Reshat Ramadani po e ngarkon biçikletën e tij të vogël me copëza të metalit. Tekqë e ngarkon atë, ai shpjegon se si çdo ditë sillet nëpër qytet me biçikletën e tij duke kërkuar gjësende të ndryshme metalike. “Mbledhi alumin, bakër, hekur dhe pastaj i shes. Nuk fitoj më shumë se 3-5 euro në ditë, por mjafton për të blerë bukë kur të kthehem në shtëpi”, tregon ai për RTV 21.
Ramadani është ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Duke biseduar për rrethanat aktuale ekonomike, ai flet me ton shumë pesimist. “Më vështirë s’bëhet. U lodha më. Do të ishte më mirë të vdisja se të jetoja kështu”, thotë ai, i ulur në një cung druri në oborrin e tij, gardhi i së cilës e ka të gdhendur shqiponjën dykrenare, simbolin kombëtar shqiptar.
Ramadani po punonte në Gjermani në 1998 kur si 40 vjeçar u kthye në Kosovë dhe e la një punë që i paguhej mirë. Në maj 1999, ai u plagos në betejën e Çabratit ndanë Gjakovës. Dy vite më vonë, deri sa ishte duke luftuar për Ushtrinë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, një plumb e goditi dhe i ngeli në krah, aty ku e ka edhe sot e asaj dite.
“Deri sot kam banuar në 17 shtëpi me qira”, thotë ai, duke treguar se kishte raste kur qiradhënësit e dëbonin për shkak sepse ai nuk kishte para për ta paguar qiranë. “Po binte borë dhe nga i ftohti u sëmurën bashkëshortja dhe vajza ime foshnje. Sot e asaj dite gruaja është e shtrirë, e sëmurë dhe duke shitur kanaqe unë mbledhi para për t’i blerë asaj ilaçe që shumë shpesh kushtojnë deri në 20 euro”.
Me një situatë të ngjashme ballafaqohen plot veteranë tjerë të UÇK-së. Përveç traumave të trashëguara nga tmerri i luftës, ata ballafaqohen edhe me kushte të rënda ekonomike. Sipas të dhënave të publikuara në mars 2017 nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve të UÇK, 48 ish-ushtarë të UÇK-së kanë bërë vetëvrasje prej fundit të luftës për shkak të rrethanave të vështira ekonomike dhe sociale. Në atë kohë, Xhevdet Qeriqi, kryetari i Këshillit, deklaroi se “ky është turpi më i madh i këtij shteti”.
Megjithatë, përderisa Reshat Ramadani dhe veteranët e tjerë janë ballafaquar me vështirësi financiare, është aluduar se dhjetëra mijëra njerëz kanë mashtruar për të marrë pensione të veteranëve të UÇK-së, duke i kushtuar kështu dhjetëra miliona euro shtetit të Kosovës.
Skandali i vazhdueshëm rreth listave të veteranëve ka përfshirë figura të profilit të lartë nga bota politike e juridike dhe ka bërë që Qeveria e Kosovës të qortohet nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bashkimi Evropian.
Natyrisht, problemet dhe mospajtimet për dispozitat në lidhje me veteranët e luftës nuk u lindën në Kosovë. Shtetet tjera që kalojnë në tranzicion pas konflikteve të armatosura janë ballafaquar me probleme të njëjta. Kur i analizojmë fqinjtë e Kosovës në rajon shohim se të gjitha shtetet që kanë luftuar janë ballafaquar me probleme kur janë orvatur që ta gjejnë një mënyrë të drejtë dhe të menaxhueshme për t’u kujdesur për veteranët e tyre gjegjës.
Lista të kushtueshme dhe të fryra
Sikurse Kosova, edhe Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina (BiH) janë përfshirë së fundmi në polemika në lidhje me fryrjen e listave të veteranëve dhe pagesat e larta për mirëqenie, duke shkaktuar incidente me organizatat ndërkombëtare.
Në vitin 1996, pasi i erdhi fundi fazës ushtarake të Luftës Kroate për Pavarësi, presidenti i parë i shtetit të ri Franjo Tuđman shprehu mirënjohjen e kombit për ushtrinë e guximshme të tyre gjatë një fjalimi në Parlament, në të cilin ai përmendi se Kroacia i kishte 336,000 veteranë.
Megjithatë, 16 vjet më vonë, në vitin 2012, kur Regjistri zyrtar i Veteranëve të Luftës së Kroacisë u prezantua nga tre ministra të qeverisë (i Mbrojtjes, i Brendshëm dhe i Veteranëve – të tre ish-ushtarë) u listuan jo më pak se 502,678 ish-luftëtarë. Deri në prill 2016, Regjistri zyrtar i Veteranëve të Luftës së Kroacisë ishte fryrë edhe më shumë , duke i listuar 505,221 ‘mbrojtës kroat’.
Regjistrimi si veteran ua mundëson qytetarëve kroatë disa përfitime, përfshirë këtu mundësinë për pensionim të hershëm si dhe pagesa më të mëdha të pensionit. Në prill 2016, pensioni mesatar për veteranët e luftës ishte 5,085 kuna (gati 688 euro) në muaj, ndërsa pensionet e rregullta arrinin mesataren prej 2,245 kuna (rreth 304 euro) në muaj. Në atë kohë, mbi 4,500 veteranë po merrnin më shumë se 8,000 kuna (1,082 euro) në muaj.
Më 2016, 72,200 njerëz po merrnin pensione të veteranëve, dhe ky numër veç sa është rritur prej atëherë me pensionimin e gjithnjë e më shumë veteranëve të regjistruar. Në nëntor 2017 u miratua legjislacioni i ri që e hapi përsëri mundësinë për t’u regjistruar si veteran i luftës, e reduktoi moshën e pensionimit, si dhe i zgjeroi të drejtat e familjarëve për t’i trashëguar pensionet e veteranëve.
Në një raport të Komisionit Evropian për Kroacinë që u publikua gjatë këtij viti, sistemi i mirëqenies në Kroaci u përshkrua si i penguar nga dështimi për t’i targetuar ata që kanë më së shumti nevojë dhe nga mbështetja për “kategoritë e privilegjuara” – veteranët e luftës u përmendën në mënyrë eksplicite.
Por, përderisa disa po fokusohen në rritjen e kostos për mbështetje të veteranëve të luftës, në vitet e fundit njashtu janë mbajtur protesta nëpërmjet të të cilave u kritikua dështimi i shtetit kroat për t’u kujdesur si duhet për ish-ushtarët. Në tetor 2014, qindra ish-ushtarë me aftësi të kufizuara u mblodhën për të kërkuar përfitime më të mëdha dhe dorëheqjen e ministrit të atëhershëm për çështje të veteranëve, Predrag Matić-it.
Protestat u intensifikuan pas vdekjes së 60 vjeçares Nevenka Topalušić gjatë demonstratave. Kjo grua u lëndua seriozisht në Luftën Kroate për Pavarësi; aksionet protestuese përfunduan pas 18 muajve në prill 2016. Gjatë këtyre aksioneve shumëkush protesta e veteranëve u kritikua se është tejet e politizuar. Një kundërprotestë madje u organizua nga lëvizja ‘Occupy Croatia’ në mars të vitit 2015.
Më së fundmi janë vënë në pah dispozitat për veteranët që vuajnë nga çrregullimet e stresit post-traumatik, pasi që një ushtar e dogji shtëpinë e tij në jug të vendit.
BiH gjithashtu është ballafaquar me probleme për të siguruar mirëqenie për një numër të madh veteranësh. Sipas një artikulli të botuar në vitin 2017 nga Nikola Obradović-i prej Universitetit të Mostarit, gjatë Luftës Boshnjake më shumë se 425,000 persona, kryesisht burra, u mobilizuan në forca të ndryshme ushtarake, të organizuara kryesisht në baza etnike dhe politike.
Përderisa numri i të vrarëve dhe të plagosurve ishte i madh, në vitin 2000 prapëseprapë ishin më shumë se 202,000 përfitues të drejtpërdrejtë nga programet aktuale të veteranëve në dy entitetet e këtij shteti. Nëse marrim parasysh familjarët e tyre, i bie që një e treta e popullsisë preket drejtpërdrejtë nga çështjet e veteranëve. Politikisht, është një grup i fuqishëm i lobimit i cili është i organizuar mirë.
Kjo shkakton një kosto të lartë për shtetin. Obradović-i thekson se në Federatën e Bosnjes dhe Hercegovinës, shpenzimet për veteranët e luftës janë afërsisht të barasvlershme me dy të tretën e të gjitha përfitimeve jo-kontribuese – domethënë ato që financohen nga buxhetet e entiteteve, kantoneve dhe komunave, por që nuk paguhen nga qytetarët.
Sivjet, dispozitat për veteranët e luftës kanë shkaktuar çrregullime dramatike politike në BiH. Në mars, veteranët boshnjakë dhe kroatë të luftës së Bosnjes i bllokuan kryqëzimet kryesore në Federatën Muslimano-Kroate të Bosnjes, përfshirë këtu edhe kryqëzimet në afërsi të kryeqytetit, Sarajevës, duke kërkuar kësodore përfitime më të mëdha për ish-ushtarët e papunë, si dhe një regjistër të unifikuar të të gjithë veteranëve, i cili do të ndihmonte në eliminimin e pretenduesve të rremë.
Veteranët protestues i bënë thirrje ligjvënësve që të reagojnë ndaj kërkesave të tyre që të ketë përfitime në vlerë 326 marka boshnjake (rreth 163 euro) në muaj për veteranët e papunë dhe që çdo ish-ushtar t’i merr të paktën dy marka boshnjake (afro 1 euro) në muaj për shërbimin e tyre gjatë kohës së luftës.
Pasi Federata Boshnjako-Kroate e miratoi legjislacionin që i rriti përfitimet për veteranët në korrik, në muajin e ardhshëm FMN-ja e pezulloi pagesën e një pjese të kredisë për të cilën qenë pajtuar kjo organizatë ndërkombëtare dhe shteti boshnjak, duke i cituar shqetësimet në lidhje me stabilitetin financiar. Përfaqësuesi i FMN-së në Bosnje, Francisco Parodi, tha për kanalin televiziv vendor N1 TV se është vlerësuar që programi ka kushtuar “disa qindra miliona marka”, shumë kjo që do t’i “kufizonte krejtësisht” financat e Federatës.
Të shpërfillur nga ligji
Megjithëkëtë, veteranët në Serbi dhe Maqedoni ballafaqohen me probleme mjaft të ndryshme për shkak se asnjëri prej këtyre shteteve nuk ka legjislacion të dizajnuar për t’i mbështetur qytetarët që luftuan në konfliktet e fundviteve ‘90 dhe fillimit të të 2000-tave. Në të dy vendet, incidentet e dhunshme në të cilat janë përfshirë veteranët kanë shpënë deri tek nxitja për krijimin e një legjislacioni të atillë.
Në nëntor 2014, një ushtar profesionist dhe veteran 40 vjeçar bëri vetëvrasje në fshatin Zletovo të Maqedonisë lindore. Ai u dyshua se i kishte vrarë prindërit e bashkëshortes së tij dhe një person tjetër me një pushkë automatike më herët gjatë asaj dite. Incidenti ndodhi pasi që më parë një tjetër ish-ushtar u mbajt në arrest mbi dyshimet për një vrasje të trefishtë, gjersa një tjetër ish-ushtar bëri vetëvrasje në javët paraprake.
Në atë kohë, Balkan Insight raportoi se shoqatat e veteranëve të luftës (prej të cilave janë 15 aktive me rreth 30,000 anëtarë) vlerësuan se të paktën 30 veteranë maqedonë kishin bërë vetëvrasje, ndërsa të paktën 10 të tjerë kishin vrarë njerëz prej fundit të konfliktit të vitit 2001.
Ndërsa në Serbi, në mars 2018, një ushtar i Ushtrisë së Serbisë kërcënoi se do ta shpërthente vetën me granatë dore para godinës së Parlamentit në Beograd. U raportua se ky burrë kishte një pistoletë dhe një granatë dore, por ai u dorëzua pasi që bisedoi me policinë.
Ishte ngjarja e fundit pas disa tjerave në të cilat veteranët dhe ushtarët kishin bërë vetëvrasje ose kishin kërcënuar se do të bënin vetëvrasje para institucioneve serbe. Pas incidentit të fundit në mars, kreu i Shoqatës së Veteranëve Serbë, Željko Vukelić, foli për nevojën urgjente për një ligj për veteranët.
Vukelić-i kishte folur me plot pasion për gazetën The Guardian para pesë vitesh për kushtet e veteranëve në Serbi, duke e krahasuar luftën e tij kundër shtetit serb që veteranët t’i marrin rrogat e vonuara dhe përfitimet për të cilat kanë të drejtë, me një konflikt të armatosur në të cilin ai kishte marrë pjesë në Krajina. Artikulli mëton se veteranët e Serbisë ballafaqohen me më shumë vështirësi në krahasim me tjerët në rajon për shkak të perceptimeve lokale dhe ndërkombëtare për ushtarët serbë.
Për shembull, si ‘luftë’ të viteve ‘90 Serbia e konsideron vetëm ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në konfliktin e Kosovës, ndërsa konfliktet tjera i përshkruan si ‘kryengritje’ ose ‘ushtrime ushtarake’. Një avokat që i mbrojti liderët serbë që u ballafaquan me akuza për krime të luftës tha për The Guardian se një zgjidhje me ish-ushtarët mund të merret keq në kryeqytetet perendimore, sepse mund të shihet si pranim i nënkuptuar i përfshirjes në luftërat e Ballkanit.
Mungesa e përshtatshmërisë politike shpeshherë përmendet si shkas për mungesën e legjislacionit në Maqedoni. Në tetor 2012, një projektligj për veteranët u prezantua nga VMRO-DPMNE-ja, por partia shqiptare në koalicion, Bashkimi Demokratik për Integrim (i formuar pas konfliktit të vitit 2001, kur lideri i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare Ali Ahmeti u bë kryetar i partisë) refuzoi ta mbështeste atë, duke argumentuar se ai projektligj nuk duhej miratuar për shkak se ishte i njëanshëm dhe nuk i përfshinte të gjithë pjesëmarrësit në konfliktin e vitit 2001.
Refuzimi nga Bashkimi Demokratik për Integrim e ka lënë legjislacionin për veteranët në një pozitë të shpërfillur politike. Partitë politike maqedone me sa duket po ngurrojnë të propozojnë dispozita për ata që ato i shohin si kryengritës. Ndërkohë, rrjedhojat e skandalit të përgjimeve dhe të marrëveshjes me Greqinë për ndryshimin e emrit zyrtar të shtetit maqedonas e kanë lënë agjendën politike të dominuar prej këtyre çështjeve.K
Foto kryesore: Pikturë nga John Singer Sargent, e dizajnuar nga K2.0.