Pikëpamje | Krime Lufte

Akuzat ndaj Thaçit shtrojnë pyetje për prokurorinë

Nga - 01.07.2020

Çfarë shpërfaq deklarata e Prokurorit të Specializuar?

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi se kishte ngritur një aktakuzë 10-pikëshe për Dhomat e Specializuara duke e akuzuar presidentin Hashim Thaçi dhe kreun e PDK-së Kadri Veseli “për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte”. Aktakuza po ashtu i përfshin në vrasjen e 100 “shqiptarëve, serbëve, romëve, dhe etnive të tjera”. Të dy burrat i mohojnë të gjitha akuzat.

Lajmi shkaktoi tronditje të gjerë dhe menjëherë pamundësoi takimin e shumëpërfolur mes Thaçit dhe Presidentit të Serbisë Vučić në Shtëpinë e Bardhë, që ishte paraparë për 27 qershor.

Dukej e qartë se "Gjarpëri" kishte miq të huaj të fuqishëm, të gatshëm që të punonin me të për të siguruar interesat e veta.

Që prej themelimit të gjykatës në 2014, unë kam realizuar shumë intervista me aktivistë të shoqërisë civile, avokatë, politikanë dhe pjesëtarë të publikut të gjerë në Kosovë dhe Serbi; nuk mbaj mend dikush të ketë parashikuar që Thaçi do të akuzohej nga gjykata.

Teoritë konspirative e kanë përcjelluar gjykatën që nga fillimi, më mbizotëruesja nga të cilat ishte se Thaçi kishte arritur një marrëveshje sekrete për sigurimin e imunitetit për vete në këmbim të pranimit të kërkesave të bëra nga fuqitë e huaja.

Me kalimin e viteve pa asnjë aktakuzë të lëshuar nga gjykata, këto konspiracione u bënë më të besueshme, dhe kur në 2018 Thaçi filloi të fliste për shkëmbim territoresh me Serbinë, për disa kjo ishte e lidhur me një marrëveshje sekrete të përfolur; gjoja ky ishte çmimi që Thaçi po paguante për t’i ikur gjykimit. 

Kur qeveria e udhëhequr nga Vetëvendosja u rrëzua — si dukej me mbështetjen e SHBA-së — për t’i lëshuar rrugën një administrate shumë më të nënshtruar ndaj Thaçit, dukej e qartë se “Gjarpëri” kishte miq të huaj të fuqishëm, të gatshëm që të punonin me të për të siguruar interesat e veta.

Por pastaj erdhi lajmi për akakuzën e Prokurorit të Specializuar.

Koha kur u bë njoftimi — vetëm tri ditë para takimit Thaçi-Vučić — duket që është zgjedhur ashtu që të paralizojë bisedimet. Por nga kush dhe pse? Disa kanë pretenduar se “evropianët” ishin zemëruar ngaqë u anashkaluan kështu që  përdorën aktakuzën për të prishur takimin, të tjerët se veprimi është bërë që të parandalohet arritja e ndonjë marrëveshjeje për amnisti në Washington.

Koha mund të tregojë, por sigurisht është me rëndësi të përmendet që figura me aq shumë pushtet si Thaçi, Vučić dhe Richard Grenell nuk ishin në gjendje të parandalonin prishjen e planeve të tyre nga gjykata.

Tani që gjykata ka treguar gatishmëri të përballet me “peshqit e mëdhenj”, debatet rreth legjitimitetit, efikasitetit, dhe ndikimit të saj kanë marrë hov. Unë besoj se janë katër çështje kryesore që do t’i japin formë këtij debati dhe do të përcaktojnë ndikimin e ardhshëm të gjykatës.

A është gjykata e nevojshme?

Gjykata ishte përshëndetur nga sponzorët e saj të huaj — kryesisht SHBA dhe EU — si një hap i nevojshëm megjithëse i dhimbshëm; të shumtë ishin ata që argumentuan se për të ecur përpara Kosova duhej të ballafaqohej me të kaluarën dhe të pranonte se ishin kryer krime nga shqiptarët dhe pjesëtarët e UÇK-së kundër minoriteteve. Kjo retorikë kishte marrë formë përbrenda diskursit më të gjerë të drejtësisë tranzicionale që thekson nevojën e “shërimit” të plagëve dhe zbulimit të “të vërtetave” si mjet për ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme dhe të drejtë, në mënyrë që përfundimisht të parandalohet përsëritja e konfliktit.

Ekziston një hipokrizi e qenësishme në këto shtete që solemnisht paralajmërojnë të tjerët se pa u përballur me të kaluarën nuk do të gëzojnë kurrë paqe dhe përparim.

Përderisa ka debat të vazhdueshëm rreth efikasitetit të drejtësisë tranzicionale, një çështje që nuk diskutohet është fakti që shumë prej atyre shteteve që zëshëm luten — apo në rastin e Kosovës kërkojnë — që shtetet e tjera të kalojnë nëpër një proces të drejtësisë tranzicionale nuk e kanë bërë këtë kurrë për vete, dhe në shumë raste janë armiqësore kundrejt idesë.

Mbretëria e Bashkuar nuk ka krijuar një proces të përballjes me dhunën që forcat e saj kanë shkaktuar në botë gjatë kohës së kolonializmit, apo së voni gjatë “trazirave” në Irlandën Veriore. E njëjta gjë mund të thuhet për të gjitha fuqitë e tjera evropiane të cilat dhunshëm nënshtruan “barbarët” përreth globit.

SHBA-ja po ashtu, mbetet ende që në mënyrë kuptimplotë të pranojë krimet e kryera kundër amerikanëve indigjenë; së voni SHBA-ja reagoi në mënyrë agresive kur Gjykata Penale Ndërkombëtare nisi një hetim rreth akuzave për krime të kryera nga trupat e SHBA-së në Afganistan.

Megjithatë, kjo është kritikuar drejtpërsëdrejti ndërkombëtarisht dhe fakti se këto çështje nuk adresohen nga ta nuk do të thotë që as nga të tjerët nuk duhet. Mirëpo, ekziston një hipokrizi e qenësishme në këto shtete që solemnisht paralajmërojnë të tjerët se pa u përballur me të kaluarën nuk do të gëzojnë kurrë paqe dhe përparim.

Si e tillë, përderisa qëllimet e drejtësisë tranzicionale janë për tu lavdëruar, mënyra se si deri më tani është zbatuar dëshmon për rolin që pushteti luan në përcaktimin se kush duhet të paguajë për krimet e së kaluarës. Njerëzit në Kosovë me të drejtë do të pyesin pse u është dhënë detyra ta fillojnë një proces të cilin të tjerët në vazhdimësi e kanë refuzuar.

Pse jo Serbia?

Gjatë hulumtimit tim, kam takuar shumë pak njerëz që e mohojnë se ka pasur ndonjë krim të kryer nga shqiptarët, por megjithatë shumica ka pyetur pse kaq shumë prej krimeve të kryera nga forcat e Milošević-it mbesin të padënuara. Kjo është një pyetje e mirë.

Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY) natyrisht dërgoi shumë serbë në burg — edhe pse ishte i mandatuar për ndjekjen e atyre në pozita udhëheqëse  në vend se të pjesëmarrësve në nivel më të ulët — dhe gjykatat e Serbisë ndoqën një numër të vogël individësh.

Ndërsa për shembull rastet Milutinović dhe të tjerët, Šainović dhe të tjerët, dhe Djordjevic kanë rezultuar në dënimin e autorëve të krimeve kundër shqiptarëve, nuk ka dyshim se pjesa dërrmuese e atyre individëve që janë përgjegjës për tmerrin e shkaktuar në Kosovë nga forcat e Milošević-it nuk janë vënë asnjëherë para drejtësisë.  

Në përpjekjen e tyre për ta bërë për vete Vučić-in, në mënyrë të turpshme kanë vendosur të injorojnë thirrjet për drejtësi nga viktimat e agresionit serb.

Në mesin e reagimeve të furishme ndaj lajmit për Thaçin dhe Veselin, Vasfije Krasniqi — një nga mijëra gratë shqiptare të Kosovës të dhunuara nga forcat serbe — postoi në Twitter, “Pse ndodhë që edhe pas 21 vjetësh nuk kemi drejtësi për krimet e shumta të luftës të kryera nga autorë serbë kundër shqiptarëve? Dëshpërimi i saj — dhe i mijëra të tjerëve që ende nuk kanë pranuar asnjë formë të drejtësisë nga gjykatat kombëtare apo ndërkombëtare — nuk mund të anashkalohet.

Zemërimi nuk ka të bëjë vetëm me atë se përgjegjësit i kanë ikur drejtësisë por se, për më keq, shumë nga ta vazhdojnë të mbajnë pozita zyrtare në Serbi.

Qëndrimi i Vučić-it në pushtet — ish-ministrit të Milošević-it për Informacion — ka siguruar që zërat përbrenda Serbisë që kërkojnë pranimin dhe dënimin e krimeve të kryera kundër shqiptarëve të Kosovës — në veçanti Nataša Kandić dhe Fondi për të Drejtën Humanitare — janë mbytur nga një mburrje e ripërtërirë nacionaliste që i mohon faktet.

Në veçanti, është irrituese të jesh dëshmitar i asaj se si krerët e shteteve të BE-së gëzueshëm e përqafojnë Vučić-in në ofertën e tyre të dëshpëruar për ta larguar nga orbita e Rusisë; në përpjekjen e tyre për ta bërë për vete Vučić-in, në mënyrë të turpshme kanë vendosur të injorojnë thirrjet për drejtësi nga viktimat e agresionit serb.

Ky argument për krimet e Serbisë nuk mund të konsiderohet si “shpërqendrues”; është plotësisht legjitime të pranohen krimet e kryera nga shqiptarët kundër minoriteteve mes viteve 1998 dhe 2000 ndërsa në të njëjtën kohë të kërkohet që të bëhet shumë më shumë në dënimin e atyre në Serbi që ishin të angazhuar në krimet sistematike të sponzoruara nga shteti.

Shumë nga pakënaqësia vendore ndaj gjykatës buron nga fakti se perceptohet që për mandat ka gjykimin e krimeve të kryera vetëm nga shqiptarët, kështu që është e vështirë t’i shpëtojë akuzave se ka dimension etnik.

Nëse për adresimin e krimeve të kaluara do të ushtrohej shkalla e njëjtë e presionit mbi Serbinë, siç u bë me Kosovën në 2014 para formimit të Dhomave të Specializuara, të paktën një ndjenjë barazie do të rivendosej. Për aq kohë sa drejtësia për viktimat e agresionit serb vazhdon të mohohet, gjykata do ta shohë se gjykimet e saj provokojnë zemërim në vend se ta përshpejtojnë pajtimin.

A ka legjitimitet?

Një problem i madh me të cilin përballet gjykata, që ndërlidhet me pikën e mësipërme, është mungesa e legjitimitetit vendor. Gjykata u krijua sepse u kërkua nga fuqitë e mëdha; edhe pse formalisht e bazuar në kushtetutë dhe e themeluar nga Parlamenti i Kosovës, presioni ndërkombëtar i bërë mbi politikanët kosovarë, ishte arsyeja kryesore për krijimin e saj. Kjo tregon pse në atë kohë si kryeministër, Thaçi e mbështeti gjykatën në Parlament duke e përshkruar në të njëjtën kohë si “padrejtësia dhe fyerja më e madhe që do të mund t’i bëhej Kosovës dhe njerëzve të saj”.

Studimet rreth drejtësisë tranzicionale efektive tregojnë se procesi duhet të zotërohet nga vendorët dhe të gëzojë legjitimitet nga ta; mënyra se si u krijua Gjykata Speciale bie ndesh me të dyjat. Që nga krijimi i saj, përkundër pohimeve të gjykatës se është e angazhuar në një fushatë për përfshirje aktive të publikut, komuniteti shqiptar në Kosovë mbetet kryesisht armiqësor kundrejt gjykatës dhe jo vetëm për shkak të perceptimit të gjerë se është e mandatuar për të dëshmuar pretendimet për krimet e kryera nga një grup etnik.

Ata që u paditën nga gjykata sigurisht se do ta përdorin këtë mirënjohje shoqërore ndaj UÇK-së për përfitime të tyre.

Të gjitha partitë kryesore politike — me përjashtimin e mundshëm të LDK-së — kanë ngritur zërin kundër saj. Disa madje kërkuan të revokonin mandatin e saj në 2017 — dhe kjo ka ndikuar në mbështetjen shoqërore. Komuniteti serb në Kosovë natyrshëm që është më mbështetës ndaj gjykatës, por në mënyrë që proceset dhe gjykimet të kenë ndikim pozitiv në marrëdhëniet mes komuniteteve është e domosdoshme që komuniteti shqiptar të pranojë edhe mandatin edhe ndershmërinë e saj. Aktualisht, ata nuk janë duke e bërë këtë.  

Për më tepër, natyra hibride e gjykatës — e bazuar në ligjin e Kosovës por e gjendur në Hagë dhe me staf të huaj — domosdoshmërisht e bën të duket e largët. Kjo veçori e përmbajtjes së gjykatës ishte legjitimuar si e nevojshme për tu mbrojtur kundër frikësimit të dëshmitarëve dhe korrupsionit gjyqësor, me arsyetimin se proceset e një gjykate ndërkombëtare do të zhvilloheshin “në një mënyrë më efikase” se sa të një gjykate vendore.

Megjithatë, një numër i gjykimeve të ICTY-së ishin rënduar me akuza për paragjykime politike dhe raste të frikësimit të dëshmitarëve — më i njohuri ai i Ramush Haradinajt — dhe puna e UNMIK-ut e EULEX-it ishte larg nga të qenët shembullore; UNMIK u akuzua për jokompetencë, korrupsion, dhe lejim të ndërhyrjes së qëndrimeve politike në kërkimin e drejtësisë, përderisa EULEX u kritikua për dështim në mbrojte të dëshmitarëve. Si e tillë, ideja se gjykatat ndërkombëtare janë disi imune ndaj problemeve që i prekin gjykatat kombëtare, thjeshtë nuk është e vërtetë.

Heronj apo keqbërës?     

Ndoshta pengesa më e madhe me të cilën përballet gjykata është ballafaqimi me çështjen shumë të ndjeshme të statusit të UÇK-së në mesin e shqiptarëve në Kosovë. Nuk është e befasishme që pjesëtarët e UÇK-së përshëndeten si heronj që me sukses mbrojtën komunitetin shqiptar nga agresioni serb.

Akuzat se disa pjesëtarë individualë të UÇK-së ishin në të vërtetë kriminelë bien ndesh me narrativën kombëtare dominuese në mesin e shqiptarëve kosovarë dhe pashmangshmërisht provokojnë zemërim. Ata që u paditën nga gjykata sigurisht se do ta përdorin këtë mirënjohje shoqërore ndaj UÇK-së për përfitime të tyre; ky është një mjet i fuqishëm të cilin “gjykata e huaj, e imponuar nga jashtë” do ta ketë të vështirë ta kundërshtojë.

Nëse do të ketë ndonjëherë pranim të gjithëmbarshëm  për atë se disa ushtarë të UÇK-së kanë kryer akte kriminale, kjo do të mund të arrihet vetëm përmes një ndarjeje të kujdesshme të krimeve të kryera nga individët prej luftës më të gjerë të zhvilluar nga UÇK-ja. Sipas hulumtimeve të kryera nga organizata të respektuara për të drejtat e njeriut, shumica e krimeve të kryera ndaj minoriteteve kanë ndodhur pas largimit të forcave serbe.

Kështu që shumë nga krimet e pretenduara nuk kanë ndodhur gjatë fazës së kryengritjes kur UÇK-ja luftoi kundër një ushtrie plotësisht të armatosur që synonte eliminimin e popullatës shqiptare nga Kosova.

Sidoqoftë, këto akuza nuk janë kundër UÇK-së apo të gjithë shqiptarëve, por kundër Thaçit dhe Veselit.

Është me rëndësi që Clint Williamson — ish i dërguari special i Presidentit të SHBA-së për Task Forcën Speciale Hetuese të Bashkimit Evropian, hetimi i së cilës çoi drejtpërsëdrejti në krijimin e gjykatës — theksoi se këto krime nuk ishin kryer si pjesë e luftës çlirimtare por ishin ndërmarrë nga një grup i vogël individësh “me qëllim të sigurimit të pushtetit politik dhe pasurisë personale për veten e tyre”.

Kështu që, po të bëhet me ndjeshmëri dhe nën drejtimin e figurave të respektuara vendore, do të mund të bëhet dallimi në mes luftës së UÇK-së kundër Milošević-it dhe fushatës së mëvonshme të zhvilluar nga një fraksion brenda UÇK-së — për përfitime të tyre — kundër minoriteteve dhe shqiptarëve të tjerë.

Mirëpo themeli për një fushatë të tillë nuk është vendosur, andaj të akuzuarit — dhe mbështetësit e tyre — pa dyshim që do të fitojnë mbështetje duke u thirrur në luftën heroike të UÇK-së, duke iu referuar instumentalisht viktimave të dhunimit dhe duke e damkosur gjykatën si njollë “politikisht të motivuar” në psikën kombëtare.

Sidoqoftë, këto akuza nuk janë kundër UÇK-së apo të gjithë shqiptarëve, por kundër Thaçit dhe Veselit. Ata janë dy individë të akuzuar për vrasjen e rreth 100 njerëzve dhe zhvillimin e një fushate sekrete për pengim të gjykatës.

Duke pasur parasysh disponimin publik dhe ndasitë e thella që ende ekzistojnë mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, portretizimi i të akuzuarve si martirë që guximshëm mbrojnë “luftën e drejtë” të UÇK-së mund të shkaktojë rritje të tensioneve shoqërore.

Në të panjohurën

Kosova përballet me një sërë sfidash të pashembullta; nga nevoja e atypëratyshme për tu marrë me koronavirusin, adresimi i kronizmit dhe korrupsionit që ka shkaktuar aq shumë dëm, e deri te statusi i shtetit ndërkombëtarisht. Duke e pasur parasysh situatën e re të vështirë të Thaçit, dhe natyrën e brishtë të qeverisë Hoti që nga krijimi i saj, Kosova është e mbërthyer në një paralizë; shumë nga sfidat në politikën e brendshme dhe të jashtme pritet të kalojnë të pazgjidhura në të ardhmen e parashikueshme.

Akuzat e prokurorit erdhën në një moment delikat për Kosovën; me të drejtë qytetarët e saj gjithnjë e më shumë ndihen se janë lënë në baltë nga bashkësia ndërkombëtare. Përkundër shumë premtimeve të bëra në 1999 dhe përsëri në 2008, Kosova është ngarkuar me një mori problemesh të brendshme — përfshirë papunësinë e lartë, imigrimin masiv, dhe infrastrukturën e dobët — që të shoqëruara nga mungesa e liberalizimit të vizave, fushata e Serbisë për çnjohje dhe perspektiva e papërfillshme për anëtarësim në BE, ndikuan për të keq në disponimin e publikut.

Rrëmuja e ngjarjeve përgjatë muajve të fundit ka vënë në pah se në mes të një pandemie, partia politike më e përkrahur u rrëzua nga pushteti dhe politikanja e dytë më e popullarizuar u shkarkua nga partia e saj; keqmenaxhimi i pandemisë nga qeveria e re ka çuar në rritje të shpejtë të rasteve me COVID-19; qeveria e re u pajtua të hiqte masat e reciprocitetit dhe të ndërpriste përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare; dhe tani, presidenti që ndihmoi në rrëzimin e qeverisë së vjetër akuzohet si pjesë e rreth 100 vrasjeve dhe të tjera krimeve të luftës si dhe e një fushate sekrete për ta penguar Gjykatën Speciale.

Duke qenë kështu — dhe derisa Vučić-i i papenduar urohet për fitoren e tij të fundit zgjedhore dhe Serbia i afrohet integrimit në BE —vështirë se do të mund të kishte një kohë më të keqe për akuzim të pjesëtarëve individualë të UÇK-së për vrasje. Natyrisht se viktimat e këtyre krimeve të pretenduara meritojnë drejtësi dhe padyshim se do të mirëpresin zhvillimet e fundit. Megjithatë, siç theksoi udhëheqësi i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, gjykata nuk mbështetet nga shumica e shqiptarëve kosovarë, dhe në mungesë të kësaj gjykimet e saj do të refuzohen si “politike”.  

Mënyra se si u krijua, karakteri i saj i largët, dhe dështimi i deritanishëm që me sukses t’i bindë shqiptarët në Kosovë për legjitimitetin e saj bëjnë që mundësia që Gjykata Speciale të kontribuojë pozitivisht në paqe dhe stabilitet në Kosovë të duket e largët.

Në rastin më të keq, gjykimet mund të çojnë në një rritje të mbështetjes për të akuzuarit dhe nacionalizmin militarist; kjo mund të ketë pasoja të rënda për demokracinë e brishtë të Kosovës dhe stabilitetin shoqëror. Edhe nëse ky skenar nuk realizohet, është vështirë të imagjinohet se mijëra viktima shqiptare të agresionit serb nuk do të reagojnë ndaj vendimeve të gjykatës me një ndjenjë të thellë zhgënjimi derisa pyesin pse përjetimet e tyre neglizhohen në vazhdimësi.

Imazhi i ballinës nga Zyra e Presidentit të Kosovës.