Pikëpamje | ShBA

Amerika e Trump-it: Nga na erdhi?

Nga - 06.11.2020

Ta shpjegojmë mendjen konservatore.

Si amerikane që banon në Evropë, pyetjet që has më së shpeshti sillen rreth përzgjedhjes së Amerikës të presidentit të 45-të. Shumica duken të tronditur që pas trashëgimisë së presidencës së Barack Obama-s, Shtetet e Bashkuara do të merrnin kahje kaq konservatore. 

Disa evropianë nuk mund ta besojnë këtë zgjedhje, kurse disa të tjerë duket që gjejnë kënaqësi në situatën e tanishme politike dhe përçarjen shoqërore në Amerikë. Analogjia më ironike që kam dëgjuar është “Amerikanët kanë shikuar serialin “Tiger King” (“Mbreti i Tigrave”) ashtu siç e ka shikuar pjesa tjetër e botës Amerikën”. 

Për ata që pyesin “si?”, “pse?”, dhe “çfarë vjen tani?” do të mundohem ta shkolit në mënyrë sa më të thukët që është e mundur.

Ku janë konservatorët

Së pari, ka shumë gjasë që në Evropë keni takuar më shumë amerikanë liberalë sesa amerikanë konservatorë. Kjo është për shkak të disa faktorëve. Mesatarisht, liberalët kanë më shumë gjasë të kenë pasaporta dhe mundësi për të udhëtuar. Njerëzit e rinj dhe shumica e personave që udhëtojnë me çanta shpine të cilët shpesh përzihen me turmat lokale kanë më shumë gjasa të jenë më liberalë për nga pikëpamjet politike dhe atë shoqërore. 

Në vende sikur bazat ushtarake dhe ambasadat ka numër më të madh të konservatorësh, por ata kanë prirje të rrinë në rrethet e tyre shoqërore dhe ka më pak gjasa të bashkëveprojnë me popullatën lokale aq sa udhëtarët e rinj apo punëtorët amerikanë mërgimtarë. Prandaj, nëse jeni duke menduar përse amerikanët kanë votuar për Presidentin Donald Trump, është me siguri për shkak se ju i jeni ekspozuar vetëm njërës anë të spektrit politik. 

Ky është një problem për shumë njerëz që jetojnë në periferi ose në fshatra pasi ata besojnë që një zonë metropolitane merr vendime për tërë shtetin

Në Amerikë, personat e krahut liberal përbëjnë pjesën më të madhe të njerëzve që jetojnë në hapësira urbane dhe kanë më shumë gjasa të kenë diploma universitare ose pasuniversitare, si dhe të bëjnë pjesë në shtresën kreative; ndërsa, personat e krahut konservator përbëjnë pjesën më të madhe të banorëve të hapësirave periferike dhe rurale dhe i përkasin më fort klasës punëtore

Ekziston edhe klasa e shërbimeve, të cilën e përbëjnë personat që punojnë në dyqane, në zyra dhe të cilët kryejnë shërbime gastronomike. Shtetet të cilat kanë përqindje më të lartë të kësaj klase anojnë paksa nga ana demokratike. Kjo ndhodh për shkak se vendet e punës të klasës së shërbimeve janë më të dendura në qytete përkrah klasës kreative. Këta janë punëtorët e shërbimeve në qendra të mëdha metropolitane si Seattle, Nju-Jork, dhe Çikago. 

Nëse qytetet janë mjaft të mëdha, si për shembull Çikagoja, ato në të vërtetë mund të ndryshojnë zgjedhjet e zyrtarëve të lartë si guvernatorët dhe përfaqësuesit të tjerë të shtetit. Kjo është për shkak që këto vende kanë një përqindje më të lartë të popullatës dhe prandaj vota është e drejtë dhe e barabartë. 

Megjithatë, në shtete si Illinois, Wisconsin dhe Michigan ku shumica e banorëve janë konservatorë, duke përjashtuar qytetin më të madh të secilit shtet, ata mendojnë që zërat e tyre nuk janë duke u dëgjuar. Kjo më pas përdoret nga personalitetet televizive djathtiste si Sean Hannity dhe Rush Limbaugh për fajësuar vendet metropolitane për të këqijat e të gjithë shtetit. 

Ky është një problem për shumë njerëz që jetojnë në periferi ose në fshatra pasi ata besojnë që një zonë metropolitane merr vendime për tërë shtetin, gjersa qyteti gjithashtu konsumon një përqindje të lartë të ndihmave federative dhe shtetërore. Këto supozime, të cilat në rastin më të mirë janë të ndërlikuara kurse në atë më të keqin të gabuara, sjellin përçarje të mëtutjeshme në vend. Kjo ndasi nuk qëndron vetëm për shtetet si Illinois, por ndodh edhe në Oregon, Uashington, Kaliforni e Nju-Jork, ndër të tjera.

Ekonomia apo ambienti?

Të marrim Uashingtonin si shembull. Në vitet e 90-ta, ambientalistët kanë ndaluar prerjet masive në Pyllin Kombëtar Olimpik të Shiut në shtetin e Uashingtonit. Qeveria liberale filloi të ndajë më shumë toka për specie sikur bufi me njolla dhe dikur, industria e prerjes së drurëve ose është ndaluar ose është shuar vetë. Kjo është parë si fitore e madhe për ambientalistët, të cilët janë larguar nga kjo hapësirë dhe kanë vazhduar punën e tyre. Megjithatë, ajo çka pak e kanë konsideruar janë të hollat e taksave të mbledhura nga industria e prerjes në Gadishullin Olimpik. Qytetet si Aberdeen, Hoquiam dhe Grays Harbor, të cilat dikur ishin vende të zhvilluara, ngadalë u shuan. 

Shumë njerëz në të dyja partitë e shohin njëri-tjetrin si inferiorë në aspektin moral dhe atë intelektual, dhe këtë e thonë zëshëm e me krenari.

U mbyllën shkollat, rrugët u bënë të papërdorshme dhe mjetet e jetesës së banorëve u zhdukën. Natyrisht, njerëzit nga këto vende ishin të zemëruar pasi një qeveri liberale dhe ambientalistët urbanë morrën vendimin dhe më pas vazhduan me jetët e tyre, duke lënë pas banorët lokalë, jeta e të cilëve kishte ndaluar plotësisht. 

Nuk po them prerja është përgjigjja në këtë rast, pasi ajo kishte shkaktuar dëm të madh të ambientit. Por mbyllja e një industrie të tërë dhe për pasojë shpërndarja e të gjithë banorëve të asaj zone nuk është aq më pak e drejtë. Në vend që të ndihmonin atë zonë të bëjë tranzicionin drejt një burimi më të qëndrueshëm të të hyrave nga taksat, qeveria shtetit ua la në dorë qeverive rajonale ta rregullojnë situatën. Disa qeveri lokale iu kthyen turizmit por kjo i la me punë që i paguan shumë më pak se industria e drurit dhe në të njëjtën kohë ofron më pak vende pune. Si rezultat, shumë familjeve u është dashur të largohen nga zonat. 

Sot, gadishulli është duke kërkuar ringjalljen e pyjeve që dikur ishin humbur, e kjo është një fitore e madhe. Turizmi ka zënë vendin e prerjeve në shumë qytete dhe disa zona kanë nisur të rigjallërohen. Megjithatë, shumë vende që dikur lulëzonin janë në një betejë të vazhdueshme për tu ngritur, dhe sipas gjasave nuk do të shohin mundësitë ekonomikë të njëjta si dikur. 

Narrativa e konservatorëve thotë se ekziston një model ku liberalët e qyteteve të Amerikës marrin vendime të mëdha për një rajon të tërë në vend se të flasin me hisedarët lokalë, aktivistët dhe institucionet për të arritur në një zgjidhje të përbashkët. Shumë njerëz në të dyja partitë e shohin njëri-tjetrin si inferiorë në aspektin moral dhe atë intelektual, dhe këtë e thonë zëshëm e me krenari.

Historitë si ajo nga Uashingtoni kanë ndodhur në mënyra të ndryshme rreth e rrotull Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë këtu edhe shtetin tim të prejardhjes Wisconsin. Po kështu, shumë njerëz nga vendi ku unë jam rritur besojnë që demokratët i kanë zhgënjyer. 

Kush është inferior?

Nëse je një amerikan i klasës punëtore i cili ka vuajtur financiarisht, të cilit i është thënë që është inferior moralisht dhe intelektualisht dhe i cili është lodhur nga kontrolli i rajonit prej me hapësirave metropolitane, atëherë retorika e Trump-it mund të tingëllojë atraktive. Ai i jep guxim klasës punëtore duke thënë që do të kthejë vendet e punës në prodhim, “do të zbrazë pellgun” (lexo: ta ndërpresë korrupsionin) e politikanëve të karrieristë në Kongres, të sjellë zhvillim në qytetet e vogla dhe të ju kthejë respektin që e meritojnë.  

Nuk më takon të them nëse ai i ka mbajtur premtimet e veta, as të flas për retorikën e tij acaruese, as për moralin e tij të përgjithshëm ose mungesën e tij. Si dikush që është rritur në një zonë konservatore që dikur ka qenë e zhvilluar, me prindër që kanë mbajtur biznese të vogla, po mundohem ta përçoj përse disa amerikanë e shohin Trump-in si zgjidhje. Ka shumë njerëz më të zgjuar të cilët kanë shkruar vëllime të tëra për këtë temë por kjo është një përmbledhje e shkurtër nga përvoja ime. 

Çfarëdo që ndodh, një gjë është e sigurt: demokracia në Amerikë po gërryhet dhe vreri i ndërsjellë ka arritur kulmin.

Gjithashtu do të them që shumica e këtyre zonave konservatore kanë popullatë kryesisht të bardhë. Pjesa më e madhe e fokusit të tyre është në ekonomi dhe ruajtje të vlerave të komunitetit; të kujdesen për vendin ku janë rritur. Adresimi i krizave të ndërlikuara shoqërore si seksizmi, racizmi dhe ksenofobia nuk është përbën prioritet të ngutshëm për ta, pasi shumica e këtyre zonave janë tërësisht homogjene. Ata gjithashtu kanë prirje të jenë konservatorë me anime patriarkale. 

Pra, çfarë do të ndodhë tutje? Si do t’i brengoste fitorja e kundërshtarit përkatës?

Për konservatorët, shqetësimi i tyre kryesor duket të jetë që ish-zëvendëspresidenti Joe Biden do të mbyllë Amerikën prapë, gjë që po shohim në shumë shtete të Evropës. Ka shumë biznese të vogla, ferma, bare dhe restorante që mezi po ia dalin mbanë. Ata nuk do të jenë në gjendje ta përballojnë një tjetër mbyllje ekonomike. Nëse ajo ndodh, shumë njerëz do të humbin mjetet për jetesë. Disa konservatorë besojnë që në afatin e gjatë, kjo do të vrasë shumë më shumë njerëz se pandemia. 

Ka pasur edhe shumë debate rreth mbështetjes së shkencëtarëve ndaj rekomandimeve të Qendrës për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë (NIH). Konservatorët besojnë që nëse do t’u rrezikoheshin vendet e punës sikur shumë amerikanëve të tjerë, ata nuk do t’i merrnin vendimet që kanë marrë deri më tani. 

Shqetësimi i parë për demokratët që do të vijë pas zgjedhjeve është se pandemia do të vazhdojë të keqmenaxhohet tmerrësisht dhe shumë më shumë jetë do të humben pa nevojë. Ata besojnë që kjo do të jetë më keq për ekonominë pasi njerëzit nuk do të frekuentojnë bizneset me frikën që do të marrin virusin. Kjo do ta rëndonte edhe më shumë sistemin e kujdesit shëndetësor i cili tashmë është mjaft i ngarkuar. Për më shumë, ata besojnë që Trump do të provojë të privatizojë të gjithë kujdesin shëndetësor, gjë që do të thotë se shumë amerikanë nuk do të kenë më qasje ndaj kësaj të drejte të përgjithshme. Gjatë një pandemie, kjo do të ishte katastrofale. 

Optimistë por të shqetësuar

Çfarëdo që ndodh, një gjë është e sigurt: demokracia në Amerikë po gërryhet dhe vreri i ndërsjellë ka arritur kulmin. Njerëzit janë të tmerruar dhe me të drejtë; mediat kryesore dhe ato sociale janë duke shkaktuar përçarje politike që nga fillimi i vitit 2010. Megjithatë, kjo përçarje nuk është e re por është duke u rritur në Amerikë që nga vitet e 80-ta, dhe Trump është rezultat i një zemërimi të grumbulluar shumëdekadësh.

Jam shumë e shqetësuar por optimiste. Që njerëzit të ndryshojnë dhe të bëhen aktivë në aspektin politik dhe atë social, ata duhet të ballafaqohen më shumëllojshmërinë në terren. Kam parë më shumë të rinj që janë përfshirë në çështje politike gjatë katër viteve të fundit sesa do të më shkonte mendja. Tash, në Amerikë vërehet një fluks të rinjsh rreth 20 apo 30 vjeç nga prapavija të ndryshme që kandidojnë për poste lokale, që iu bashkohen fushatave dhe që në përgjithësi veprojnë për demokracinë në të cilën besojnë. Gjenerata e ardhshme është e ndërgjegjshme dhe aktive në nivelin shoqëror dhe nuk e merr procesin demokratik si të mirëqenë. Gjërat do të përkeqësohen, pa marrë parasysh se kush fiton, por besoj që e ardhmja e Amerikës nuk është aq e zbehët sa shfaqet në media, apo në mendjet evropiane. 

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.

  • PËR AUTORIN/EN Lauren Hanna
  • Shënim Pikëpamjet e shkrimtarit/es nuk pasqyrojnë domosdo ato të Kosovo 2.0.
  • Ky artikull fillimisht është shkruar në anglisht.

KOMENTO