Blogbox | Viza

(Pothuajse) E bllokuar në Tajlandë

Nga - 10.11.2017

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës duhet të përmirësohet.

Udhëtimin e kam pasion. Shoqëria ime tashmë e di që gjithmonë e kam një “shtet të radhës” në mendje ose në plan. Deri më tani kam vizituar 27 shtete; disa prej tyre për punë, por kryesisht për të eksploruar, për të mësuar e për të kuptuar më shumë, si dhe për ta shijuar shumëllojshmërinë e botës. Sigurisht se kam përjetuar incidente të vogla dhe të ndryshme, herë pas herë edhe vonesa. Më kanë shikuar çuditshëm zyrtarët te kontrolli i pasaportave kur e kanë parë pasaportën time të Kosovës. Megjithatë, në udhëtimin tim në Tajlandë përjetova diçka të re, dhe deri diku të frikshme.

Pas dy javësh pushimi në Tajlandë, gjatë të cilit iu kisha “ligjëruar” histori dhe gjeografi të Kosovës dhe rajonit njerëzve të ndryshëm që takova atje, isha e gatshme të kthehem në shtëpi. Kthimin e bënte më të lehtë ndalesa që kisha planifikuar në Dubai për të vizituar Burj Khalifan, ndërtesën më të lartë në botë.

Më kishte ndodhur gjatë atyre dy javëve të përballesha me reagime të ndryshme kur përgjigjesha “Jam nga Kosova” në pyetjen “Nga vjen?”; madje, një nga reagimet më të veçanta (lexo: çuditshme) ishte “prit të të shoh si dukesh, se je personi i parë që shoh nga Kosova”. Reagimet tjera përfshinin fjali si “Ku është Kosova?”, “A është në Rusi?”, “A flisni ju rusisht?”; madje, dikush nga personat që takova më pyeti nëse Kosova është në Afrikë.

Foto: Lavdi Zymberi.

Në rast se personat kishin dëgjuar pak për Kosovën, në shumicën e rasteve për luftën e fundit, pyetja e tyre ishte: “A është sigurtë?”. Nuk mund të mos përgjigjesha që nëse po i referohen luftës, ajo kishte 18 vite që kishte mbaruar dhe se Kosova është ndër vendet më të sigurta në rajon – tani gjithçka ishte kthyer në normalitet. Megjithatë nuk i fajësoja, sepse kush nga ne di cfarë po ndodh në Niger, për shembull?

Në një rast, kur po i ndërroja paratë në një bankë në Phuket (qytet në jug të Tajlandës), punëtorja e bankës nuk po e gjente Kosovën në sistemin e saj, madje as pas ardhjes së mbikëqyrëses apo koleges së saj. Nga sikleti ato nuk dinin si të vepronin dhe një e qeshur nga zori ua përshkonte fytyrën.

Incidentin në bankë vendosa ta harroj dhe ta trajtoj si diçka të parëndësishme dhe ta shijoja Tajlandën e bukur sa më shumë që ishte e mundur. Nga udhëtimet e mia deri tani, Tajlanda është njëri nga vendet që do ta vizitoja sërish; ka aq shumë gjëra e vende për t’u parë sa që dy javë ishin tepër pak dhe një problem i tillë i vockël nuk do të mund të ma prishte disponimin.

Foto: Lavdi Zymberi.

Megjithatë, erdhi koha të kthehesha dhe fluturimi im ishte herët në mëngjes. Meqenëse kompania me të cilën udhëtoja nuk e kishte Kosovën në listën e saj të shteteve, nuk mund të bëja check-in përmes internetit dhe më duhej të shkoja më herët në aeroport. Isha e bindur që gjithçka do të shkonte mirë sepse po kthehesha nëpër të njëjtën rrugë nga kisha ardhur (Bangkok – Abu Dhabi – Beograd) dhe kisha të gjitha dokumentet e nevojshme në rregull (pasaportën me vizë, vizën për Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe letërnjoftimin dhe atë “letrën hyrëse-dalëse” që e marrin qytetarët e Kosovës kur hynë në Serbi).

Gjatë kohës sa po bëja check-in tek sporteli i kompanisë, vura re që punëtorja po shfletonte pasaportën sikur po kërkonte diçka, po fliste në telefon me dikë vazhdimisht, dhe sikur po ngurronte të më jepte biletat e kthimit. E pyeta se a ishte gjithçka në rregull dhe ajo më tha që po kërkonte vizën e Serbisë, dhe se pa vizë serbe nuk mund të udhëtoja.

Ia shpjegova që për shtetasit e Kosovës, jo viza, por as pasaporta nuk duheshin për të udhëtuar në Serbi, por ajo nuk bindej. Ndërkohë erdhi edhe një punëtore tjetër e cila po më përsëriste të njëjtën gjë, se si duhet të kisha vizë për Serbi ose ndonjë vizë Schengen apo vizë të Mbretërisë së Bashkuar, përndryshe nuk do të mund të udhëtoja. I shpjegova edhe punëtores tjetër se qytetarët e Kosovës udhëtojnë me letërnjoftim në Serbi, madje ia tregova atë si dhe “letrën hyrëse-dalëse” duke shtuar se dy shtetet, Kosova dhe Serbia, kanë marrëveshje mes vete dhe se nëse do më duhej vizë për Serbi atëherë do të duhej ta kisha edhe më herët, sepse kisha udhëtuar nga Serbia.

Asnjëra nga to nuk po bindej me fjalët e mia dhe këmbëngulnin që kishin të drejtë, por do të më mundësonin të udhëtoja pasi kisha vizë të Mbretërisë së Bashkuar! Ua përsërita që nuk më duhej vizë as pasaportë të udhëtoja në Serbi dhe se kompania do të duhej të përditësonte të dhënat e saj si dhe ta shtonte Kosovën në listën e shteteve që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë më lehtë dhe pa probleme të tilla të panevojshme në të ardhmen.

MPJ duhet të jetë më e kujdesshme në informatat që ofron, sepse mund të shkaktojë probleme për shtetasit e Kosovës.

Pasi mora biletat dhe kalova kontrollin e pasaportave dhe të sigurisë, kërkova informata për marrëdhëniet diplomatike Kosovë – Tajlandë dhe e kuptova që ky shtet na ka njohur që nga nëntori i vitit 2013. Megjithatë, pak është bërë në zhvillimin e këtyre marrëdhënieve deri tani. Në maj të vitit 2016 është përmendur thellimi i marrëdhënieve mes dy shteteve, por nuk duket që diçka ka ndodhur deri më tani.

Edhe nëse diçka ka ndodhur, faqja e internetit e Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) nuk përditësohet me të dhënat e fundit, duke i keqinformuar qytetarët e Kosovës në shumë raste. Për shembull, informata që shtetasit e Kosovës mund të marrin vizë për Indi në Ambasadën e Indisë në Beograd është e pavërtetë dhe vetëm ata që kanë pasaportë serbe mund ta shfrytëzojnë këtë shërbim. Edhe sikur të mund të merrnin vizë për Indi shtetasit e Kosovës me pasaportë të Kosovës, lidhja që ofron MPJ-ja nuk të çon tek faqja e internetit e Ambasadës së Indisë, por te një faqe që duket se është e shkruar në japonisht dhe është blog i dikujt, por assesi te Ambasada e Indisë.

Ose edhe emri i shtetit të Letonisë që figuron Latvia në faqen e MPJ-së.  Me sa duket as nuk lodhen ta shkruajnë si duhet emrin e shtetit.

MPJ-ja duhet të jetë më e kujdesshme në informatat që ofron, sepse mund të shkaktojë probleme për shtetasit e Kosovës. Ajo duhet t’i përditësojë informatat në faqen e saj zyrtare të internetit, si dhe të shtojë informata që nuk janë aty, por që janë të rëndësishme – si për shembull, që për vizë tajlandeze shtetasit e Kosovës duhet të shkojnë në Konsullatën Tajlandeze në Tiranë dhe se e marrin vizën brenda ditës (kontakti: [email protected]).

Foto: Lavdi Zymberi.

Kjo mungesë diplomacie, ose lënie përgjysmë e marrëdhënieve të nisura dypalëshe nga ana e MPJ-së, vështirëson lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës dhe na vë shpeshherë në situata të palakmueshme. Na bën të ndihemi si mysafirë të padëshiruar për të cilët askush nuk jep llogari dhe të cilët të gjithë i shqelmojnë sa andej sa këndej.

MPJ-ja duhet t’i çojë deri në fund marrëdhëniet e nisura me shtetet që na njohin, sepse me njohje nuk përfundon procesi. Rasti i fundit që u raportua se Surinami e tërhoqi njohjen e Kosovës, qoftë e vërtetë apo thjesht lojë politike e Serbisë, duhet ta shtyjë MPJ-në t’i dyfishojë përpjekjet. Duhet të punohet sistematikisht në zhvillimin e mëtejmë të marrëdhënieve, në shpërndarjen e informatave në institucionet ku qytetarët e Kosovës mund të kenë nevojë për shërbime gjatë vizitës në ato vende.

E nxis Ministrinë e Punëve të Jashtme të marrë masa dhe vërtet t’i thellojë marrëdhëniet dypalëshe, jo vetëm me Tajlandën, por me të gjitha shtetet, duke u siguruar që ne, qytetarët e Kosovës, të kemi trajtim të dinjitetshëm dhe të barabartë sikur qytetarët e shteteve të tjera. Ne si individë ndoshta mund të ndikojmë në këto marrëdhënie deri në një pikë, por përgjegjësia i takon institucionit që është i thirrur dhe paguhet nga taksat e qytetarëve për ta bërë këtë punë.

  • 10 Jun 2019 - 13:07 | Lavdi:

    @Nelson Taksat per cka? Nese e ke fjalen per te ardhurat personale, taksat varet nga te ardhurat qe ke. Mund te lexosh me shume ketu per cdo lloj takse https://en.portal.santandertrade.com/establish-overseas/thailand/tax-system

  • 07 Apr 2019 - 00:01 | Nelson:

    A e dini sa jan taksat ne tailand per person ??

  • 16 Oct 2018 - 10:17 | Lavdi:

    Pershendetje Nora. Falemnderit qe e ke lexuar. Vizen e kam marre ne Konsullaten e Tajlandes ne Tirane. Merret brenda dites. Mund te gjesh me shume info ne blogun tim kosovogirltravels.com :)

  • 15 Oct 2018 - 10:27 | Nora:

    Pershendetje Lavdi! Te falemnderit qe ke ndare eksperiencen tende! Te lutem na trego nese ke marr vize kur ke arritur ne Tajlande, apo paraprakisht. Nese ke marr paraprakisht, ku ke aplikuar per vize dhe sa ka zgjatur aprovimi per vize?

KOMENTO