t’i kryejnë në një WC të improvizuar jashtë shkollës. Në shkollën “Lidhja e Prizrenit”, në po të njëjtën komunë, videoja e saj tregon klasa në kushte të mjerueshme infrastrukturore: mure të çara, dysheme të plasaritura e mungesë uji. 

Problemi i higjienës në shkolla publike është kronik. Fëmijët shfrytëzojnë çdo ditë tualete të papastruara, pa kushte minimale për larjen e duarve e pa ujë të pijshëm. Që para një dekade, ekspertët e shëndetësisë kanë ngritur “alarm për shpërthim të sëmundjeve infektive” për shkak të nivelit të ulët të higjienës, por institucionet përgjegjëse vazhdojnë të heshtin sot e asaj dite.

Edhe vajza e kryeministrit në dorëheqje, Albin Kurti, shkollohet jashtë vendit. Ndërsa për qytetarët e tjerë, për ta është normale t’i dërgojnë fëmijët në mjedise që në çdo vend tjetër të Evropës do të konsideroheshin të papranueshme.

Çantat e fëmijëve kanë peshë më të rëndë se sa që rekomandohet dhe tejkalojnë kufirin prej 10% të peshës së trupit, gjë që shkakton dhimbje shpine, deformime të shtyllës kurrizore, lodhje dhe vështirësi në përqendrim.

Përveç kushteve fizike, edhe vetë përmbajtja e planprogrameve mësimore është problematike. Librat shkollorë, shumë prej tyre të shkruar dekada më parë, përmbajnë gjuhë raciste ndaj komuniteteve joshumicë, grupeve të margjinalizuara si dhe promovojnë role të ngurta gjinore. Në vend se t’i edukojnë fëmijët për tolerancë dhe mendim kritik, ato kultivojnë paragjykim.

Shqetësim tjetër për nxënësit në Kosovë mbetet edhe bartja e çantave me peshë më të rëndë se sa që rekomandohet, duke e tejkaluar kufirin prej 10% të peshës së trupit, gjë që shkakton dhimbje shpine, deformime të shtyllës kurrizore, lodhje dhe vështirësi në përqendrim. Në disa raste, fëmijët e klasave të ulëta detyrohen të mbajnë mbi supe pesha nga katër deri në pesë kilogramë çdo ditë, shpesh duke ecur edhe në distanca të gjata nga shtëpia deri në shkollë dhe anasjelltas. Kjo gjendje paraqet rrezik serioz për shëndetin e tyre afatgjatë, ndërsa si zgjidhje gjithmonë janë premtuar inventarizimi i shkollave me dollapë personalë, digjitalizimi i librave, përmirësimi i planprogramve mësimore dhe organizimi më i mirë i orarit mësimor, çka ende s’është përmbushur.

Mësuesit ndërkohë, në vend që të jenë shtylla kryesore e reformës, janë lënë pa mbështetje. Sipas të dhënave zyrtare të vitit 2023, vetëm 25% e tyre ndiqnin trajnime profesionale. Shumica kanë aftësi minimale digjitale, në një kohë ku nxënësit janë shumë më të shkathtë se ata në përdorimin e teknologjisë. Një strategji për matjen e aftësive digjitale të mësimdhënësve u premtua qysh prej vitit 2023, por ende nuk është realizuar. Kjo do të thotë se fëmijët po udhëhiqen në një botë të re nga njerëz që nuk e njohin atë botë.

Përveç mësimit, shkolla duhet të jetë vend i socializimit dhe sigurisë. Në shkollat e Kosovës, dukuritë si dhuna dhe bullizmi janë bërë problem i përhapur, ku nxënësit shpesh përballen me fyerje, ngacmime, shtyrje fizike dhe raste të rrahjeve. Bullizimi është shndërruar në normë. Muajin e kaluar, rasti i një vajze në Gjilan që u dhunua nga bashkëmoshataret e saj u raportua gjerësisht në media, dhe pavarësisht kësaj, shkolla nuk ndërmori asnjë masë, ndërsa viktima u detyrua të qëndronte në të njëjtën klasë me dhunueset. Çfarë mesazhi u dha aty? Se dhuna tolerohet dhe viktimat mbeten të pambrojtura.

Shumë prej këtyre incidenteve nuk raportohen apo dokumentohen siç duhet nga institucionet, duke i lënë viktimat të pambrojtura dhe të frikësuara. Mungesa e mekanizmave efektivë në shkolla dhe reagimi i dobët institucional e rëndojnë edhe më shumë situatën, duke ndikuar negativisht në ndjenjën e sigurisë dhe në procesin mësimor.

Përpos planprogrameve të vjetëruara mësimore dhe pranisë së shprehur të dukurive negative, shkollat e Kosovës, sidomos ato në viset rurale, përballen me mungesë përshtatjeje të shkollave ndaj rënies së numrit të nxënësve, për shkak të emigrimit dhe rënies së natalitetit. Një raport i brendshëm i Ministrisë së Arsimit i vitit 2022 tregonte se 72.7% e paraleleve nuk i plotësojnë kriteret ligjore për numrin minimal të nxënësve. Nga 190 shkolla të analizuara, 62 duhej të mbylleshin. Dhe megjithatë, edhe këtë vit shkollor ato vazhdojnë të jenë të hapura.

Kjo do të thotë se kemi klasa ku tre ose katër nxënës nga të gjitha moshat mësojnë në një klasë, me një mësues që duhet ta shpërndajë vëmendjen  mes niveleve të ndryshme të klasave. Një model i tillë nuk krijon as kushte për të mësimnxënie, as mundësi për socializim. Fëmijët rriten pa bashkëmoshatarë, pa konkurrencë të shëndetshme. Dhe për çfarë? Për ta ruajtur status quo-në administrative dhe për t’i shmangur reagimet nga banorët lokalë rreth mbylljes së shkollave.

Edhe në shkolla private, fëmijët mbeten viktima të një sistemi të prapambetur.

Por, as shkollat private nuk japin garanci se ofrojnë shkollim më cilësor. Nga arsimi parashkollor deri tek ai i mesëm i lartë, mësimin në shkollat private e ndjekin 22.124 nxënës, në nëntë komuna, të cilat kanë shkolla të arsimit privat. Librat janë të njëjtë, mësuesit janë të diplomuar nga të njëjtat universitete, cilësia pedagogjike është e njëjtë. Dallimi qëndron vetëm në infrastrukturë dhe rregullat e disiplinës. Megjithatë, niveli i dobët i mësimdhënies dhe mësimnxënies vazhdon. Dhe kështu, edhe fëmijët për shkollimin e të cilëve paguahet mijëra euro në vit mbeten viktima të një sistemi të prapambetur.

Se gjendja e sektorit të arsimit në Kosovë është e rëndë, na tregojnë edhe rezultatet e raporteve dhe vlerësimeve ndërkombëtare. Në tri matjet e Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA) që nga viti 2015, Kosova është renditur vazhdimisht ndër tre vendet e fundit për lexim, matematikë dhe shkencë. Këto nuk janë thjesht statistika, por pasqyra e një gjenerate që po përfundon shkollimin pa i marrë aftësitë bazike për të ecur në një treg pune gjithnjë e më konkurrues.

Sistemi arsimor i Kosovës është trashëgimi e një periudhe kur mësuesi ishte i vetmi burim i dijes. Prindërit tanë ecnin me kilometra për t’i ndjekur mësimet e një mësuesi që ua mësonte atë që nuk mund ta gjenin askund tjetër. Por sot një fëmijë bart me vete në xhep më shumë informacion sesa në gjithë bibliotekën e djegur të Aleksandrisë. Sot është e mundur që një 12-vjeçar/e të ketë më shumë njohuri në anglisht apo teknologji se mësuesi/ja e tij/saj. Dhe askush nuk mund ta thotë se çfarë aftësish do të kërkojë tregu i punës pas 10 vitesh.

Në fund të fundit, a ja vlen t’i zgjojmë fëmijët në shtatë të mëngjesit, t’i ngarkojmë me çanta të rënda, t’i çojmë në klasa të ftohta e pa ngrohje, të pa digjitalizuara, ku mësojnë nga libra që nxisin diskriminim, ku bullizohen e dalin të traumatizuar?

Nëse vendet e zhvilluara sot debatojnë për integrimin e Inteligjencës Artificiale (AI) në mësimdhënie, ne nuk mund të mbesim peng i një sistemi që ende funksionon me shkumës e dërrasë të zezë. Nëse nuk guxojmë të ndryshojmë, atëherë përgjigja e pyetjes fillestare është e qartë: po, po i dëmtojmë fëmijët duke i dërguar në këto shkolla.

Zgjidhja nuk është e lehtë. Por është e qartë se një reformë sipërfaqësore nuk mjafton. Ne kemi nevojë për një reformë rrënjësore: shkolla të sigurta, higjienike, të pajisura me teknologji moderne, me mësues që ndjekin trajnime vazhdimisht, me planprograme që nxisin mendimin kritik dhe tolerancën.

 

Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.

KOMENTO