Blogbox | Diaspora

Ah, ato vera në Kosovë

Nga - 06.07.2021

Reflektime nga diaspora për vizitat gjatë verës në shtëpi.

Çdo verë niseshim në kohë të ndryshme. Ndonjëherë në agim, ndonjëherë në mbrëmje fill pas darkës, e ndonjëherë në mesnatë. Pavarësisht kohës, e vetmja gjë që në të vërtetë kishte rëndësi ishte drejtimi: Kosova.

Çdo vit mbusheshim entuziazëm nga kjo magji, e cila na bënte ta harronim gjatësinë e udhëtimit, që nganjëherë zgjaste deri në 36 orë. Pritje të pafundme në kufij, netë të kaluara duke provuar të flinim në veturë, gjithë të ulur në ulëset e veta. Një verë, meqë isha rritur, kisha nevojë për më shumë hapësirë për këmbët, andaj fjeta në tokë, në hapësirën për parkim afër veturës. E bëra me kënaqësi. Çdo gjë e bënim me kënaqësi sepse çka kishte rëndësi për ne ishte të vinim sa më shpejt që ishte e mundur në Kosovë.  

Jam rritur në Milano, në Itali, dhe vetëm shkuarja në Trieste, në kufi me Slloveninë, ishte udhëtim në vete. 500 kilometra është rrugë e gjatë. Por, ky ishte vetëm fillimi.

Sapo hynim në Slloveni çdo gjë kishte shije tjetër. Gjuha ndryshonte, shenjat rrugore ishin tjera dhe mendja më mbushej me kurreshtje. Pastaj vinte Kroacia dhe bregdeti i pafund, para se ta linim autostradën dhe të hynim në Mal të Zi.

Teksa vozisnim përgjatë maleve, përpiqeshim të kalonim sa më shumë kilomentra që ishte e mundur. Këto male ishin pika kur lumturia fillonte të merrte trajtë konkrete, megjithëse kishim ende rrugë të gjatë për të bërë. Kështu, teksa kalonim ato male, filloja të imagjinoja se çfarë do të sillte vera në Kosovë.

Ndeshjet e futbollit me kushërinjtë dhe shokët, mbrëmjet kur luanim fshehtas, gjithë ëmbëlsirat që haja sa herë vizitoja ndonjë të afërm. Mbështetja kokën në dritare, buzëqeshja dhe i kërkoja mamit e babit të më thonin se nuk ishim larg.

“Gati arritëm, gati”, thoshin ata.

Pas Malit të Zi, vinte një copë e vogël Shqipërie, ku kishim mjaftueshëm kohë për ta shijuar gjuhën tonë, dhe pastaj më në fund shfaqej Kosova, ku shkonim menjëherë t’i vizitonim xhaxhallarët dhe kushërinjtë. Lumturia e tyre kur na shihnin dhe e jona kur i gjenim aty. Gëzimi im kur njerëzit ma shqiptonin emrin si duhet dhe ngazëllimi për muajin argëtues që më priste.

Vetëm gjatë atij muaji, një herë në vit, i shihja prindërit e mi të lumtur.

Kështu, fillonte koha më e mrekullueshme e vitit, të cilën e prisnim për 11 muaj. Ndonjëherë mendoj se jeta e një migranti është thjesht kjo: mbijetesa në vendin ku ai ose ajo ka vendosur të shkojë dhe pritja e momentit për t’u kthyer në shtëpi. Posaçërisht, nëse është aq me fat sa ishim ne që kishim mundësi të vinim në Kosovë çdo verë. Në fund të fundit, nuk ishte edhe aq larg.

Vetëm gjatë atij muaji, një herë në vit, i shihja prindërit e mi të lumtur. Kurrë nuk i kam parë duke buzëqeshur ashtu, përveçse në Kosovë. Kurrë nuk i kam parë aq të relaksuar, plot jetë. Gjatë atyre verave, i shihja duke jetuar dhe marrë frymë si duhet. Por, këtë mund ta bënin vetëm në një prej 12 muajve, dhe besomëni, kjo nuk mjafton për njeriun.

Si fëmijë nuk e kuptoja, por teksa rritem, e shoh se si ishte të jetoje siç kanë jetuar ata; se sa të rëndësishme ato vera ishin për prindërit e mi. Sa qenësore ishte për shëndetin e tyre të ktheheshin për t’i parë prindërit, motrat e vëllezërit, të afërmit, dhe miqtë. Për ta prekur, nuhatur, dhe për të marrë frymë aty ku dikur ishte jeta e tyre.

Por, ato vera ishin të rëndësishme edhe për mua. Ato kishin kuptimin e lirisë, vrapimit në fusha të fshatit, ngjitjes nëpër drunj, lojës së futbollit deri kur errej, qëndrimit me kushërinj, përqafimit të gjyshit e gjyshes, dhe të pasurit dikë timin për ta kaluar jetën së bashku, qoftë edhe për një muaj në vit.

Kurr rritesh jashtë vendit, rrallë je aq me fat sa për të pasur pranë të afërm. I sheh shokët e shoqet kur shkojnë te hallat, dajët dhe te gjyshet e gjyshërit, kur festojnë ditëlindjet dhe festat me shtëpitë e mbushura plot të afërm, dhe e di se duhet të presësh deri në verë për ta përjetuar vetëm një pjesë të vogël të gjithë kësaj.     

Por mbi të gjitha, tani mund të them se sa qenësore këto vera ishin për formimin e identitetit tim, dhe për të më ndihmuar të kuptoj pjesë të vetes sime dhe se kush jam. Kjo veçanërisht u bë e vërtetë pasi vendosa të mos kthehem për disa vite, një vendim për të cilin nuk pendohem fare. Mund ta kem gabim, por për ta kuptuar çfarë kuptimi ka diçka për ty, duhet ta privosh veten nga ajo gjë, dhe ta shohësh nëse mund të jetosh pa të. Mund të tingëllojë jokoherente dhe e çuditshme, por sa më rrallë që vija, aq më shumë e ndieja që përkisja aty.

Shenja e vërtetë se çfarë kuptimi kishin ato vera për ne ishin lotët që derdhnim. Qanim kur mbërrinim; lumturia jonë ishte aq e madhe sa trupat tanë nuk mund ta përmbanim. Pastaj qanim edhe më shumë kur vinte koha për të thënë lamtumirë. Gjithmonë, edhe si fëmijë edhe si adoleshent, i pari filloja të qaja, dhe pastaj të gjithë fillonin pas meje.

Pikëllimi që ndieja ishte shumë i fuqishëm. Nuk doja të largohesha për asnjë arsye në botë. Nuk doja të kthehesha në Itali, doja të rrija të luaja me kushërinjtë e mi dhe të isha pranë njerëzve që ma shqiptonin emrin si duhet.

Çdo verë i thosha mamit se nuk do të kthehesha në Itali dhe i pyesja tezet nëse u prishte punë ta kishin një fëmijë më shumë. Çdo verë, mundohesha ta bëja ndonjë plan për t’u fshehur. Në një prej verave, mendova të zhdukesha në fusha, mendova se nuk do të më gjenin kurrë, se do të lodheshin duke më kërkuar dhe do të ktheheshin në Itali.

Isha aq i pikëlluar në ditët para se të ktheheshim në Itali saqë mezi mund të zgjohesha në mëngjes. Filloja të qaja disa ditë para kthimit dhe provoja të fshihesha, siç po bëj edhe tani; po qaj që kur fillova ta shkruaj këtë shkrim dhe fatmirësisht askush nuk është në shtëpi për të më parë.

Më mungojnë ato ndjesi, aromat dhe magjia e atyre verave. Nuk jam rritur duke e pritur babadimrin, siç kanë bërë miqtë e mi italianë; në vend të babadimrit e kisha udhëtimin e shumëpritur për në shtëpi çdo verë.

Në 28 vite jetë, asgjë nuk më ka bërë aq të lumtur sa kthimi i përvitshëm gjatë atyre verave në Kosovë.

Mendoj se koncepti i lumturisë për një person ndryshon sa vjen e rritesh. Përqendrohesh më shumë në vetvete dhe synimet personale bëhen aspirata më e lartë. Lumturohesh kur merr një notë të mirë në universitet, kur gjen një vend pune, apo kur je në lidhje me dikë që të pëlqen. Megjithatë, kam përshtypjen se lumturia të cilën e përjetoja gjatë atyre verave në Kosovë do të jetë përgjithmonë ndjesia më e lartë.

Më mungon ndjenja e gëzimit shpërthyes në zemër, më mungon të jetoj 11 muaj në pritje duke e ditur se lumturia do të vijë në gusht. Nuk mendoj që lumturia që ndiejmë si të rritur mund të krahasohet me atë që përjetojmë si fëmijë. Pavarësisht se sa me fat mund të jetë dikush duke pasur mundësinë që t’i realizojë qëllimet e mëdha personale, ta ketë dikë për ta dashur dhe të gëzojë shëndet të mirë, asgjë nuk krahasohet me lumturinë që e përjeton si fëmijë.

Në 28 vite jetë, asgjë nuk më ka bërë aq të lumtur sa kthimi i përvitshëm gjatë atyre verave në Kosovë. Edhe pse deri tani kam pasur fat të kem një jetë të mrekullueshme, në fund të fundit mendoj se është në rregull të ndihem kështu, pasi Kosova është vendi ku kam lindur, dhe njerëzit thonë se tërheqja e atdheut është gjëja më e fortë që do ta përjetoni ndonjëherë.  

Do të doja të kthehesha për pak ditë dhe t’i rijetoja ato momente, kur jeta ime, tani që vështroj prapa, ishte aq e thjeshtë. E prisja vazhdimisht atë udhëtim, pasi Kosova përfaqësonte idenë e lumturisë, dhe nuk kisha nevojë për asgjë tjetër.

Në të njëjtën kohë, jam shumë krenar dhe i lumtur që mund të shkruaj për ato momente, për faktin se momentet më të lumtura të jetës sime ndërlidhen me rrënjët e mia dhe vendin ku kam lindur. A ka gjë më mirë? Mendoj që jo.

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0