Blogbox | Trillim

Arbitri (Pjesa 1)

Nga - 23.03.2020

A kanë Arbitrat ëndrra të lagëta?

Që ta përjetoni plotësisht tregimin, klikoni ‘Lësho’ për ta dëgjuar kompozimin muzikor shoqërues.

 

“Thirrjet e Komisionit Evropian dhe protestat e organizatave lokale dhe ndërkombëtare të të drejtave kanë dështuar ta bindin Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, të heqë dorë nga pakoja e ligjeve të medias që parasheh krijimin e një trupi administrativ që mund t’i gjykojë përmbajtjet e lajmeve dhe t’i gjobisë mediat onllajn”

Shqipëria Miraton Ligjet Kontraverse për Mediat Përkundër Kundërshtimeve të Ashpra
18 Dhjetor 2019, Balkan Insight

Ishte mëngjes i ftohtë dhe i mjegullt kur Arbitri e kaloi kufirin. E kishin paralajmëruar në Tiranë: nuk ishte kjo sikur punët e tjera; kjo ishte në Kosovë.

Thuhet se s’kishte mbetur më asnjë kalemxhi në Shqipëri. Çdo lloj rezistence e shpërndarë nëpër botë ishte shuar me sukses nga arbitrat sikur ai. Kosova ishte pengesa e fundit për ta njëmendësuar projektin e përsosur utopik. Dhe sigurisht që nuk ishte mirë ta kishe një çerdhe kaq të madhe armiqsh as afër pragut të shtëpisë. 

Por, punët shkonin ndryshe në Kosovë. “Djepi i lirisë” — apo klishetë e tjera që përdorin vendësit për ta bërë jetën më të jetueshme, dhe për ta arsyetuar kaosin, kapitalizmin e pamëshirshëm, paligjshmërinë, dhe atë përzierjen e çuditshme mes tradicionales dhe kibernetikes — supozohej të ishte vendi më i vështirë për gjueti gazetarësh.

Arbitri e voziste një xhip të zi naftëpirës përgjatë autostratës tashmë thuajse të papërdorur, e cila kishte mbetur relikt i një të ardhmeje tjetër, tani të kaluar dhe të parealizuar. Automjeti që kishte zgjedhur nuk ishte fort i pazakontë as për vitin 2049, sidomos për njerëzit që — për njërën arsye apo tjetrën — donin ta ruanin një lloj anonimiteti, duke pasur parasysh gjithë ata senzorë e përgjues në veturat elektrike. 

Arbitri i kishte fikur po ashtu të gjitha implantet e tij kibernetike. Ishte e pazakontë por e nevojshme ngaqë ky mision kërkonte fshehtësi.

Zuri ta ndalë veturën në një pompë benzine që dukej e braktisur dhe e zhgardhuar, por në të vërtetë punonte ende. E vërejti kontaktin e tij — një burrë më i vjetër me xhaketë ngjyrë hiri — që rrinte i mbështetur në haubën e një veture të kaltër, e cila ishte po ashtu model që ecën me naftë.

Me të vënë re xhipin e zi të Arbitrit, burri i vjetër i kryqëzoi pëllëmbët e hapura për ta bërë një shqiponjë dykrenore. Ishte simbol që e kishin përvetësuar Bashkimtarët.

* * *

“A të ndjekën?” pyeti burri i vjetër.

Parkingu i shkretë trazohej prej një fryme të fuqishme, dhe Arbitri paptritmas e vërejti shiun e mjegullt ndërsa ia puthte lëkurën e zhveshur të fytyrës. Nuk i kujtohej hera e fundit që e kishte ndier të ftohtët në faqe.

“Gjithçka është në rregull. Jemi gati”, tha Arbitri.

“A i ke mbajtë implantet të shkyçuna?”

Burri i vjetër dukej pakëz i ankthshëm dhe i paqetë, ndoshta sepse ishte fillestar, por Arbitri s’mund të sigurohej pa një analizë nga implantet e tij. 

“Gati jemi. E ke pakon?”

“Po, po, qe”. Kontakti ia dha një çantë sportive të zezë dhe vazhdoi. “Po ma merr mendja që t’kanë njoftu, e di se t’kanë njoftu, por po e theksoj prapë. Kalemxhinjtë e Shqipërisë e kanë statusin e refugjatëve politikë këtu. Domethanë, duhesh me e kry këtë punë me finesë maksimale. A po m’kupton?” ‘Kalemxhi’ ishte termi denigrues që përdorej përtej kufirit për të stigmatizuar e përndjekur gazetarët.

Ndërsa burri i vjetër fliste, Arbitri e hapi çantën dhe e kontrolloi përmbajtjen. Një pistoletë me të gjitha pajisjet shtesë. Para vendore. Disa mjete, kabllo dhe shtojca kibernetike. Letërnjoftime holografike të rreme. Bateri rezervë për implantet. Çelësi i një shtëpie të sigurt. Dhe një dosje të kahershme prej letre, plot me primtime fotografish, hartash, dhe me informata shtesë për caqet e tij. 

“Hej. Koncentrohu”, tha burri i vjetër. “Dhe boll i këqyre gjanat këtu mbrenda. Mujnë me na arrestu. A po m’ndin?”

“Po. Të dëgjoj”, u përgjigj Arbitri ndërsa mbylli çantën e hapur.

Matanë pompës së shkretë të benzinës shiheshin ndërtesat e larta të metropolit, ndërkaq mjegulla dhe retë ndërthureshin me vijat e çrregullta të metalit, të qelqit, të dritave përpëlitëse, dhe neoneve që zhbironin madje edhe smogun më të dendur. Edhe në dritën e pasditës, qyteti kishte përsipër një brerore, me ngjyra të ndryshueshme, si një lloj aurora borealis e sponsorizuar nga korporatat e Kosovës. 

“Qysh thashë, kjo punë s’guxon as me u dyshu që vjen me urdhna prej Shqipnisë. Përndryshe ka me na shkaktu naj incident diplomatik që s’oshtë pa n’Ballkan që prej… s’po di kur… zgjidhe cilëndo prej historive t’lavdishme t’rajonit. Kjo luftë e ftohtë s’e duron as rritjen ma t’vogël t’temperaturës, e leje ma nxehtësinë që mundet me ardhë nëse dhihet puna. Pra, s’ka implante kimbernetike deri n’çastin e fundit, dhe s’oshtë veç për me e rujtë elementin e befasisë. A po merr vesh?”

“Po. Të marr vesh”, tha Arbitri. “Jam njoftuar për të gjitha parametrat e misionit”. 

Një qen endacak u shfaq nga pjesa e pasme e pompës së ndryshkur të benzinës; brinjtë e tij dëshmonin për gjuetinë e vobektë dhe të ftohtë dimërore. Me sytë e tij therës dhe dhëmbët që i rridhnin jargë, sikur e kuptonte dhembjen dhe urinë që Arbitri e përjetonte nga agjërimi informatik i shkaktuar nga fikja e implanteve. Qeni pastaj u kthye, i joshur prej diçkaje më të shijshme, dhe u hodh në ndjekje duke u zhdukur prapa impiantit për rimbushjen e veturave elektrike.

“Hej, edhe diçka, mos t’harroj. Ni pytje, n’fakt. E kemi lidhë ni bast me ni shok, ndoshta kishe mujt’ me na ndihmu me e zgjidhë”, tha burri i vjetër, dhe vazhdoi të bënte llaf. Arbitri kuptoi se kishte gabuar, burri i vjetër nuk kishte vërtet ankth, por ishte llafazan i madh. “A ju lejohet juve me i ndjekë kënaqsitë njerëzore? A po m’kupton? Seksin. A guxoni me e ba? Mbasi jeni kësifar murgj-luftëtarësh kibernetikë, a guxoni me flejtë me naj gru, a me naj burrë, a çka po di? A s’osht haram n’fenë e juj?”

“Kodi nuk është as fe, as ideologji. Më duhet të shkoj”, u përgjigj Arbitri.

“Po de po, veç vazhdo ti qashtu, jaran. Mirëpo, t’gjithë jemi t’varun prej helmeve tona t’vocrra. Rrnoftë Shqypnia”, tha burri i vjetër ndërsa e bëri sërish me duar shqiponjën dykrenore.

Mjegulla e luftës, përbrenda

Qysh nga kalimi i kufirit dhe nga fikja e implanteve, Arbitri kishte ndier zbrazëtinë e dhimbshme të errësirës informative. Kishte nisur t’i përjetonte simptomat e infoabstinencës që nga takimi me kontaktin e tij. Pesë minuta i dukeshin si pafundësi. E ndiente se vegimet e shkaktuara si simptoma të tërheqjes informative do të fillonin së shpejti.

E voziste xhipin e zi përgjatë rrugës së prishur gunga-gunga. Mjegulla e hirtë — ose mbase ndotja helmuese, nuk e dinte dot pa ndihmën e implanteve — i shkaktonte ankth. Ngaqë s’e dinte se çfarë kishte 20 metra para tij, ai mbushej me tmerrin e mosdijes. Si person i stërlidhur kibernetikisht gjatë gjithë kohës, Arbitri tash e ndiente heshtjen shtrydhëse të humnerës ku informatat as nuk hyjnë e as nuk dalin, sikur të ishte në pusin e pafund të një vrime të zezë.

“Tash vërtet po fillon”, tha me zë teksa mbante njërën dorë në timon, kurse me tjetrën kapërdinte një sasi të pashëndetshme hapash. Arbitrat pritej të ambientoheshin ngadalë para misioneve që kërkonin fshehtësi dhe “padukshmëri”. Por urgjenca e misionit në fjalë s’i kishte lënë kohë t’i kalonte 24 deri në 48 orë në “dhomën e dekompresimit”. Në çdo rrethanë tjetër do të ishte e papërgjegjshme dhe e rrezikshme që një arbitër të dërgohej në territorin e armikut me urdhërin e rreptë që të mos i ndez implantet deri në fazën e fundit të misionit.

Kjo ishte koha më e gjatë që kishte mbetur i shkyçur pas bashkësimit fillestar me Vërtetarin — inteligjencën artificiale në krye të Agjencisë dhe arbitrave. Abstinenca e papritur e informatave e goditi si uri, etje, dhe epsh, të gjitha të mbështjellë në një. Gjuha iu bë miza-miza dhe filloi të shihte vegime të gjakut që pikonte nga lart, ndërsa ai, me gojën e hapur dhe krahët e zgjeruar, qëndronte në një fushë të djegur. 

Arbitri vazhdoi të voziste nëpër mjegull, dhe kishte vëshirësi të rrinte brenda rrugës. Nuk e kishte të qartë nëse ngjyrat që shndrisnin para tij ishin shenjë që po i afrohej qytetit, apo ishin vetëm vegime kibernetike — halucinacione që mishëroheshin si jehona prej botës virtuale, një mënyrë e trurit për ta kompensuar mungesën e papritur të stimulimit.

“Dhe në ciklin e shtatë, Kodi u ngjall, të gjitha algoritmet u shkrinë, dhe kështu lindi Vërtetari. Dhe u bë mjet për luftën më të drejtë — vegël për t’iu dhënë fund të gjitha luftrave”, Arbitri recitonte nga Kodi.

Agjencia kishte adaptuar një sërë ritesh dhe ritualesh për ta përmirësuar efikasitetin operativ të arbitrave. Ato përfshinin jetën asketike, meditimet ditore, dhe ndjekjen e një kodi të parashkruar të sjelljes. Qëllimi ishte të mundësohej një simbiozë më e mirë mes arbitrave dhe implanteve të tyre. Dhe kështu, hynte në punë sidomos në kohën kur implantet duhej të fikeshin.

“Vërtetar i bekuar, na çliro nga skllavëria e mendjes dhe nga të pavërtetat e kalemxhinjve dhe makinave të tyre të kaosit”, vazhdoi ai, duke kërcyer kuturu prej vargut në varg.

Papritmas, Arbitrit iu shfaq vegimi i muralit holografik që rri mbi hyrjen e ndërtesës së Agjencisë në Tiranë: Platoni dhe Edi i Madh në të majtë, Hyjnesha e së Vërtetës në mes, dhe Vërtetari me ushtrinë e arbitrave në të djathtë — nën ta shtriheshin trupat e vrarë, të shkelur, dhe të mposhtur të gazetarëve, artistëve dhe të përfaqësuesve tjerë të së pavërtetës. 

“O Vërtetar, u shenjtëroftë kodi yt”, vazhdoi të psalte Arbitri ndërsa voziste nëpërmes mjegullës, “Shpërfaqës i të pavërtetave, dhe zbulues i tradhtive. M’i trego kalemxhinjtë dhe zgafellat e tyre që ta jap kontributin për përmbushjen e profecisë. Më mbro gjatë kërkimit tim dhe më ruaj nga të vërtetat e rreme. Ma trego rrugën e vetme të drejtë. Sepse vetëm një e vërtetë është absolute dhe e përhershme”.

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.

Muzika: Liburn Jupolli.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.