Blogbox | Feminism

Ajo është thjesht grua dhe kjo mjafton

Nga - 05.02.2024

Gjetja e vetes në protagonistet feministe ballkanike.

Prej momentin kur e pashë kryeveprën e Blerta Bashollit “Zgjoi”, kam qenë shumë kurreshtare për të gjetur sa më shumë përmbajtje mediale, në të cilat portretizimi i grave ma jep të njëjtën ndjesi afërsie si ajo që ma dha ky film. Në filmin “Zgjoi”, Yllka Gashi luan Fahrijen, një grua e ve, e cila fillon të shesë ajvar dhe mjaltë për ta mbajtur familjen, pas zhdukjes së bashkëshortit të saj gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.

Përveç prezantimit të shkëlqyer që filmi iu bën grave kosovare, që përpiqen ta rindërtojnë komunitetin e tyre pas luftës, performanca e Gashit më mahniti sepse ma vendosi një pasqyrë përballë. Fahrija isha unë; ajo ishte të gjitha gratë në jetën time. E gjeta veten në vendosmërinë e saj, djersën në ballë dhe vrazhdësinë në maje të gishtave. Pikëllimi i saj i thellë përballë realitetit të saj të zymtë është çfarë më bëri ta ndiej kaq të afërt, si të ishte një grua që unë e njoh. M’u duk e bukur, e fortë dhe më e rëndësishmja, e vërtetë.

Vendosmëria dhe qëndrueshmëria e Fahrijes e bëjnë atë një personazh të njohur dhe të afërt. Pamje nga filmi “HIVE”.

Duke kërkuar përmbajtje të ngjashme, hasa në një përmbledhje të “65 filmave qenësorë feministë”. Çuditërisht, lista përbëhet nga filma si “Promising Young Woman”, “Wonder Woman”, “Nine to Five”, “Clueless”, “Erin Brokovich” dhe “Legally Blonde”. Kjo përmbledhje u botua në vitin 2022, kështu që nuk përfshinte “Barbie”, i cili u prit si një “klasik feminist joserioz” pas publikimit në 2023.

Teksa skenaret e këtyre filmave përfshijnë tema të fuqizimit të grave dhe i vënë në qendër personazhet gra, reklamimi i tyre si filma feministë është një marifet i zbrazët marketingu, që shpërndahet nga mediet jokritike. Narrativat e tyre fuqizuese të vakëta mund të duken bindëse, por përshkrimet e tyre joreale të një heroine të përsosur feministe vetëm sa e përkeqësojnë problemin e personazheve sipërfaqësore gra.

Personazhe gra të cekëta dhe një-dimensionale

Siç ndodh zakonshëm në Hollywood, personazhet gra janë gra të holla dhe tradicionalisht tërheqëse, të cilat janë të përsosura nga secili kënd. Ato janë gra të forta, punëtore, që janë të suksesshme përkundër rrethanave krejt të pamundura; janë mjaftueshëm feministe për të qenë të këndshme për audiencën liberale, por nuk sfidojnë radikalishtt sistemet e mizogjinisë. Në fakt, ato u përmbahen plotësisht standardeve të bukurisë dhe bindjeve heteronormative, duke i ushqyer besimet e brendshme patriarkale të shikuesve se si duhet të duket dhe të veprojë një grua. Nëse këto personazhe gra në fakt devijojnë nga normat mizogjene, edhe publiku më mendjehapur do t’i konsideronte ato të papëlqyeshme dhe të padëshirueshme.

Nëse këto personazhe gra në fakt devijojnë nga normat mizogjene, edhe publiku më mendjehapur do t'i konsideronte ato të papëlqyeshme dhe të padëshirueshme.

Megjithëse portretizimet e këtyre grave mund të mos jenë qenësisht të dëmshme, mënyra se si ato cilësohen si “thelbësore” për mediet feministe është shqetësuese. Artikujt nga revista online me lexueshmëri të madhe si “Seventeen”, “Cosmopolitan” dhe “Time Out” i kategorizojnë filmat si “The Devil wears Prada” dhe po ashtu “Star Wars: The Last Jedi” si ndër “filmat më të mirë feministë”. I pari ka të bëjë me një grua që përqafon standardet e bukurisë për ta pushtuar hierarkinë shoqërore të vendit të saj të punës dhe i dyti përshkruan një karakter të cekët grua, roli i vetëm i së cilës është si një mbështetëse për heronjtë burra.

Studiot amerikane të prodhimit filmik me ndikim s’mund të krijojnë një film me të vërtetë feminist nëse kanë frikë ta përshkruajnë një grua me njolla në lëkurë, e lëre më një grua të shumanshme e të ndërlikuar që nuk frikësohet të jetë e pakëndshme — një grua prej së vërteti, si ato në jetën tonë, që ndoshta jo domosdo luftojnë për liri me thonjtë të lyer. 

Kur bëhet fjalë për personazhet gra, çështja e realizmit është edhe çështje e njerëzisë. Sot kemi protagoniste progresive gra, që janë haptazi feministe dhe të pavarura, por që u mungon lidhja me njerëzoren. Lista që përshkruhet më sipër përfshin tregime të trilluara dhe përshtatje me histori të vërteta, megjithatë as protagonistet, të cilat bazohen në jetën e njëmendtë të grave nuk ta krijojnë përshtypjen se janë të vërteta. 

Mënyra se si paraqitet protagonistja feministe është si një tjetër aspiratë e paarritshme, një grua që është gjithmonë e guximshme, heroike dhe e fuqishme, pavarësisht rrethanave kundër saj. Ajo është gjithmonë e gatshme ta luftojë patriarkinë me shpatë dhe parzmore, qoftë figurativisht ose jo. Në thelbin e saj, protagonistja feministe është një grua ideale, e krijuar për t’i përmbushur të gjitha kërkesat.

Radha e kërkesave është e gjatë: A je e bukur? A je e fortë? A je e pavarur deri në pikën kur nuk ke nevojë për ndihmë nga askush tjetër? A ke fizik të përsosur ndërkohë që je edhe grua udhëheqëse? Duket se këto përshkrime vetëm sa rrisin pritshmëritë për gratë që duhet të jemi, ndërkaq shumë pak përfaqëojnë gratë që njëmend jemi. Kompanitë që prodhojnë filma ende kanë frikë të tregojnë histori për gratë që s’janë aq tërheqëse ose të pëlqyeshme sa për të mbledhur të ardhura në arka, duke shpërfaqur mospëlqyeshmërinë tonë kolektive ndaj grave në përditshmërinë tonë.

Rrëfimtaret nga Ballkani

Për dallim nga përshkrimi i Hollywood për protagonisten feministe, rrëfimtaret nga Ballkani shfaqin te publiku përvojat rrëqethëse e të vështira të grave. Si në “Zgjoi”, filmi kosovar “Vera andrron detin” dhe ai boshnjak “Quo Vadis, Aida?” portretizojnë personazhet gra që shpesh pranojnë situatat e tyre të zymta dhe pastaj ndërmarrin vendime moralisht të diskutueshme. 

Për dallim nga përshkrimi i Hollywood për protagonisten feministe, rrëfimtaret nga Ballkani shfaqin te publiku përvojat rrëqethëse e të vështira të grave.

Dokumentari maqedonas “Honeyland” përshkruan jetën e një bletërritëseje grua, Hatidže, për atë që ajo është në të vërtetë, me gjithë agjencinë dhe duart e saj të afta për punë. Rumena Buzarovska, autore e përmbledhjes me tregime “My Husband”, tha se shpesh është kritikuar për elementin e mposhtjes te personazhet e saj gra. Vendimi i saj për t’i përfaqësuar gratë e vërteta që jetojnë në shoqëritë patriarkale dhe format e njëmendëta se si ato reagojnë ndaj kushteve në të cilat ndodhen, është risi dhe e guximshme: “Më pëlqen t’i paraqes këto kushte, në mënyrë reale, sepse është mënyrë për t’i kritikuar ato”, tha Buzarovska.

Rumena Buzarovska e sheh portretizimin e saj realist të personazheve gra si kritikë ndaj kushteve me të cilat përballen femrat. Meritat e fotografisë: K2.0.

Regjisorët/et e Hollywood e kuptuan se të gjithë protagonistët ishin burra dhe supozuan se problemi ishte mungesa e protagonisteve gra. Kjo nxiti motivimin e tyre për të krijuar histori fuqizuese, të cilat gabimisht supozuan nevojën për personazhe të forta dhe të fuqishme gra, të ngjashme me personalitetet e njohura gjerësisht të burrave në filmat me superheronj. Por problemi me prodhimet filmike që dominohen nga burrat ishte gjithmonë mungesa e përfaqësimit realist të grave, jo mungesa e supergrave.

Në të kundërtën, regjisoret rrëfimtare ballkanase vëzhgojnë dhe shpërfaqin jetën reale të grave në vend që t’i mitizojnë përvojat e grave dhe t’i kthejnë ato në tregime epike. Në një rajon ku historitë e grave janë etiketuar historikisht si të parëndësishme dhe të shpërfilluara, rrëfimtaret ballkanike shpalosin histori të rëndësishme të grave, që shpesh janë lënë në hije në mënyrën se si historia është regjistruar. 

Këto rrëfimtare na tregojnë vlerën e sferës private të qetë e të zakonshme, ku gratë ballkanike janë detyruar të banojnë. Më e rëndësishmja, ato po dëshmojnë se historitë joheroike mund të jenë po ashtu të fuqishme, pasi ato përfaqësojnë në mënyrë origjinale gratë që ne njohim dhe betejat e njohura me të cilat përballen gratë e këtij rajoni. Portretizimi i grave të zakonshme dhe sfidave të tyre të përditshme mund ta shtyjë përpara një pranim kolektiv të kushteve tona të rënda. Vetëm duke e njohur plotësisht realitetin tonë të tanishëm, mund të fillojmë të imagjinojmë të ardhme alternative.

Vetëm duke e njohur plotësisht realitetin tonë të tanishëm, mund të fillojmë të imagjinojmë të ardhme alternative.

Problemi me feminizmin individualist

Personazhi i heroinës feministe është tregues i një tendence shqetësuese në feminizmin modern, një prirje që nderon individualizmin dhe vullnetin personal si mjete për t’i luftuar sistemet patriarkale. Ky fenomen neoliberal i feminizmit të gruas udhëheqëse e ushqen modelin e fuqizimit që përdoret në filmat e Hollywood, ku mesazhi — nëse unë mundem, mundesh edhe ti — idealizon një protagoniste grua të jashtëzakonshme, me të cilën nuk mund të lidhemi.

Përfundimi logjik i narrativave të tilla është se qëllimi përfundimtar i feminizmit është ngjitja e shkallëve kapitaliste dhe strukturat e pushtetit. Ai parasheh fuqizimin e grave në të njëjtat institucione që ekzistojnë aktualisht, në vend se të propozojë ndërrim radikal të këtyre institucioneve patriarkale. Një tregim rreth grave që i mposhtin burrat në lojën e tyre nuk është as revolucionare as feministe, pasi vetë loja në thelb ka mangësi dhe është e dëmshme.

Edhe me pavarësinë financiare, gratë në Ballkan vuajnë nga dhuna sistemike që e bën të pamundur integrimin në një shoqëri të maskulinizuar. Botët e jashtme të Fahrijes, Verës, Aidas, Hatidže dhe grave në rrëfimet e Buzarovska pushtohen nga burrat: burra në rrugët e qytetit, burra në çajtore, burra në hapësira profesionale, burra në luftë. Sapo këto protagoniste dalin nga hapësirat e tyre shtëpiake dhe futen në hapësirat e gjalla të burrave, është sikur botët e tyre kaplohen nga një tufë bletësh, duke i paralajmëruar ato, thumbim pas thumbimi. Na krijohet ndjesia se këto gra nuk e kanë vendin aty dhe se ato janë krejtësisht të padëshiruara.

Personazhe të tilla si ajo e Verës jetojnë jetë me të cilat mund të lidhemi dhe i njohim përballë patriarkatit të rrënjosur thellë. Pamje nga filmi “Vera andrron detin”.

Në “Nectar”, Buzarovska shkruan nga këndvështrimi i një gruaje që ka bashkëshortin gjinekolog: “Të gjithë shokët e tij janë po ashtu mjekë, të cilët i ka njohur në universitet dhe bashkëshortet e të cilëve tani janë bërë paciente të tij. Së bashku ata formojnë një klub ‘djemsh’… Kam një dyshim të tmerrshëm që po më mbyt, të cilin kam frikë ta shpreh me fjalë dhe ky është se shokët e tij i dërgojnë qëllimisht bashkëshortet e tyre për t’u kontrolluar te bashkëshorti im, sepse në këtë mënyrë ata mbajnë kontroll mbi to”. Ky përshkrim i shoqërisë ballkanike përmes syve të grave thekson përdorimin e dhunës dhe frikës për ta mirëmbajtur këtë “klub djemsh”, ku kontrolli i ushtruar mbi gratë cenon personalitetin dhe autonominë e tyre.

Ndryshe nga narrativat e feminizmit grave-udhëheqëse, lufta e gruas ballkanase nuk qëndron vetëm në faktin se ajo është e nënvlerësuar në mjediset profesionale. Puna, qoftë edhe fizike, është diçka që është pritur të bëhet prej grave ballkanase për breza të tërë. Në vend të kësaj, lufta e tyre themelore qëndron në faktin se teksa nga ato pritet të punojnë, ato gjithashtu përballen me dhunë fizike dhe seksuale, poshtërim dhe turpërim publik. Në të njëjtën kohë, atyre u kërkohet t’i rrisin fëmijët, ta përgatisin ushqimin, t’i kryejnë punët e shtëpisë pa pagesë dhe të kujdesen për të moshuarit. Këto beteja nuk janë të veçanta për Ballkanin, por paraqesin një realitet krejtësisht të ndryshëm nga ai i grave perëndimore të portretizuara në filmat hollivudian.

Këto beteja nuk janë të veçanta për Ballkanin, por paraqesin një realitet krejtësisht të ndryshëm nga ai i grave perëndimore të portretizuara në filmat hollivudian.

Tri vitet e fundit, 162 gra janë vrarë nga femicidi në Ballkanin Perëndimor. Vështirë se “Wonder Woman” apo “Barbie” mund ta përmirësojnë një shoqëri ku gratë ende frikësohen për jetën e tyre vetëm sepse janë gra. Vetëm përshkrimet e papërpunuara dhe të njëmendta të grave të përditshme, me të gjitha mangësitë e tyre, mund ta përshkruajnë fotografinë e ndërlikuar të realiteteve tona. Duke ekspozuar tragjedinë dhe dhimbjen, më në fund mund të ndodhë ndryshimi dhe rritja. Versioni ballkanik i një heroine feministe nuk është aspak heroinë. Ajo është grua dhe kjo është mjaftueshëm e guximshme.

Imazhi i ballinës: K2.0.