Në korrik 2017, në Otava të Kanadasë, si pjesë e një grupi të delegatëve globalë, u takova dhe bisedova shkurt me kryeministrin kanadez, Justin Trudeau.
Pyetja që ia bëra ishte: “Në një rajon si Ballkani dhe specifikisht në një shtet si Kosova, ku njerëzit priren të preokupohen me drama e çështje politike të përditshme dhe rinia nuk është shumë optimiste për të ardhmen, cila do të ishte mënyra më e mirë për ta bindur se ka të ardhme të mirë dhe se të rinjtë mund ta krijojnë atë ndryshim?”
Kryeministri Trudeau, pa ngurrim u përgjigj (po parafrazoj): “Rinia, jo vetëm në Ballkan por në gjithë botën, ka potencial dhe energji të pakufishme. Ata duan të kontribuojnë, duan të ndihmojnë, por kanë nevojë t’u ofrohet një platformë; një proces i qartë të cilit mund t’i qasen lehtë, dhe nëpërmjet të cilit mund të kontribuojnë për atë ndryshim dhe ta zhvillojnë edhe veten gjatë procesit”.
“Puna vullnetare në Kosovë është e konceptualizuar si bamirësi... nuk është e konceptualizuar si aktivitet shoqëror."
Gani Lluga, Sociolog
Për mua, kjo platformë ishte puna vullnetare, por që fatkeqësisht, te ne nuk është fare e definuar si duhet, e as e qasshme.
Puna vullnetare në Kosovë është formësuar shumë nga zhvillimet politike dhe shoqërore para, gjatë dhe pas luftës së vitit 1999. Gjatë ‘90-ave, puna vullnetare ishte përqendrohej në politikë, ekonomi dhe në jetën e përditshme. Pas luftës, puna vullnetare “ra shumë” dhe në kontekstin e pasluftës, kosovarët kryesisht po angazhohen në ndërmarrje me “rezultate të prekshme dhe afatshkurtra, si dhe punë vullnetare fitimprurëse”.
Sociologu kosovar Gani Lluka me sa duket pajtohet. Ai thotë se “puna vullnetare në Kosovë është e konceptualizuar si bamirësi… si diçka materiale, si ndihmë financiare, ushqim ose veshëmbathje… nuk është e konceptualizuar si aktivitet shoqëror, dhe kjo është për shkak të situatës që e përjetoi popullsia e Kosovës, posaçërisht në periudhën ’90-’99. Ne kemi një kulturë të punës vullnetare… nuk kemi punë vullnetare të përhershme dhe të ndërlidhur me arsim… është më shumë si reagim momental”.
Struktura ligjore
Në Kosovë, puna vullnetare u njoh institucionalisht për herë të parë nga Ligji për Fuqizim dhe Pjesëmarrje të Rinisë 2009, në të cilin puna vullnetare u definua si “aktivitet rinor i organizuar nga institucioni relevant, ku në bazë vullnetare të rinjtë ofrojnë kohën, punën, njohuritë dhe aftësitë e tyre, pa pagesë apo shpërblim, në shërbim të komunitetit, për të mirën e shoqërisë”.
Neni 14 i ligjit thotë që një “akt nënligjor” do ta rregullonte punën vullnetare, dhe ky është Udhëzimi Administrativ për Punën Vullnetare të të Rinjve 2010, një dokument që i përkufizoi hollësisht vullnetarët dhe punën vullnetare, përmblodhi detyrimet e vullnetarëve dhe të organizatorëve të punës vullnetare, dhe e nisi procesin e regjistrimit dhe të njohjes së vullnetarëve e të organizatorëve të punës vullnetare.
Dokumenti institucional më i ri që merret me punën vullnetare është Udhëzimi Administrativ për Punën Vullnetare të të Rinjve 2016, i cili e përkufizon vullnetarin si “i ri/e re – person fizik i moshës 15-24 që ofron shërbime pa pagesë për të mirën e shoqërisë”, ndërsa punën vullnetare si “aktivitet rinor ku të rinjtë në bazë vullnetare, pa obligim, ofrojnë kohën, punën, njohuritë dhe aftësitë e tyre për t’i shërbyer komunitetit, për të mirën e shoqërisë, pa pagesë”.
Pika më e fuqishme dhe më e promovuar e këtij Udhëzimi Administrativ është themelimi i Platformës dhe Databazës për Punë Vullnetare, një “sistem elektronik për menaxhimin e promovimit online dhe njohjen e punës vullnetare”.
Këto tri të lartpërmendurat janë të vetmet dokumente ligjore në Kosovë që rregullojnë punën vullnetare.
Gjatë viteve kemi parë zhvillime të mëdha dhe Kosova e njeh shumë më mirë punën vullnetare tani, në mënyrë ligjore dhe institucionale, sesa para vitit 2009. Megjithatë, duhet të shqyrtojmë se sa efektive janë këto ndryshime të politikave dhe sa kanë mundur të ishin po të bëheshin më ndryshe, si dhe të bëjmë krahasime me shtetet në rajon dhe në BE.
Sa orë punë kërkohen?
Çështja e parë madhore e këtyre politikave janë orët e punës që kërkohen për t’u njohur si vullnetar. Neni 3.19 i Udhëzimit Administrativ 2016 përcakton se “përvoja njëvjeçare e punës vullnetare do të njihet, nëse i riu nën 18 vjeç i ka më shumë se 222 orë pune, dhe i riu mbi 18 vjeç arrin t’i kryejë mbi 1107 orë të punës vullnetare brenda vitit”.
Për të riun nën 18 vjeç, ky numër është relativisht i arritshëm (katër orë në javë). Megjithatë, për të riun mbi 18 vjeç, 1107 orë në vit pjesëtuar për 52 javë të vitit, i bie 21.28 orë në javë. Duke pasur parasysh se një javë pune me pesë ditë ka 40 orë pune, i bie 2 ditë e pesë orë punë vullnetare në javë, pra njësoj sikur ta kesh një punë me gjysmë orari për një vit, pa pushime.
Leja me shkrim kërkohet vetëm nëse përpjekjet vullnetare e ndërpresin procesin e rregullt të arsimit.
Për ta krahasuar, Akti Hungarez për Punë Vullnetare e kufizon numrin maksimal të orëve, në vend se ta themelojë një kërkesë minimale: “Koha e kaluar në aktivitete vullnetare që janë në interesin e publikut nga vullnetarët mbi 16 vjeç dhe nën 18 vjeç nuk duhet t’i kalojë katër orë e gjysmë në ditë dhe 18 orë në javë”, dhe “vullnetarët nën 18 vjeç do të kenë kohë pushimi prej së paku 14 orë nga fundi i aktivitetit vullnetar për interesin e publikut dhe fillimi i tij të nesërmen”.
Neni 11.2 i Aktit të Kroacisë për Punë Vullnetare thotë se “puna vullnetare nuk do të lejohet për më shumë se 40 orë në javë në një periudhë prej më shumë se tre muaj pa ndërprerje prej së paku tre muaj”, që është shumë më realiste dhe njerëzore se Udhëzimi Administrativ 2016 i Kosovës, i cili cakton një kufi prej “130 orë në muaj dhe 1560 në vit” për të rinjtë e moshave 18-24, pa kërkesë për pushim apo ndërprerje.
Mbrojtja e të miturve nga shfrytëzimi?
Çështja e dytë madhore e këtyre politikave është mbrojtja e të miturve vullnetarë nga shfrytëzimi. Përveç punës maksimale të lejuar prej 222 orë në vit, e vetmja pjesë ku Udhëzimi Administrativ 2016 i mbron vullnetarët e mitur është Neni 3.14, i cili thotë se “puna vullnetare e të rinjve nën 18 vjeç është e ndaluar gjatë procesit të rregullt të arsimit, përveç në raste ku jepet leje me shkrim nga arsimtarët dhe prindërit, apo kujdestarë të tjerë ligjorë, për pjesëmarrje në aktivitete vullnetare”.
Kjo do të thotë se leja me shkrim kërkohet vetëm nëse përpjekjet vullnetare e ndërpresin procesin e rregullt të arsimit, por ligji nuk përcakton kërkesa apo kufizime të tjera në lidhje me punën vullnetare jashtë shkollës për fëmijët e mitur.
Për ta krahasuar, Neni 3.13 i Udhëzimit Administrativ 2010 thotë se një organizator i punës vullnetare “mund të pranojë persona vullnetarë nën moshën 16 vjeç duke marrë paraprakisht pëlqimin e përfaqësuesit ligjor të tyre dhe çertifikatën nga Gjykata Komunale”. Ky sistem është më i fortë dhe i mbron më mirë nga shfrytëzimi të rinjtë e mitur sesa struktura aktuale ligjore.
Neni 6.3 i Aktit Hungarez për Punë Vullnetare thotë: “Një person me kapacitet të kufizuar ligjor mund të nënshkruajë kontratë vullnetare vetëm nëse ka pëlqimin e përfaqësuesit ligjor të tij”.
Me sa duket ende ka probleme të mëdha që kanë mbetur të pazgjidhura, e madje janë keqësuar në krahasim me situatën e kaluar ligjore.
Akti i Kroacisë për Punë Vullnetare e ka një Nen për Parimet e Mbrojtjes së Vullnetarëve të Rinj, pika e parë e të cilit thotë: “Të miturit mund të bëjnë marrëveshje për punë vullnetare dhe të bëjnë punë vullnetare vetëm nëse kanë pëlqim me shkrim nga përfaqësuesi ligjor”.
Për më tej, Seksioni 8 i Aktit Federal për Shërbime Vullnetare të Gjermanisë thotë se kur bëhet një marrëveshje e shkruar me të mitur, një nga kërkesat është “adresa e prindërve apo kujdestarëve ligjorë dhe pëlqimi i përfaqësuesit ligjor”.
Kë e përjashton ligji?
Çështja e tretë madhore është që Kosova nuk ka ligje të tjera që e rregullojnë punën vullnetare, që do të thotë se njerëzve mbi moshën 24 vjeçare automatikisht u pamundësohet njohja institucionale e punës vullnetare. Plot 87.4% e përfaqësuesve nga Organizatat e Shoqërisë Civile besojnë që puna vullnetare nuk duhet të jetë e kufizuar vetëm për rininë, dhe e perceptojnë këtë mungesë të rregullimit si “një nga pengesat kryesore për zhvillimin e punës vullnetare”.
Pas një analize tërësore, me sa duket i vetmi ndryshim pozitiv në politika që e ka sjellë Udhëzimi Administrativ për Punën Vullnetare të të Rinjve 2016 ishte krijimi i Platformës dhe i Databazës për Vullnetarë, që ua ka lehtësuar vullnetarëve gjetjen e mundësive, kurse organizatorëve të punës vullnetare gjetjen e vullnetarëve të gatshëm për punë, e me sa duket e ka bërë më të lehtë edhe analizimin e progresit dhe nxjerrjen e të dhënave zyrtare nga platforma.
Megjithatë, me sa duket ende ka probleme të mëdha që kanë mbetur të pazgjidhura, e madje janë keqësuar në krahasim me situatën e kaluar ligjore.
Duhet të jemi mirënjohës për bekimin fatkeq e të maskuar që është mungesa e zbatimit të ligjeve të Kosovës. Po të ishte zbatuar plotësisht Udhëzimi Administrativ 2016, sigurisht numri i vullnetarëve do të binte shumë dhe do të dënoheshin shumica e organizatave të shoqërisë civile për mosregjistrimin e vullnetarëve në platformën online dhe për mosrespektimin e rregullave, e pjesa tjetër do të duhej t’i ndalnin projektet dhe ta reduktonin shumë intensitetin e përpjekjeve të tyre, për shkak është e pamohueshme mbështetja e tyre tek vullnetarët.
Çfarë mund të ndryshohet?
Sa u përket politikave kombëtare, sugjeroj të krijohet një Ligj i ri për Punë Vullnetare që do t’i përfshinte plotësisht të gjitha moshat dhe do t’i adresonte tërësisht çështjet e punës vullnetare brenda dhe jashtë vendit në fusha të ndryshme të veprimit, si në sport, shkencë, teknologji, inxhinieri, matematikë apo kulturë, e që do ta përfshinte edhe një sistem të detajizuar të stimujve dhe të ndikimeve të kundërbalancuara. Shembull i mirë për këtë ndryshim të politikave është “Bundesfreiwilligendienst” ose “Shërbimi Federal Vullnetar” i Gjermanisë, për shkak se i përfshin të gjitha elementet e lartpërmendura.
Sa u përket politikave për punë vullnetare të të rinjve, sugjeroj të rishikohet tërësisht dhe të ndryshohet rrënjësisht Udhëzimi Administrativ për Punën Vullnetare të të Rinjve.
Vullnetarët janë kurrizi i shoqërisë civile në Kosovë, dhe për shkak të kësaj, nëse ata trajtohen dhe mbrohen me kujdes, dhe nëse krijojmë mundësi për ta, demokracia e Kosovës, si dhe të gjitha fushat e kulturës dhe arsimit në Kosovë, mund të forcohen shumë.
Fillimisht duhet të hiqet kufiri i ulët i orëve për t’u njohur si vullnetar, për shkak se është shumë shkurajues dhe jorealist. Duhet të zëvendësohet me kufij të sipërm dhe realistë për numrin e orëve që lejohen për punë vullnetare, duke u përqendruar kështu në parandalimin e shfrytëzimit të vullnetarëve, e jo në maksimizimin e shfrytëzimit të tyre nga ana e organizatorëve të punës vullnetare.
Së dyti, mbrojtja e vullnetarëve të mitur duhet të fuqizohet, duke përfshirë pëlqimin nga prindi apo kujdestari ligjor në të gjitha angazhimet vullnetare, si dhe duke kufizuar orët e punës vullnetare sa u përket javëve, muajve dhe viteve.
Së treti, pas rishikimit dhe konsultimit të mirëfilltë me të gjitha palët përkatëse të interesit, qeveria dhe institucionet relevante duhet të sigurohen që Udhëzimi Administrativ të zbatohet me kujdes. Vullnetarët janë kurrizi i shoqërisë civile në Kosovë, dhe për shkak të kësaj, nëse ata trajtohen dhe mbrohen me kujdes, dhe nëse krijojmë mundësi për ta, demokracia e Kosovës, si dhe të gjitha fushat e kulturës dhe të arsimit në Kosovë, mund të forcohen shumë.
Foto kryesore: Creative Commons CC.