Shqiptarët më të suksesshëm që njeh bota janë ata që, të lindur apo emigrantë, kanë zhvilluar karrierën e tyre jashtë vendlindjes. Që nga arkitekti Karl Gega, kritiku e diplomati Faik Konica, aktori Aleksandër Moisiu, shkrimtari Ismail Kadare, sopranoja Inva Mula, aktorja Eliza Dushku dhe së fundmi artistet si Rita Ora apo Dua Lipa, na dëshmojnë se shqiptarët i kanë dhënë botës më shumë nga jashtë se nga brenda vendit të origjinës.
Kontributi i bashkatdhetarëve nga jashtë ka ndikuar edhe në gjendjen e shqiptarëve në vendlindje. Lëvizja “Vatra” – Federata Panshqiptare e cila mobilizoi shqiptarët e Amerikës nën udhëheqjen e Fan Nolit dhe Faik Konicës – ishte ajo që ndikoi në përkrahjen e presidentit amerikan Woodrow Wilson për pavarësinë e Shqipërisë dhe mundësoi që shqiptarët të kenë zërin e tyre në Konferencën e Paqes në Paris (1919).
Po ashtu ishte vendimtar kontributi i paçmueshëm i bashkatdhetarëve nga jashtë, në çlirimin Kosovës dhe zgjidhjen e konfliktit në Maqedoni dhe në Luginën e Preshevës, përmes asistencës financiare, lobimit dhe sensibilizimit të opinionit ndërkombëtar por edhe angazhimit direkt në luftë dhe mbrojtje të civilëve.
Shqiptarët e ikur nga atdheu për arsye të ndryshme (shumë herë pa dëshirë) janë quajtur herë emigrantë e mërgimtarë, herë refugjatë e azilantë në vendet ku janë shpërngulur. Shumica e tyre, pavarësisht shkakut nga i cili janë larguar, kanë vazhduar të mbajnë lidhje me shtetin amë. Ky fakt, pra angazhimi dhe vazhdimësia e marrëdhënieve, i ka bërë dhe i bën pjesëtarë të diasporës dhe jo vetëm mërgimtarë apo emigrantë.
Sipas përkufizimit të Gerard-Francois Dumont, ata përbëjnë “një bashkësi të individëve që jetojnë së bashku në të njëjtin territor dhe që kanë të përbashkët bindjen ose besimin e përkatësisë, të vetes ose familjeve të tyre në një territor tjetër me të cilin ata mbajnë marrëdhënie të rregullta.”
Dallimi mes të qenit pjesëtar i diasporës dhe emigrant qëndron pikërisht në faktin e (mos)angazhimit për shtetin amë dhe mbajtjen e lidhjeve me të. Kjo çështje, pra definimi i diasporës është shumë e rëndësishme para se të flasim për ta si grup shoqëror. Natyrisht që nocioni i diasporës nuk i përfshin të gjithë shqiptarët që jetojnë në vende të ndryshme nëpër botë, të paktën jo ata që nuk mbajnë lidhje dhe nuk kanë ndjenjën e përkatësisë me vendin e origjinës.
Diaspora si term, përdoret çdoherë e më shumë edhe për faktin se përshkruan emigrantët dhe pasardhësit e tyre si aktorë dhe agjentë zhvillimi, duke u dhënë një rol politik, social dhe ekonomik. Shqiptarët kanë një përparësi krahasuese në raport me shumë vende të tjera. Përveçse kanë një diasporë me potencial të madh, gëzojnë vëmendjen dhe lidhjet akoma shumë të forta të pjesëtarëve të saj me vendet amë. Mirëpo, pavarësisht historikut pozitiv, diaspora shqiptare nuk ka arritur akoma të ndikojë aq ndjeshëm në zhvillimin e shteteve të origjinës.
Potencial i pashfrytëzuar
Kërkesat dhe potenciali i diasporës qëndrojnë në disproporcion të thellë me angazhimin shtetëror mbi të. Kosova edhe pse ka institucionalizuar e para punët dhe veprimet për diasporën, akoma nuk ka vizion të qartë se si ta kanalizojë potencialin e diasporës në funksion të zhillimit shtetëror.
Edhe pse remitancat e diasporës vlerësohet të jenë gjithsej mbi 700 milionë euro, një shifër e barabartë me 16% e GPD-së së Kosovës apo rreth 30% të buxhetit vjetor te shtetit, shumica e tyre shkojnë në konsum dhe nuk kthehen në zhvillim të sektorëve kyç të ekonomisë, arsimit apo shëndetësisë.
Ndërkohë, Shqipëria vetëm sa ka nisur të krijojë mekanizmat shtetërore për diasporën, sikurse edhe Maqedonia, derisa mungojnë komplet mekanizmat institucionale për diasporën në komunat shqiptare në Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës. E gjithë kjo, jo për fajin e pjesëtarëve të diasporës, sa për mungesën e vizionit dhe organizimit shtetëror të këtyre vendeve.
Mbi 200 organizata dhe mbi 300 aktivitete e ngjarje në vit në bazë vullnetare të evidentuara vetëm nga platforma Diaspora Flet, janë tregues jo vetëm të potencialit dhe kompleksitetit të diasporës, por edhe mungesës së lidhjes së këtij potenciali me shtetet e origjinës.
Në konferencën “Diaspora Flet” që u mbajt më 17-20 Maj në Prishtinë, u dëshmua edhe njëherë që diasporë nuk janë vetëm remitancat financiare, por edhe kapacitetet intelektuale, biznesore, shkencore dhe politike. Kingsley Aikins, themeluesi i “Diaspora Matters” nga Irlanda (njëra nga organizatat më të mëdha të diasporës në botë), duke folur me termat e politiologut amerikan Joseph S. Nye, theksoi në këtë konferencë se diaspora është fuqia e butë (soft power) e një kombi e shteti.
Vlerat politike dhe intelektuale, rrjetet e biznesit dhe organizatave të kulturës, sportit dhe shkencës janë ato që e përbëjnë diasporën. Të gjitha këto bashkë përbëjnë faktorë influencues në politikë, ekonomi dhe më gjerë, të cilat shumë shtete i përdorin çdo herë e më shumë, në favor të interesave të tyre.
Por, pavarësisht potencialit të madh, gjendja e raporteve të shteteve amë me diasporën shqiptare në botë lë për të dëshiruar. Diaspora shqiptare akoma nuk arrin të realizojë të drejtat politike, të zgjedhë dhe të zgjidhet në mënyrë të barabartë. Shtetasit e Kosovës jashtë vendit kanë të drejtë të votojnë, mirëpo për shkak të procesit të vështirë shumica prej tyre nuk arrijnë ta bëjnë një gjë të tillë, kështu duke mos mundur ta realizojnë këtë të drejtë. Ndërsa shtetasit e Shqipërisë jashtë vendit, nuk kanë të drejtë vote.
Diaspora e Kosovës, akoma pret radhëve në kufi për të paguar një taksë sigurimi që shihet si plaqkë për të hyrë në vendin amë. Gjeneratës së tretë apo të katërt nuk i ofrohet mësimi i gjuhës dhe kulturës shqipe në shumë vende të botës, duke rrezikuar seriozisht humbjen e ndjenjës së përkatësisë dhe identitetit kulturor – një nga elementet kyçe të të qenurit pjesëtar i diasporës shqiptare. Gjatë punimeve të konferencës “Diaspora Flet”, pjesëtarë të diasporës kanë ngritur si shqetësim mungesën e literaturës dhe shkollave e klasave për mësimin e gjuhës shqipe në vendet ku jetojnë, duke u ankuar për mungesë të përkrahjes nga shtetet amë në këtë drejtim.
Gjithashtu, diaspora shqiptare e ka shumë të vështirë të sjellë remitanca sociale, të japë ide apo të implementojë projekte në shtetet amë.
Organizimet e diasporës në vendet ku jetojnë edhe pse të shumta në numër, janë më shumë kaotike se sa të harmonizuara, ndërsa organizimet në shtetet amë ndodhin vetëm gjatë sezonit turistik dhe janë më shumë të tipit karnevalesk – koncerte pa vlera artistike me një mbishkrim me titull “Mirësevini bashkatdhetarë”. Komunikimi me institucionet e shteteve amë është jashtëzakonisht i vështirë dhe nëse një pjesëtar i diasporës dëshiron të investojë, ai do të përballet me dhjetëra (për të mos thënë qindra) procedura burokratike.
Fakti që konferenca e parë për diasporën organizohet nga Germin – organizatë e shoqërisë civile e cila merret me angazhimin e diasporës dhe jo nga institucionet shtetërore – tregon për interesin e shteteve amë për të angazhuar grupin social më të madh që kanë.
Angazhimi – rruga përpara
Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe komunat shqiptare në Mal të Zi dhe Serbi, duhet të koordinohen dhe t’i hapin dyert diasporës shqiptare në botë. Potenciali i diasporës nuk duhet të pritet vetëm nga remitancat financiare që shkojnë vetëm për konsum – duhet të vijë edhe përmes remitancave sociale, shkëmbimeve të ideve dhe mallrave. Potenciali i diasporës duhet të vijë përmes profesionistëve që ndihmojnë dhe madje udhëheqin institucionet shtetërore.
Ndikimi politik dhe kulturor në vendet ku ajo jeton, i jep diasporës dimension diplomatik i cili duhet të mbështetet dhe shfrytëzohet. Idea e krijimit të Këshillit Kombëtar të Diasporës që u hodh në konferencën “Diaspora Flet” në Prishtinë nga Mark Cosmo, udhëheqës i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane të Massachusetts “BESA”, Boston, SHBA, duhet të shtyhet përpara.
Një këshill i tillë, i përbërë nga pjesëtarët e diasporës gjithandej botës do të adresonte të gjitha problemet që lidhen me diasporë dhe zhvillimin e shteteve të origjinës dhe do të shndërrohej në një lob të fuqishëm të kulturës dhe vlerave shqiptare në botë. Si grupi më i madh shoqëror shqiptar, diaspora duhet të shndërrohet në katalizator zhvillimi.
Tre ministra shqiptarë të diasporës në tre shtete të ndryshme, sot më shumë se kurrë kanë mundësinë ta angazhojnë potencialin e diasporës dhe të ndërtojnë ura komunikimi ndërinstitucionale në mënyrë që strukturat shtetërore të jenë të lidhura me pjesëtarët e diasporës pavarësisht nga kush udhëhiqen ato.
Ashtu siç tha Kingsley Aikins në konferencën 4-ditore në Prishtinë, “diaspora është fuqia e butë e një kombi” dhe shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginë duhet ta njohin dhe shfrytëzojnë ‘armën’ e fuqishme që e kanë.K
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.