Gjerë e gjatë | Dezinformimi

Antena e qeverisë ruse në Kosovë

Nga - 04.10.2023

Qytetarët serbë, të ndjeshëm ndaj dezinformimit rus.

Në komunat me shumicë serbe, si në qendër ashtu edhe në veri të Kosovës, shpërndahen çdo ditë gazetat nga Serbia. Në dyqane e në kiosqe të lagjeve të Zubin Potokut e Graçanicës gjenden lehtësisht numrat e rinj të tabloideve pro-qeveritare nga Serbia si “Novosti”, “Alo” e “Srpski Telegraf”. Krahas të qenit pro-pushtetit aktual në Serbi, të udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vučić, këto tabloide i mbështesin politikat e presidentit rus, Vladimir Putin. Serbia është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që nuk e ka përkrahur vënien e sanksioneve kundër Rusisë për shkak të luftës së saj në Ukrainë.

Kryetitujt bërtitës të këtyre tabloideve — shpesh në shkronja krejt të mëdha — në vazhdimësi mbështesin pushtimin e Ukrainës nga Rusia. 

Aq larg shkon mbështetja e këtyre të përditshmeve ndaj Rusisë sa ndodh që artikuj të tërë të medieve ruse të përkthehen e botohen, pa ndonjë redaktim. Vitin e kaluar, gazeta serbe “Večernje Novosti”, që botohet që nga viti 1953 në Serbi, botoi një artikull të përkthyer nga një medium rus duke iu referuar ushtrisë ruse si “ushtria jonë” e ushtrisë ukrainase si “armike”.

Artikuj të tërë të medieve ruse të përkthehen e botohen pa ndonjë redaktim në disa medie serbe, ku ushtrisë ukrainase i referohen si “armike”.

Mbështetja e narrativave pro-ruse nëpër tabloidet, televizionet dhe gazetat serbe pro-qeveritare, konsumohet drejtpërdrejt nga qytetarët serbë të Kosovës. Sipas anketës së Institutit Kombëtar për Demokraci (NDI) për periudhën 16 maj – 5 qershor 2023, serbët e Kosovës ndjekin më së shumti televizionet e Serbisë. Ndër to hapësirën më të madhe e zënë televizionet pro-qeveritare, që janë po ashtu pro politikave qeveritare të Rusisë — TV Pink dhe TV Happy. 

Ndërlidhja midis asaj që konsumojnë serbët, në Kosovë e në Serbi, dhe asaj që besojnë është e qartë. 

Po ashtu, në Eurobarometri Pranverë 2023, publiku në Serbi ka përqindjen më të lartë të kundërshtimit ndaj sanksioneve kundër Rusisë, si dhe të mbështetjes ndaj pushtimit të Ukrainës. Pos kësaj, sipas anketës publiku në Serbi ka pëlqyeshmërinë më të ulët për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE). Ngjashëm, serbët e Kosovës kanë më shumë pëlqyeshmëri ndaj Kinës dhe Rusisë sesa ndaj BE, Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Aleancës Veri-Atlantike (NATO).

Përmes narrativave të saj, që tashmë kanë depërtuar te serbët, Rusia synon që së pari, ta projektojë fuqinë e saj në Ballkan dhe së dyti, ta nxisë disponimin kundër NATO dhe BE e jo-stabilitetin në rajon në mënyrë që ta minojë integrimin euroatlantik të rajonit. Rusia, po ashtu, synon ta shfrytëzojë Ballkanin Perëndimor dhe konkretisht narrativat kundër pavarësisë së Kosovës si presion ndaj perëndimit në mënyrë që të fitojë terren te shtetet fqinje. Për t’i arritur këto synime, përdor infrastrukturën mediale në Serbi dhe shpërndan narrativat e saj te qytetarët serbë në Serbi e Kosovë.

Serbia — antenë e qeverisë ruse për të gjithë Ballkanin

Mediet shtetërore ruse që janë sanksionuar nga BE, si armë e luftës hibdride të Rusisë, kanë gjetur strehë në Serbi. Krahas “Sputnik Srbija”, vitin e kaluar u lansua edhe “Russia Today Balkan” që boton përmbajtjen e vet edhe në serbisht. 

Ndërkaq, në Kosovë vitin e kaluar është ndaluar ritransmetimi i katër kanaleve ruse (te operatorët kabllore) dhe janë bllokuar domenet e portaleve dhe gjashtë portaleve përfshirë rt.com dhe Sputniknews.com. Megjithatë ato janë të qasshme përmes lidhjes me ndonjë rrjet privat të Virtual Private Network (VPN) që mundëson një lidhje online të koduar pavarësisht vendit. Ndërkohë, portalet “RT.rs” dhe “Sputnikportal.rs”, që publikojnë përmbajtje në serbisht, vazhdojnë të jenë të qasshme.

Publikimi i tyre në Serbi është, sipas Stefan Janjić, kryeredaktor i kontrolluesit të fakteve në Serbi, Fake News Tragač, pjesë e masave aktive të Rusisë që nuk kanë të bëjnë vetëm me Serbinë.

“[Rusia] e di se nëse investojnë në Serbi do t’i ndikojnë edhe shtetet e tjera të rajonit si Bosnja, Kroacia e Mali i Zi sepse e flasim përgjithësisht gjuhën e njëjtë dhe kur e shpërndan një mesazh online, ai nuk ka kufi, ai shpërndahet në të gjitha pjesët e ish-Jugosllavisë”, thotë Janjić.

Ndërkohë, tema e Kosovës përdoret si nga mediet shtetërore ruse si nga mediet pro-qeveritare serbe në shërbim të disa narrativave të pabaza. Janjić thotë se Kosova përmendet në televizionet pro-qeveritare serbe kur flitet për luftën e Rusisë në Ukrainë. 

Një prej ideve që i përçojnë mysafirët nëpër emisionet e TV Pink dhe Happy TV është që Rusia përbën shtyllë të rëndësishme të politikës së jashtme të Serbisë për ta izoluar Kosovën ndërkombëtarisht e për ta ruajtur pretendimin që Kosova i takon Serbisë. 

“Njëri nivel [i pretendimeve] është më realist se Serbia duhet ta mbështesë Rusinë në këtë luftë dhe duhet t’i mbajë lidhjet e forta ekonomike e politike me Rusinë sepse Rusia është mbështetësja jonë (e Serbisë) në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), kur është fjala për anëtarësimin e Kosovës”, thotë Janjić. 

Anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare përfshirë OKB-në është qëllim dhe përpjekje e Kosovës. Megjithatë, të vazhdueshme kanë qenë përpjekjet e Serbisë, qoftë për ta ndaluar këtë anëtarësim, qoftë për t’i parandaluar njohjet e reja ndaj Kosovës. Rusia është mbështetëse e madhe e Serbisë në këto përpjekje, duke kërcënuar me veto në Këshillin e Sigurimit në rast se anëtarësimi i Kosovës në të bëhet çështje diskutimi. 

Siç thotë Janjić, mysafirët nëpër studio, ekspertë e analistë e përmendin mundësinë e ripushtimit të Kosovës në terma abstraktë si “ri-integrimi”.

“E dyta që është komplet jo-realiste që përmendet nëpër qarqet mediatike është ajo që sapo ‘të përfundojë Putini punë’ në Ukrainë do ta ndihmojë Serbinë që ta çlirojë Kosovën dhe ta ‘riintegrojë’ atë në veten e saj”, thotë Janjić. Sipas tij, kjo është e palogjikshme, meqë Rusia s’ka qenë e suksesshme në luftën që e nisi vitin e kaluar në Ukrainë — që si fillim e mendonte si “operacion special të shpejtë”.  

Ideja e rikthimit të Serbisë në Kosovë nuk është e panjohur si pjesë e narrativës nacionaliste serbe. Imazhet ultranacionaliste që promovojnë këtë ide dalin në pah kohë pas kohe nga grupet e së djathtës ekstreme në Serbi. Nganjëherë mbajnë tone kishtare e nganjëherë edhe frymë të qartë ushtarake konflikt-ndjellëse. 

Në gusht të këtij viti, tifozët e ekipit fubollistik “Crvena Zvezda” në Serbi e nisën një fushatë në lojën me ekipin italian “Fiorentina”, ku formuan një figurë të madhe tanku dhe vendosën edhe shkrimin “kada se vojska vrati na Kosovo” , (në shqip: kur të kthehet ushtria në Kosovë:). Ky mbishkrim, siç kanë raportuar mediat ruse, është replikuar si në qytete të Rusisë ashtu edhe nga grupe të tifozerisë atje. Mbishkrimi i njëjtë u shfaq edhe në Zubin Potok në shtator të këtij viti. Grafite të tilla mund të gjenden në grupet pro-ruse në aplikacionin Telegram, ku pretendohet edhe hedhje e armatimit nga ushtarë rusë “për Kosovën serbe”. 

Tifozët e ekipit fubollistik “Crvena Zvezda” në Serbi në lojën me ekipin italian “Fiorentina”, formuan një figurë të madhe tanku dhe vendosën edhe shkrimin “kada se vojska vrati na Kosovo” , (në shqip: kur të kthehet ushtria në Kosovë:).

Replikimin e narrativave nuk e bëjnë vetëm grupet ultranacionaliste në Telegram, por edhe vetë krerët e Serbisë dhe Rusisë. 

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka pretenduar pa kurrfarë dëshmie se ka pasur mercenarë nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnjë e Hercegovina që i janë bashkuar luftimeve në Ukrainë përkrah ushtrisë ukrainase. Ndërkaq kur pati tensione në veri të Kosovës përgjatë vitit 2022, presidenti i Serbisë, Vučić, deklaroi rrejshëm për çerkezë e çeçenë nga Rusia që po shkojnë në komunat veriore për të vrarë serbë. 

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, për të cilin prokuroria e Gjykatës Ndërkombëtare Penale ka lëshuar fletarrest që nga 17 marsi, për krime lufte në territoret e okupuara të Ukrainës, e ka përmendur rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës si precedent për pushtimin dhe shkëputjen e krahinave të Donjeckut dhe Luhanskut nga Ukraina.

“Gjatë krizës në Kosovë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) vendosi se nëse një pjesë e territorit, një pjesë e shtetit e shpall pavarësinë, atëherë nuk e ka për detyrë të marrë leje prej qeverisë qendore”, ka thënë Putini më 7 shtator 2022. Në vitin 2010, pas GjND vendosi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk binte ndesh me të drejtën ndërkombëtare.  

Rusia është thirrur në vendimin e GjND për t’i legjitimuar nisjen e luftës në Gjeorgji më 2008 dhe aneksimin e gadishullit të Krimesë, pjesë e Ukrainës, në vitin 2014. Përkundër kësaj, Rusia e kundërshton pavarësinë e Kosovës.

Por, Kosova dhe rajonet e Ukrainës kanë kontekst politik ndërkombëtar krejt tjetër e edhe kontekst kushtetues e referendumesh krejt të ndryshme

Pavarësisht dallimeve të shumta, Rusia ka bërë përpjekje ta arsyetojë edhe nisjen e luftërave tjera, paradokalisht duke përdorur argumentin mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të cilën nuk e përkrah.

Putini në mediet pro-pushtet në Serbi glorifikohet si mbrojtës i Serbisë dhe serbëve dhe mbrojtës i pretendimit të Serbisë mbi Kosovën. Por kur ai përdor vendimin e GjND për Kosovën për t’i legjitimuar nismat e veta, mediet serbe pro-qeverisë bien ndesh me të. Kjo më pas reflektohet në përmbajtjen e tyre.

“E pas kësaj tabloidet në Serbi shkruanin se ‘Putini ia fut thikën në shpinë Serbisë, e tregton Kosovën për Donbasin’”, thotë Janjić, duke iu referuar një artikulli të “Srpski Telegraf”. Po atë ditë, më 28 prill të vitit të kaluar, në ballinën e tabloidit “Blic” shkruhej “Putini i harroi serbët dhe Kosovën shkaku i luftës së tij”, si kundërpërgjigje ndaj deklaratës së Putinit. 

Por këto momente mospajtimi janë të shkurtëra dhe kryesisht mbizotëron harmonizimi i narrativave — për çka qeveria ruse investon në infrastrukturën mediale në Serbi, si antenë për të gjithë Ballkanin.

Pretendimet e pabaza rreth Kosovës

Nga mediet shtetërore të Rusisë, Kosova apo ShBA fajësohen për çfarëdo tensioni dhe vazhdimisht pretendohet për dëbim, kidnapim e procese gjyqësore politike ndaj serbëve të Kosovës. Ndërkohë, ngjarjet në fushën e politikës, sigurisë e drejtësisë tejthjeshtohen dhe shterohen me mendime të folësve të “Russian Today” dhe “Sputnik”.

“Spuntik Srbija” e “RT Balkan”, medie shtetërore të Rusisë, që operojnë në Serbi, realizojnë intervista me folës pro-rusë dhe publikojnë opinione me pretendime të pambështetura  propagandistike rreth Kosovës, duke i paraqitur si informata. Folësit e opinionistët shkojnë aq larg saqë prodhojnë narrativa të padëgjuara për kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin, duke pretenduar se ai ka qenë “lider shpirtëror i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)”, se është “nazist” apo pasardhës i Ballit Kombëtar, që luftoi përkrah nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. 

Vetë UÇK paraqitet si terroriste dhe rrejshëm paraqitet si formacion ekzistues, që nuk është çarmatosur. Serbia dhe serbët në narrativat e “Sputnik”, paraqiten si viktimat kryesore dhe të vetme e luftërave në Jugosllavi.

Për shembull, një i intervistuar në cilësinë e ekspertit për “Sputnik”, Stevan Gajić, dënon pritshmëritë ndaj Serbisë për t’i vendosur sanksione Rusisë dhe, siç thotë ai, për ta dorëzuar pjesën e mbetur të sovranitetit të saj. “Kjo absolutisht që do ta shkatërronte Serbinë dhe do ta çonte edhe më lartë nivelin e marrëdhënieve koloniale në raport me anën që na kanë vrarë”, thotë ai, ndër tjera.

Prishja e marrëdhënieve me Rusinë paraqitet si kërcënim ekzistencial për Serbinë dhe lidhje me fuqitë perëndimore, që paraqiten si kriminale. Sipas hulumtuesit Agon Maliqi, i cili i përcjellë synimet gjeostrategjike të Rusisë, narrativa ruse që targeton serbët e paraqet Perëndimin si kundërshtar të Serbisë duke tentuar ta kthejnë edhe mirëmbajnë edhe narrativën e Kosovës si “zemër e Serbisë”. 

“[Narrativa është që] jo vetëm që [Perëndimi] ua ka marrë Kosovën, por tash është faza tjetër për t’i shfarosur që aty, kështu që është betejë për zemrën e Serbisë në njëfarë forme, këta duan t’iu bëjnë keq e ne [Rusia] duam t’ju ndihmojmë, kjo është ideja”, thotë Maliqi. 

Pretendimet e të intervistuarve paraqiten si të vërteta përfundimtare pasi mediumi nuk i kontakton gjykatat, Policinë e Kosovës apo Qeverinë e Kosovës lidhur me pretendimet e analistëve pro-rusë apo cilësdo palë. 

Këto lloj intervistash aktualizohen sidomos në momente tensionesh në veriun e Kosovës.

Veriu i Kosovës, ku ndikimi i Serbisë është i fortë, ka qenë vazhdimisht vend i tensioneve përgjatë vitit 2022 dhe 2023. Në këto raste, Rusia përmes medieve të saj, përjashton fakte qenësore rreth ngjarjeve në terren dhe tenton t’i kornizojë tensionet si të nxitura nga BE e ShBA. 

Tensionet nisën të dalin në sipërfaqe vitin e kaluar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për konvertim të targave nga ato me akronime të qyteteve të Serbisë — lëshuar nga Serbia — në targa me akronimin “RKS”, të lëshuara nga Kosova. Më 1 nëntor 2022 hyri në fuqi fillimisht pjesa e vendimit, ku parashihej që policia t’u jepte qortim me shkrim qytetarëve që i kanë të vendosura targat ilegale në veturat e tyre. Lista Srpska, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, që gëzon mbështetje nga qeveria e Serbisë dhe ka udhëhequr me komunat në veri, thirri për dorëheqje të serbëve të veriut nga të gjitha institucionet publike, gjë që ndodhi në nëntor 2022.

Dorëheqjet e kryetarëve e asamblistëve e detyruan Kosovën që t’i thërrasë zgjedhjet e parakohshme. Fillimisht zgjedhjet ishin paraparë të mbaheshin më 18 dhjetor. Në fillim të dhjetorit u sulmua zyra e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut. Krahas kërcënimeve të natyrës së sigurisë, të dorëhequr ishin edhe zyrtarët komunalë zgjedhorë. Presidentja Vjosa Osmani, më 10 dhjetor, vendosi ta shtynte datën e zgjedhjeve pas konsultimit me partitë politike, përfaqësues të BE e ShBA.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale në veri u mbajtën 23 prill 2023, por u bojkotuan me të madhe nga subjektet politike serbe e edhe serbët e veriut. Për pasojë, në komunat me shumicë serbe u zgjodhën kryesisht kryetarë shqiptarë, me një numër të vogël votash, kryesisht të shqiptarëve që janë pakicë në këto komuna. Kryetarët shkuan në objektet komunale me asistencë të Policisë së Kosovës, teksa hyrja e tyre kundërshtohej prej protestuesve serbë. Para se të hynin kryetarët në objektet komunale, punëtorët e komunave veriore në sistem të Serbisë u larguan nga zyrat ku punonin. 

Gjatë verës, në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok, protestuesit kundështuan dhunshëm vendosjen e kryetarëve të zgjedhur dhe policisë në objektet komunale. Pamjet e kamerave e kanë dëshmuar dhunën e protestueve ndaj pjesëtarëve të KFOR, të Policisë së Kosovës, si dhe ndaj gazetarëve. Nga këto sulme u lënduan 93 pjesëtarë të KFOR, pasi u sulmuan me gurë, granata, shok-bomba e armë zjarri. Ndërkohë nëpër vetura të policisë, gazetarëve e të KFOR, nga protestuesit serbë u vizatua me sprej shkronja “Z”, që është bërë një simbol militarist në propagandën ruse dhe përdoret nga civilët rusë për të treguar mbështetjen për pushtimin e Ukrainës.

Sulmet përgjatë këtyre protestave nuk i konteston ndokush në Kosovë as në Serbi  — madje as presidenti Aleksandar Vučić. Porse në një artikull ku flitej për rezultatet e Samitit të NATO që u mbajt këtë vit në Vilnius të Lituanisë, “Sputnik” e futi dhunën e protestuesve në thonjëza:“Siç thuhet, NATO vazhdon të jetë e përkushtuar në angazhimet e saj në Kosovë, dhe siç thuhet ‘sulmet kundër forcave të KFOR’ dënohen”. 

Në artikujt e “Sputnik” hidhet dyshim i madh mbi hapat e Qeverisë së Kosovës për shtensionimin e situatës në veri. Mendimet e qytetarëve, si dhe të ato të personave që “Sputnik” i trajton si ekspertë, trajtohen si fakte. 

Në një kronikë për “Sputniku”, një i intervistuar mohon sulmet në protesta.

“Shikoni KFOR ka qenë këtu qëkur ne jemi këtu. Asnjë incident nuk ka ndodhur këtu sepse i kemi treguar që nga dita e parë që nuk është faji i tyre dhe se ne nuk kemi asgjë kundër tyre, porse me ata që na e kanë okupuar vendet e punës dhe që na i kanë trazuar jetët tona”, thotë i intervistuari. Pohimet e të intervistuarve paraqiten edhe këtu si e vërtetë përfundimtare për portalin shtetëror rus. 

Pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës e BE në Bratisllavë më 10 qershor, që parashihte largimin gradual të Policisë së Kosovës nga objektet e komunave veriore dhe hapje të rrugës për zgjedhje të parakohshme në veri, “Sputnik” publikoi një tjetër artikull.

Me titullin “Sputnik me serbët në veri të KiM (Kosovës e Metohisë): Kështu duket ‘qetësimi i situatës” së Kurtit’ /foto/”, intervista e “Sputnik” sugjeron njëfarë okupimi të veriut nga Policia e Kosovës dhe sugjeron se punëtorët e komunës janë përzënë nga vendi i tyre i punës. Artikulli nuk e tregon kontekstin se si u bë që zyrtarët komunalë të mos shkojnë në punë, pra që kishin dhënë dorëheqje të përgjithshme nga institucionet e Kosovës. 

Përmes raportimeve të tyre, sipas Agon Maliqit, “Sputnik Srbija” e “Russia Today Balkan” mund të tregojnë se cili është disponimi dhe toni aktual zyrtar i Rusisë. Rusisë, sipas Maliqit, i konvenojnë tensionet në mënyrë që t’i çelë probleme të reja Perëndimit në Ballkan dhe është e painteresuar për marrëveshje përfundimtare që çon në pajtim mes Kosovës e Serbisë. Narrativat ruse synojnë të thellojnë ndarjet mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë dhe t’i largojnë Kosovën e Serbinë nga çfarëdolloj marrëveshjeje. 

Kur tensionet ngriten mes Kosovës e Serbisë, Rusia bëhet më agresive duke shpërndarë frikë për dhunë ndaj serbëve. Sipas Maliqit, aktivizimi i Rusisë gjatë tensioneve në veri tregon për orkestrim mes saj dhe Serbisë për t’i ndezur edhe më shumë tensionet dhe për t’i penguar marrëveshjet potenciale.   

“Bëhet shumë e vështirë të bëhet një marrëveshje [mes Kosovës dhe Serbisë] dhe nëse e ndjek fillin e krejt këtyre lajmeve, të gjitha e kanë prej Serbisë”, thotë Maliqi. 

 “Sputnik Srbija” e “Russia Today Balkan” mbështetën narrativën e qeverisë serbe edhe gjatë sulmit ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator, ku u vra një zyrtar policor e u lënduan tre të tjerë nga një grup prej rreth 30 personash të armatosur në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Narrativat e dy medieve shtetërore ruse, përsëritën narrativën e Vučić në Serbi, i cili e arsyetoi sulmin si përgjigje e serbëve lokalë që “nuk kanë dashur ta durojnë terrorin e Kurtit”. Vučić shpalli ditë zie për vdekjen e tre sulmuesve.

Disa orë para sulmit në Banjskë kanali pro-rus dhe ultranacionalist serb Slovenski Medved (Ariu Sllav) në Telegram kishte nxitur dhunë ndaj Policisë së Kosovës. “Ne serbët kemi diçka sesi luftohet. Duke pasur parasysh provokimet e mëdha të šiptar [term fyes për shqiptarët] na duhet të mendojmë çfarë mundemi [të bëjmë] e mundemi shumë”, shkruhej në një postim në këtë grup disa orë para sulmit që paralajmëronte një “SVO” Operacion Special Ushtarak. Kanale si Slovenski Medved e “BUNT je stanje duha ☦” i kanë mbështetur vazhdimisht sulmuesit, duke i quajtur heronj dhe kanë shpërndarë urrejtje ndëretnike ndaj policëve të Kosovës duke i quajtur policët “šiptar” dhe Qeverisë së Kosovës duke e quajtur organizatë terroriste. 

Dezinformimi rus përmes “Telegram”

Aplikacionet e mesazheve, krahas shkëmbimit të mesazheve e realizimit të thirrjeve mes dy përdoruesve, e kanë mundësinë e formimit të grupeve. Shpërndarja e keqinformimit dhe dezinformimit nëpërmjet grupeve është edhe më e lehtë meqë në to nuk mund të ketë mbikëqyrje të informatës nga verifikuesit e fakteve brenda për brenda platformës. Derisa në rrjetin social, Facebook, një lajm ndikohet prej verifikimit të palëve që quhen “third party fact-checkers” (palë të treta kontrolluese të fakteve), në një aplikacion mesazhesh, nuk ka kujt t’i raportohet se lajmi është i rremë përtej themeluesit, administratorit të grupit që e ka postuar apo e ka lejuar të postohet përmbajtja keqinformuese e dezinformuese.

Në bazë të politikave të Telegramit grupet janë të mbyllura, ndërsa kanalet janë të hapura. Komunikimi në grupe konsiderohet privat, andaj Telegrami merr parasysh zakonisht vetëm raportimin e përmbajtjes së kundërligjshme. Ndaj kritikave lidhur me lejimin e dezinformatave e përmbajtjes që nxit dhunë Telegrami është përgjigjur me mbyllje të kanaleve dhe grupeve ku shpërndahen përmbajtje të tilla. Deri më tani nuk ka pasur ndonjë raportim për mbyllje të grupeve dhe kanaleve të Telegramit në Kosovë e as të atyre që e kanë për cak Kosovën për nga dezinformimi. 

Derisa televizionet dhe tabloidet e Serbisë që përçojnë narrativa pro-ruse dhe kundër Kosovës janë popullore në Kosovë, Adea Beqaj nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) thotë se hapësira vështirë të hulumtueshme e megjithatë aktive janë posaçërisht aplikacionet e mesazheve, si “Telegram”. 

Kanali në serbisht “BUNT je stanje duha ☦” apo “RREBELIMI është gjendje shpirtërore ☦” mbledh mbi 80,000 përdorues, shumë prej tyre serbë kosovarë, që u ekspozohen dezinformatave rreth Kosovës.

Te serbët e Kosovës, “Telegram” është shpesh burim i informimit, ku po ashtu janë përhapur propaganda dhe dezinformata. Beqaj tregon se në kanale në “Telegram”, janë shpërndarë informata të pavërteta edhe lidhur me numrin të plagosurve gjatë incidenteve të dhunshme në veri, derisa KFOR-i është etiketuar si terrorist. Burimet e kanaleve të Telegramit, siç thotë Beqaj kanë qenë jo-legjitime e shpesh edhe fiktive. Informatat me origjinë nga Rusia kanë prezencë në grupet që kanë popullaritet te serbët e Kosovës. 

“Shpesh ka pasur shpërndarje të lajmeve që as që kanë arritur të shpërndahen në mediat e Serbisë, por janë shpërndarë direkt… Janë prodhuar në Rusi, në mediat e Rusisë dhe janë shpërndarë këtu (në kanale e grupe të Telegramit)”, thotë Beqaj. 

Tensionet në veri të Kosovës, sipas hulumtimeve të NDI, janë momente kur Rusia aktivizohet edhe më shumë në luftën hibride kundër Perëndimit, ku goditet edhe Kosova. Duke ndjellur ndjenjën e frikës në kohë kur veriu është i tensionuar, mediet ruse, sipas Beqajt kanë shpërndarë narrativa të pambështetura që gjenden rëndom edhe te politikanët serbë në Serbi e Kosovë për keqtrajtimin e qytetarëve serbë nga Kosova.  

“Kryesisht kanë të bëjnë me narrativa që kanë të bëjnë me keqtrajtimin e komuniteti serb në Kosovë, dëshirën e Qeverisë së Kosovës për ta përjashtuar komunitetin serb prej Kosovës ose ka pasur edhe lajme me disa lista me emra të pjesëtarëve të komunitetit serb që po qarkullojnë me qëllime që t’i dëmtojnë ose edhe lista të vrasjeve”, thotë Beqaj. 

Ky dezinformim reflekton te qëndrimet dhe besimet e serbëve të Kosovës ndaj institucioneve të Kosovës. Sipas raporteve më të fundit të NDI të realizuara bash gjatë tensioneve në veri, 56% e serbëve të Kosovës të anketuar e besojnë narrativën që Policia e Kosovës po i keqtrajton qytetarët e komunitetit serb në Kosovë dhe 58% e tyre se Qeveria e Kosovës po planifikon përzënien e komunitetit serb nga komunat veriore të Kosovës.

Beqaj beson që këto besime janë të formësuara nga dezinformimi. “Ndoshta për të shkaktuar tension, ndoshta për ta dëmtuar besueshmërinë në institucionet e Kosovës te komuniteti serb, po ashtu edhe ka të bëjë edhe me kontekstin kur ka ndodhur sepse ka qenë situatë e tensionuar”, thotë Beqaj. 

“Russia Today Balkan” e “Sputnik Srbija” po përqendrohen te narrativat propaganduese nëpër aplikacione të mesazheve e në rrjete sociale, por sipas Janjić, po përpiqen të mos bien në radarin e rrjeteve sociale si Facebooku.

“Kur shpërndajnë propagandë shpërndajnë më shumë opinione sesa fakte të rrejshme. Mendoj se po flasim për dy nivele të ndryshme: propaganda që përdoret në mediat serbe është më e hapur, më kreative dhe ka më shumë gënjeshtra. Propaganda ruse është më e kujdesshme do të thoja unë”, thotë Janjić. 

 

Imazhi i ballinës: K2.0.

Ky artikull u zhvillua në partneritet me nismën rajonale Western Balkans Anti-Disinformation Hub, që zbatohet nga Fondacioni “Metamorphosis”, me mbështetjen financiare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Holandës. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e partnerëve dhe mbështetësve të projektit.