Dje (26 mars), Marko Gjuriq, kreu i delegacionit serb të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja me Kosovën, u arrestua nga njësitet speciale të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës dhe u dërgua në një stacion policor në Prishtinë, para se të dërgohej në kufirin e Merdares.
Autoritetet e Kosovës, duke përfshirë këtu Presidentin Hashim Thaçi dhe ministrin e punëve të jashtme Behgjet Pacolli, konsideruan se Gjuriq kishte hyrë në Kosovë në mënyrë të paligjshme. Një ditë më parë Pacolli kishte paralajmëruar se Gjuriq do të arrestohej po të hynte në Republikën e Kosovës. Autoritetet serbe e mohuan këtë, duke pretenduar se njoftimi për vizitën e Gjuriqit në Kosovë u bë në përputhje me protokollin e vendosur gjatë procesit të dialogut në Bruksel.
Natyra e arrestimit të Gjuriqit dhe e dëbimit të tij shkaktoi trazira në Serbi. President i këtij vendi, Aleksandar Vuçiq, reagoi me një fjalim nxitës, në të cilin iu referua policëve të cilët e arrestuan politikanin serb me termin “terroristë”. Gjuriq përdori gjuhë të ngjashme në një konferencë për shtyp e cila u mbajt më herët gjatë ditës. Si rrjedhojë e ngjarjeve të ditës së djeshme, Lista Srpska, partia politike e serbëve të Kosovës e cila përbën një pjesë të koalicionit aktual qeverisës në Kosovë, e ka tërhequr mbështetjen e saj për Qeverinë e Kosovës, duke shkaktuar kështu dyshime për të ardhmen e organit ekzekutiv të vendit.
E alarmuar nga zhvillimet e fundit, Përfaqëuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federika Mogerini, vizitoi Beogradin sot për një takim urgjent me Vuçiqin, ndërsa Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq, në bisedë me K2.0 theksoi se BE-ja pret që Serbia dhe Kosova “t’i respektojnë plotësisht, në shkrim dhe në frymë, marrëveshjet e arritura ndërmjet tyre në Dialog”.
Një tjetër pengesë në rrugë
Këto zhvillime janë të fundit të një serie incidentesh që mbuluan kryetitujt dhe ndikuan te ‘normalizimi’ i marrëdhënieve prej kur nisi dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2011. Këtu përfshihet kundërshtimi i Serbisë ndaj aplikimit të Kosovës për anëtarësim në UNESCO në vitin 2015, muri i ngritur në Mitrovicën e Veriut në dhjetor 2016, treni “Kosova është Serbi” i cili u nis nga Beogradi drejt Mitrovicës në janar 2017, dhe rasti i pazgjidhur i vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq më herët gjatë vitit.
Siç ka ndodhur pas të gjitha këtyre rasteve, procesi i dialogut edhe njëherë ka mbetur pezull. Mbrëmë në bisedë me media Vuçiq ishte i paqartë kur foli për përkushtimin e vazhdueshëm të Serbisë ndaj këtij procesi. “Nuk ka kuptim të flasim për dialogun e Brukselit sot. Do të marrim një vendim kur të qetësohemi e të kemi mundësi të mendojmë në mënyrë të qartë. Por të gjitha postulatet dhe pikënisjet tani do të jenë ndryshe”.
K2.0 kontaktoi Zyrën e Presidentit të Kosovës dhe të Zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj për të pyetur nëse ka ndryshuar diçka në lidhje me qasjen e Kosovës ndaj dialogut, por asnjëra nuk u përgjigj deri në kohën e publikimit të këtij artikulli. Ndërsa partia opozitare Vetëvendosje përsëri theksoi publikisht kundërshtimin e saj ndaj premisës së dialogut.
Katarina Tadiq, hulumtuese nga Beogradi e cila punon për European Policy Center, tha për K2.0 se incidenti i djeshëm “definitivisht i ka ngritur përsëri tensionet” dhe se kjo “nuk kontribuon në dialog. Njëkohësisht është mesazh për BE-në se situata është ende e brishtë dhe nevojitet më shumë kohë, përpjekje dhe durim për ta arritur një marrëveshje afatgjatë”.
Tadiq thekson këtë brishtësi duke thënë se Kosova dhe Serbia rregullisht i kanë ndaluar zyrtarët e njëra-tjetrës për të hyrë në territoret e tyre. “Marko Gjuriqit iu ndalua hyrja në Kosovë disa herë, dhe kështu u ndodhi edhe zyrtarëve të tjerë të lartë serbë e kosovarë”, tha ajo. “Sa herë të ndodhin incidente të tilla, pala e ndaluar e akuzon tjetrën për shkelje të Marrëveshjes së Brukselit. Por, deri më tani, Kosova dhe Serbia nuk i shkelën këto ndalesa duke hyrë në territorin e palës tjetër në mënyrë të paligjshme”.
Ajo thotë se kemi mundur ta parashikojmë krejt këtë skenar. “Përshtypja e përgjithshme është se Beogradi deshi ta provokonte Prishtinën, dhe Prishtina reagoi ndaj kësaj”. Gjithashtu thekson se problemi më i madh është “paqartësia” e marrëveshjeve ndërmjet dy palëve, sepse në to nuk specifikohen rrethanat në të cilat mund të mohohen kërkesat për vizita. “E pamë një shembull të kësaj dje, kur Beogradi dhe Prishtina ofruan interpretime të ndryshme”.
Ndërsa Agon Maliqi, konsulent i politikave publike dhe analist politik, beson se këto ngjarje janë edhe më të rëndësishme për politikat vendore në Kosovë se që janë për marrëdhëniet ndërkombëtare me Beogradin.
Maliqi është njëri prej njerëzve të njohur të cilët besojnë se e gjithë kjo ngjarje ishte e paraplanifikuar për qëllime politike. “Mendoj se përveç dialogut, ndikimin edhe më të madh aksioni i djeshëm e ka në stabilitetin e Qeverisë”, tha Maliqi për K2.0. “Është e qartë se ngarjet e djeshme janë njëfarë përpjekje për të lëvizur nga status-kuo, ku janë ngujuar negociatat. Se a do të kenë ato ndikim negativ apo pozitiv, kjo varet nga gjërat që ne nuk i dimë dhe nga zhvillimet që janë në prapaskenë”.
Teatër i rrezikshëm politik?
Shumë analistë dhe zëra kritikë kanë aluduar se i gjithë spektakli i shfrytëzimit të forcave të njësiteve speciale ishte maskim për një fazë tjetër që pritet në politikën e Kosovës – krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Asociacioni është një marrëveshje e diskutueshme e cila u arrit ndërmjet dy shteteve si pjesë e dialogut në Bruksel, dhe për të cilën kanë protestuar shumë kur ajo u prezantua në Kuvendin e Kosovës. Disa elemente të saj janë shpallur jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese në dhjetor 2015.
Dje u dha lajmi se do të formohet një grup punues për ta shkruar statuin e Asociacionit.
“Sinjalet për themelimin e Asociacionit [të Komunave me Shumicë Serbe] janë publike”, tha Maliqi, i cili mendon se spektakli i arrestimit të Gjuriqit mund të ndihmojë me zbutjen e reagimit të ashpër që pritet nga opozita në Kosovë. Lëvizja Vetëvendosje, disa deputetë të së cilës u mbajtën në arrest nga policia për pengim të seancës së votimit për marrëveshjen e demarkacionit më Malin e Zi, e ka theksuar disa herë kundërshtimin e saj ndaj Asociacionit në 24 orët e fundit.
Njëlloj në Beograd, Tadiq është ka folur për oportunizmin që spikatet në këtë situatë. “Veprimi i djeshëm i njësiteve speciale të Policisë së Kosovës ishte mundësi ‘e mirë’ për të demonstruar fuqi”, tha ajo për K2.0. “Sepse, me apo pa dashje, ndodhi në të njëjtën ditë kur Qeveria e Kosovës dha lajmin për një vendim shumë jopopullor, për fillimin e projektimit të propozimit për statutin e Asociacionit”.
Lajmi i sotëm që Lista Srpska po tërhiqet nga Qeveria e Kosovës e ka komplikuar më tej të ardhmen e Asociacionit. Kjo parti premtoi se do të vepronte në mënyrë të njëanshme për ta formuar Asociacionin në muajin e ardhshëm.
Në bazë të përgjigjeve që përfaqësuesit e BE-së i dhanë K2.0, një qëndrim i tillë nuk do të mbështetet nga Brukseli. “Të gjitha çështjet që i përkasin të dy palëve duhet të adresohen brenda strukturës së Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, që synim të fundit e ka normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi Kocijançiq. “Kjo u konfirmua përsëri nga Presidentët, Thaçi dhe Vuçiq, gjatë takimit të tyre me Përfaqësuesen e Lartë/Zëvendëspresidenten Federika Mogerini të premten e kaluar”.
Megjithatë, pavarësisht tensioneve të larta, Tadiq argumenton se precedentë tashmë ka pasur, që do të thotë se politikanët shpeshherë nuk kanë vepruar politikisht në përputhje me gjuhën e ashpër që e kanë përdorur, dhe se nuk duhet të shihet ashtu siç po portretizohet nga politikanët.
“Mos të harrojmë se pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, dialogu u pezullua, dëgjuam akuza dhe retorikë të ashpër nga të dy palët, dhe pastaj, vetëm pas 10 ditëve, Presidentët e Serbisë dhe të Kosovës u takuan në Davoz, ku theksuan nevojën për ta vazhduar dialogun”, deklaroi ajo. “Pra, më mirë mos t’i marrim seriozisht të gjitha gjërat që i thonë përfaqësuesit tonë politikë”. K
Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.