Shkrimet në Mur - Kosovo 2.0
Në thelb | Hapësira Publike

Shkrimet në Mur

Agresioni, liria, rebelimi — tri dekada të grafitit në KS.

Nga , Ngadhnjim Avdyli - 02.06.2019

Në vitin 1963, Skender Boshnjaku përderisa po studionte në Paris pa në muret e lumit Sena mbishkrimin ‘‘Tito assassin Ben Bella’’ (Tito vrasës i Ben Bella-s). Që nga ai çast, ai do krijonte një lidhje të veçantë me grafitet — e cila do intensifikohej edhe më shumë me kalimin e viteve.    

Në fillim të ‘90-ve, ndarjet ndëretnike në ish-Jugosllavi kulmuan me nisjen e luftërave. Represioni policor, vrasjet e burgosjet, si dhe largimet masive nga shkollat dhe institucionet tjera publike mbi baza etnike ishin veprime që tregonin se as Kosova nuk do kursehej nga lufta.

Për Boshnjakun, tregues tjetër i kësaj ishin edhe grafitet të cilat haseshin në Prishtinë. ‘‘Grafite të tmerrshme, e shoviniste kundër shqiptarëve e që kërkonin shfarrosjen e tyre’’, i kujton ato Boshnjaku.

Gjuha e urrejtjes që përdoret në grafiti, e ka nxitë Boshnjakun të fotografojë “muret e Prishtinës”, dhe të vazhdojë të dokumentojë grafitet e shumëllojshme për rreth 10 vite.

Ai i selektoi disa prej fotografive për t’i përfshirë në një poster të cilin e ka ekspozuar në një ekspozitë në Londër më 1998.

Gjatë asaj kohe, Boshnjaku kishte shkrepur fotografi edhe të grafiteve në gjuhën shqipe. Grafitet e asaj kohe i quan ‘‘më shumë si sllogane, me ngjyra më të mbyllta dhe me vija më agresive’’.

Duke folur për dokumentimin e grafiteve pas përfundimit të luftës në Kosovë, ai thotë se ishte ‘‘shumë më e lehtë se që ishte dikur’ të krijosh grafiti dhe t’i fotografosh ato.

Shumicën e fotografive me grafite nëpër muret e Prishtinës, Boshnjaku i ka përmbledhur në librin “Graffiti”, i cili u botua në vitin 2016.

‘‘Përmes grafiteve nëpër muret e Prishtinës janë shënuar gjitha problemet thelbësore që kanë ndodhë në 30 vitet e fundit në Kosovë. Përmes tyre janë shpreh kundërshtitë e polarizimet rreth çdo zhvillimi: qoftë për zotin, qoftë kundër zotit; ose kundër regjimit aktual, ose për regjimin aktual; ose për LGBTI-në, ose kundër LGBTI-së. Përmes grafitit shumë shpejt shfaqet revolta kundër aktualitetit, kundër politikës apo njerëzve që e udhëheqin atë’’.


- Skender Boshnjaku.
‘Grafiti është një shfaqje e menjëhershme, autonome — [që realizohet] kryesisht gjatë orëve të natës mes frikës e zemërimit — që në mënyrë të shpejtë e shpreh një rebelim, një kërkesë, një dëshirë, një ëndërr, një fluturim, një shprehje për liri’’.


—Skender Boshnjaku.

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.K

Kthehu prapa tek Monografia