Biseda | Politika

Abdullah Bozkurt: Ballkani është tokë shumë pjellore për partinë e Erdoganit

Nga - 30.12.2018

Redaktori turk që jeton në ekzil diskuton përpjekjet autoritare dhe shtypëse të Erdoganit dhe ndikimin e tij në Ballkan.

Abdullah Bozkurt ishte kreu i Zyrës në Ankara të Today’s Zaman, gazetës më të madhe në Turqi, që shiste rreth 1.2 milion kopje në ditë.

Por, 4 marsi i 2016-s shënoi një ditë ndryshimi për jetën e redaktorit, si dhe lirinë e shtypit në Turqi. Derisa po përgatitej ta shkruante kryetitullin për ballinën e gazetës së nesërme të Today’s Zaman, Bozkurt njëkohësisht po shikonte në TV forcat speciale policore të Turqisë që po përdornin gaz lotsjellës dhe topa uji kundër protestuesve dhe prerës hekuri për ta thyer dhe bastisur selinë e Zamanit në Stamboll, 350 kilometra nga zyra e tij në Ankara. Ndonëse nuk e dinte në atë kohë, Bozkurt do të detyrohej të largohej nga vendii tij, për shkak të rrezikut që do t’i kanosej profesionit dhe jetës së tij disa ditë më vonë.

Bastisja dhe mbyllja e Zaman-it ishte moment kyç në luftën e administratës së Erdoganit kundër mediave kritike në Turqi, ato që po e kundërshtonin linjën politike dhe ideologjike të qeverisë.

Rreth katër muaj pas bastisjes, Turqia e gjeti veten në një prej netëve më dramatike dhe më të rëndësishme në dekadat e fundit, kur një pjesë e ushtrisë së shtetit bëri përpjekje për puç kundër qeverisë së Erdoganit. Puçi u shua brenda natës, por pati pasoja të mëdha dhe afatgjata për demokracinë në vend, për shkak se u intensifikuan masat e rënda kundër lirisë së fjalës dhe të shtypit.

Prej 15 korrikut të vitit 2016, qeveria e Erdoganit ka arrestuar dhe mbajtur nën arrest më shumë se 300,000 njerëz që gjoja ishin të lidhur me puçin, i ka shkarkuar më shumë se 150,000 zyrtarë shtetërorë, i ka mbyllur 189 organizata mediale dhe i ka arrestuar 310 gazetarë. Sipas Bozkurtit, 239 prej tyre janë ende në burg.

Pas më shumë se dy vitesh, Bozkurt nuk është kthyer më në Turqi dhe beteja për lirinë e shtypit vazhdon. Kryetitulli i fundit që e shkroi ai për ballinën e gazetës së tij ishte: “Ditë e turpshme për lirinë e shtypit në Turqi”.

K2.0 bisedoi me gazetarin për dëbimin e gjashtë qytetarëve turq nga Kosova, rritjen e vazhdueshme të tendencave autoritare të Erdoganit dhe detyrimin për të jetuar në ekzil larg vendlindjes.

K2.0: Të fillojmë me historinë tënde. Ju e latë Turqinë një ditë para se Policia ta bastiste zyrën tuajnë Ankara dhe rreth 10 ditë pas puçit të dështuar. Autoritetet veçse e kishin bastisur selinë e gazetës suaj në Stamboll, si pjesë e masave të rrepta që u zbatuan pas puçit. Çfarë mendonit gjatë atyre kohëve të vështira për situatën e demokracisë në Turqi?

Abdullah Bozkurt: Masat e rrepta ndaj mediave të lira, të pavarura dhe kritike filluan shumë para puçit të dështuar në korrik 2016. Mendoj se e pamë një kthesë dramatike në dhjetor 2013 kur kryeministri dhe presidenti aktual [Recep Tayyip] Erdogan dhe bashkëpunëtorët e tij në politikë dhe biznes ishin implikuar në skandale të mëdha të korrupsionit.

Pastaj e pamë se qeveria reagoi ashpër ndaj mediave kritike në Turqi, duke përdorur taktika dhe mënyra të ndryshme për ta shtypur raportimin për korrupsionin, sepse kishte shumë dëshmi për përfshirjene zyrtarëve të lartë qeveritarë në dy hetime të ndryshme për korrupsion të cilat ishin bërë publike.

Gazetat, përfshirë këtu gazetën time në atë kohë, që po publikonin detaje për këto hetime penale filluan të ndjejnë presionin e qeverisë. Më kujtohet në atë kohë kur kryeministri, që tani është president, Erdogani, doli në tubime publike dhe kërkonte nga njerëzit të mos e blejnë gazetën time. Pra mendoj se ky ishte një moment i frikshëm. Një taktikë tjetër që ata sigurisht e kanë përdorur është kërcënimi kundër reklamuesve, kompanive që po vendosnin reklama në gazeta. E njëjta gjë ndodhi në atë kohë në media elektronike dhe online.

Abdullah Bozkurt kishte publikuar këtë foto në Twitter më 4 mars 2016, kur njësitë speciale të Policisë turke kishin përdorur prerës hekuri për të hyrë me dhunë në ndërtesën e gazetës Zaman në Ankara.

Prej atëherë filloi të eskalonte. Mendoj se menjëherë pas verës së 2015-ës kur Erdogani e humbi shumicën në Parlament për herë të parë në 13 vitet e sundimit të tij, ata nuk mund ta formonin vet qeverinë, kështu që ishin të detyruar të formojnë koalicion dhe të bëjnë marrëveshje me një parti tjetër politike. Në vend të kësaj, Erdogani organizoi zgjedhje të parakohshme dhe i sabotoi bisedimet për koalicion. Menjëherë pas zgjedhjeve të parakohshme, më 1 nëntor 2015, e pamë qeverinë duke e sekuestruar grupin e tretë më të madh medial në Turqi.

Ata [grupi medial Akin-Ipek] i kishin dy kanale televizive, dy media të shtypura dhe një kanal në radio dhe ishin rrjet shumë i njohur i transmetimit, një cikël 24-orësh i lajmeve që shërbente disi si zë i partive opozitare në Turqi. Ishte lëvizje e llogaritur mirë nga Erdogani për t’i heshtur mediat kritike dhe për ta mbytur qasjen për partitë politike opozitare dhe për ta parandaluar shprehjen e pikëpamjeve kritike në këto media. Kur e kapën këtë organizatë mediale pikërishtpara zgjedhjeve më 1 nëntor 2015, ata pak a shumë e kufizuan mbulimin dhe qasjen për partitë opozitare.

Pas kësaj, në mars 2016, ata sekuestruan gazetën time, që qarkullonte më së shumti në atë kohë në vend. Ne shisnim 1.2 milion kopje në ditë dhe e ofronim një platformë për zërat kritikë në atë kohë. Pas puçit të dështuar, ata e përdorën këtë si pretekst për t’i mbytur edhe ato që kishin mbetur nga mediat kritike në Turqi.

180 organizata mediale u mbyllën brenda ditës nëpërmjet një dekreti qeveritar. Nuk kishte të bënte fare me puçin. Në fakt, pjesa më e madhe e këtyre mediave po e kundërshtonin puçin dhe po publikonin storje që e kundërshtonin këtë përpjekje në atë kohë. Pra, ishte pjesë e një modeli që filluam ta shohim nga viti 2013 dhe dikur eskaloi.

Tani, fatkeqësisht, nuk kemi më media kritike në Turqi. Ndoshta janë disa të shtypit që kanë shtrirje shumë të kufizuar tek audienca në Turqi. Sa i përket mediave elektronike, mendoj se nuk ka mbetur asnjë në nivel kombëtar, kështu që Erdogani po e kontrollon pak a shumë çdo organizatë mediale për momentin.

Kam lexuar që ju keni shpëtuar për pak nga arrestimi para se të largoheshit drejt Gjermanisë, më pas për në Suedi. A u arrestua ndonjë nga kolegët tuaj në Zaman, në Stamboll ose në Ankara?

Po. Ky për mua ishte një moment kyç sepse edhe pas puçit të dështuar, unë nuk po planifikoja të largohesha. Pasi e mbyllëngazetën time, unë e themelova një kompani të re. Ishte një organizatë e vogël mediale në Ankara, por po shkonte mirë. Po arrinim t’i paguanim rrogat e gazetarëve, e menaxhoja biznesin dhe raportuam edhe pas puçit të dështuar. Por pastaj qeveria vendosi t’i arrestojë 42 gazetarë brenda ditës në korrik 2015.

Shumë prej tyre i kam miq të afërt, e disa i njoh vetëm nga shkrimet. Nuk ishte vetëm në Stamboll, ndodhi edhe në Ankara. Disa gazetarë ishin në pushim në atë kohë dhe po kalonin kohë me familjarët e tyre në vendlindje. Disa u vetë-dorëzuan në departamentet krahinore të policisë, jo vetëm në Stamboll dhe Ankara.

“Nuk e dija që policia do ta bastiste zyrën time një ditë pasi u largova. Isha me fat që u largova me kohë”.

Kjo ishte dita kur vendosa se nuk isha më i sigurt, përndryshe do të kisha qëndruar në Turqi, sepse i thashë vetes “Nuk kemi bërë asgjë gabim”, e edhe nëse më akuzojnë, me lehtësi do të mund ta mbroja veten në gjykatë dhe të shfajësohesha. Por, kur lëshuan urdhër arresti për aq shumë gazetarë në një ditë, mendova se kjo nuk kishte lidhje me puçin apo ndjekjen penale dhe sundimin e ligjit. Kjo ishte thjesht pjesë e një modeli që ishte në rritje para puçit, por mori hov pas tij.

Qeveria po mundohet ta transformojë gjithë sferën e mediave në Turqi, kështu që nuk isha i sigurt dhe vendosa të largohesha dhe ishte vendimi i duhur. Nuk e dija që policia do ta bastiste zyrën time një ditë pasi u largova. Isha me fat që u largova me kohë.

A keni informata për mënyrën se si po trajtohen kolegët tuaj? A janë aktualisht në burg? Si po shkon procesi ligjor për ta?

Kur i shohim paditë, nuk ka dëshmi për ndonjë lloj krimi. Qeveria po i akuzon në bazë të ligjeve kundër terrorizmit dhe në disa raste për puçin, por kur i lexojmë paditë, e shohim se nuk ka fare dëshmi, përveç artikujve të publikuar, komente të dhëna në programe televizive dhe në disa raste, mesazhe të postuara në rrjete sociale, veçanërisht në Twitter. Pra në thelb ata janë akuzuar për aktivitete gazetareske. Nuk ka fare lidhje me ndjekje penale. Është thjesht pjesë e fushatës së frikësimit që po drejtohet nga qeveria, e cila po e keqpërdorë sistemin e drejtësisë.

Sa i përket trajtimit, disa prej tyre përjetuan torturë gjatë periudhës kur u mbajtën në arrest, para gjykimit. Në burg, zakonisht nuk kanë qasje në shërbime shëndetësore, në kompjuterë apo libra që duan t’i lexojnë. Në disa raste nuk kanë qasje në avokatë për ta përgatitur mbrojtjen. Janë kushte shumë, shumë të vështira.

A mendoni se kjo fushatë është e motivuar specifikisht nga konflikti ndërmjet Erdoganit dhe klerikut në ekzil Fethullah Gülen (të cilin Erdogan e fajëson për organizimin e puçit të dështuar)?

Jo domosdoshmërisht. Nëse e shohim profilin e gazetarëve aktualisht janë 239 gazetarë të burgosur në Turqi shumë prej tyre punonin në media që ishin të lidhura me lëvizjen Gülen, por disa prej tyre nuk kanë lidhje fare me lëvizjen, disa janë nga lëvizja politike kurde, disa nga mediat liberale dhe disa nga qendra e majtë.

Motivi kryesor i qeverisë nuk është ta ndjekë lëvizjen Gülen; në fakt është t’i ndjekë gazetarët kritikë të cilët shkruan specifikisht për dy çështje. Njëra është korrupsioni, siç e përmenda më lart. Tjetra është lidhjet ndërmjet qeverisë turke dhe grupeve xhihadiste, veçanërisht në Siri.

"Rasti i Jamal Khashoggit e ka ekspozuar hipokrizinë e Erdoganit për lirinë e mediave dhe lirinë e shprehjes, e kjo duhet të thuhet zëshëm".

Të gjithë i kemi ndjekur detajet e lajmeve në media për Jamal Khashoggi-n, gazetarin që u vra në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll. Çfarë mendoni se na tregon ky rast, sa i përket sulmit ndaj një gazetari të mirënjohur dhe përgjigjes, gjatë së cilës u shpërfaqën detaje të rënda për vrasjen?

Ma ka thyer zemrën. Unë e kam njohur personalisht, në fakt isha pjesë e një diskutimi në një panel bashkë me të më 2014 në Abu Dhabi dhe diskutuam për drejtimin në të cilin po shkonte Turqia. Ishim në dy anë shumë të ndryshme ai po e mbronte shumë qeverinë e Erdoganit në Turqi, ishte tip shumë pro-Erdogan, ndërsa unë isha në anën tjetër që e kritikoja qeverinë. Por ai ishte fantastik dhe nuk e meritoi këtë vrasje të tmerrshme. Është e pabesueshme që qeveria saudite ka shkuar në ekstrem duke e bërë këtë dhe ata duhet të japin përgjegjësi, jo vetëm para ligjit, por edhe politikisht.

Por, kur e shoh qeverinë turke duke e manipuluar rastin dhe duke u munduar ta shfrytëzojë atë për qëllime politike, më duket e tmerrshme. Është hipokrizi kur i burgos 239 gazetarë, disa prej tyre në kushte shumë të vështira dhe thua që të gjithë janë terroristë, por e mbron një person që ishte i afërt me ty ideologjikisht dhe mundohet t’i mjelë përfitimet politike dhe të ketë përparësi në këtë çështje duke e përdorur rastin [e Khashoggit].

Dhe nuk janë vetëm 239 gazetarë të burgosur; i kemi edhe 148 gazetarë si unë për të cilët qeveria ka lëshuar urdhër arreste, por ata nuk mund të arrestohen sepse janë në arrati brenda apo jashtë Turqisë. Rasti i Jamal Khashoggi e ka ekspozuar hipokrizinë e Erdoganit për lirinë e shtypit dhe lirinë e shprehjes, e kjo duhet të thuhet zëshëm.

Vrasja e Khashoggit dhe disa gazetarëve të tjerë të profilit të lartë në Evropë në kohët e fundit janë veçanërisht shqetësuese për shkak se disa prej tyre me sa duket janë veprime të sponsoruara nga shteti. A e shihni këtë si pjesë të një trendi më të gjërë, në të cilin qeveritë po përdorin masa gjithnjë më ekstreme për të shtypur lirinë e shprehjes dhe mediave?

Po, nga Bullgaria në Maltë. Në fakt, është një rast që është duke u proceduar në Danimarkë me një gazetar turk që ka jetuar atje për 25 vjet. Ai është targetuar nga një komplot dhe shërbimi i inteligjencës së Danimarkës zbuloi se prapa komplotit ishte një grup që po punonte me qeverinë turke. A mund ta paramendoni që Erdogani është duke e bërë gjithë atë rrëmujë për vrasjen e një gazetari saudit për qëllime politike, por në anën tjetër po mundohet ta trazojë, kërcënojë e madje edhe vrasë një gazetar turk që jeton në ekzil.

Më herët gjatë vitit, autoritetet daneze u detyruan ta dërgojnë atë në një shtëpi të sigurtë pasi kishte marrë kërcënime me vdekje nga grupet e lidhura me qeverinë turke.

Në një nga postimet e juaja në rrjete sociale, ju aludoni se qeveria e Erdoganit e ndihmoi sulmin e ISIS-it ndaj civilëve turq më 10 tetor, 2015, sulmi më vdekjeprurës terrorist në historinë e Turqisë. Keni përmendur se pikat e kontrollit policor rreth Ankarasë u hoqën para sulmit, duke u mundësuar kështu terroristëve të ISIS-it të lëvizin lirshëm me automjetin e sulmit vetëvrasës. Në çka e bazoni këtë pretendim?

Ky ishte sulmi më vdekjeprurës terrorist, pak kohë para zgjedhjeve të parakohshme, që në fakt i ndihmoi Erdoganit ta fitojë përsëri shumicën në parlament, të cilën e kishte humbur në verën e vitit 2015. Gjatë procedurave të gjykimit dolën shumë dëshmi. Kur i shohim dëshmitë dhe i lexojmë të gjitha dokumentet e gjykatës, e shohim me lehtësi se të gjithë të dyshuarit ishin nën përcjellje [nga shteti]. Qeveria po i përgjonte telefonat e tyre dhe e dinin se për çfarë kishin folur e çfarë kishin planifikuar.

Pas incidentit pati raport të brendshëm hetues të departamentit policor dhe Ministrisë së Brendshme për të parë se çfarë kishte ndodhur dhe si kishte ndodhur. Vet qeveria gjeti se të gjitha pikat e kontrollit rreth Ankarasë ishin hequr një natë para sulmit terrorist.

Kjo ishte mjaft e pazakontë sepse unë kam jetuar në Ankara për shumë vite, nga kam udhëtuar për në qytetin tim të lindjes në pjesët perëndimore të vendit dhe gjithmonë i kam parë këto pika të kontrollit. S’ka mundësi t’i tejkalosh, veçanërisht pas sulmit të dyfishtë të ISIL-it në Turqi mendoj se tre prej tyre ndodhën para sulmit më vdekjeprurës në Ankara – kështu që të gjithë ishin të alarmuar. Nuk kishte kuptim heqja e pikave të kontrollit.

Gjëja tjetër që gjendet në raportin e brendshëm hetues të Ministrisë së Brendshme është që departamenti policor në Ankara mori të dhëna shumë specifike të inteligjencës, por nuk i ndau këto informata me degët që kishin për qëllim të ofronin siguri për tubimin politik që ishte planifikuar të mbahej në ditën kur ndodhi sulmi.

Ky ishte një tjetër ‘flamur i kuq’, siç ishte fakti që të gjithë të dyshuarit ishin të njohur për qeverinë për disa vite; ata i kishin ndjekur këta njerëz prej vitit 2013 dhe 2014. Në fakt, një raport i inteligjencës së Bashkimit Evropian thoshte të njëjtën gjë para ca kohe. Ata e akuzonin qeverinë turke duke thënë se kishte bërë marrëveshje me ISIL-in në mënyrë që të përfitojnë politikisht. Dhe kjo ndodhi. Ishte e mahnitshme.

Menjëherë pas sulmit, Kryeministri Ahmet Davutoglu, përmes një paraqitje në televizionin publik, tha që autoritetet e sigurisë i njihnin sulmuesit, por nuk kishin mundur t’i arrestonin para se ata të vepronin. A mund ta paramendoni këtë qasje të çuditshme: i njeh sulmuesit, por nuk i arreston deri sa ata të veprojnë. Ka shumë tregues që aludojnë se qeveria turke ishte e lidhur me këtë sulm.

"Ballkani, sigurisht, është tokë shumë pjellore për partinë e Erdoganit".

Gjatë kohës kur i ashtuquajturi Shteti Islamik ishte në kulmin e tij, qindra kosovarë iu bashkuan kësaj organizate terroriste në Siri dhe Irak, duke e përdorur Turqinë si shtet tranzit për të kaluar në territoret e kalifatit të ashtuquajtur? A mendoni se Turqia ka mundur të bëjë më shumë për ta parandaluar këtë?

Absolutisht. Unë jam duke punuar në një raport të hollësishëm që do të publikohet së shpejti. Kam arritur t’i siguroj disa dokumente konfidenciale, raporte të mbikëqyrjes së kufirit ndërmjet Turqisë dhe Sirisë. Kur i lexon këto përgjime telefonike, kupton që qeveria ishte duke i përgjuar të gjithë trafikantët e ISIL-it në të dy anët e kufirit. Ata ishin në dijeni për çdo lëvizje, e dinin se kë do ta merrnin në stacione të autobusëve apo aeroporte, e dinin sa njerëz po vinin në krahinat kufitare si Gaziantep dhe Kilis, por nuk bënë asgjë. Njerëzit nga e gjithë bota po ateronin në aeroportet e Stambollit dhe prej aty po shkonin me autobusë në krahina të kufirit dhe qeveria ishte në dijeni për gjithë këtë. Është mahnitëse në fakt kur e lexon komunikimin ndërmjet trafikantëve të ISIL-it dhe njerëzve që po vinin prej jashtë vendit.

Qeveria pati mundësi të bënte shumë veprime, por thjeshtë nuk bëri asgjë. Në një nga përgjimet, për shembull, trafikantët po diskutonin për numrin e njerëzve që kishin arritur të trafikonin përtej kufirit. Trafikantët e ISIL-it në kufij paguheshin nga selia në Siri, në Aleppo, në bazë të numrit të njerëzve që i kalonin përtej kufirit.

Pra paguheshin për çdo person që mund ta kalonin nga Turqia në Siri?

Absolutisht. Mund ta shohim në dëshmi dhe qeveria ishte në dijeni për këtë që në vitin 2013. Në plot raste njerëzit që u transportuan përtej kufirit në mënyrë të jashtëligjshme ishin luftëtarë dhe në disa raste ata i sollën familjarët e tyre me ta, madje edhe fëmijët, sepse planifikonin të ndërtonin jetën në të ashtuquajturin Shtet Islamik në Siri.

Dua të flas për ndikimin e Erdoganit në Ballkan, një temë për të cilën keni shkruar së fundmi. Ju keni thënë se Maarif Foundation, që operon edhe në Kosovë, e ka pozicionuar veten për ta rritur një gjeneratë të re të islamistëve politikë në zemër të Evropës, duke përdorur përparësitë dhe ndikimin e Turqisë në shtetet ballkanike të Evropës Juglindore. Në Kosovë, ndër të tjera, vepron TIKA, një organizatë që financohet drejtpërdrejt nga qeveria turke. Çfarë mendoni se po mundohet të arrijë qeveria e Erdoganit me këto aktivitete?

Mendoj se Erdogani ka arritur ta transformojë pak a shumë secilin institucion në Turqi në një lloj vegle politike dhe partizane që mund ta përdorë për t’i arritur synimet politike. Maarif, TIKA dhe plot të tjera, fatkeqësisht janë shndërruar në vegla që i ka në dorë dhe i përdorë për ta projektuar ideologjinë politike islamiste jashtë vendit.

Ballkani sigurisht është tokë shumë pjellore për partinë e Erdoganit dhe ata e përdorin Maarif-in dhe TIKA-n për të financuar jo vetëm aktivitete arsimore, por edhe aktivitete tjera sociale, për t’i indoktrinuar gjeneratat e reja, veçanërisht muslimanët, në mënyrë që ata të lidhen me këtë ideologji. Mund të shihni këtë në plot raste, në Afrikë për shembull. Qeveria turke ndërhyri me ushtri, me trupatokësore në Afrin, Siri, dhe aty disa shkolla po postonin video mesazhe në të cilët fëmijët po e lëvdonin ushtrinë turke dhe po thonin se do ta mbështesnin këtë xhihad botëror, etj.

Kleriku turk, Nurettin Yildiz, në foto bashkë me Hassan Abboud, ish-liderin e organizatës Ahrar al-Sham, një ndër organizatat kryesore në luftën ndaj regjimit të Presidentit Bashar al-Assad në Siri.

Kjo është ideologjia globale e qeverisë së Erdoganit, që po mundohet ta projektojë këtë rrëfenjë islamiste në popullsi të ndryshme rreth botës. Nuk është vetëm Maarif the TIKA. Janë plot organizata joqeveritare që janë shumë të lidhura me qeverinë e Erdoganit dhe punojnë edhe në Ballkan, si për shembull Nurettin Yildiz, një klerik xhihadist i përkushtuar, i cili ka ardhur në Maqedoni këtë e di sigurt dhe në shtete tjera të Ballkanit, ku po mundohet ta sjellë dhe ta zhvillojë një grup islamist. Në shumë raste kjo është ideologji shumë e dhunshme islamike.

Nurettin Yildiz është kleriku që e radikalizoi policin [Mevlüt Mert Altintas] i cili e vrau ambasadorin rus më 2016. Ky kishte marrë pjesë në ligjëratat e tij plot herë dhe ishte radikalizuar në një periudhë shumë të shkurtër kohore, ndërsa e vrau ambasadorin rus për shkak se forcat ruse e kishin intensifikuar fushatën ushtarake në Siri kundër grupeve xhihadiste. Kur e shohim bordin e drejtorëve të Maarif Foundation, disa figura që e drejtojnë këtë organizatë ishin të lidhura me grupet islamiste në të kaluarën.

Si Osman Nuri Kabaktepe, zëvendës presidenti i Maarif Foundation…

Po, ai i ka drejtuar degët rinore të partisë religjioze në Turqi për shumë vite dhe tani në mënyrë efektive po e drejton organizatën në plot pjesë të botës. Mendoj se Erdogani e ka ëndërr të jetë ‘kalif’, disi një lider i botës islamike dhe po i përdorë të gjitha burimet që i ka, përfshirë këtu shkollat që i ka drejtuar nëpërmjet Maarif Foundation.

"Erdogani është duke e dërguar këtë mesazh: Mund të jeni jashtë Turqisë, por prapëseprapë nuk do të ndiheni të sigurtë".

Agjencitë e inteligjencës së Turqisë kanë ndërmarrë disa veprime për t’i kthyer në Turqi njerëzit e lidhur me lëvizjen Gülen nga disa shtete rreth botës. Kjo ndodhi në Kosovë, ku gjashtë arsimtarë turq u dërguan në rrethana të dyshimta në Turqi, por fushata po vazhdon në pjesë tjera të botës. Çfarë na tregon ky rast për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Turqisë?

Ky ishte incidenti i parë që ndodhi në zemër të Evropës dhe është mjaft shqetësues. U munduan ta bëjnë të njëjtën gjë në Zvicër, me një biznesmen që ishte i lidhur me lëvizjen Gülen por kishte jetuar atje për disa vite një zyrtar i inteligjencës së Turqisë që punonte si diplomat në Ambasadën turke dhe një person tjetër komplotuan për ta kidnapuar biznesmenin.

Prokurorët zviceran e morën shumë seriozisht rastin dhe ngritën aktakuza ndaj këtyre dy zyrtarëve të Ambasadës që në fakt ishin zyrtarë të inteligjencës turke dhe lëshuan urdhër arrest për ta. Pra dështuan në Zvicër. E di që në Holandë u munduan ta bëjnë të njëjtën gjë me një taktikë ndryshe dhe dështuan, por në Kosovë mendoj se arritën ta bënin me ndihmën e disa elementeve të qeverisë së Kosovës dhe kjo e ka vendosur një precedent mjaft të keq.

Kjo është pjesë e fushatës së frikësimit nga qeveria e Erdoganit, përmes së cilës ai po e dërgon këtë mesazh: Mund të jeni jashtë Turqisë, por prapëseprapë nuk do të ndiheni të sigurtë. Ne do t‘ju ndjekim, do t’ju kthejmë në Turqi, do t’ju torturojmë dhe burgosim, kështu që më mirë rrini të heshtur. Kjo vlen edhe për gazetarët. Këto kërcënime i marr gjatë gjithë kohës dhe e di motivin pas kësaj; duan të jesh i heshtur, të mos e ngritësh zërin e të mos flasësh kundër qeverisë turke, sepse ata nuk mund t’i rrëmbejnë të gjithë kritikët rreth botës, e dinë këtë.

Në plot raste, kur e shohim profilin e njerëzve që i kanë rrëmbyer, ata janë mësues. Për hir të Zotit! Ata nuk janë njerëz të profilit të lartë dhe këtë e pamë në Kosovë. I kapën gjashtë njerëz, por edhe pse identiteti i njërit prej tyre ishte gabim dhe këtë e kuptuan pasi e sollën në ambasadë, prapëseprapë e morën dhe e kthyen në Turqi! Kjo është absurde. E dinë që nuk kanë dëshmi, kështu që i përdorin këto taktika të mafias për t’i kidnapuar njerëzit jashtë vendit.

Në këtë rast, ka tregues që disa elemente të qeverisë së Kosovës luajtën rol në këto rrëmbime.

Agjencia shtetërore turke e lajmeve Anadolu kishte publikuar këtë poster në stilin e Perëndimit të Egër, ku Abdullah Bozkurt shpallej në kërkim si ‘dezertor’ dhe ‘terrorist’.

Autoritetet rumune e mbajtën nën arrest gazetarin turk Kamil Demirkaya të mërkurën [5 dhjetor]. Ai u ballafaqua me ekstradim në Turqi në bazë të një urdhër arresti që u lëshua nga autoritetet e Ankarasë. Kjo lidhet edhe me situatën tuaj. A jeni të shqetësuar që një ditë mund të ballafaqoheni edhe ju me një situatë të ngjashme?

Në rastin në Rumani, gjykatësi vendosi ta refuzojë rastin dhe ai u lirua, por sigurisht ai u detyrua të merrej me gjithë ato procedura, ndoshta një a po dy ditë. Është kokëdhimbje, sigurisht.

Gjithmonë shqetësohem për këtë, sepse këto mekanizma, veçanërisht nëpërmjet Interpol-it, janë të dizajnuara t’i ndjekin kriminelët e vërtetë, por qeveria turke po e keqpërdorë sistemin e Interpolit dhe marrëveshjet e tjera të bashkëpunimit bilateral ndërqeveritar për t’i akuzuar dhe për t’u munduar t’i kthejë në Turqi njerëzit që i targeton. Ata e dinë që në plot raste do të dështojnë nëse shteti në fjalë merr vendim në bazë të ligjit. Kjo krijon probleme për shumë njerëz.

"Nëna ime, e cila është 79 vjeçe, u mbajt nën arrest për shkakun tim".

Për shembull vitin e kaluar ishte rasti me një gazetar suedezo-turk që kishte jetuar në Suedi për 30 vite. Qeveria turke e ndoqi atë duke e përdorur Interpolin për ta lëshuar një urdhër arrest gjatë kohës sa ai ishte në pushime në Spanjë. Ai kaloi 30 ditë në një burg spanjoll deri sa u procedua rasti. Në fund ai u lirua dhe u kthye në Suedi.

Ishte një shtetas gjerman me prejardhje turke që e përjetoi të njëjtën situatë në Spanjë. Pra po, gjithmonë duhet ta mbash në mend atë, që një ditë mund të ballafaqohesh me të njëjtën sitautë dhe mund të bëhet jeta e vështirë. Nuk po planifikoj të shkoj në Spanjë në të ardhmën e afërt (qeshë).

I zgjedhi me kujdes vendet ku shkoj në bazë të asaj se a veprojnë në përputhje me rregullat ndërkombëtare dhe se sa janë të afërta me qeverinë turke.

Si po e trajtojnë familjen tënde në Turqi?

Familjarët e afërt janë me mua. Arrita t’i marr me vete në Suedi. Familjarët e tjerë janë në Turqi. Nëna ime, e cila është 79 vjeçe, ishte arrestuar për shkakun tim, por u lirua.

Fatkeqësisht qeveria turke po i përdorë familjarët si taktikë kundër kritikëve. Nëna ime u mbajt në arrest pasi shkova në Suedi dhe e hapa një OJQ nëpërmjet të cilës i dokumentojmë shkeljet e të drejtave të njeriut në Turqi. Mendoj se me këtë ata u munduan të ma japin një mesazh nëpërmjet nënës sime: ‘Sillu mirë, përndryshe do t’i ndjekim edhe familjarët e tjerë’.

A planifikoni të ktheheni në Turqi në të ardhmen e afërt?

Me shpresë një ditë do të kthehem në Turqi, kur të kthehet gjithçka në normalitet dhe të restaurohet sundimi i ligjit.

Si e shihni të ardhmen e ndikimit të Turqisë në Ballkan, sidomos nëse themi që Shtetet e Bashkuara po bëhen më izolacioniste, kurse Bashkimi Evropian po humb kredibilitet në Kosovë për shkak të mungesës së liberalizimit të vizave dhe ngecjeve në dialogun me Serbinë?

Vështirë është të them. Nuk mendoj se Turqia ka hapësirë dhe përparësi sepse nuk ka marrëdhënie të mira me Bashkimin Evropian për momentin. Ka dallime të mëdha me Shtetet e Bashkuara për plot çështje dhe njëlloj me Rusinë e Kinën. Por, rusët po e përdorin qeverinë turke kundër NATO-s, duke u munduar të bashkëpunojnë me Erdoganin. Por në kuptimin strategjik, ata nuk i besojnë Erdoganit sepse e dinë çfarë plane ka.

Në fakt, kohë pas kohe rusët janë ata që po i ekspozojnë lidhjet e qeverisë turke me ISIL-in dhe grupet e tjera xhihadiste. Javën e kaluar kreu ushtarak i Rusisë tha se ISIL ende po shet naftë nëpërmjet Turqisë. Pra, situata e përgjithshme është që Turqia nuk po luan një rol dobiprurës dhe nuk është aktor racional në politikën ndërkombëtare.

Prandaj në disa raste, qeveria turke po e restauron ‘politikën e pengmarrjes’, duke i mbajtur në arrest shtetasit e huaj nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa dhe pjesët tjera të botës, duke u munduar t’i përdorë ata në negociata; sepse nuk kanë kartë tjetër në arsenalin e tyre diplomatik dhe kjo tregon dëshpërimin e një pjese të qeverisë turke.

Mendoj se janë shumë të izoluar. Shihet në Mesdheun Lindor Greqia, Qipro, Izraeli janë bashkuar për ta ndërtuar një koalicion kundër Turqisë në atë pjesë.

Gjithashtu, nuk mendoj se qeveria e Erdoganit ka shumë përparësi në shtetet e Ballkanit, por mund jetë dëmtuese dhe kjo është pjesa më shqetësuese. Politika e jashtme e Turqisë është e shtyrë shumë nga ideologjia dhe nuk është një model i ndërtuar racionalisht, por ata mund t’i përdorin grupet e tyre brenda shteteve dhe të investojnë në to siç kanë bërë në Siri dhe Irak, dhe mund t’i rrezikojnë dhe destabilizojnë shtetet e Ballkanit me shumë lehtësi.

Duhet të jeni mjaft vigjilentë, sepse ka plot grupe të financuara nga qeveria turke që sigurojnë mbulim politik dhe diplomatik, e ato mund të krijojnë shumë probleme.K

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën angleze.

Foto kryesore nga Abdullah Bozkurt.