Blogbox | Trillim

Bariu krenar

Nga - 16.12.2016

Tregim i shkurtë.

“Çka mund ta shtyjë dikë ta masakrojë gjithë kopenë?” mendon Marko në vetvete teksa shëtit përreth kraterit, dhe i shtrëngon pakëz sytë për të dalluar copëza mishi dhe kockash të shpërndara në pellgje gjaku. Lotët i rrjedhin faqeve thatanike. I fshin lotët dhe e fajëson erën e ftohtë që ia dogji sytë dhe ia skuqi lëkurën.

“Isha djalë i vogël, i pafjalë e i palarë, kur nisi miqësia jonë. Bari krenar nga Javori, por isha veç një kokërr kripe krahasuar me lulet madhështore të Zotit. Më shumë kujdeseshin ato për mua, sesa unë për to. Unë flisja, ato dëgjonin; ata jepnin, unë merrja prej tyre. Kështu u shoqëruam për shtatëdhjet vite të gjata. Në mendjen time nuk ka asnjë fije kujtese pa ndonjërën prej tyre duke mukuar brenda saj”.

Marko përkulet dhe e kap një zile të dhëmbëzuar. Milava e Ëmbël Endacake e kishte mbajtur këtë zile rreth qafe. Me gishtin e madh e nxjerr llumin e gështenjtë që ka mbetur brenda dhe pastaj me butësi e vë zilen në xhepin e tij. Psherëtin, shtendoset për t’i kontrolluar dridhjet e duarve, e stabilizon ecjen dhe provon të marrë frymë si duhet.

“Më kujtohet që babai im më kishte thënë se dy nga të tonat i kishte goditur rrufeja në ditën kur linda unë, dhe më kujtohet kur tre prej tyre në fshatin fqinj i thyen këmbët dhe u fundosën në Uvac; kohë pas kohe bishat e uritura e provonin fatin me qentë e mi… Por t’i masakrosh bagëtitë e shkreta? Vetëm bisha dykëmbëshe mund ta bëjë një poshtërsi të tillë”.

“Përsëri po gumëzhinë në ajër Marko!” I thotë bashkëshortja e tij Jelena, e përkulur te dritarja e katit të dytë të shtëpisë së gurtë të ndërtuar nga guri i lumit.

“Le të gumëzhinë!” Ia kthen Marko. Zërin e ka të ngjirur e të çjerrë. “Nëse era fryn si duhet, do të shkojnë në dreq”.

Përkulet, e merr një gjuhëz të bronztë të një zileje tjetër, një thundër të thyer dhe një copë lëkure. Jelena i afrohet bashëkshortit të saj me hapa të ndrojtur dhe e lajmëron se patatet e ziera po e presin mbi tavolinë.

“Kur je me ta gjithë jetën”, pëshpërit Marko, “fillon t’i duash. Nuk është njëjtë si me njerëz. Nganjëherë veç i shtrëngon duart me dikë dhe menjëherë e merr vesh se është kopuk. Shikoje priftin kur nuk e kryen shërbimin dhe do ta kuptosh se edhe ai është i poshtër. Kam parë aty-këtu lopë kryeneçe, por nuk ma merr mendja të ketë as edhe një faqezezë në mesin e tyre”.

KOMENTO