Këtë javë ishte dita e raportit shkollor për Kosovën dhe fëmijët tjerë në Ballkanin Perendimor. Miliona prindër të shqetësuar në qytete, qyteza dhe fshatra të rajonit pritën për të dëgjuar çfarë kishte për të thënë sivjet sistemi arsimor i BE-së për fëmijët e tyre të lazdruar.
Kosova, si fëmijët tjerë, sigurisht u mundua t’i bind prindërit se ky vlerësim, në përgjithësi, tregoi një nivel të mjaftueshëm të progresit, dhe tregoi gjithashtu se edhe pak do të diplomojnë e do të kalojnë në gjimnazin shumë të fetishizuar të fëmijëve të mëdhenj. Por pas gjithë pritjes, kur dolën notat, doli se ishte kryesisht i ngjashëm me raportet e viteve të kaluara – shumë llafe të mësuesve, që nuk është se domosdoshmërisht t’i informojnë prindërit për performancat e fëmijëve të tyre.
Gjithashtu po zhvillohet gjithnjë më shumë dyshimi i kahmotshëm që Kosova dhe fëmijët tjerë me sa duket janë të fiksuar pas notave, e nuk u interesojnë aq shumë njohuritë.
Por e vërteta është se sistemi jotransparent i notave prap se prap tregoi se Kosova me gjasë ende është duke u përballur me vështirësi në arsim. Raporti vazhdimisht thotë se Kosova është “në fazë të hershme” në pjesën më të madhe të lëndëve kryesore. Sivjet në raport mësuesit e përdorën saktësisht 34 herë frazën “në fazë të hershme” duke folur në lidhje me progresin. Në thelb kjo aludon se nxënësi i ka të njejtat nota si në vitet 2009, 2010, 2011, 2012, 2013, 2014, 2015 dhe 2016 (edukatorët vendosën të mos publikonin raporte në vitin 2017, sepse deshën ta ndrrojnë kohën e publikimit të tyre nga vjeshta në pranverë).
Po të kishin qenë mësuesit më të drejtpërdrejtë në vlerësimet e tyre, ata do ta kishin pranuar se Kosova në të vërtetë e ka përsëritur të njejtën klasë për disa vite, e madje ka treguar pak progres të dalluar edhe në shkrim lexim.
Megjithatë, mësuesit e kanë shprehi ta maskojnë problemin e vërtetë, sepse kur ka vazhdimisht nota të këqija, kjo aludon se sistemi i arsimit mund të mos jetë i mirë; kështu mund të zhgënjehen nxënësit dhe prindërit e tyre. Duke e thënë vazhdimisht se nxënësi është “në fazë të hershme”, mësuesit i lejojnë prindërit dhe fëmiun që të shpresojnë se një ditë mund të regjistrohen në gjimnazin e shumëkërkuar e idealizuar.
Me sa duket prindërit këtë e duan ende, por besimi i tyre në këtë ide po fillon të humbet e zbehet. Nxënësi po vazhdon të thotë se e dëshiron regjistrimin në gjimanz, dhe po ngul këmbë te prindërit e tij se është duke iu afruar arritjes së qëllimit. Dhe këtë ua ka thënë mësuesi nxënësve me vite, që ata duhet të bëjnë edhe më shumë për ta fituar të drejtën për të shkuar atje ― pa marrë parasysh faktin se nxënësit vazhdimisht po e përsëritin të njejtën klasë fillore, përsëri e përsëri.
Në fakt, edhe reputacioni i gjimnazit është dëmtuar disi në kohët e fundit. Por prindërit e Kosovës kryesisht nuk janë të vetëdijshëm për këtë fakt, sepse rrallëherë u janë lejuar vizitat në shkollë. Kështu ata kanë mbetur të izoluar dhe të frustruar. U frustruan edhe më shumë nga fakti se të gjithë prindërit tjerë dhe fëmijët e tyre në lagje e kanë vizituar lirshëm gjimnazin me vite ― të mirëpritur me duar të hapura, deri sa ata detyrohen të mbledhin dokumenta, të paguajnë para, dhe në përgjithësi, ta vënë vetën në mëshirë të disponimit të administratorëve për një vizitë të thjeshtë.
Në fakt, shkolla me sa duket i trajton më mirë fëmijët dhe prindërit fqinj. Ndonjëherë, fëmijët tjerë refuzojnë t’i bëjnë detyrat e shtëpisë, e madje edhe i shajnë mësuesit e tyre haptas, por gjithmonë u falet― për disa, gjithmonë ekziston rreziku i padiskutuar që prindërit mund t’i nxjerrin nga kjo shkollë fëmijët dhe të ndjekin forma alternative të arsimimit. Alternativë të tillë nuk ka për Kosovën, e cila gjithmonë duhet t’i kthehet të njejtës shkollë, edhe nëse dështon vazhdimisht t’i arrijë standardet për diplomim.
T’i kthehemi raportit: mësuesit nuk u treguan krejtësisht diplomatik gjatë gjithë shkrimit, veçanërisht në lidhjem e incidente ku nxënësi është parë duke i thyer disa rregulla të rrepta të sjelljes, të cilat mësuesit i kanë për zemër. Për shembull, kur Kosova ― me shumë bindje të shtyer edhe ng mësuesit ― e kreu një detyrë shtëpie e cila për mësuesit ishte shumë e rëndësishme, e më pas e zënë duke bërë përpjekje për t’i shqyer detyrat pak para Kërshëndellave. Ky incident i vogël thuhet se “shkaktoi shqetësime serioze”. Mësuesit me sa duket e dinë saktësisht si ndodhi kjo, edhe pse fëmiu nuk po tregon shumë, ndërsa prindërit, si zakonisht, nuk dinë thuajse asgjë.
Prindërit mund të kishin kërkuar llogari, e t’i tregojnë fëmiut saktësisht çfarë standarde të sjelljes priten prej tij. Por ata kanë tendencë për të menduar se përderisa ndërhyjnë çdo katër vjet (ose më herët, në rrethana të jashtëzakonshme), mund ta lënë fëmiun të pavarur. Por, jo. Ndonjëherë fëmiu nuk di se si të sillet.
Në raport gjithashtu u kritikua problemi gjithnjë i madh i mbipeshës së fëmiut – prej 45kg në 70g pothuajse brenda natës në vjeshtën e kaluar; një stil i tillë i jetesës u pa si obsesiv, veçanërisht kur i kemi parasysh kushtet e vështira të prindërve. Falë Zotit që mësuesit nuk e dinë (ose nuk duan të flasin) për incidentet kur fëmiu shkrepi me armë, i dehur më raki e duke ngrënë mish në odë. Eh po të ishte fëmiu më i interesuar për të mësuar shkrim lexim, se sa për ta mbushur barkun.
Në raport nuk janë të gjitha pikat katastrofike. Kohë pas kohe, Kosova u lëvdua për përpjekjet e saj për t’i filluar disa punë, ose thjeshtë për praninë e saj në orë të mësimit. Por prindërit nuk po mund të mos mendojnë se ndoshta lëvdatat në rrethana të tilla janë paksa antiproduktive, dhe se mësuesit do të nxisnin rezultate më të mira tek fëmiu po të kërkonin më shumë disiplinë dhe vëmendje ndaj detyrave.
Sigurisht, nuk është se prindërit janë krejtësisht të pafajshëm; ata duhet t’i kërkojnë më shumë llogari fëmiut dhe ta pyesin më shumë pse nuk po tregohet i përkushtuar për ta arritur atë gjimnazin e shkëlqyeshëm.
E ndonëse është krejtësisht legjitime që prindërit ta duan më të mirën për fëmiun e tyre, përfshirë këtu ‘prestigjin’ e klubit të të rriturve, qëllimet nuk duhet ta justifikojnë krejtësisht në çdo alternativë mënyrën e arritjes së qëllimeve; ata duhet të kërkojnë që fëmiu të përkushtohet dhe të përmirësohet, jo vetëm për të marrë nota të mira, por për të qenë i aftë për të ecur, lexuar dhe për ta ushqyer vetën.
Përndryshe, mësuesit do të vazhdojnë me raporte dhe punën e tyre, dhe askush nuk do të arrijë askund.
Foto kryesore: Besnik Bajrami / K2.0.