S`fundmi | K2.0

Aplikoni tani për kursin e K2.0 për video raportim

Nga - 07.04.2017

Mundësi të reja për video produksion.

Merrni pjesë në një trajnimin intensiv dhe shumë informativ, e filloni të xhironi, montoni e shpërndani tregimet tuaja. Në një periudhë dy-muajshe, do të keni mundësi të mësoni se si të krijoni material kualitativ për video-grafika, dhe si të punoni me to.

Me një mentor me përvojë në fushën e gazetarisë ndërkombëtare dhe të specializuar në video medium, do t’i mësoni të gjitha hapat për t’i krijuar tregimet e juaja nëpërmjet videos.

Nëpërmjet klasëve teorike dhe praktike, në grupe dhe individualisht, do të mësoni mësime të rëndësishme si:

  • Çfarë e bënë një tregim të mirë, dhe çka është një tregim interesant, përtej sensacionalizmit, propagandës e lajmeve “të nxehta”;
  • Si t’iu qaseni intervistave dhe si të flisni me personin që doni ta intervistoni;
  • Çfarë mund të bëni e çfarë jo kur krijoni një tregim – etikën dhe ligjet, dhe si ta mbroni vetën;
  • Çfarë duhet të bëni për t’i verifikuar informatat, që të mos krijoni tregimin në bazë të gënjeshtrave;
  • Si të krijoni skenar – skenar të mirë për video;
  • Si të xhironi – llojet e kuadrove dhe cilët funksionojnë më së miri për tregimet e juaja;
  • Aspektet teknike të xhirimit, shkrimit të skenarit dhe montimit, si dhe post-produksionin final.

Pjesëmarrësit do të kalojnë nëpër procesin e krijimit të së paku një video tregimi, dhe më i miri do të zgjedhet e publikohet në K2.0.

Data e përafërt e fillimit të klasave është 10 maji, e ato do të mbahen  pasditave (pas orës 17:00), të paktën dy herë në javë. Kursi do të mbahet në shtëpinë e K2.0 në Prishtinë, por mund të ju ofrojmë mbështetje nëse keni nevojë që të udhëtoni prej jashtë qytetit.

Çka kërkojmë nga ju?

Motivim, motivim dhe motivim. Etja e juaj për të mësuar është ajo që na duhet prej juve. Jemi të lumtur që të mirëpresim një grup plot diversitet, me njerëz me interesa të ndryshëm, prej arteve te të drejtave të njeriut, mjedisit, aktivizmit, apo çkado tjetër që ju bjen në mend. Përderisa jeni të interesuar që të ndani tregime e të mësoni, ju jeni kandidat potencia!

Pjesëmarrësit nuk është e nevojshme që të kenë kamera, por rekomandojmë shumë që të kenë të paktën një telefon të mençur – e nëse mendoni se kjo nuk është e mjaftueshme, kini parasysh se ka produkte mediale që janë xhiruar me kamera të telefonave të vjetër e që kanë fituar çmime.

E ardhmja:

Në afat të gjatë, si pjesëmarrës automatikisht do të bëheni të pranueshëm për praktikë gazetareske në K2.0, dhe do të keni mundësinë që të merreni realisht me produksionet e përditshme redaksionale të K2.0.

Aplikoni tani duke plotësuar e dorëzuar këtë formë (vendet janë të limituara).K