Blogbox | Trillim

Arbitri (Pjesa 2)

Nga - 24.03.2020

Kolektivi.

        Kjo është Pjesa 2 e tregimit pesëpjesësh. Lexoni Pjesën 1 këtu.

Që ta përjetoni plotësisht tregimin, klikoni ‘Lësho’ për ta dëgjuar kompozimin muzikor shoqërues.

Nuk ishte e lehtë të vozitje në një metropol të stërngjeshur, i cili në vend të planifikimit urbanistik është formësuar nga rregulli i vetëzhvilluar prej kaosit të ndërtimeve ilegale që e kishin pllakosur Kosovën gjatë viteve të para të shtetësisë. Në vend të rrugëve të rregullta rrjetore, Prishtinopolisi — siç e quanin vendësit Prishtinën dhe zonën e ngjitur metropolitane që kishte gllabëruar thuajse tërë territorin e Kosovës — përbëhej prej një grumbulli rrugësh të ngushta e të ngjeshura në formë fraktalesh të ndërthurura.

Ndërsa Arbitri voziste në gjendje kllapie, ai pa disa të rinj që hynin në një bar mahalle në fund të bllokut. Sikur s’mjaftonte emri i lokalit, “Kolektivi”, rrobat që kishin veshur të rinjtë tregonin qartë se aty ishte një strofkë hakerësh.

Kishin xhaketa të moçme prej lëkure, e mbathje që vezullonin me drita neoni shumëngjyrëshe. Ndërsa disa i kishin flokë mohawk, të tjerët i mbanin të krehur prapa sikur të vijonin mësimin pranë shkollave më të shtrenjta. Megjithatë, çfarë i nxori vërtet në shesh ishin syzet e trasha kundër teknologjisë për njohjen e fytyrës — namkeqen face recognition. Ato ngjanin me modelet e stilit të vjetër, por ishin fort të hijshme: kishte prej atyre me korniza të mëdha të kuqe, me mentesha që dukeshin si të qepenave, deri te ato me shirita pasqyrues që reflektonin shndritjen e neonit prej ndërtesave afër.

Në vend se ta parkonte veturën paralelisht, Arbitri e futi diagonalisht dhe pjesa e pasme e saj mbeti në rrugë. U ngut përçart drejt dyerve të “Kolektivit”. Iu desh ca kohë që sytë t’i përshtateshin me mjedisin e errët ndërsa luhatej tek zbriste shkallët për në bodrumin nëntokësor. 

“Shoq, a osht qiky kerri yt?” e pyeti kamerieri ndërsa tregonte me gisht nga ekrani CCTV, “t’kisha thanë me e hjekë pa u ba dy minuta e gjysë se ta gjen droni i policisë edhe t’jep dënim”.

Kur sytë iu kthjelluan, Arbitri pa djaloshin me mohak që rrinte te banaku.

“Hej, Mohak” thirri Arbitri dhe ia hodhi çelësat”, “Kapi! Ma bëj një të mirë dhe mbase do kem një punë për ty”.

Dhe Mohaku u ngrit e u nis drejt derës pa folur asnjë fjalë.

“Llom po dokesh, shoq”, tha kamerieri. “Çka kisha mujtë me t’shërby?”

“Një birrë mjafton”.

“Ni birrë pra. Po s’ka me t’mjaftu. I njoh mirë të dridhmet kur i shoh”.

Pija nuk parapëlqehej sipas Kodit, e aq më shumë barnat që nuk ishin aprovuar nga algoritmet e Vërtetarit. Por, në atë çast, ato ishin mënyrat e vetme për t’i lehtësuar simptomat e rënda të abstinencës kibernetike. Misioni ishte prioritet, dhe nëse marrja e palejuar e drogave do ta ndihmonte në përmbushjen e tij, atëherë le të jetë ashtu, thoshte vetë me vete Arbitri. 

“Po. Ke të drejtë. Më duhet edhe nje dozë Haré”.

“Haré!?” tha kamerieri i befasuar. “Përditësoje listën e ilaçeve, shoqi jem. Haréja osht e dalë mode. Edhe po besoj që ia din efektet anësore. Provoje këtë. Osht fjala e fundit e bioteknologjisë kosovare. Quhet Horizontet; n’shumës. As që i afrohen ato drogat e vjetra”. E zgjati krahun dhe ia paraqiti një hap në pëllëmbën e hapur.

“A s’vjen me mjet shpërhapës?”

“A keq t’paska zanë, a? Mirë pra”, tha kamerieri ndërsa e nxori një pistoletë shpërhapëse dhe e futi hapin në fole. “Nxirre gushën”. E mbështeti pistoletën në fytin e Arbitrit dhe e shkeli këmbëzën. U dëgjua një viu.

Arbitrit iu hapën sytë dhe mori frymë thellë. Bari veproi shpejt dhe e qetësoi.

“Çka t’i ka gjetë implantet?” pyeti kamerieri.

“Një dreq e di”, gënjeu Arbitri. Mënyra e të folurit iu ndryshua dhe u bë sikur në kohën para bashkësimit me Vërtetarin; pra fliste me ligjërim të thjeshtë e të përditshëm. Alkooli, drogat dhe mungesa e stimujve kibernetikë patën efektin e tyre. “Veç u ndalën. Mbase ishte ndonjë ndërhyrje prej ndonjë pulsi elektromagnetik, ose diçka të tillë. Kam një takim pas një ore për t’i kontrolluar, por nuk prisja dot deri atëherë”.

“Mirë ke ba, shoq. Disa herë m’ka ra me e përjetu at xhehnem. Mos u mallkoftë kush prej saj. Nëse don, njani prej djemve hakerë mundet me ta ba ni diagnostikë. Po’, mundet me ta prishë garancionin”.

“Faleminderit për ofertën. Ndoshta herën tjetër”, tha Arbitri ndërsa pinte birrën me hurba.

Djaloshi me mohak u kthye brenda dhe Arbitri i vërejti sërish syzet e trasha me mentesha të kuqe. Mendohej më vete nëse ishte akt politik kundër teknologjisë për njohjen e fytyrës, apo vetëm ndjekje e trendeve të reja.

“Faleminderit për ndihmën. Tash, ajo puna që ta premtova. A ke nam si haker?”

Djaloshi me mohak, i cili mezi priste t’i tregonte shkathtësitë, plot vetëbesim dhe i gatshëm për të bërë çfarëdo të jetë e nevojshme, e nxori dosjen e tij përmes një disku me AR — me realitet të zgjeruar — por, kur kuptoi që konsumatori potencial ishte i verbër nga ana kibernetike, ai ia tregoi të dhënat në tablet.

Natyrisht që ishte e lehtë të gjeje e-rrogëtarë të pavarur — siç quheshin në Prishtinopolis talentët e lirë, privatnikët kibernetikë, të famshmit privatorë bredharakë — sikur Mohaku në secilën qoshe të Prishtinopolisit. Nëse i fut njerëzit në një geto dhe ua pamundëson lëvizjet në botën fizike, ata do të gjejnë mënyra për të lëvizur. Dhe pse të lodhesh me lëvizje fizike në një kohë kur grimcat dhe elektronët e kryejnë pjesën dërrmuese të punës?

Kështu që, për shkak të nevojës dhe të izolimit, ekonomia e Kosovës ishte bërë e varur nga liria e lëvizjes në sferën kibernetike. Kjo e kishte shndërruar Kosovën në njërën prej pikëlidhjeve kryesore, e barasvlershme me të qenët një ishull-port, në mes të oqeanit kibernetik, nëpërmes të cilit kalonin krejt shtigjet e tregëtisë informative. Dhe mu sikur këta e-rrogëtarët hakerë, njëlloj edhe autoritetet nuk e çanin kokën se çfarë lloj shënimesh lëviznin nëpër portet e tyre kibernetike, përderisa qarkullimi vazhdonte.

Koncepti i rrezikshëm dhe kaotik ideologjik i “lirisë së informimit” ishte në kundërshtim të plotë me qëndrimet e Agjencisë, të Vërtetarit, të Kodit, dhe të një ushtrie arbitrash. Shteti shqiptar, në formën e tanishme, ekzistonte falë dekontaminimit të palodhshëm e kirurgjik të të dhënave.

“Të lumtë, shoku Mohak”, tha Arbitri, dhe ia dha foton e njërit prej caqeve. “Më duhet adresa e këtij personi”.

“Kushton kjo punë”, tha Mohaku. “Pesëdhetë blockchain-a”.

“Nëse e bën shpejt, shtatëdhjetë e pesë, dhe t’i fal pesë shtesë meqë më ndihmove me veturën. Në qoftë se bën punë të mirë mund të të punësoj herë pas here në të ardhmen. Ndoshta do të kem punë të tjera për ty. A ke ekip?”

“Jemi Sindikata e Kaçakëve”, tha Mohaku, dhe e lidhi shpejtësuesin në implante për ta nisur punën. Iu desh më pak se një minutë.

“Qe emri dhe adresa”, tha Mohaku. “Ky tipi është i lidhun me KIRN-in”.

Arbitrit i la mbresa puna e djaloshit, duke pasur parasysh se ishin disa agjenci që përgjigjeshin për mbrojtjen e kufijve dhe trafikut kibernetik të Kosovës — prej njësitit të famshëm 1010 të FSK-së për mbrojtjen kibernetike, rojtarëve lokalë kibernetikë të kontraktuar nga komunat dhe qytetet e ndryshme, e deri te paramilitarët kibernetikë vullnetarë.

“Thashë që më duhet vetëm adresa”, tha Arbitri. Ai veçse e kishte dosjen e detajuar për cakun.

“E ke prej shtëpisë. Në shejë mirëbesimi për bashkëpunimin tonë në t’ardhmen”, vazhdoi Mohaku. “Po, m’duhet me të paralajmëru. KIRN-i nuk është sikur ato agjencitë mediatike që ndoshta t’ka ra me i njoftë prej kohëve t’vjetra”.

“Kështu kam dëgjuar edhe unë”, tha Arbitri. Ai ishte i vetëdijshëm se KIRN-i ishte një nga këto njësitë paramilitare kibernetike. Ai e dinte se, përveç pranisë së tyre kibernetike, KIRN-i po ashtu kishte krahun paramilitar, të cilin e shihnin si të domosdoshëm për t’i mbrojtur dhe mbështetur kalemxhinjtë, shumica e të cilëve ishin të huaj dhe në listat e xhelatëve.

“Organizata e shokut tand e menaxhon ni rrjet që i trajnon dhe i organizon anëtarët e rezistencës së gazetarëve. Kemi punu me ta n’disa projekte. Goxha interestante këto kohë, për besë. Kosova oshtë n’ballëë të ndryshimeve. Jemi vatra e inforevolucioneve në rajon e përtej”, tha Mohaku plot entuziazëm, duke besuar se është në taborin e njëjtë ideologjik me Arbitrin.

Vegimet e të vërtetave të kaluara

Ndërkohë që Arbitri voziste nëpër qytet, billbordët e mëdhenj holografikë që reklamonin korporatat e Kosovës e stolisnin qiellin e natës. Rrugët e ngushta e të fëlliqura ndriçoheshin prej neonëve shumëngjyrësh ndërsa të pastrehët, të pasurit, robotët dhe njerëzit e implantuar përziheshin duke ecur nëpër pellgjet e njëjta me ujë shiu e baltë. Aty u bllokua në trafik, me parakolpin e tij pranë atyre të veturave elektrike, kurse tymi që dilte nga xhipi shkrihej shpejt me mjegullën toksike mbi të cilën qarkullonin e pluskonin dronët e veturat fluturuese.

Horizontet, si drogë, nuk ishte pa efekte anësore. Edhe pse ia kishte qetësuar të dridhurat, ajo ia kishte rritur halucinacionet e abstinencës. Shndritja e turbullt e billbordëve holografikë që shponte nëpërmes mjegullës tash i dukej si vizatime të Rorschach-ut, sikur tablo kinematografikë me regji të një mendjeje të varur nga implantet, por me mungesë të stimujve.

E para paraqiste Edin e Madh, lavdi pastë, dhe deklaratën e tij për luftën ndaj gazetarëve.

Pastaj erdhën imazhet e luftërave të Agjenicsë kundër këtyre kalemxhinjve që ishin aq të paturp ta quanin veten gazetarë dhe të disfatave të shumta prej tyre. Pamje të trupave të pajetë, të shtëpive të djegura, dhe të spastrimeve të dështuara që shkaktuan shumë vdekje të pafajshme. Kalemxhinjtë shfaqeshin si shpirtra të padukshëm që ua prenin grykët arbitrave me të pavërtetat e tyre.

Arbitri pa vegimet e Shkatërrimit të Madh, kur në një kundërsulm informacional të kalemxhinjve, nami i Edit të Madh dhe aleatëve të tij u dëmtua aq shumë sa u dha përshtypja që e Pavërteta ngadhënjeu njëherë e përgjithmonë. Por ato disfata vetëm e forcuan vendosmërinë e Edit të Madh për të vazhduar me ndërtimin e një shoqërie të përsosur e të bazuar në të Vërtetën.

Dhe pastaj iu shfaq një skenë që përshkruante zanafillën e Vërtetarit — inteligjencës artificiale  që tani kontrollonte të gjithë veprimtarinë e Agjencisë — dhe ngurrimin fillestar të Edit të Madh për t’i besuar një makine për t’i shërbyer kërkesave të njeriut. Por, meqë problemet kibernetike kërkonin zgjidhje kibernetike, secili spastrim i suksesshëm dhe secila fitore ndaj gazetarëve vetëm sa e forconte Vërtetarin dhe e bënte më efikas.

Automjetet filluan të lëvizin, porse Arbitri ende ndihej i ngecur. I shpërfillte sirenat që buçisnin prapa tij. Nisi ta shihte veten si një nga ata robotët e dekomisionuar që bredhin rrugët krahas të pastrehëve. Ai filloi të ndiente diçka që s’kishte ndier qëmoti. Ishte frika.

Frika nga vjetrimi, nga tejkalimi i garancionit operacional, dhe nga përfundimi i obligimeve të tij kontraktuale si arbitër. E dinte se kjo frikë ishte efekt anësor i fikjes së implanteve, por ai mbeti i paaftë ndërsa vegimi i radhës iu shfaq para syve. Nuk ishte vetëm halucinacion i rastësishëm, por një retrospektivë e ngjarjeve që kishin ndodhur në të kaluarën.

I riluante në kokë imazhet e shfytyruara të kohës kur ishte dërguar t’i dekomisionojë një sërë arbitrash të Gjeneratës së Tretë që kishin dezertuar dhe kishin bërë blasfemi me interpretimin e Kodit. Trupat e tyre u bënë turrë mbi njëri-tjetrin për lamtumirën ceremoniale. U bënë flakë e tym i ngritur në qiell. Dhe krejt çfarë kishte mbetur ishin implantet e tyre të vjetra në formë të pjesëve të përcëlluara metalike të përziera me hi.  

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.

Muzika: Liburn Jupolli.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.