Të dhënat janë të qarta — ajri që thithim shkurton dukshëm jetët tona dhe ua zvogëlon atyre cilësinë.
Faktori më i madh i rrezikut mjedisor për shëndetin e njeriut në nivel botëror, por edhe në Evropë, është ndotja e ajrit. Vlerësohet se vetëm në vitin 2016, ndotja e ajrit mjedisor (do të thotë ndotja e ajrit në hapësira të jashtme) shkaktoi 4.2 milionë vdekje të parakohshme në mbarë botën. Rreth 91% e këtyre vdekjeve të parakohshme ndodhën në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme (po ashtu të quajtura vende në zhvillim).
Ndotja e ajrit është rrezik për vdekshmërinë nga të gjitha shkaqet dhe edhe për sëmundje specifike. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), sëmundjet që lidhen me thithjen e ajrit të ndotur përfshijnë sulmin në tru, kancerin e mushkërive dhe lloje të tjera të kancerit, sëmundjet ishemike të zemrës, rritjen e rrezikut për rezultate të pafavorshme të shtatzënive (lindje me peshë të vogël) në rast të ekspozimit të grave shtatëzëna ndaj ajrit të ndotur, diabet dhe më shumë.
Bazuar në të dhënat shkencore, ndotësit me provat më të rëndësishme që përbëjnë shqetësim për shëndetin publik përfshijnë grimcat e ngurta (PM), monoksidin e karbonit (CO), ozonin (O3), dioksidin e azotit (NO2) dhe dioksidin e sulfurit (SO2). Mikrogrimcat me diametër 2.5-10 mikrometra depërtojnë thellë në mushkëri, hyjnë në sistemin e qarkullimit të gjakut dhe lëvizin drejt organeve, duke shkaktuar dëme sistematike në inde dhe qeliza, si dhe depozitohen në enët e gjakut.
Kur flasim për efektet e padëshiruara në shëndet, për t’u shfaqur sëmundjet e lartpërmendura, nevojitet ekspozim afatgjatë — madje edhe me dekada — në ajër të ndotur. Megjithatë, janë të njohura faktet nga të dhëna të ndryshme të disponueshme në literaturën shkencore se disa pasoja mund të shkaktohen nga ekspozimet afatshkurtra në ajër shumë të ndotur. Rasti më i njohur i tillë ishte Smogu i Madh i Londrës në vitin 1952.
Për shembull, ekspozimi afatshkurtër ndaj niveleve të larta të grimcave të ngurta, mund të çojë në ulje të funksionit të mushkërive, infeksione të frymëmarrjes dhe astmë të rënduar. Vlerësohet se tek fëmijët, ekspozimi ndaj niveleve të larta të dioksidit të azotit, që buron nga lëndët djegëse të trafikut, mund të shkaktojë gjithashtu astmë dhe jo vetëm t’i përkeqësojë simptomat e saj.
Fëmijët janë pjesa më e cenueshme e popullsisë kur flasim për efektet e ajrit të ndotur, ndërsa grupet e tjera përfshijnë të moshuarit dhe gratë shtatzëna. Faktorët gjenetikë, sëmundjet para-ekzistuese, faktorët ushqimorë dhe socio-demografikë ndikojnë gjithashtu në ndjeshmërinë individuale ndaj ndotjes së ajrit.
Në Evropën Juglindore, më shumë se 95% e popullsisë jeton në zonat ku përqendrimi mesatar vjetor i grimcave më të vogla (ato më të dëmshmet) tejkalon maksimumin që rekomandohet nga OBSh-së prej 5 μg/m3.
Sipas vlerësimeve të Institutit të Efekteve Shëndetësore me seli në Boston, çdo i dhjeti rast i vdekjes në vendet e Evropës Juglindore ndërlidhet me ekspozimin ndaj ajrit të ndotur. Të dhënat nga studimet e tyre tregojnë se thithja e ajrit të ndotur rezultoi në më shumë se 56,000 vdekje në Evropën Juglindore në vitin 2019. Banorët e këtyre vendeve vuajnë nga jetëgjatësia e shkurtuar për një vit apo më shumë, për shkak të ekspozimit vetëm në ajër të ndotur. Përveç kësaj, 68% e vdekjeve, që lidhen me ekspozim ndaj ajrit të ndotur, ndodhin tek njerëzit më të vjetër se 70-vjeçar.
Nga vdekjet që shkaktohen ose lidhen me ndotjen e ajrit, është konstatuar se:
-22.7% e të gjitha vdekjeve rezultojnë nga sëmundja kronike obstruktive pulmonare,
-18.7% nga diabeti,
-17% nga kanceri i mushkërive,
-15.8% sëmundje ishemike të enëve të gjakut të trurit (sulme në tru),
-14.8% nga sëmundjet ishemike të zemrës,
-13.5% e vdekjeve nga infeksionet e rrugëve të poshtme të frymëmarrjes dhe
-7.7% e vdekjeve neonatale (të porsalindurit deri në 28 ditë).
Sipas vlerësimeve të një analize të publikuar së fundmi, me titull “Gjendja e Ajrit Global — raport i veçantë për cilësinë e ajrit dhe shëndetin në Serbi”, ndotja e ajrit ishte shkaku i shtatë kryesor i vdekjeve në Serbi, duke rezultuar në 12,700 vdekje në të gjithë vendin për shkak të ekspozimit afatgjatë ndaj ajrit të ndotur.
Pavarësisht se Republika e Serbisë ka pësuar rënie në vlerat mesatare vjetore të PM2.5 dhe ozonit në 10 vitet e fundit, normat e standardizuara të vdekshmërisë janë rritur ndjeshëm në krahasim me mesataren botërore apo mesataren e vendeve të zhvilluara evropiane (duke përjashtuar ndikimin e ozonit).
Problemi nuk zvogëlohet nga fakti që situata është e ngjashme në të gjitha vendet në Evropën Juglindore, në fakt, është përkeqësuar, pasi ne shpërndajmë dhe dërgojmë sasi të mëdha të ndotjes te njëri-tjetri, duke qenë se kemi probleme të ngjashme me sektorin e energjisë, përfshirë varfërinë energjetike, ndotjen nga trafiku, menaxhimin e mbetjeve etj.
Siç është përmendur tashmë, ka disa efekte që shkaktohen nga ekspozimet afatshkurtra në ajër shumë të ndotur. Ekspertët, banorë në Republikën e Serbisë, gjithashtu kanë shqyrtuar këto efekte dhe kanë publikuar disa studime që e analizojnë këtë fenomen.
Për shembull, të dhënat nga punimi i doktoraturës së Dr. Nataša Dragić nga Instituti i Shëndetit Publik të Vojvodinës tregojnë se në qytetin e Novi Sad, gjatë shfaqjes së ajrit të ndotur, që shkaktohet nga vlerat e larta të PM2.5, numri i shtrimeve në spital rritet për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare dhe cerebrovaskulare te meshkujt mbi 65-vjeç.
Për këtë arsye, është e nevojshme që gjatë periudhave të ndotjes ekstreme të ajrit të njoftohet me kohë krahas këshillave të shëndetit publik, veçanërisht për hir të fëmijëve, të moshuarve, personave që vuajnë nga sëmundje kronike dhe grave shtatzëna.
Aktivitetet që krijohen për ta ulur përdorimin e lëndëve djegëse fosile mund të çojnë në ajër më të pastër dhe shëndet më të mirë të popullsive në të gjithë rajonin. Qasja në energji të pastër mbetet një pikë kyçe për këtë pjesë të Evropës. Një pjesë e madhe e popullsisë në rajon nuk është në gjendje ta përballojë ngrohjen nga energjia e pastër ose nuk ka qasje në sistemet e centralizuara të ngrohjes. Përveç kësaj, prodhimi i energjisë elektrike mbështetet në termocentrale intensive dhe ndotëse me linjit ose gaz.
Djegia e karburanteve fosile në sektorë të tjerë gjithashtu kontribuon ndjeshëm në shfaqjen e PM2.5, duke përfshirë, veçanërisht trafikun dhe motorët e vjetër me naftë me emetime të larta ndotëse.
Qymyri mbetet burimi kryesor i energjisë në të gjithë rajonin, duke përfshirë prodhimin e energjisë dhe ngrohjen gjatë dimrit, gjë që shkakton ngarkesë relativisht të lartë për sëmundjet që ndërlidhej me PM2.5 krahasuar me pjesët e tjera të Evropës. Në Serbi, për shembull, qymyri përbën pothuajse një të katërtën (26%) të totalit të PM2.5.
Për të siguruar ajër të pastër në mbarë rajonin, nevojitet bashkëpunim lokal, kombëtar dhe rajonal. Të dhënat e publikuara për ndotjen e ajrit dhe efektet e tij në shëndet po rriten vazhdimisht. Në këtë pikë, jetike nuk është vetëm zgjerimi dhe rritja e qasjes në të dhënat për cilësinë e ajrit dhe në mbështetje të krijimit të provave që ndërlidhej me shëndetin, por edhe mbështetja e ndërveprimit dhe bashkëpunimit midis hulumtuesve/eve, mjekëve/eve dhe praktikuesve/eve me qëllim që t’i bëjnë vendimmarrësit/et të përqendrohen në ndërmarrjen e hapave të informuar dhe kryerjen e aktiviteteve që mund ta ulin nivelin e ndotjes së ajrit.
Në këtë vegëz, mund të qaseni në depon e literaturës së ekspertëve mbi ndikimin e ajrit të ndotur në shëndet, në Evropën Juglindore.
Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0. Pikëpamjet e shprehura në të janë të autorit/es dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e K2.0.
A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.
A mund të më dërgoni të dhëna epidemiologjike për territorin e Kosovës dhe përtej saj (ballkan, vendet e EU-së dhe të dhëna epidemiologjike globale) për Sëmundjen kronike obstruktive të mushkërive ? Mirëpres çdo lloj të dhënash statistikore që lidhen me këtë sëmundje dhe trajtimin farmakologjik të saj Ju falenderoj paraprakisht ! Me respekt: Jeton Muçaj +377 44 237 709