Blogbox | Poezi

Një storie që kurrë nuk përfundon!

Nga - 01.07.2018

Një poezi.

Kjo është një storie që ka filluar vite më parë,

Kur një foshnje e lindur vajzë

që supozohej të ishte foshnje djalë…

Nuk pati shtëpi!

Kjo është një storie që kurrë nuk përfundon!

Një ditë i dëgjova shoqërinë time

Duke folur për një vajzë që nuk kishte babë,

Flisnin me zë të lartė

Andaj i dëgjova se isha shumė afėr…

Papritur ata ndaluan si më panë

dhe më dhanë atë shikim të trishtuar…

Disi ata kishin hamendësuar që s’kam baba,

Se unë gjithmonë kisha përmendur veç nënën!

Vetëm vazhdova rrugës sime

Duke menduar se çka nuk shkon!

Babi im më ka thënë

Që unë jam vajzë e pavlerë!

U plak duke më pyetur “pse po flet?!

A të pyta unë diçka?!

Ndërkohë që vëllau im

Pati të gjitha të drejtat… edhe të mijat!

Babai im më ka thënë që

unë jam vajzë që nuk kam vlerë,

Që s’mund të flas diçka pa e lexuar gjëkundi..

Sepse unë jam vajzë e vajzat janë budallaqe!

Por babi, dëshiron një dreq surprize?

Unë nuk jam e pavlerë,

Unë nuk jam budallaqe,

Dhe unë mund të flas pa lexuar diku!

Ti më thua që jam e pavlerë

Sepse kurrë nuk më njohe,

Është shumë qesharake si vetëm vëllau im

Pat një baba…

Dhe kur këtë e them me zë të lartë

Ti madje merr kurajon edhe të më thuash:

 “ unë të kam bërë ty! Duhet të më falënderosh mua!”

Por gjeje çfarë,

Jo, nuk të jam falënderuse ty.

I jam falënderuse nënës,

E frikësohem që kurrë s’mund të ia paguaj,

Lotët e frikat e nënës sime

Të cilat premtova që do ia paguaja,

Unë premtova por

Kush ndonjëherë mundi të paguaj faturën e nënës?!

Pse të të falënderohem ty?

Se bëre seks?!

Se deshte një tjetër djalë?

Ti s’më ke rritur mua

Ti më ke përulur,

Ti s’ke bërë gjë tjetër veçse

Më ke lënduar.

Krejt nervat e mia kthehen në një dredhë të madhe,

Kur ti s’mund ta kuptosh që unë nuk jam djalë,

Unë kam lindur vajzë e mos më pyet mua pse!!

Flokët e mia tani duhet të jenë bërë lemsh,

Por s’është kjo gjëja që dua ta rrëfej.

Tregom pse u kujdese për tim vëlla

Kur ai u kthye tapë në shtëpi,

Kurse kur unë kam periodat

Ti nevrikosesh se është e pështirë!

Pse unë kurrë nuk pata një përqafim për të më uruar,

Kur unë mora medalje në shkollë,

Apo kur unë diplomova,

Por ti rrahe krahun e vëllaut tim

Kur ai u nda nga një femër?!

Ti më thua mua mos shaj dhe pastaj më jep atë shikim,

Por kur ti shan është sikur unë s’jam aty,

Ti kërkon respekt,

Atë dua edhe unë,

Sillesh sikur ke veç një fëmijë,

Por harron që i ke dy.

Kam dhe leje të vozitjes,

Por s’kam të drejtë të marr veturën,

Më ke limituar shumë gjëra

Dhe është e çuditshme si nuk të urrej fare!

A s’mund të shohësh se sa gabim është kjo,

Si zemra ime s’është aq e fortë,

Dhe gjoksi im i mban brenda fjalët e mia,

Duke u munduar të ec përpara,

Por nuk e di sa do të vazhdoj

Duke mos e ditur ku dreqin e kam vendin unë?!

Disi kjo më vret,

Ti mendon që më ke njohur gjithmonë,

Por e vërteta nuk është ashtu,

Ti nuk e di ushqimin tim të preferuar,

Ti nuk e di as çka unë pij,

Dhe pastaj në errësirën time unë mbytem.

As që dua ta mendoj që ndoshta

Ti nuk e di as ngjyrën e syve të mi,

Sepse kurrë nuk i ke analizuar,

Ne s’kemi pasë një bisedë mes nesh,

Sapo e kuptova.

Kurrë nuk pata dhuratë të ditëlindjes,

As kurrë nuk fryva qirinjët,

A janë këto gjëra që çdo vajzë e vogël i përjeton?!

Dhe kurrë s’jam quajtur vajza e babit,

Atëherë pse mësuesit kanë thënë

Që babi është deti e vajza është perla në të?!

Por në vend të saj,

Unë isha një karrige

Në tavolinën e bukës,

Duke tentuar të mos urrej,

Deri sa unë u mbyta në mendimet e mia,

Ata veç kanë ngrënë bukën,

Duke pritur të më pyesin si më shkoi dita

Edhe pse është shumë vonë!

Pse baba? Veç më thuaj pse?

Pse është ai gjithmonë para meje?

Edhe unë jam gjaku yt,

Edhe unë jam fëmiju yt si ai,

Më trajto si e meritoj,

Dhe kjo është një lutje!

Megjithatë,

Disi u rrita,

Jam vajzë e madhe tash,

Një ditë do të bëhem nënë,

Shpresoj thellësisht të mbaj për dore

Fëmijët e mi,

Djalë a vajzë, NUK KA RËNDËSI!,

Sepse për një gjë jam e sigurt,

Nëse do jetë djalë,

Princi im do të jetë gjentil,

E nëse vajzë,

Do jetë e mbushur me dashurinë time.

Dhe një ditë kur unë të mos jem më,

Princi im gjentil do të jetë idoli i vajzës së vet,

Dhe do t’i tregoj asaj storie të gjyshes së dashur,

Që i ka rritur fëmijët me dashuri shumë të pastër,

Pa marrë parasysh rrethanat,

Pa marrë parasysh në ishte djalë a vajzë,

Pa marrë parasysh traumën e saj të fëmijërisë,

Pa marrë parasysh asgjë.

Ta hajë dreqi babë!

Është shumë e vështirë ti të jesh i vrazhdë me mua,

Por e di çfarë?

Unë tash jam vajzë e rritur,

Më e fortë se ti dhe mendimet e tua,

Mos e vrit mendjen!

Mënyra jote për të më mësuar si të jem e fortë,

Një mënyrë që nuk harrohet,

Që vetëm ti mendoje që është mënyra e duhur,

Kjo është një storie që kurrë nuk përfundon.

Babë, ohhh babë,

Dua që ti ta dijsh

Që unë jam krenare që jam vajzë!!!

Të i jap fëmijëve të mi dashurinë e gjithë botës

Që mua gjithmonë më mungoi!!

Është qesharake megjithatë,

Unë e di që ti nuk e di,

Ti s’më kë qejf mua në shtëpi,

Por fakti që unë jam vajzë

Është prej kromozonit tënd X!

 

Kjo poezi u performua nga autorja në Kosovo Slam Poetry Festival, organizuar nga të diplomuarit e programit të studimit YES youth exchange, dhe është botuar këtu me leje. Festivali i përvjetshëm synon të jetë hapësirë ku të rinjtë e Kosovës mund t’i shprehin problemet e tyre nëpërmjet vargjeve origjinale.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.